Loading...

“Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” - një vepër me vlera praktike dhe teorike për shqipen standarde

 Nga Prof. Dr. Mehmet Çeliku

Kohët e fundit u botua në Tiranë vepra Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,2011), hartuar nga dy gjuhëtarë me emër shqiptarë, Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj. Ky është i dyti fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe. Fjalori i parë drejtshkrimor i gjuhës shqipe është botuar në Tiranë më 1976 me titull Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,1976); ai u hartua nga një komision i përbërë nga Androkli Kostallari, Mahir Domi, Emil Lafe, Nikoleta Cikuli. FDGjSh i vitit 1976 është botim zyrtar i ASHSH, i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, u hartua sipas vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit,1972, dhe zbërthen e plotëson “Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe”,1973. Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe,1973, dhe FDGjSh,1976, janë dy vepra që përbëjnë një të tërë organike të pandashme, një nga tri veprat madhore kodifikuese të Pasluftës: bazat teorike shkencore, parimet, synimet, si dhe detyrat konkrete praktike i kanë të njëjta.
    FDGjSh,2011, është një vepër e re shumë e vëllimshme me 925 faqe dhe me rreth 75000 fjalë, pra, është vepra më e madhe leksikografike e gjersotme kushtuar shqipes. Në këtë rast kemi të bëjmë me një botim privat; vepra është hartuar me nismën e dy gjuhëtarëve shqiptarë me përvojë të gjatë shkencore e pedagogjike universitare, njohës shumë të mirë të teorisë gjuhësore bashkëkohore, të shqipes standarde dhe të toskërishtes si jugorë të lindur; janë autorë të disa veprave, monografive e librave dhe të shumë artikujve gjuhësorë nga gjuhësia teorike e gjuhësia shqiptare. Bien në sy sidomos arritjet e Ali Dhrimos në fushën e morfologjisë, në studimin e shqipes standarde, në drejtimin si kryeredaktor i revistës shkencore “Gjuha Jonë”, në hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip dhe shqip-gjermanisht shumë të pasur; po kështu të shumta janë ndihmesat e Rami Memushajt në fushën e teorisë gjuhësore, duke hartuar “Hyrjen në gjuhësi” dhe duke trajtuar tema të veçanta nga kjo fushë; ai është ndër të parët studiues shqiptarë që e njeh botën shkencore  shqiptare me rrymat bashkëkohore në gjuhësi, siç është strukturalizmi amerikan e gjenerativizmi; për t’u theksuar është edhe përvoja e pasur e tij në mësimdhënie në auditoret universitare, përfshirë leksionet e seminaret për drejtshkrimin e shqipes.
Të ndalemi tani në disa vlera të veprës FDGjSh,2011, hartimi i së cilës i ka kërkuar autorëve shumë punë. Vështirësitë me të cilat janë përballur, i kanë kapërcyer jo vetëm me punë të ngulët e përkushtim, por edhe falë përgatitjes së tyre teorike  e përvojës së pasur në njohjen e shqipes standarde, të normës së saj dhe të kulturës së gjuhës. Parimet e përgjithshme, mbi të cilat janë mbështetur, siç janë ruajtja e sistemit, thjeshtimi i rregullave dhe pasqyrimi i së resë në normë etj, janë plotësisht të sakta.
Po përmendim disa vlera kryesore të veprës:
Së pari, FDGjSh,2011 është një mbështetje e re serioze, pas gati dyzet vjetësh, në fushën e normës gjuhësore: duke ruajtur plotësisht sistemin e normës, ajo do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shqipes standarde. (Autorët i kanë njohur, i kanë zbatuar e pasqyruar gjerësisht normat drejtshkrimore të veprave  kodifikuese akademike në fuqi, që janë në zbatim, siç janë Fjalori 1980, Drejtshkrimi 1973, Fjalori Drejshkrimor 1976.)
Së dyti, autorët përpiqen të pasqyrojnë shqipen standarde të ditëve tona, e cila, si organizëm e gjallë, natyrisht, ndodhet në një shkallë të re zhvillimi e pasurimi. Autorët synojnë paraqitjen e normës gjuhësore në fazën aktuale, në radhë të parë, në fushë të leksikografisë, nëpërmjet pasurimit të guximshëm, në përmasa shumë të gjera, të leksikut të drejtshkrimuar, me më shumë se dyfishin e fjalëve të Fjalorit Drejtshkrimor të parë (1976); gjithashtu edhe në fushë të morfologjisë dhe të fjalëformimit informacioni është pasuruar. Më lejoni të përmend këtu vetëm drejtshkrimin e një fjale që praktika e sotme e përdor gabim : fjala e re medie jepet me të drejtë në Fjalor edhe në trajtë të pashquar (medie) (gabimisht në vend të saj në praktikën e përditshme përdoret trajta e shquar : në media, në vend të në medie; por për shumësin unë do të parapëlqeja mediat dhe jo mediet). Së treti, interes të madh paraqit zgjerimi i konsiderueshëm i çështjeve të trajtuara: në radhë të parë, rritja  e numrit të fjalëve, kryesisht leksiku me burim nga trevat veriore, përfshirë ato kosovare, si dhe leksiku abstrakt e intelektual, përfshirja e fjalëve e shprehjeve të huaja e referimi te fjala gjegjëse shqipe normative, përfshirja e emërtimeve gjeografike, rritja e informacionit për format eptuese të fjalëve, sidomos i formave të parregullta, pasqyrimi i disa fjalëve të reja, krijuar sipas tipeve flalëformuese më prodhimtare, etj. Kjo mund të vërtetohet konkretisht nëpërmjet materialeve e fakteve. Po përmend vetëm rastin e dhënies së fjalëve të huaja dhe gjegjëset e tyre shqipe, duke përdorur fjalën “shih”, si p.sh. :  promovoj, shih paraqis; inauguroj, shih përuroj, lidërship, shih udhëheqje etj. Kjo , pa tjetër, ndihmon në mënjanimin e fjalëve të huaja, sepse kështu lexuesit  i bëhet e qartë fjala që duhet të përdorë në vend të fjalës së huaj.
Së katërti, FDGjSh,2011, sjell edhe një varg risish e zgjidhjesh të reja, duke zëvendësuar ndonjë rregull drejtshkrimor dhe drejtshkrimin  aktual të disa fjalëve. Më vjen mirë që ndonjë nga bashkautorët  e veprës, ndryshe nga qëndrimi i tij i mëparshëm, në këtë vepër pranon disa ndryshime a modifikime rregullash të Drejtshkrimit, 1973. Shumëkush nuk do ta miratonte këtë qëndrim të ri të FDGjSh,2011, duke e parë si kundërvënie me normën zyrtare, ose si një pështjellim në paraqitje, por autorët e kanë zgjidhur problemin me zgjuarsi, duke përdorur ngjyrën e kuqe në paraqitjen e risive. Unë pajtohem me disa nga këto qëndrime të  reja të mbajtura në këtë botim, por kjo nuk është gjithmonë meritë e autorëve të FDGjSh,2011, sepse shumë prej zgjidhjeve të reja të këtij fjalori janë shtruar gjatë dyzet vjetëve të fundit, që nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972) deri në Konsultën e Durrësit (dhjetor 2010). Ndër të tjera, pajtohem me drejtshkrimin pa ë fundore të emrave të gjinisë mashkullore, si lum, djal, burr, uj, djath dhe shumësat djathra, ujra dhe me fjalët e prejardhur prej tyre; me mënjanimin e dysorëve të shumësave të disa emrave, në drejtshkrimin e fjalës Europë për Evropë e derivatet e saj etj. Pajtohem me qëndrimin e rezervuar për ruajtjen e ë-së paratheksore, duke parapëlqyer qëndrimin tradicional (argëtoj, bagëti, këpucë, fëmijë, kënaq, anëtar, botëror, armiqësi).
    Vepra FDGjSh,2011, jo vetëm që do të plotësojë më së miri nevojat e ditës në rrethanat e mungesës në treg të Drejtshkrimit,1973, dhe të FDGjSh,1976, por do të ndihmojë në drejtshkrimin e shumë fjalëve të reja, të fjalëve të huaja, të emërtimeve gjeografike si dhe do të informojë gjerësisht për sistemet eptuese të foljeve etj.
Autorët me guxim kanë bërë përpjekjen e parë për hartimin e një fjalori shumë më të gjerë të shqipes standarde, duke bërë realitet një nevojë e mundësi të shqipes; për këtë autorët kanë  përzgjedhur e ngritur në normë shumë fjalë të botuara në fjalorë të ndryshëm  ose fjalë që janë në qarkullim, duke dhënë shpesh edhe sinonimet e tyre. Kuptohet se në këto rrethana kemi të bëjmë jo thjesht me një fjalor drejtshkrimor, por me një vepër normativizuese më të gjerë, që përfshin disa nënsisteme apo hallka të shqipes standarde. Siç dihet, kërkesa për hartimin e  një fjalori të ri më të gjerë të shqipes standarde është shtruar kohë më parë.
Vepra do të mirëpritet në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare, ajo do të jetë shumë shpejt libër tavoline i nevojshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe private, për të gjitha redaksitë e gazetave, revistave, radiove, televizioneve, për shkollat, arsimtarët, studentët dhe familjet. Botimi është realizuar në mënyrë të shkëlqyer nga pikëpamja tipografike, ai është lehtësisht i përdorshëm; INFBOTUES me këtë botim e radhit veten në krye të tipografisë shqiptare.
     Natyrisht, për një vepër gjuhësore të tillë me vlera kombëtare, me përmasa kaq të mëdha dhe që do të ketë një përdorim shumë të gjerë në praktikën shkrimore të përditshme, vërejtjet e analizat nuk do të mungojnë, sidomos pas njohjes më të mirë të saj gjatë përdorimit. Më lejoni tani të bëj ndonjë sugjerim dhe vërejtje paraprake me rastin e paraqitjes së kësaj vepre (para tri javësh kjo vepër u paraqit para botës intelektuale në Universitetin “A.Xhuvani” Elbasan): (1) FDGjSh,2011 më rezulton si vepër e parakohshme dhe e papritur; një vepër si kjo pritej të hartohej e të botohej pas ribotimit të përmirësuar të Drejtshkrimit,1973, ribotim ky që po zgjatet çuditërisht shumë! Megjithatë puna e lavdërueshme e kryer, përmasat e gjera të veprës dhe shumësia e çështjeve të trajtuara, rezultati i arritur, kompetenca e autorëve dhe titulli modest “Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” dhe jo “Fjalori…” e përligjin një ndërmarrje të tillë. Jam i sigurt se pas ribotimit të rishikuar të Drejtshkrimit, 1973, autorët tanë do ta kenë të lehtë hartimin e “Fjalorit Drejtshkrimor” zyrtar të shqipes standarde. Që të dyja këto punë nuk do të jenë ndërmarrje të largëta. Sigurisht shqipja standarde e ka të nevojshme një fjalor drejtshkrimor zyrtar pas ribotimit të Drejtshkrimit 1973 të rishikuar, i cili do të jetë i treti fjalor i shqipes standarde dhe që do të zbatohet në vite e vite për shumë dhjetëvjeçarë. (2) Për përfshirjen e njësive leksikore me burim dialektor kam disa rezerva. Dialektet janë burime të pasura, por në zgjedhjen e lëndës leksikore nga dialektet duhet treguar shumë kujdes kur është fjala për hartimin e një fjalori të shqipes standarde. Parimi themelor tashmë është i mirënjohur dhe është zbatuar fillimisht nga Kristoforidhi në Fjalorin e tij, por edhe më vonë nga fjalorë të tjerë, si nga Fjalori1954 dhe nga Fjalori 1980 etj. Në fjalorin e shqipes standarde mund të përfshihet e të ligjësohet çdo fjalë me burim dialektor që nga pikëpamja kuptimore a stilistikore sjell diçka të re për standardin.     (3) Risitë e zgjidhjet e reja, përfshirë prirjet e reja të shqipes standarde, për mendimin tonë, duheshin plotësuar e pasqyruar më mirë: Nga njëra anë, ka prirje të tjera shumë të qarta e të vërtetueshme që meritonin të pasqyroheshin, si: ngritja në normë e shumësave të emrave  e mbiemrave me - j në vend të – nj ( ullij,ftoj, barij,lumej; të mëdhej,të rij ) (në vend të ullinj,të mëdhenj); ngritja në normë e foljeve me -s në temë në vend të -t (mas, prashis në vend të mat, prashit); shkrimi pa vizë dhe i veçantë i fjalës ish në tipin ish drejtor, ish ministër, ish i përndjekur (në vend të ish-drejtor e tj); shkrimi me ë të theksuar dhe jo me e të fjalëve i gjërë, gjërësi (dhe jo i gjerë, gjerësi, që përbën një përjashtim të pambështetur); zgjerimi i përdorimit të shkronjave të mëdha në disa kategori emrash e togfjalëshash etj. Nga ana tjetër, disa ndryshime të pasqyruara në FDGjSh, 2011, më duken si jo të goditura, në ndonjë rast të papranueshme, si p.sh. foljet hipi, eci, iki, që drejtshkruhen pa i fundore (hip, ec, ik;  trajtat pa zanoren fundore –i tingëllojnë si artificiale dhe si ndërhyrje në gjuhë; ato janë të panjohura për standardin, shumë-shumë janë trajta periferike dialektore); unë jam edhe kundër grafemës Ë dhe përfshirjes në Fjalor të disa fjalëve me të (shih faq.925). (4) Për paraqitjen e veprës kam ndonjë sugjerim: Për titull do të parapëlqeja “Fjalor drejtshkrimor i shqipes standarde”; paraqitja e fjalëve në rrokje nuk më duket shumë praktike dhe funksionale; kollonat në faq. XXVII e vazhdim të kishin tjetër vendosje:në fillim Norma e pastaj Norma e propozuar; Literatura është shumë e varfër, mungojnë madje edhe Drejtshkrimi 1973, Gramatika e Akademisë, 1995 dhe vepra të tjera; Parathënia e veprës nuk është ndërtuar mirë; Fjalori është hartuar sipas koncepteve gramatikore më të përparuara (kujto p.sh. vështrimin në një leksemë të foljeve veprore e pësore), megjithatë ka vend për vërejtje, siç është rasti kur disa fjalë duhen interpretuar si folje, e jo si mbiemra a ndajfolje. FDGjSh,2011 duhej të mbështetej më shumë në gjetjen e fjalëve në përdorim sesa në përzgjedhjen e fjalëve të nxjerra nga fjalorët, por pa i verifikuar sa duhet në praktikë. Ka fjalë në përdorim që nuk gjenden në këtë fjalor, p.sh. parafjalët foljore etj. (le të përmendim një fjalë që njëri nga dy  autorët e ka përdorur shumë herë në një vepër të tij, siç është folja gjeneron, por që nuk gjendet në  këtë Fjalor). Do të ishte mirë që në hartimin e kësaj vepre të kishte edhe një bashkautor të tretë; veprat e mëdha me vlera gjithëkombëtare kërkojnë punë me ekip të gjerë; mirë do të ishte që vepra të botohej pasi të shihej më parë edhe nga dy-tre recensentë dhe pas diskutimeve në departamente të gjuhës në universitete. Punët e mëdha kanë nevojë për shumë mendje.
Këshilloj që FDGjSh,2011 të përdoret gjerësisht nga të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, të gjithë duhet të përdorin vetëm normën zyrtare, trajtën normative, që në vepër jepet nga autorët me të zeza, dhe jo normën e ndryshuar, që jepet në ngjyrë të kuqe; rasti i botimit të kësaj vepre do të shërbejë si nxitje për Qendrën e Studimeve Albanologjike që sa më shpejt të ribotojë Drejtshkrimin,1973, të përmirësuar, dhe, menjëherë pas këtij botimi, i vjen radha ribotimit të FDGjSh,2011 të A.Dhrimos dhe R.Memushajt, por këtë radhë, si Fjalor drejtshkrimor zyrtar; për mendimin tonë, duke e rritur numrin e autorëve të paktën edhe me një autor të tretë.

(Fjala e mbajtur në Akademinë e Shkencave, me rastin e paraqitjes së FDGjSh, më 27.6.2011)
Home item

Arkivi

Më të lexuarat