Një novelë e jashtëzakonshme për njeriun e zakonshëm

Nga Klaudia Hasanllari*
(“E madhe është gjëma e mëkatit”)




Vitin e kaluar akademik, thjesht për interesat e mia mësimore si studente e Fakultetit të Drejtësisë, m’u desh të lexoja apo rilexoja edhe disa vepra letrare si, “Antigona”, “Medea”, nga lashtësia greke, apo “Eskili, ky humbës i madh” të Ismail Kadaresë; romanin “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit, por së fundmi, edhe novelën “E madhe është gjëma e mëkatit” të Mitrush Kutelit. Këto vepra të shquara, janë “lëndë të para” për të gjitha dijet, dhe sigurisht, edhe për drejtësinë. Sidomos ne mungesë të përvojës jetësore apo praktikës profesionale juridike, në këto vepra, gjen siç dihet, drejtësinë dhe padrejtësinë, kriminelin dhe viktimën, raportet mes të drejtës hyjnore dhe asaj shtetërore, zhvendosjen e përhershme të së drejtës nga njëra anë në tjetrën, raportet midis ndjenjës dhe detyrës, etj. Për fat, shumicën e këtyre veprave i kemi trajtuar gjatë programit mësimor në gjimnaz, dhe shënimet për to i ruaj. Mendova, se shënimet dhe mendimet e mia, të një prej këtyre veprave, të asaj të Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit”, sigurisht, të ripara, mund të kenë vlerë për bashkëstudentët e mi, por ndoshta edhe për lexuesin në përgjithësi.

Gazetari dhe ish profesori ynë i letërsisë, Arshin Xhezo, shkruan: “Mendoj se kjo novelë nuk është shkruar për një prift të jashtëzakonshëm, apo “një prift trim ilir që kundërshton tri herë zotin”, por për njeriun e zakonshëm, në raportin e tij më të vështirë, të “mishit me shpirtin”, në raportin midis ndjenjës dhe detyrës etj. Veli i klerikut është zgjedhur nga shkrimtari, pikërisht për ta evidentuar më thellë këtë raport “të egër”, jo thjesht të njeriut shqiptar, por të njeriut në përgjithësi. Kjo i jep novelës, përmes artit të madh të Kutelit, një përmasë gjithënjerëzore, universale.”
Kush është Tat Tanushi i Bubutimës?

Një prift, “petkun” e të cilit e vesh secili prej nesh. Një nga mesazhet kryesore të kësaj novele del nga ideja, se, ashtu si Tat Tanushi, të gjithë gabojmë, thjesht, sepse jemi njerëz. Vetëm perënditë dhe të vdekurit nuk gabojnë, thotë filozofi i lashtësisë greke. Detyra jonë si njerëz është të pendohemi thellësisht dhe sinqerisht për gabimet tona, t’i analizojmë ato, të pranojmë me ndërgjegje ndëshkimin që meritojmë dhe jo të ecim me mendimin, se s’do gabojmë më kurrë. Më pas, sigurisht, të mos përsërisim gabimin që kemi bërë dhe të përpiqemi të gabojmë sa më pak, në të ardhmen.
Ku gaboi Tat Tanushi?

Gabimi i tij, mendoj, qëndron në faktin, se nuk e dashuroi gruan e tij, por e adhuroi atë, në një kohë që i ishte zotuar për adhurim Perëndisë. Ai i drejtohej gruas së tij, Kalijes duke i thënë: “U bëftë dëshira jote”, me sloganin që i drejtohej Perëndisë.

Ai ia tha këtë së shoqes që e donte më shumë se çdo gjë tjetër në dhé, në qiell dhe në ujëra, e kjo iu quajt si mëkat. Këtu lind një lloj “konkurrence” mes dashurisë për njeriun dhe për Perëndinë, “konkurrencë” e palejueshme edhe për besimtarin më të zakonshëm. Por, duke qenë njeri, ai anon nga trupi dhe jo nga shpirti. Kështu që, padashur, zgjedh dashurinë për njeriun para asaj për Perëndinë.
Cila është dashuria e vërtetë?

Raportet, marrëdhënia e Tat Tanushit me gruan e vet të nxisin të mendosh për një paralelizëm mes Kutelit dhe Poradecit. Ashtu si Poradeci, edhe Kuteli, ne marrëdhëniet dashurore mes Tat Tanushit dhe gruas së tij, Kalijes, thekson nevojën për të pasur pranë një njeri që të kupton , që të do, që të

vlerëson. Ai tregon se këto ndjenja vijnë si rezultat i një marrëdhënieje njerëzore ne rradhe të parë, vijnë si rezultat i harmonisë së ndienjave dhe mendimeve reciproke.
A është “njeri i keq” Tat Tanushi?

Ai është, thjesht, njeri dhe për këtë arsye, për një çast “harron” dhe zgjedh dëshirat e mishit, që janë edhe tundim i madh. Mëkati i tij nuk e bën “njeri të keq”, sepse ai reagon, pendohet për atë që ka bërë. Jo më kot, kërkon ndëshkimin më të madh. Ai nuk kujtohet për mëkatin e tij kur i thonë të tjerët, por ndërgjegjja e tij reagon, e qorton dhe e dënon për mëkatin e kryer. Ai ndien përgjegjësi të dyfishtë para dy dashurive: dashurisë për Zotin, që quhet adhurim dhe dashurisë për gruan, të cilën, gjithashtu, e ka adhuruar si Perëndi. Duke u ndier dy herë fajtor, Tat Tanushi, edhe pendesën e ka të

dyfishtë, edhe ndëshkimin, gjithashtu, e pret të dyfishtë. Jo të gjithë reagojnë pas një gabimi. Por, pas pendesës ka ndëshkim. Kjo novelë të bën të pranosh me ndërgjegje gjykimin dhe ndëshkimin e merituar.
Por, a nuk duhej të ndëshkohej edhe gruaja, me të cilën Tat Tanushi kreu mëkatin? A nuk ishte edhe ajo fajtore?

Tat Tanushi ishte një klerik, një prift i cili predikonte fjalën e Perëndisë, moralin tek të tjerët. Ndërsa gruaja, e cila shfaqet edhe si nxitëse e mëkatit, gati provokatore, ishte një besimtare e thjeshtë. Përgjegjësia e Tat Tanushit ishte shumë më e madhe sepse ai kishte mbi supe shumë më tepër përgjegjësi, “përgjegjësinë e pelerinës”, raportin me Perëndinë, pra të ndjenjës me detyrën, por edhe ndaj gruas, sidoqë, tanimë, të vdekur. “Kujt i jepet shumë, i kërkohet shumë.” Jo të gjithëve u ndodh që, kur marrin përgjegjësi të mëdha mbi vete, të ndihen dyfish fajtorë kur gabojnë. Ashtu si një besimtar, që i njeh mirë parimet dhe ligjet e besimit të tij, nëqoftëse i shkel ato, është më tepër fajtor se një person, i cili nuk e ka këtë “pelerine” dhe gabon. Kështu, në novelë, gruaja nuk ndëshkohet, sepse ai që shkeli mbi atë që ishte premtuar, në këtë rast ishte Tat Tanushi, dhe jo gruaja.

A ishte ajo grua, siç e quan Kuteli, djalli që donte ta çonte në Gehenë(varri përfundimtar i njerëzimit sipas biblës)? Tat Tanushi, mendoj, nuk po luftonte me djallin, por me dëshirat e trupit të tij, me natyrën dhe prirjet e tij njerëzore. Gruaja nuk ishte një mjet i përdorur nga djalli, por një pengesë, të cilën Tat Tanushi duhej ta kapërcente.
Abuzon ky njeri me veshjen e klerikut?

Mendoj se, sido që jo me ndërgjegje, ai fshihet pas kësaj veshjeje për të lënë pas mëkatin e tij, ashtu si fshihen dhe abuzojnë me veshjen e klerikut edhe shumë klerikë të tjerë sot. Shtypi dhe Tv-të, jo rrallë bëjnë me dije për akte të shëmtuara të abuzimeve të klerikëve të ndryshëm nëpër botë. Të vjen keq, që më shumë se për ndëshkimin e tyre nga ligjet e shtetit, mëson vetëm për një pendesë formale dhe amnisti. Nga kjo pikëpamje personaliteti i Tat Tanushit të novelës së Kutelit, është shembulli i qëndrimit vetkritik të klerikut, i cili kërkon dhe pranon me bindje fajin dhe ndëshkimin e vet, duke dhënë modelin, sidoqë jo të përkryer, të njeriut të Perëndisë.

Megjithatë, abuzimi me postin, me pushtetin nuk e hasim vetëm te klerikët. Çdo ditë jemi të rrethuar nga njerëz që përdorin postet e tyre për përfitime personale. Megjithëse abuzojnë vazhdimisht me “pelerinën” e zyrtarit, mbeten të pandëshkuar. Ky mesazh, që vjen prej novelës mbetet tepër aktual. Pavarësisht pendesës, ai merr ndëshkimin. A duhet ndëshkimi pas pendesës?

Pendesa është e domosdoshme, por pa ndëshkimin, ajo do të ishte e pavlerë. Vetëm ndëshkimi që vjen pas, mund të ndihmojë për të analizuar gabimin dhe për t’u përpjekur që të gabojmë sa më pak. Kjo novelë këshillon të pranojmë me ndërgjegje ndëshkimin e merituar. Në fund të fundit, ndëshkimi është edhe një mësim edhe për të tjerët, si edhe një garanci për mospërsëritjen e gabimit.

Në një shtet ligjor, vetëm gjykimi dhe ndëshkimi ligjor e vendos drejtësinë.
*Studente e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës