Loading...

Arlind Farizi - ARTI I REFUZIMIT


ARTI I REFUZIMIT

Tetovë, 2010
Botues
Për botuesin
Redaktor
Recensentë:
Fatmir Sulejmani
Bardhyl Zaimi
Fotografia dhe disejni i ballinës
Salajdin Salihi
Email:
00 (389) 70 718 551
Copyriht
© Autori

ARTI I REFUZIMIT


Ke vendosur të shkruash? Po, - i thashë vetes. Dhe gjatë kohë mbeta në pragun e kapixhikut të hamendjes. Më në fund vendosa. Zgjodha shoqërimin me ata që janë Rekuiem për Metamorfozën e kohës. Shoqërimin me ata që të nxisin përparimin e shpirtit dhe që dinë të thonë vetëm atë që është, atë që e shohin më sytë e mendjes dhe e dëgjojnë me veshët e ndërgjegjes… Dhe unë mësova zanatin e tyre, ashtu siç bëjnë të porsanjohurit. Dhe me pëlqeu loja e tyre, Loja e Llafeve… Kaherë më ishte mbushur mendja se jam sajesë kujtimesh, ëndërrimtar utopik dhe provova (vetëm provova!), të end pëlhurën shumëngjyrëshe të jetës me penj intuitivë... Qe një nisje me stil të huxhumit. Të shkruarit m’u bë obsesion. Shkruaja natën, ditën, krijoja me skica, ndodh më kujtohet diçka, nëse kam letër e shkruaja dhe vetëm kur kthehem në mbrëmje te makina e punës aty ulesha dhe e sendërtoja. S’është e lehtë të gjesh thesarin më të çmuar të vetes. Atë gur të çmueshëm që të bën të mendosh në pasuri morale dhe mbretëri pa “delet e devotshme të marrisë”. Dhe nesër bëhesh rastësisht i përjetshëm… Ja si ndodh kjo: Libri yt i vockël, më në fund sheh dritën e botimit. Pastaj një promovim…
Kalon kohë dhe ti ndeshesh me lloj situatash që të degradojnë dëshirën tënde për të vazhduar më tej më zanatin e krijuesit. Arsye ke plot ndër to janë edhe revistat tona kulturore, që rrallë apo hiç herë botojnë shkrime nga autorë që s’i njeh historia... Dhe e di pse ndodh kjo? Sepse ata kanë gazetarët e vet dhe KURSE gazetarie, ndërsa ti nuk je si ata. Letrat e tua dërguar atyre censurohen… Po ç’ndodh me kujdestarët profesionalë që duhet t’i ndjekin botimet e librave, sidomos të debutuesve. Kritikë e përgjumur do të thosha. Po ti akoma shkruan, të sheh Zoti dhe të dëgjon muza jote poetike. Por nuk kënaqesh me kaq. Fjalët janë gati dhe shprehen vetvetiu. E vërteta kërkon të dalë nga qenie jote. Jo, s’të pritet më. Kërkon të shpërthesh dhe t’i hapësh dritaret e kërshërisë tënde që të vjellësh lukthet aty ku ti do. Do të jepet rasti, duro… Një natë, ndërsa kërkon diç për të lexuar gjen librin tënd, e merr dhe e lexon kujdesshëm. Gjen një mijë gabime dhe e flak jashtë bashkë me depresionin tënd. Dokrra, bërtet. Mandej shikon fytyrën tënde të mbetur në negativin e një natë pa shtigje, nata e promovimit tënd. Dhe në imagjinatë të rirenditen ngjarjet që ndodhën dikur. Por, assesi të kompletohet afresku i fytyrave të atyre që i pate pranë (vetëm për një natë!), e që të kanë dashur (vetëm për një natë!), që folën për ty (vetëm për një natë!), ata që të ngritën majë Bjeshkëve (vetëm për një natë!) dhe (vetëm për një natë!), ti ishe më shumë se njeri…  Promovime vlerash që jetojnë vetëm për një natë. Dhe ti, krijuesi i ri, brengosesh se arti yt nuk do të lexohet. Dhe mos e krijo bindjen se lexuesit mezi presin të t’i lexojnë shkrimet e tua. Ata kanë shumë halle. Të zënë janë edhe ata që t’i rritën veshët, se nesër do të behësh, si ky, si ai, si askush… E pa interesuar do jetë e dashura jote, ajo do t’i xhelozojë poezitë e tua, se ti shkruan për dashuri, seks dhe përjetime, as ajo e as të tjerët nuk e kuptojnë parandjenjën tënde për Muzgun… Ky është libri yt i parë dhe as mos prit recensione dhe lëvdata nga askush se kushti i parë për të shkruar mirë është që t'u ikësh lëvdatave shterpe. Ata që merren me zhveshjen nudo të letërsisë, ata që përpiqen të shohin anët e errëta të autorit - kritikët - nuk do t’i qasen veprës tënde me seriozitetin e duhur. Ata e lexojnë ashtu siç lexohet një libër i ri, nga në autor jo dhe aq i njohur dhe përshtypjet, as të mira e as të këqija, nuk i botojnë se TI NUK JE I NJOHUR… Kupton, ty s’të njeh askush… Ti, krijuesi i ri, njeriu i vockël, imtësia e kësaj bote, atomi i letërsisë, nuk duhet të krijosh nga vetja një snob prej racës së gërditshme. Me siguri pyetesh: se snobizëm qenka të shëtitësh rrugëve të utopisë, e të besosh se një ditë dikush do të shkruajë për ty. ËNDËRRAT E TUA KANË NUMRIN E KËPUCËVE TË KOHËS... Dhe ti, krijuesi i ri, kur shikon nga dritaret e shpresës, gjithmonë e ke të njëjtin mendim: KËSHTJELLËN…, vendi ku ti kërkon të arrish…
Jeta e krijuesit të ri është një udhëtim në drejtim të panjohur…Ashtu si Gjeometri K. Dhe përderisa, ai vijëzon rrugëtimin e vet jetësor në pëlhurën e paskajshme të kohës ndodh të shoh vetëm mjegull. Paqartësi. Por ai vazhdon së vrapuari dhe në çdo pjesë të trupit ndjen frikë. Pengohet diku. Rrëzohet. Ngrihet dhe përsëri vazhdon rrugën për në zemër të mjegullës. Nata s’e ka verbuar, jo. Më në fund me sytë e plagosur nga stërmundimi i zgurdullimit, sheh ca drita që bien si meteorë të një qielli shtatori dhe që zbulojnë konturet e KËSHTJELLËS… Ajo ishte afër po kjo afërsi ishte shumë larg tij… E ndjen veten të rimëkëmbur nga iluzionet, nga përjetimet e imagjinuara në halucinacione të natës me kombinime të ëndërruara, gjithë atyre bredhjeve të kota, të mundimshme…
            DHE TI KRIJUESI I RI, KI BESIM TE ZOTI, POR KURRË NUK DO JESH I SIGURT SE ÇKA PO NDODH…
 ( Ars,  2004 )


SHKENCA E LETËRSISË DHE KOMPLEKSI I FUSNOTAVE


“Ulërij, pra jam”

       Ti do ta presësh mohimin e mohimit, asgjënë e asgjësë, në zemrën tënde të madhe prej rrufepritësi. Nuk do bëhesh më i mençur nëse ke magjistruar. Është vetëm një titull shkencor modest dhe këtë ti nuk e shndërrosh në vlerë dhe në kompleks profesional. Mos u gëzo dhe aq, ka dhe gëzime tjera kjo bukuri shituese e qujatur Jetë. Ti s’do shënosh mr.sc-jat para emrin tënd sall për t’i bindur tjerët, sall për pozë dhe hatër. Varrosë këtë shprehi centrifugale, s’është për ty. Më parë bind veten për përgjegjësinë e titullit. Ti do provosh situata mospajtuese, si në koncept ashtu dhe në qasje shkencore. Jo çdo vërejtje duhet ta dëgjosh. Mëso prej të mëdhenjve të shkencës por edhe prej të vegjëlve të sinqertë. Po të dëgjosh Sabri Hamitin duhet të fshish Realizmin, po të dëgjosh Qosën duhet fshirë Avangarda, po të dëgjosh Ali Aliun duhet të mos citosh Vincën, po të lexosh nga Vinca duhet të merresh me memorizime të kota që përafrojnë letërsisë me historinë, po të dëgjosh mentorin duhet merresh me mendime të gatshme... Kadarenë dhe Qosen as mos provo ti futsh në një fjali se pasojnë vetëtimat... Ti duhet të kuptosh se diversiteti i mendimit shkencor është pasuri dhe se nuk është krim të mendohet ndryshe. Kjo “ndryshe” patjetër duhet argumentuar. LETËRSIA ËSHTË SHKENCË E SECILIT... Letërsia nuk është metodologji, nuk mund të robërohet mendimi në hipoteza, metodat, citate, indekse e thyerjesh tjera të cilat i japin letërsisë imazhin e shkencës ekzakte. Shkenca e letërsisë sot sikur shkon ka eseja shkencore dhe ik prej klasikes së metodologjisë në punimit shkencor.
        Mbështetu te studiuesit tradicional, ktheju traditës si mikut më të ngushtë dhe gjej identitetin e shkencës së mirëfilltë. Gjithçka që ndërtohet mbi traditën vjen si lojë fjalësh emërtuese të periudhave të ndryshme dhe izmave të pafund. Ti duhet të kuptosh se çështja e periodizimit është e rëndë për ta studiuar dhe doemos ka keqkuptime. Andaj, ruaj qëndrimin e sinqertë dhe argumento tezën duke iu referuar traditës shkencore. Ti s’do krijosh prej vetes një snob të shkencës se, shkencëtari i mirëfilltë duhet të harrojë lavdet shterpe dhe mos i kënaqet çdo shtrëngimi dore nga dashamirësit, kolegët. Ik sa më larg sektit të shkencës së dobët, prej doktorëve të valleve popullore, nga ata që shpallët proletar Migjenin sall t’ju kalojë tema, nga doktorët pa punime doktorature, nga kritikët e metakritikës, nga arkitetektët doktorë letërsie... Ik sa të mundësh! Ik si qengj i butë! Ik prej grigjës së marrisë shkencore! Kjo ikje është shpëtim dhe mbijetesë në kushte xhungle.
       Ti je shkencëtar i ri, ti je i panënshtruari. Ti je i guximshmi i shkencës. Ti je rebeli. Ti je pasqyra me fytyra vetëtime. Ti nuk je nga ata që besojnë se janë të ngritur lart aq sa i kanë rrokur Himalajën e shkencës, se kanë zbuluar universin dhe formulën e ujit. Ti s’je nga të edukuarit e popullit, të terrorizuarit me para të majme të fituara brenda natës arritën të blejnë titujt – kuponët e shkencës së rrejshme, vizat e përjetësisë shkencore. Ti nuk je nga të nënshtruarit e mentorit andej kufirit të cilit ia besuan eurot si shenjë respekti për shkrimin e temës. Dhe shprehja ne kemi paratë – ata kanë trurin shfaqet si pasqyrë ku të shëmtakët e shkencës duhet medoemos ta shohin vetveten dhe të kuptojnë derdimenomaninë e tyre akademike.
       Ti s’je as prej tyre që kanë vetëm rezultate minimale e na flasin për ideale shkencore e kombëtare; ata që mësuan shpejt e diplomuan blic në Qafëthanë,  ata që pas 98 –tës u bënë doktorë, ata që e ruajnë partinë për veten (kohën) e tyre, dhe assesi të kuptohen çfarë projektesh absurde kanë në të ardhmen. Mbase përfundojnë në dekanë fakultetesh ose rektorë universitetesh...
       Ti nuk duhet të marrish pjesë në asnjë maskenbal meskin. Por, bëhu shikues, vrojtues, analizues dhe pështyj. Pështyj maskat me lëkurë fytyre. Pështyj shtirnjakët e shkencës së a-kulturës, debilet kakademikë të kompleksuar për fusnota… Pështyj ata që ta matin vlerën e punimin shkencor me numër citatesh, me përzgjedhje meskine të autorëve që duhet dhe nuk duhet të citohen. Pështyj ata që harresën e mospërshëndetjes dhe falemindërimit publik të mentorit do ta marrin për herezi dhe tragjedi familjare. Jazëk!, shqiptarëve me kësi komplekse të pista!
       Mërzitu vetëm nëse punimi yt nuk është i sinqertë. Mërzitu nëse ke be hajni shkencore. Mërzitu nëse je i paaftë shkencërisht. Më mirë mos e nis një punë nëse s’di si me e ba’. Shkenca nuk bëhet me spekulime dhe me filozofi qejf-bërjeje, me ngritje të lezetit mentorit ose anëtarëve të komisionit. Shkenca do vetëbesim…
       Ti nuk do të të joshin sakrificat e mundimeve, nga asketizmi shkencor. Ti nuk do të jesh rrogëtari i askujt, as i mentorit, pos i vetes tënde. Ti nuk do dezertosh në asnjë beteje llafesh të rënda për tema të mëdha; ti s’je një shtirnjak, ti s’je një i paaftë. Ti s’do bëhesh kurrë aktor, as i angazhuar për reklamë shkencore me mungesë shije.
       Çfarë të mbetet ty? Fjala? Kjo shkencë e gjithëdijshme. Nëse ti do bësh narcisin, kur s’do shkruash kaq të bukur dhe guximshëm?."Fjalët janë tingujt e ndjenjave" dhe ti mëton që këtë  ndjenjë tu shpërndash tjerëve si lule paqeje. Po ata, të vetëkënaqurit e të rehatuarit e botës, të mirërenditurit në postet universitare me tituj të rrejshëm akademik janë vetëm dyshimtarët e takatit të (t)ultë. Janë kopja e vetvetes, e vetës që e synojnë, janë prej brumi marrëzie e hipokrizie, janë mediokrit e shkencës që shpejt letërsinë do e kthejnë në xhungël lulesh bodleriane.
       Ti, do ti përdorësh fjalët siç i përdorin të tjerët shenjat e komunikacionit: me përpikëri, me kujdes, me saktësinë e vozitësi të kujdesshëm. Ti nuk do të hysh në kuqen... Do ndalesh. Do presësh. Është e madhërishme pritja. Do anosh kryet. Dëgjo sirenat. Presin nisjen tënde... Nisu, udhëto, është mirë të udhëtosh... Dhe të shkruash... Dhe të studiosh...
        Fjala është oktava e dridhjes ndjenjësore. Kumbimet e dhimbjes, dashurisë dhe frikës të sajuara përsosmërisht në një paraqitje grafike. Dallgët e ajrit dhe shkërpatjet fotonike lindin nga lënda shpirtërore dhe rrjedhin si valë mendimi në dëgjuesit dhe lexuesit e tu. Lexuesit e tu më të mirë janë miqtë e tu. Se askush nuk bën miq, pa bërë armiq, porse asnjë armik nuk mund ta arrijë kurrë lartësinë e një miku. Se miqësia është një formë e maturisë. Miqësia është besim.
       Ti nuk je nga mburravecët e shkencës, egoistët që e ruajnë punimin e  pabotuar sepse kanë frikë lexuesin e së nesërmes, dembelët takat-ulët. Të shkruarit shkencor është një përpjekje e tmerrshme sfilitëse, si një lëngatë e gjatë e një sëmundjeje tërë dhimbje. Ti s’do të ndërmerrje kurrë një gjë të tillë, po të mos i frynte në vesh ndonjë demon, të cilin as mund ta mposhtë e as ta kuptojë. Ky demon është thjesht instinkti që e bën foshnjën të qajë për të tërhequr vëmendje.

*        (Skicë ngushëllimesh shkencëtarëve të rinj edhe të vjetër)


NJË HESHTJE E NJËQIND LEHJE…

  
            Pavetëdijshëm shkëputet edhe ky fragment nga një inercion frike i ngulitur në vetë-censurën e një krijuesi të ri që përfaqëson një pjesë të letërsisë së kritikuar sot e gjithë ditën gjithmonë prej gjithkujt.  

Sa është ora në letërsi?
Një heshtje e njëqind lehje…

Njeriu i ri lindet brenda krijuesit. Ai e zgjoi atë. E shkundi mirë. Dhe, krijuesi i ri u bind se nuk mjafton vrapi i tij për t'i rënë përqark globit, u bind se nuk mjafton kurioziteti i tij për t'i zgjidhur gjitha enigmat e kësaj bote. U bind nuk është i kapluar prej kurrfar "çmendurie krijuese", se nuk është në zotërim të asnjë profecie apo misioni nga lart, se nuk ka tel të shenjtë në kokë. U bind se poetët nuk e kanë forcën të transformojnë gjërat (punë alkimistësh!), e as më pak të krijojnë (punë Zoti!)… Krijuesi i ri, u bind se iku për fat koha e poetëve si ndezës zemrash, si kambana të kryengritjeve, si përçues optimizmi apo nxitës. Njeriu i ri që u lind brenda krijuesit e ngjoi atë, e shkundi, e bindi se heshtja është veçori e frikacakut…
                Një ditë, krijuesit të ri i shkoi mendja të shkruaj Polemikë. Edhe për këtë e nxiti NJERIU I RI, e zgjoi, e shkundi, e bindi se dhe ti je pjesë e SISTEMIT PERIODIK LETRAR dhe se dhe Ti ke vend në të. Nga pakënaqësia e renditjes së krijuesve sipas kriterit të miqësisë (jo sipas vlerave), në këtë sistem sheh atë që s'ta sheh syri tjetër kund; Idhuj - poet që krijohen sipas nevojave të disa njerëzve, sipas përmasës së idealizuar të aspiratave të tyre dhe mbetja nga ky përpjesëtim i drejtë është IDHUJ ME INTERES RELATIV… Më i squllti përfaqësues i species së mediokërve, që dreqi e di se për ç'cilësi të paepur biologjikisht ia del të pozoj aq krenarisht kësaj radhe shigjetohet nga një krijues i ri. Sajesë mediatike. Polemikë. Llaf. Arsye. Aspak fyerje. Gërvishtje. Zbulim. Frikë. Ikje. Poshtërim…
    Mendimi alternativ supozohet se gjithmonë ka frymëzim apo nxitje të fshehtë armiqësore. Liria e mendimit dhe e të menduarit ndryshe për do burra që mendojnë se opinioni publik janë ata, është më e pafalshme se krimi i vrasjes. Ndërsa "njerëzit vazhdojnë të vlerësohen jo sipas cilësisë së punës, por sipas aftësisë për të ulur kokën dhe për të mos bërë probleme" (Ardian Marashi). NJERIU I RI që lindi brenda krijuesit e nxiti, e shkundi, e bindi krijuesin se nuk duhet vuajtur më nga vetëdija e pafuqisë se s'duhet me qenë më në nivelin e MENDJEROBËRUARVE të Çesllav Milloshit, se duhet shkelur shtigje të reja, se, se, se… Polemika shqetësoi grupin e Heliumit - viktimës marrë në shënjestër. Dhe vetë vdekshi gjeti kohë t'i kthejë përgjigjen këtij krijuesi pa emër e pa nam, duke e vendosur emrin e tij në thonjëza. "Kohë e keqe për letra dashurie", i dikton krijesa me tis mistik. "Shkruaj libër patriotik kuq e zi" i sugjeron! Krijuesin e ri e lëshon takati. Shan veten pse u kllum kot në këtë KIK BOKS fjalësh, por NJERIU I RI, e nxiti, e shkundi, e bindi se s'duhet dorëzuar, se dobësi është nëse dorëzohesh…
                Gjak të kuq e mëkat të zi, Miqtë e mi. Në këta truall të mëkatit ejani të mbjellim një mollë. Se dhe unë bëra mëkat si dielli që përsërit gabimin e të perënduarit. Bëra gabim, miqt e mi, kritkova NJË TË MADH!, Unë?!, Njeriu i vogël, Unë?, Krimbi! Unë vetë vetja ime, padroni i kundërshtisë së pafund, i kundërshtisë së arsyeshme. Unë aspak poeti shajta idhullin më të prekshëm të grupit të mediokërve me valencë të njëjtë shpirtërore. Unë i këndova një elegji letërsisë më fjalët e një korbi zë-ndalur e me flatra sinqeriteti. Nuk pata asnjë pretendim për t'u bërë faktor. Shkrimi qe më shumë se një informacion, qe një tentim për të gërvisht flluskën e një të vërtete, qe një ulërimë drite… Heshtja mbetet balerinë që sillet rreth e përqark bisedova tona mbi letërsinë. A duhet heshtur në kësi rastesh? Me trego ti NJERI I RI që linde brenda meje, më nxit, më shkund, më bind në të kundërtën… Njeriu i ri heshti!…
( Brezi 9,  2005 )




SISTEMI PERIODIK LETRAR 



 Çdo ditë e më shumë po bëhen të njohur emra dhe mbiemra, iniciale e pseudonimesh shkrimtarësh duke mbushur kështu sistemin periodik letrar. Mbeten bosh vetëm disa vende për zbulime të reja. Këtij sistemi i prin Heliumi - Kryetari i LSHSHM- së. Personalitet i njohur ky. Ka një mjekër plot ferra ashtu si dhe mendimet e tij. Ka një kapelë rokerësh, por s'është roker. Mandej dhe çantën e ka më të madhe se Profi im, ku i ruan në xhepa të veçantë budallakitë poetike, të cilat ne, lexuesit, do i shohim nesër të botuara në librat e tij shumëfletësh dhe me kopertina seksi… Është i vrazhdë në shkrimet e tij, glamuroz, andaj dhe lexuesin e bën të tillë. Ai e projekton veten në vend të një bageri artistik që më forcën e mendimit të rrënojë Kështjellën e Tabuve. Ai s'ka frikë nga gërvishtjet që mund t'i shkaktojë guximi i ndërmarrë sepse ka nën kontroll Milicinë e kulturës e cila ia mbron denjësisht të drejtat e sigurinë si të një Intelektuali të pa-varur. Dhe prej se u emërua si Kryetar i Lidhjes së Kalemxhinjve ai siguroi mandat të përjetshëm, sepse angazhohet pra, posi (!?) si nuk angazhohet në arritjen e sukseseve së si të ecet përpara. Dhe Letërsia angazhohet bashkë më të… Atë e nxeh pazari i llafeve mbi letërsinë që krijohet nga krijues të krahut të shituar keq të letërsisë kombëtare. Sa herë kur faji hidhet mbi të ai e mohon atë më shkelm prej kali duke e gjuajtur drejt shtëpive botuese që veprojnë një: ilegalisht dhe dy: që botojnë antivlera…
            Ai ka shumë shokë. Grupi që e përfaqëson ai karakterizohet me veti dhe valencë të njëjtë shpirtërore. Ata rrinë dhe kuvendojnë me muhabete pas shpinë për çështjen e pazgjidhur të letërsisë. Ata zgjidhjen dhe shpresën e fundit të shpëtimit e shohin tek talentet e rinj të cilat duan t'i nxjerrin para kohe nga barku shtatzëne i letërsisë. Zakonisht një kohë i mbajnë në inkubatorë artistik ku i ushqejnë më infuzione ëndrrash. Pastaj ato do nisin rritën duke u mbajtur patericave të pasigurta sepse lindën ta papjekur. Lindën me shpejtësinë e dëshirës për ta rasur letërsinë dhe sistemin periodik letrar me talent të pazbuluar. Librat e tyre do botohen nga para të marra hua nga kryeredaktori me qëllim të përfitimit të popullit. Pra, populli fiton nga sasitë e konsiderueshme e jo nga cilësitë e nevojshme. Përderisa shikoja sistemin periodik letrar sytë e mendjes ndalen tek disa elemente paksa të heshtura. Këto elemente i karakterizon numri i vogël dhe ko-operativiteti vëllazëror. Këto njerëz janë shumë modest. Flasin rrallë. Më shumë heshtin. Shkruajnë natën. Ditën janë pjesë e margjinave. Pinë shumë cigare, tymosin mërzinë dhe avullojnë trutë ne erën e këndshëm të salepit. Flasin për Përkryerje për Ideal. Mësojnë edhe nga më të vegjlit. Janë shumë të sinqertë. Sinqeriteti është dobësia dhe përparësia e tyre. Shkruajnë poezi të pakuptimta, me pak fjalë. Ashtu janë, të fshehtën e ruajnë si gurin më të çmuar brenda vetes. U ndihmojnë krijuesve të rinj, por jo të gjithëve. Vetëm atyre që e kanë arritur pjekurinë krijuese. Kritikojnë më të drejtë...
                Them këto janë ata që na duhen, ata që duhet t'i prijnë sistemit periodik letrar, por fatkeqësisht zërat e tyre heshtën nga nallçat e armatës së mediokërve që s'dinë që ç'ështtë arti dhe letërsia. Për hir të së bukurës, për hir të brezave që vijnë, për hir të së vërtetës, të së mirë, së resë, të largohen Heliumat nga karriget e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë të Maqedonisë, përndryshe do rëndojë mbi ju mallkimi për Infektimin dhe Përbuzjen e Letërsisë dhe Artit dhe se do dënoheni për shkatërrim dhe sakatshmëri artistike, për gjymtim të asaj që është më e nevojshme për lëtersinë, mëkëmbjen e Krijuesve të rinj me paterica estetike…

 

 



 LETËR VETVETËS 



… do doja këtë letër t'ia dërgoja dikujt, ndonjë shkrimtari, ndonjë institucioni, apo ndonjë kali që njeh mirë artin, ndonjë statuje që di të qaje.., po s'e bëj dot. Andaj këtë letër me një stil akrepi po ia drejtoj kokës sime. Dhe i them: "O KOKA IME", kupto më shumë! Thello mendimin! Hyn labirinteve ku ke strehuar frikën dhe nxire jashtë! Jepi zë heshtjes! Heshtja është cilësi e frikacakut dhe e të zhgënjyerit! "O KOKA IME", mos lejo të të tallin pleshtat për kokëboshësinë tënde! Bindu se kësaj bote i duhet guximi, guximi i mendimit artistik dhe estetik.
            "O KOKA IME", e di se të dhemb koka kur sheh se si lindin krijuesit si këpurdhat pas shiut. Ashtu, të rinj ( të reja), të trembur(a), të lagur(a) më spermën edukuese të redaktorëve të tyre, fillojnë ritën nën përkujdesjen fikse: infektim dhe asgjësim të çdo gjëje që është e bukur. Dhe në vend të tyre të mbijnë veprën e tyre si "lule të së keqes" dhe për ta bërë letërsinë xhungël bodleriane.  "O KOKA IME", në kësi kushtesh ndodh fenomeni I vetizolimit dhe i vetëmjaftueshmërisë të krijuesve.
Pse? Shumë thjesht, letërsia klanizohet dhe monopolizohet… Elita e rreme e krijuar nga mbretëria e mediokërve prodhon krizë në seri për letërsinë dhe shkul pamëshirshëm vlerat e heshtura të krijuesve të rinj dhe të talentuar. O KOKA IME", bindu se ndër shkrimtarët është ngritur sistemi i gënjeshtërt i vlerave. Në mendjet e njerëzve servohet tabu, plagjiaturë, kiç, mite e fetishe. Formimi i keq estetik dhe etik i disa autorëve të rijnë që po e hasin letërsinë dhe lavdet e ngritura deri në qiell nga redaktorët më përfitim reciproke - materiale kanë marrë huxhumin e atij lumit të përdalur, të tërbuar. Kjo vjen si pasojë e anarkisë institucionale, konfuzitetit estetik dhe moral, shundit poetik që inicon komercializimin e kulturës.
            "O KOKA IME", leri pazaret e llafeve të kalemxhinjve, ata debate vulgare plot fantazi e fjalë të tymta. Leri ata që të mbajnë në gjumë me ninullat perverse të të njëjtave ide të flashkëta, të kënduara dikur nga dikushi, leri bejtet për "gratë azgane", leri shkrimet me moral didaktik-politik, s'të duhen! Mëso dhe nga "fati i gjinkallës", mëso dhe nga më të mëdhenjtë, mëso dhe prej vetes… "O KOKA IME", ti duhet t'i harosh përgjithmonë lavdet e mjerueshme. Krijuesi i mirëfilltë nuk konkurron me trimat e mëhallës artistike. Ai konkurron veten…
            "O KOKA IME", e njeh ti Kritikën? Kritika jonë kutërbon erë makiatoje të pirë miqësisht… Pa dashur të bëhem orakull i së keqes, pa dashur që të imponoj zgjidhjen për daljen ng kauza e letërsisë,(as vet s'e di!), më lejoni të bëhem alarm për shpirtrat e atyre që rrinë nën hijen e perspektivës, se erdhi koha t'i zgjerojmë kufijtë e fjalës, të flasim pak më SERIOZISHT për letërsinë, tek e fundit t'i mbrojmë ata pak vlera të reja që i kemi. Klima e letërsisë ndryshon, para jush marshon një brez plot vizion..  Këtë letër do e dërgoj në ajër, si kujtesë, si dëshmi e mjegullt, si shkak, si pasojë, si mbeturinë e mendimit, si asgjë, si lutje…









PROTOTIPET E FENOMENEVE LETRARE


           
Ky shkrim le të jetë skicë për t’i kundruar pak më detajisht shkrimet që po i lind filozofia e bërje-qejfeve në letërsinë shqiptare. Një poet në një mëhallë. Një libër dhe mijëra shkrimesh për to. Bërtet turma veshlepur: “Ai është filozof, ai është i madh. Fjalë të mëdha për vlera të cekëta. Mediokritete të turpshme për t’u shpallur vlera. Një krijues që kanë lexuar dy libra shkruan dhjetë  vepra”. Kontraste që s’baraspeshohet me asnjë alkimi. Borhesi thoshte “Le të kënaqen të tjerët me gjërat që kanë shkruar, unë kënaqem me gjërat që kam lexuar”.
            Ka të tillë autorë të cilët shkruajnë me një dorë të “dielltë” për tipa “qiellor” që për-token pas lavdisë së rrejshme. Janë të vetëkënaqurit të rehatuarit e botës, blerësit e përjetësisë së rrejshme, të mirë-renditurit në pozita të lartë të Sistemit periodik letrar, dyshimtarët e mëdhenj, të pabindurit për shkurtësinë e jetës së veprës së tyre.
Këto shkrime japin shembullin e keq të recensionit, larjes së kokave me akujt e fjalëve, krijimin e prototipave të “fenomeneve letrare”, kategorinë më të lartë të përlyerjes estetike, perceptime të gabueshëm të fjalës “poezi”… Këto artikuj servil janë vetëm “pëllitje artistike” plot dashamirësi dhe nuk kanë për qëllim çmontimin e veprave, por etiketimit e emrit të poetëve në Fenomene Letrare. Shkrime hipnotizuese, sentimentalizma démodé. Vulgaritetet e tepruara janë vetëm sublimime të të gjitha mendimeve të mundshme reklamuese lidhur me mitet e rrejshme  artistike.
Një autori të mirëfilltë si bëjnë nder fjalët reklamuese. Një vepër e mirëfilltë flet vetvetiu për vlerën që ka. Tërmete shpirtërore mund të provojë njeriu kur lexon vargjet të mirëfillta letrare.
Sa shpesh me bie të lexoj kësi shkrimesh. Çuditem! Akrobacione artistike, thellësi e gjatësi mendimi, imponime të dhunshme të shijes estetike… Çfarë elegance reklamuese, papa! Ata shkruajnë poezi jo pse kanë nevojë. Shkruajnë poezi për të fituar vëmendje, për të përfituar lajkatim, për t'u mbërthyer te pasqyrimi në sytë e të tjerëve që parakalon ballë unit artistik fals, për të fituar çmime letrare me një telefonatë. Poezitë e tyre janë POEZI TË ERRËTA. Japin pamje të rrëgjuar të dhimbjes që ka në barkun e vet shtatzënë letërsia shqipe. Shpërdorimi i letërsisë është shumë i tmerrshëm. Do të na mallkojë lexuesi i së nesërmes. O, Zot sa do na mallkojë! Lemeria më madhe qëndron në përballimin e ditëpërditshëm me këtë shkëputje ëndërrimtare nga qenësia e poetit. Njerëzit përreth poetit e ndjejnë surrealizmin fals të tij dhe heshtin. Mbase kanë frikë të reagojnë. Mbase janë nën hijen e tij. Vetëm unë prapësohem,unë rebeli, shfytyrohem, turbullohem nga këto surrate poetesh. Këto një ditë do përbejnë shtratin ku do flejë qetë letërsia jonë e njëmendtë. Do vijë një kohë kur ata do ngelin në  vetmi të skajshme dhe do shkruajnë poema kërthizore, për gra azgane, për çarçafët plot gjak prostitutat të virgjëra, dhe për zhgënjimet që si mallkim do i përplaset në kokë ideja e të qenurit poet. Poetë që s’janë Zef Serembe…
     A janë vërtet kaq të mëdhenj këta poet për t’u bë fenomene letrare?! Sa shqisa duhet të kemi ne lexuesit e thjeshtë për t’i kuptuar ato?, sa libra duhet lexuar, sa enciklopedi, sa net pa gjumë, sa, sa? Kësaj i thonë Apoteoze e cinizmit. Kjo është ajo që na bind se letërsia shqipe është bërë karnaval meskinitetesh. Kjo është ajo që na bind se njeriu varfërohet. Por, KOHA, kjo gjykatëse e pagabueshme do të vlerësojë dhe do të seleksionojë çdo gjë me sitën e saj të përzgjedhjes. Po ata “shpirtra të lartë” të Lasgushit, poetët me emër e nam’, si i përtypin këto lloje shkrimesh? Bien në trans, apo ua zënë sytë “flluskat e sapunit”? A thua s’e trazuan lukthin e tyre këto lloje shkrimesh servile? Unë për vete do mbaj dietë, ndërsa flegmave u uroj saballëk të mirë, bukë, gjizë dhe llafe estetike…


ATJE DIKU



       Krijuesi i ri, ky kalibër i vogël mbetet akoma i panjohur mes artilerisë së rëndë të poetëve mediokër. Krijuesi i ri është vetëm një prototip i një pistolete me plumba fjalësh të cilat mund të shkaktojnë vetëm gërvishtje, por jo dhe vdekje. Ai është një i papërvojë për arena llafesh e debatesh sepse nuk ka pancir. Ka vetëm një mbulojë të hollë me cukla fjalësh...
       Ka kohë që ujqër i sillen përreth me idenë e kafshimit sepse ky është qengji që iu largua tufës. Ujqër i sillen përreth për t’ia ngrënë qëllimin fisnik; dëshirën për të vërtetën; kërkimin e arsyeve të ngecjeve tona, me dhëmbë t’ia çajnë shpresën… Ata janë ujqër andaj duan plagë. Ai është qengj dhe ndodhet në ikje. Dhe përderisa ai është në ikje, ai mendon për prova të freskëta, si një Sizif. Këta ujqër nuk janë dhe aq të rrezikshëm përballë fisnikërisë së qengjit, shto kësaj dhe faktin së moti u kanë rënë dhëmbët por, fjalën, fjalën e kanë të pistë!
       Krijuesve të rinj më duket se u pengon gjithçka. Mbase shohin qartë perspektivën e tyre të mjegullt. Udhës së krijimtarisë ku ata ecin hamendshëm ndodh që rrëzohen, përlyhen, lëndohen por, përsëri ngrihen. Krijuesit e rinj janë krijesa të çala që vazhdimisht bëjnë punë Sizifi. Krijuesi i ri nuk ka fat. Ai është i vetmuar mes letrash të bardha dhe hijesh të zeza. Nga ikjet e lodhshme ai gjen prehje vetëm çastet kur ndodhet përpara bardhësisë së letrës, përballë kësaj mikeje besnike, e cila nuk e tradhton kurrë. Fjala është arma e tij e vetëmbrojtjes dhe e vetëmashtrimit se është i mbrojtur.
      Krijuesin e ri e gjen qosheve të letërsisë. I strukur trotuareve të autostradës së letërsisë ku  marshojnë poetët mediokër plot krenari false të udhëhequr nga kryehuti i njëmendësisë letrare. Krijuesit të rinj i vjen keq për faktin se nuk ka mundësi të shndërrohet në dorë që t’u bjer shpinës sa herë kur ndonjë “llaf” u mbetet në fyt, kur sytë e tyre duan ti lëshojnë zgavrat e veta kur lexojnë ndonjë shkrim që ua prish mesataren grupit të poetëve që bëjnë libra, jo vepra... Dhe çfarë shikimesh i lëshojnë! Krijuesin e ri e kap një dhimbje në shpirt.
      Ndodh po këto njerëz i takon në autobus. I sheh ata dhe çantat e tyre të mëdha ku i ruajnë poezitë e tyre – dinamitin i cili do ta shkatërrojë letërsinë tonë. Dhe i vjen keq krijuesit të ri se nuk ka guxim të ngrihet në këmbë dhe ta pështyjë në fytyrë me mllefin e mbledhur si mallkim majë buzësh.
      Ndodh që krijuesi i ri dërgon një shkrim për botim në ndonjë revistë a të përditshme. Aty derdh mllefin mbi mospërkrahjen e krijuesve të rinj; mbi meskinitetin letrar; mbi poetët plot recensione qiellore; mbi rasjen e sistemit letrar me “talent të pazbuluar”; mbi temat e dashurisë të shkruara nga efektet e viagrave... Dhe krijuesit të ri shkrimi i kthehet në formë injorimi, poshtërimi dhe mosbotimi. Po ata kasapë të gazetarisë që e ndiejnë të vërtetën e këtyre shkrimeve nuk i botojnë shkrime shkaku se i vrasin, i vrasin shumë keq...
      Krijuesi ri sheh librat e tyre në biblioteke. Sheh veprat e tyre me “vizione përjetësie”. Aty afër sheh dhe libërthin e tij të cilën e lexojnë vetëm të marrët. Dhe krijuesi i ri vazhdon t’i ndjejë përshpirtshëm përkëdheljet e vetmisë, nuk qan se s’ka lexues, por mbyllet në keqardhjen e tij për popullin e tij pa shije estetike dhe për lexuesit “qorra”…



LAVDI MARRISË



“Pigmenjtë janë të vegjël dhe kur hipin mbi Piramida, Piramidat janë të mëdha dhe kur fundosen nën dhe” ( popullorçe)

            Artisti shqiptarë është bërë rob i vetes dhe i ideologjisë së kohës së sertë. Dostojevski për njerëzit me bindje sipas postit i quante uniforma. Një uniformitet i tillë ka mbështjellë artistët tanë duke ua zënë dhe frymën krijuese. Kur bindjet artistike këmbehen për shkaqe leverdie materiale krijohet imoralitete perverse që në mënyrë direkt iniciojnë komercializimin e kulturës, shundin poetik dhe artin e dobët.
               Artisti shqiptarë, ky personazh post-modern i realitetit tonë kulturor i verbuar nga paratë ( nga kjo letër e pistë që arriti të blejë dhe shpirtra!), rasen (pa) vetëdijshëm në projekte madhore artistike-filmike. Ka një zell çmendurak në gatishmërinë për t’i dhënë këshilla sponsorit se ç’duhet të bëj më milionat e tij. Çudia merr përpjesëtime të mëdha kur në ekrane sheh njerëz të cilat tan’ kohën nga çanë kokën duke na folur për vlera dhe për atë se çka është egjër e çka grurë.
             Shqiptarët janë të pasur. Investohet në kulturë, në art. Në të shumtën e rasteve ndodh ngatërrohet pista e investimit. Ç’produkt mund të nxirret nga dy milion eurosh investim i denjë në kulturë?  Më thoni ju njerëz të kulturës, ju shikues të heshtur të vakive tona, ju ndreqës të realitetit kulturor, ju që nga turpi mos prisheni me jaranat' nuk reagoni për rrëshqitjen e artit tonë drejt ”ambisit të shundit”, për dokumentimin, incizimin e mediokritetit filmik. Ndoshta unë gaboj! S’kam të drejt të përzihem në bahçen e huaj. Ndoshta keni nevojë të hani më mirë e fëmijëve t’u bleni NIKE. Po Idealistët ç’të bëjnë. Të heshtim, të fshihemi në indiferencën tyre delikate apo të shtiren se asgjë nuk u intereson, se fusha e artit është livadh për të kullotur kuajt…?
              Edhe ata i bren ankthi social andaj nuk pretendojmë për vlera të mëdha sepse siç thoshte Çesllav Milloshi: “ata që kanë uri duan bukë jo meze dhe ëmbëlsira”. KULTURA SHQIPTARE KA URI… Arti nuk do krekosje, pozë, hatër dhe Make up, do humanizëm kooperativ, do vlera sepse vetëm me këto të dhëna mund shpijmë qenien tonë drejt botë-perceptimeve qytetëruese.
             Artistët tonë kanë harruar qëllimi i artit është kënaqësia estetike të cilin mund ta mund ta ndjejnë vetëm ai që është i përgatitur për ta ndierë. Prandaj duhet kulturë e madhe. Arti ka vetëm një gradë, të parën. Arti që të jetë i mirë duhet të jetë i sinqertë. Që krijimi të jetë i sinqertë duhet të jetë i sinqertë krijuesi. Arti s’është shaka. Artin o bëje, o mos e bëj! Artisti nuk bëhet nëse ke vetëm para. Arti është quint esenca e produktit më të lartë intelektual te njeriu. Artisti e bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë vepra s’ka çka flet autori. Krijuesit mediokër paguajnë para të majme për recensime. Koha është arbitri suprem dhe seleksionuese e pagabueshme dhe sita e përzgjedhjes së vlerave dhe vdekjes së antivlerave…
            Lexoni ndonjë ligjëratë estetike përpara se të bëni dhe ndonjë projekt tjetër ku do jepni  miliona euro për të dal në ekrane televizive…




LETËRSIA  SI UNIVERS  AUTONOM



            Arti është formë e shprehjes, mjet komunikimi për racën e artistëve, është zbutës shpirtërash, dashuri për të bukurën, metaforë e jetës, imitim i jetës... Arti është e djeshmja e hidhërimeve dhe shpresa e së nesërmes, është ushqim shpirti, vdekje mbi bardhësi letrash e diell që verbon injorancën dhe hikoprozinë, është gjithçkaja dhe asgjëja jonë e domosdoshme, arti është Perëndi, rrymë mendimi, papajtueshmëri me realitetin, fatin dhe vetveten…
Gjithë këto thurje metaforike për artin, gjithë këto tendenca për ta interpretuar atë mbeten  flluskë e dëshirave të poetëve për ta qëmtuar artin. Arti nuk interpretohet, ai vetëm ndjehet. Arti, mbi të gjitha, është emocion që bartet nga krijuesi tek lexuesi.
Procesi i krijimit është një ritual, një festë e vogël shpirtërore që gjallon mes britmave të çastit dhe heshtjes së përnatshme. Në kohët e lashta procesi krijues kishte karakter fetar, kurse frymëzimi konsiderohej si dhunti e Zotit. Shkrimtari francez, Mopasan, i hidhte rrobat dhe tërë natën shkruante i zhveshur, Shileri kishe qejf para vetes të kishte tri molla të kalbura, Viktor Hygo shkruante në këmbë... Shkrimi është tundim i brendshëm, është refleks i pavëtëdijshëm, i paimponueshëm, mungesë qëllimi, mbase dhe rastësi. Artin e krijon mungesa e qëllimit.       Krijuesi ka përpara vetëm bardhësi letrash dhe vetëtima mendimesh. Ai shkruan se mendon se letra është mikja e tij, e vetmja e cila duron çdo gjë dhe e vetmja që nuk e tradhton. Poeti do qetësi. Mjafton një zhurmë e vogël dhe ia davarit dremitjen. Mendimi i ik nëpër birën e derës…
Poeti dhe eseisti, Bardhyl Zaimi, pyetjes “pse shkruaj” i përgjigjet: “ Ti shkruan për të vrarë mërzinë, për të vërtetuar ekzistencën. Ti shkruan për ta mundur vdekjen. Ti shkruan për ta ndjerë dashurinë  deri në thelb të jetës. Ti shkruan për të krijuar një metaforë që do t’i ngjante jetës, dashurisë dhe vdekjes. Ti shkruan për të ndjerë aromën e kopshtit të kujtesës, erëmimin e nikotinës që vjen nga palltoja e babait. Ti shkruan për të shkrehur dalldinë e zemrës dhe tiraninë e mendjes”. Ndërsa, poeti Salajdin Salihu, në një intervistë thotë: “poezia është asgjëja për të cilën kemi nevojë”.
Poeti i mirëfilltë është rebel, është rrënues idhujsh të rrejshëm, pranon në shoqërinë e tij vetëm njerëz mendjehapur, nuk e duartroket mediokritetin, e dallon artin e dobët nga arti i cekët.
Platoni i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si “prishës morali” dhe këtë e bënte se e pranonte impaktin e jashtëzakonshëm të letërsisë tek njerëzit. Aristoteli, vuri në spikamë katharsisin  si aspekt funksional të letërisë në shoqëri, ndërsa Borhesi tek letërsia shihte shpirtin, andaj ia dedikon librit artibutin më të madh të lumturisë njerëzore. “Libri është intrumenti mahnitës”... “Libri është vazhdimësi e kujtesës dhe imagjinatës”.
Vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijusit të saj dhe kolektivitetit. (Jan Makarzhoski). Pikërisht ky aspekt e bën letërsinë univers autonom. Krijimi nga asgjëja (poezisi) është bërë paradigmë e shkrimit imagjinativ. Në universin letrar, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit ekziston një fije transcendentale që e bën artin të përjetshëm.
Poeti shkruan me gjuhën e orakujve dhe mishërimin e vet poetik e shfaq si përjetim. Vepra artistike duhet të ketë fuqi autonome për t’i tejkaluar konceptet e kohës. Vepra e mirëfilltë lidhet me pakohësinë që përmbys ligjet e vjetërsisë dhe harresës. Kohët ecin, ndërsa: Homeri, Uiliam Shekspiri, Dante Aligieri, Gjergj Fishta, Zef Serembe, Agron Tufa, Murat Isaku... mbeten të rrezistueshëm. Ne e lexojmë Hamletin, sepse e përjetojmë si fenomen universal, bashkëndjejmë dhe çlirohemi nga brengat bashkë me të, lexuesi pikëllohet me vuajtjet e Grezor Samsës për peripecitë e tij që ia shkakton metamorfoza.
            Letërsia lexohet me qejf dhe për qejf. Duhet përgatitje e madhe  për t’u përqafuar me fuqinë autonome të komunikimit që e ka një vepër e mirëfilltë artistike. Nëse ka mjeshtëri shkrimi ka dhe mjeshtëri leximi. Arti i leximit është dhe akt krijues. Kur lexojmë, ndodh që shkruajmë ndonjë skicë përjetimesh gjatë leximit, të cilat vetëm pas një komponimi do të jenë krijime artistike. Borhesi thoshte: “le të krenohen të tjerët me veprat që kanë shkruar, ndërsa unë krenohem me veprat që kam lexuar”. Rolan Bartes-i, në esenë e tij “Kënaqësia e tekstit” shkruan: “A nuk është kënaqësia një emocion i vogël.. Emocioni a nuk është një kënaqësi e skajshme”. Nëse“Kënaqësia e frazës së bukur është një ide kulturore” (Roland Bartes), atëherë vepra letrare ka përmbajtje dhe emocion. Kënaqësia e tekstit dhe tekste kënaqësish janë nocione të ndryshme.





VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË



REAGIM (ndaj librit FILOZOFIA E KROKAMËS të autori Sylejman Aliu, botuar nga Grand Prind, Prishtinë, 2009)


FILOZOFIA E KROKAMËS, qe titulli i librit që e shqetësoi lexuesin e thjeshtë, lexuesin e panjohur, të fshehur në anonimitet. E hallakat tmerrësisht atë saqë merr guxim dhe t’i kundërpërgjigjet këtij antilibri dhe të bind autorin se fjalët janë të pafalshme, se ato vrasin... 
Lexoj dhe çuditem! Akrobacione artistike, thellësi e gjatësi mendimi, imponime të dhunshme të shijes estetike… Çfarë elegance antireklamuese, papa! Sihariq i shekullit! Autori flet me vigjilencë Danjolli për akademik Rexhep Qosen. Ai nuk del vetë para pasqyrës por vendos këshilla tjerëve. Autori ka sy të kokalltë dhe vështrim prej psikopati. Autori ka vello të dukshme cinizmi. Autori s’ka haberin më të vogël se çka mund të shkaktojë ky botim i këtij antilibri. Autori qenka gazetar sklerotik që përvoja e mësoi se të kritikosh të mëdhenjtë mund të bëhesh i njohur. Autori flet me një gjuhë qeni për akademikun e pakontestuar prej askujt për vlerat që ai posedon. Ai ka një detyrë në këtë antilibër: sikterisjen e një shpirti akademiku...
Ky kasnec mendon se libri është Hyde Park, se letërsia është truall banaliteti, ku mund vjellësh lukthin e tij plot vrer kundër akademi Rexhep Qoses dhe nuk jep asnjë fakt, pos ca krahasimesh që s’krahasohen... Ky levantin i Konicës mendon se grigja jonë letrare e ha esull këtë mut estetik?! Po teoria e përgjigjes së lexuesit? Lexuesit virtual? A e ka frikë lexuesin ky Danjoll i Sherkës? Po përgjegjësia ndaj fjalës? Ai shkruan me idenë e reagimit. Shkruan që ta duan antiqoset dhe urrejnë antikadereanët. Ky është mesatari, ky është i arti, ky është mesi mes dy testive që djersitet kur ka siklet... Libri i tij është sall një potere e ngjashme me atë të thesit të arrave në rrokullisje. Autori është një Adhamut erudit që ringjall edhe një herë mesjetën e inkuizicionit, na bind se prirja për të keqen është me e madhe se prirja ndaj së mirës, dëshmon në praktikë anën e vërtetë të ferrit dantesk... Ky autor, në librin e tij konverton në tradhtar gjithçka që është majë letrare, gjithçka që është vlerë, gjithçka që prish mesataren e tij dhe rendit të sadikave, gjithçka që s’është në frekuencë mendimi me grupin e tij me valencë të njëjtë shpirtërore... Ai nuk la plesht pa i vënë zile. Ai drogon për gjunaf lexuesin e painformuar me të pavërtetat e tij se kush Rexhep Qosja. Ai gënjen. Ai shet grahma shqip n’tezgë t’djallit. Shet keqkuptim gratis dhe mashtron veten se ia arriti qëllimit se një kritikë e tij ndaj Qoses do ti shkaktojë orgazëm Kadaresë kur ta merr vesh. Ky autor, mendon se qenka rritur shumë, aq  sa e paska kap Zotin për testise, është ngatërruar unikatshëm me vetveten, me kapacitetin e (t)ultë kulturor, dhe s’ka kacik t’i bëjë vërejtje një akademiku. A mos ka libra e thirrje shkencore, a mos qenka ky akademiku, a mos ditka shumë për Qosen ky e pritka momentin me u derdh, a mos qenka ky spiuni, antishqiptari, anitvetvetja, antikoha... A? Pse kjo filozofi inati? Pse t’i gjuhet Qoses me kaq turr, me të pestën shpejtësi, n’ler teposhtëzës...
A nuk është ky rast i njëjtë me atë të autorit të veprës SHTATËZANIE E NJË MASHTRIMI të pseudonimit Avdi Berisha, të botuar në Prishtinë. Ai për  Pjetër Bogdanin shkruan: “gomar i neveritshëm që Zoti ua hodhi qenve”, “majmuni shqiptar”, “pusi u ujit të ndytë”, “pis humanisti”, etj... Të tilla fjalë me një gjuhë edhe më pezhorative dhe epitete plot këlbaza vreri gjen edhe te antilibri FILOZOFIA E KROKAMËS. Po numëroj disa: “Qosja paska logjikë PseudoZoti”, “ka vese të sëmura”, “paska bëma profetike“,  “ka iluzione folklorike”, “mjeshtër stërkeqës”, “sajesë e përbindshme”, “fabrikon heroizmin individual karshi sakrificës kolektive”, “hija e djallit”, e deshi Titon dhe Enver Hoxhën”, “ka filozofi krrokame”, “armik i Kadaresë”, “mit i LKJ-së”, “avokat i Titos,”, mohues gjenial i atdhetarëve”, “tregtar tokash shqiptare”, “pirat i vërtetë i fjalës e mendimit të tjetrit”, “ka poetikë negative dhe frymëzim rrënues”,” ligjëron me trillime”, “është patologji e një mentaliteti”, “ka fiksione psikopati”, “i vonuar në disa shekuj”, ecetera, ecetera budallakish tjera e konstatime të pa baza.  Gjithë këto thurje janë veç hyrje në galerinë e madhe pamfletiste të tradhtarëve shqiptarë, në krye të së cilës qëndruaka (sic!) Rexhep Qosja, “babai i kombit”, i cili mëkatoi rëndë se i bërtiti pakëz Kadaresë.  Në këtë afish prej antilibri del nudo autori i saj si xhelati i historisë, si Pilat i rrenës për ta shpallë atë të vërtetë dhe të kryqëzojë me fjalë një Jezu. Pjetër Bogdanit e Gjergj Fishtës nuk u dihen varret, eshtrat e Faik Konicës ruhet me polici speciale, Rexhep Qoses i mohohet çdo gjë prej atyre që kanë vetëm rezultate minimale e na flasin për ideale kombëtare.  Ata që do besojnë marrëzisht llafeve të tilla me aromë atdhetarie, duhet të lexojnë Kur-anin, sepse Iblisi për të painformuarit vazhdon të shtirret engjëlli i Perëndisë.





LETËRSIA SHQIPE SI PJESË E LETËRSISË EVROPIANE



HYRJE

Përpjekja për të shkruar një temë të tillë është vetëm një sprove e ethshme kërkimtare për gjetur vlerat tona letrare të cilat denjësisht mund të na prezantojnë në letërsinë “masive”. Po ky shkrim le të jetë një tentim për të gërvisht flluskën e një të vërtete të madhe se Letërsia shqipe është pjesë dhe vlerë e pamohueshme e letërsisë evropiane. Mjafton leximi i kujdesshëm i botimeve të fundit për të konstatuar se këto vepra janë të gjithëkohëshme. Autorët si: Luan Starova, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ben Belushi, Diana Çuli, Agron Tufa, Parid Teferiçi, Kim Memeti, Linditë Ahmeti, Salajdin Salihu, Shazim Mehmeti, Bardhyl Zaimi, Vjollcë Berisha, etj...,  janë autorë të sigurt për çdo garë evropiane dhe ndërkombëtare.  Letërsia shqipe rrjedh nga një totalitarizëm i vazhdueshëm i cili po lë vezët edhe në kohën e demokracisë letrare. Koha ( e realizmit socialist ) krijoi kryevepra dhe mediokritete të turpshme. Krijoi shpirtngushtësi dhe egoizëm letrar. Unë bësoj se letërsia duhet integruar se duhet shkeluar shtigje të reja, se dhe ne kemi vlera me të cilat mund t’i konkurojmë botës. Greqia ka dy nobelistë Kavafisin dhe Ricosin, një prozator briliant si Kazanazaqin, Turqia ka Orhan Pamukun, Kroacia, Rumania, Bullgaria,... gjithë këto shtete kanë letërsi të nivelit të lartë. Papagallizimi që i bëhet letërsisë së krijuar nga Ismail Kadare është shembulli më pis i meskinitetit letrar, i mosdëshirës së poetëve mediokër për të parë një shkrimtar shqiptarë nobelist. Kadare është nobelist pa çmim. Shkallëve të perspektivës kahmot është ngjitur vepra e tij. Por atë e pengojnë antishqiptarët, anti-letrarët, anti-koha e letërsisë. Suksesi i Ismail Kadaresë është mossuksesi i të tjerëve për ta arritur atë...

Letërsia shqipe dhe kultura globale

Të gjendur në kohë emblemash e ndjesish absurde post-moderne letërsia shqipe sot e gjithë ditën përjeton fatin e popullit të vet. Populli shqiptar është i ndarë territorialisht por jo dhe shpirtërisht. Dëshira për bashkëpunim mes shkrimtarëve shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe shkrimtarëve shqiptarë të Maqedonisë është flluskë dëshirash nga idealistët të cilët me projekte alternative kulturore duan të realizojnë unifikimin e kulturës shqiptare. Kultura dhe letërsia assesi nuk duhet të jenë peng të komunikimeve të ngushta në formë projektesh kulturore-letrare por, bashkëpunime mes institucionesh të mirëfillta. Prej bashkëpunime që zgjasin aq sa zgjat dhe koha e projektit ndodh vetëm një asgjë e madhe dhe pluhur nga bisedat plot zjarr fjalësh. Subjektive do të ishte dhe ideja ime për ta konceptuar letërsinë shqipe si të përbashkët, si të pandarë nga jo që krijohet vendeve ku jetojnë shqiptarët. Një integrim brenda kulturor është parakusht për integrimin e qenies tonë në proceset integruese bashkë me etnitë tjera. Letërsia shqipe s’ka qenë kurë indiferente ndaj tendencave globale si modernizimi, surrealizmi, post-modernizmi, simbolizmi, ekzistencializmi. Globalizimi i kulturës; shkrirja e kulturave dhe luftërat ndërmjet tyre; mospranimi i dialekteve lokale; hibriditeti i kulturës botërore që s’është i njëjtë me atë Evropiane…, gjitha këto tregojnë se “kultura globale është krizë e identitetit kulturor”. Ç’bënë shkrimtarët shqiptarë në këtë zallahi marramendëse të progresit kulturor në Evropë? Gjakimi për t’u integruar në “detin bluxhins” të kulturës globale tek shkrimtarët tanë krijoi më shumë hendeqe se ura. Balanca mes “nacionalistit” dhe “modernistit” u çrregullua dhe solli një polarizim të skajshëm të audiencës letrare. Poetët mbetën në pragun e kapixhikun të hamendjes se ç’zgjidhje do vij nga Rexhep Qosja ( historiani dhe shkrimtari ) dhe Ismail Kadare ( vetëm shkrimtari ). Gjeneratat e reja kanë vrull integrues dhe duan shkëputje nga folklorizmi dhe ecje drejt post-modernizmit.
Interliteraliteti dhe shembujt në letërsinë shqipe

            Çdo letërsi është produkt i fantazisë, literaturës dhe përvojës së autorit. Që një letërsi të komunikojë me një letërsi tjetër lind INTELITERALITETI. Letërsia është dialog. Roli dhe fuqia e letërsisë varet kryekëput nga dialogu mes autorit dhe lexuesit të panjohur. Edhe shkrimtarët dialogojnë njëri me tjetrin dhe ndikohen mes vete. Kontaktet mund të jenë reale dhe imagjinare. Kontaktet reale janë kur shkrimtarët njihen, miqësohohen dhe ndikohen. Konica – Apolineri, De Rada – Lamartini, Kadare - Kishi. Kontaktet imagjinare janë njohjet përmes krijimtarisë. Markezi- “Kujtim kurvash të trishta” dhe Kavabato “Shtëpia e bukurosheve të fjetura”. Krijuesit mund dhe të mos njihen fare mes vete dhe të kenë senzibilitete krijuese të ngjashme. Borhesi thoshte se: ”paraardhësi mund të ndikojë tek pasardhësi”. Rasti i Mitrush Kutelit dhe Gabriel Garsia Markezit me veprat ;”Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Vjeshta e Patriarkut”. Ndikimet në letërsi janë të arsyeshme. Letërsitë janë sisteme të hapura, ato japin e marrin nga njëra - tjetra. Ndikimet përbëjnë një shtresë të veçantë në strukturën Interliteralitetit.  Franc Kafka “Procesi” dhe Ismail Kadare “Pallati i ëndrrave”.

Pengesat e interliteralitetit

 Në letërsisë shqipe, ndër artistë është ngritur sistem i rremë i vlerave. Në mendjet e njerëzve servohet tabu, plagjiaturë dhe sasi të mëdha të pseudo-vlerave. Konfuziteti estetik, steriliteti intelektual, anarkia institucionale, monopolizimi i kulturës, klanizimi i letërsisë…, gjithë këto janë vagonët e trenit tonë udhëtues drejt perspektivës së qorrsokakut. Jo historia e letërsisë por, krijuesit e saj ( pa të cilët nuk do mund të shkruhet kjo letërsi ) janë pengesë e Interliteralitetit aq të nevojshëm për shpirtin e letërsisë shqipe. Jo konceptet e veprës por, konceptet intelektuale të krijuesve ndikojnë që ky dialog të jetë në pozitën në të cilën ndodhet sot e gjithë ditën. Nuk ka mënyrë të shpejtë dhe të kollajshme për t’u përbiruar në proceset letrare. Arti i letërsisë është lëmi që kërkon rrethana të veçanta për punë dhe një çlirim nga brengat e përditshmërisë tonë bajate. Për arritur diçka kulmore, një ekspertit të letërsisë i pamundësohet realizimi i saj nga probleme më primitive si mungesa e ujit dhe rrymës. Pavarësia materiale, lehtësimi i rrugëve për të publikuar dhe krijimi i mundësive për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare janë parakushtet për një dialog masiv dhe të suksesshëm. Pengesa tjera mund të jenë dhe mosnjohja e penave të reja, mospërkrahja e talenteve të rrallë mbi të cilët bota lidh mendimin për një popull, mosfunksionimi në rregull i kritikës letrare… Kritika letrare për mendimin tim paraqet “thembrën e Aklit”, pjesën më të ndjeshme të letërsisë. A kemi ne kritikë serioze? Kritika jonë kundërmon erë makiatoje të pirë miqësisht. Ajo lëviz herë nga gazetarët e kulturës të cilët duke dashur të kënaqin epshin e redaktorit e rasin shkrimin me gjithë nocionet e mundshme reklamuese; herë nga poetët të cilët duke provuar të luajnë rolin e ADHAMUTIT - të gjithëditshmit “tërten” pavetëdije në ujërat e zeza të Retorikës dhe Psikanalizës së tekstit dhe e komplikojnë tekstit edhe më shumë; herë nga kritikët e vetëquajtur kritikë të cilët ende pa e lexuar veprën deri në fund japin konstatime se ky është talent jashtë-serik, se ky e ka kaluar filanin, se, se, se… dhe herë kah recensentët të cilët punojnë në stilin e interesit relativ: ”ti thuaj diçka për mua këtë herë, do them dhe unë diçka të mirë për ty”. Do theksoj dhe një element tjetër me rëndësi për lehtësimin e Interliteralitetit, për komunikimin e rehatshëm të vlerave tona me ato evropiane dhe botërore, e ajo është përkthimi serioz nga njerëz kompetent dhe me përvojë në përkthim. Çdo përkthim është një gur i hedhur në kalanë e madhe të kulturës tonë plot thesare e cila patjetër duhet t’i ofrohet botës që të na njohë më ndryshe, pra përmes vlerave të mirëfillta letrare.
( Kumtesë e lexuar në Seminarin e II të Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Ohër, 2008 )

REFERENCË:

·         “Letërsia e krahasuar”- Prof. dr. Nebi Islami dhe mr. Salajdin Salihu.
·         “Janusi i qindfytyrshëm”- Agron Tufa, Pro kultura, 2005
·         “Glokalizmi”- Lindita Kadriu, shkrim i botuar në Brezi 9, 2005
·         “Muzgu i mendjes - Fatmir Sulejmani, Brezi 9, 2005
·         “Fuga e fjalëve”-  Bardhyl Zaimi, Pro kultura, 2004



PRELUD POSTMODERN


HYRJE
Libri “Psalmet e rrënjës” solli padyshim vlera të reja nga opusi krijues i poetit tonë Agim Vinca, kritikut prijatar dhe ekspertit të poezisë. Aty shpalohet me lehtësi spektri i gjerë tematik, reagimi i mprehtë plot ndjeshmëri emocionale ndaj fenomeneve të jetës, përjetimi i thellë i ngjarjeve të kohës të cilat vulosen në shpirt dhe kujtesë, muzikaliteti i rrallë i vargut, diskursi dhe figuracioni funksional dhe i pasur poetikisht, ndjeshmëria e hollë ndaj gdhendjes së fjalës, kujdesi ndaj ritmit, rimës dhe, në përgjithësi, mundësitë shprehëse me anë të gjuhës si medium, si dhe vënia e lidhjeve kreative me përvojën poetike post-moderne. Një nga vlerat e pamohueshme të këtij libri, i cili hyn në radhën e poezive post-moderne dhe kthen sytë e lexuesit të vëmendshëm kah poezia dhe ia ringjall  dëshirën lexim dhe rilexim kreativ, besa, edhe për ta mësuar përmendsh si në kohët e saj më të mira është poezia “Palimpsest për gruan dhe librin”. 
Në këtë poezi Agim Vinca i jep rëndësi parësore mallit-vlerës, përmbajtjes (le fond), prandaj edhe i thyen ligjet formale (le forme), por pa iu shmangur figurës (le figure). Ky tekst, që është marrë nga libri i tij “Psalmet e rrënjës”, është i vetmi në mbarë librin që e ka fenomenin e interaksionit zhanror dhe duke qenë i tillë, ai shënjon një ndërrim të stilit poetik të poetit drejt një preludi post-modern..
Interpretimit të poezisë e “Palimpsest për gruan dhe librin” do doja ti shtoja nëntitullin “Leximi si një transaksion personal”. Nga kjo mund të kuptojmë se teksti nuk është tërësi e pandryshueshme, veçse një proces, në të cilin merr pjesë aktive edhe lexuesi. Te çdo lexim, tekstit të fiksuar në letër, lexuesi ia bashkangjet një sërë faktesh ekstratekstuale. Me ndihmën e nocioneve psikoanalitike, sikundër janë identiteti, imagjinata, ose mbrojtja, lexuesi është në gjendje që,  reagimin letrar, ta lidhë me personalitetin e leximit. Teoria transaktive e reagimit, na ndihmon që t’i vëmë në lidhje “llojllojshmërinë e pasur të përvojës letrare me pasurinë e pamatshme të qenieve  njerëzore”.
Ishte pikërisht Norman Hollandi dhe teoria e tij e leximit që solli konceptin “temat e  identitetit” me të cilin nënkuptohet se çdo njeri ka strukturën e caktuar mentale, e cila rregullon të gjitha format e sjelljes së tij, e kështu edhe të kuptuarit dhe të interpretuarit e veprave letrare. Fantazia nuk ekziston në mënyrë latente, në të ndodhet vetëm materiali, nga i cili, secili  lexues do të krijojë vetë trillin e tij, që nuk është e thënë të ngjajë me trillin e  shkrimtarit. Ato gjenden në lexuesin, më saktësisht në raportin kreativ mes lexuesit dhe veprës. Në librin e Hollandit “Leximi i pesë lexuesve”, qëndron: “Psikika e lexuesit shfrytëzon, përshtat dhe rregullon çdo gjë, që e merr nga tregimi, e që asaj  mund t’i sjellë kënaqësi”, pra, çdo akt leximi është konstruktiv. Vepra letrare është prirur gjithmonë nga vështruesi i saj dhe se ajo, gjatë aktit perceptiv bëhet refleks i lexuesit. Leximi krahasohet me dashurinë dhe është një mënyrë e veçantë jetese.
Poezia “Palimsest për gruan dhe librin” është poezi e pastër post-moderne ku interteksti dhe citati janë determinante të pashmangshme të kësaj poezie. “Poezia dallohet nga e folura e përditshme si vallëzimi nga të ecurit”, kishte thënë dikur poeti  francez Mahlerbe, i cituar disa shekuj më vonë nga Paul Valery te eseja “Poezia dhe mendimi  abstrakt”. Të njëjtin formulim përdor edhe Shkllovskij kur do që të shpjegojë konceptin e  defamiljarizimit të gjuhës së përditshme, duke thënë: ”Vallëzimi është një ecje e ndjerë (që  ndjehet)”. Kjo poezi është religjion në vete, e cila të tundon, përderisa ajo, me hir a me pahir, i përulet dashurisë së gruas dhe dashurisë ndaj librit. Poezia ka një EROTEMË: përkushtimin e njëjtë dhe të barasvlershëm mes gruas dhe librit që shpalon mjeshtërinë e poetikës së veçantë Agimjane. Ai shkruan: /“Tërë jetën njeriu kërkon gruan dhe libri e jetës”.. Gruaja e jetës dhe libri i jetës. Gruaja që duhet dashuruar përjetësisht dhe libri që duhet lexuar pareshtur. Pse kjo domosdo njerëzore? Pse ky krahasim? A krahasohet gruaja dhe libri? Gruaja e mishtë e libri si produkt druri. Gruaja fatale dhe libri i jetës. Kodet simbolike janë Gruaja – dashuria dhe libri –jeta. Përgjigja mbetet enigmë dhe shëtitet hamendshëm livadhit të fantazisë. VEPRAT NUK KANË FANTAZI, ATO I KANË NJERËZIT. Lexuesi gërmon pas fasadës së  poezisë dhe nxjerr prej andej një NËNTEKST, të cilin e shpall si tekstin e vërtetë. Në disa raste interpretimi është një akt çlirues. Në disa të tjerë ka karakter reaksionar, trivial, mbytës dhe meskin. Në këtë poezi subjekti lirik identifikohet me personazhe simbole. Ato janë dy: GRUAJA dhe LIBRI. Ata i bashkon iluzioni, shtrati, frika prej konkurrencës, nata, lakmia për veten, siguria në bibliotekë. Profesori ka harruar të na kujtoj se çka i veçon ata. Andaj si një lexues implicit do mundohem ta plotësoj këtë mungesë. Për këtë plotësim kam lejen e prej Bartit.

Arti i leximit është dhe arti i krijimit

LIBRIT i mungon lexuesi i mirëfilltë. GRUAS dashnori i përbindur. Leximi i librit kërkon sy kurrioz dhe gisht të lagur për të ndërruar faqet. Fragmentet e lëkurës së gruas lexohen me majën e gjuhës. Libri do jetëgjatësi në mendjet e njerëzve. GRUAJA jeton për një moment, për një çast, ku ndezën fenerët e pasionin dhe epshit. LIBRI për dallim nga gruaja nuk vdesë. LIBRI mund kuptohet si metaforë e jetës. GRUAJA gjendet mes krahasimesh të vajzave. Për librin thuhet se është një mikromodel i kulturës së përgjithshme, ku ruhen të arriturat njerëzore. Aty ruhet përvoja e gjithëmbarshme shekullore e njerëzimit. Aty ruhet kujtesa dhe imagjinata e njeriut, qe përcillet te brezat e ardhshëm. Leximi është jeta e librit. Fati i librit ndërlidhet plotësisht me fenomenin e leximit. Latinët kanë thënë: "Brenda librit ruhet bota“. LIBRI është çudi. Borhesi shkruante: LIBRI, ky instrument pa të cilin nuk mund që ta paramendoj jetën time... Libri është vazhdimësi e kujtesës dhe imagjinatës”. Funksioni i librit është ruajtja e kujtesës njerëzore. LIBRI është ruajtës i gjurmëve të ekzistencës njerëzore në botë, një dëshmi efemere dhe e përjetshme. Libri u ka mundësuar njerëzve që të njohin të kaluarën. Ka ndodhur vetëm ajo që e shkruajmë, sepse fjala e shkruar ka fuqi magjike. Ajo ruan përjetësisht gjurmën njerëzore. Miltoni ka thënë se Libri ruan brenda vetes një forcë jetësore. Sipas tij aty ruhet ekstrakti i inteligjencës së gjallë, një pije që na mundëson jetën pas jetës. Pas të folmes, fenomeni më i rëndësishëm i historisë kulturore të njerëzimit është shkrimi. Libri është "metaforë e jetës", rrezatues drite që nuk guxojmë ta humbim. Në një tekst të moçëm thuhet se“Njeriu është qenie e vdekshme, kufoma e tij është hi, gjithë bashkëmoshatarët e tij janë nën dhe. Libri është ai që kujtimin e tij e mbart nga goja në gojë. Shkrimi është më i vlefshëm sesa një kështjellë e fuqishme, se sa një përmendore e zbukuruar me vizatime dhe relieve, sepse libri ndërton përmendore në zemrat e atyre që e lexojnë”. Viktor Hygo besonte se po qe se do të ndodhte përmbytja, atëherë do të shpëtonte vetëm një zog fluturues, që fluturon në të katër anët e botës dhe bashkon me një frymë të gjithë pikat e ajrit dhe hapësirës. Ky zog fluturues ishte libri. Jeta e përgjithshme e njerëzimit është palosur në libër. Libri është gjurmë që ka lënë njeriu mbi ekzistencën e vet. Në thellësinë njerëzore është brumosur nevoja për artikulimin dhe shënjimin e përvojës së tij. Çka i shtyn njerëzit të lexojnë? Përse njerëzit lexojnë? Çka ndodh me njeriun kur zhytet në libër? Janë këto disa pyetje që vështirë se mund t’u japësh përgjigje të prerë. Disa lexojnë që të informohen, të tjerë se ndjejnë kënaqësi. Ekzistojnë mjaft përkufizime për sa i përket leximit. Më i avancuar duket përkufizimi se akti i leximit është akt përcjellës i të shkruarit, kurse të dy këto procese janë produkt të përpjekjes që mesazhi të bëhet sa më jetëgjatë. Leximi paraqet një fenomen mjaft delikat dhe mjaft të komplikuar antropologjik. Shumica e mendimtarëve thonë se shkrimi dhe leximi është kërkim i Tjetrit. Sipas Simon de Bovoaritletra na mundëson që të flasim me vetveten dhe me Tjetrin”. Ngjashëm mendon edhe Kofman, që thotë se të lexosh libra do të thotë të jesh në kërkim të Tjetrit. Ekzistojnë mendime se  leximi na largon nga kjo botë që të mund të kemi kuptim për të. Daniel Penak thotë se të lexosh është sikurse të kërkosh që të jetosh. “Njeriu ndërton shtëpi sepse është i gjallë, por shkruan libra sepse është qenie që vdes... lexon sepse është i vetmuar. Leximi është një shoqëri e veçantë dhe e pazëvendësueshme”, thotë ai. Mendimtarë të tjerë, janë të mendimit se komunikimi i natyrshëm letrar është punë e përbashkët e autorit dhe lexuesit, që përbën aktin e krijimit. Duke dhënë përgjigje në pyetjen se “Çka është letërsia?” Zhan Pol Sartri thotë se “Procesi i shkrimit nënkupton edhe procesin e leximit”. Pra, një vepër lind me përpjekjet e përbashkëta të autorit dhe lexuesit. Rubakin mendon se libri nuk transmeton asgjë. Lexuesi e përkthen librin varësisht nga niveli i tij kulturor dhe gjendja e tij psikologjike. Anketat kanë dëshmuar se gjatë leximit lexuesit vënë re vetëm gjërat që kanë lidhje me to. Pra “një vepër nuk është objekt që ekziston vetëm për vete”. Pra, nuk është objekt i mbyllur. Ai varet nga lexuesi, që i jep kuptime të reja. Shkrimtari argjentinas Luis Borhesi, thotë se libri nuk është asgjë nëse nuk e hapim, por “nëse e lexojmë, ndodh diçka e çuditshme. Ai ndryshon vazhdimisht.... Lexuesit e pasurojnë librin“. Borhesi e çmon më shumë Artin e Leximit sesa Artin e Shkrimit. Ai thotë: "Të tjerët le të kënaqen me fletët që kanë shkruar, unë kënaqem me librat që kam lexuar". Ai ndjen gravitimin miqësor të librave, kurse librin e konsideron si një fat që e ka pasur vetëm njerëzimi. Xhorxh Shtajneri thotë se “Të lexosh drejt do të thotë të rrezikosh”. Ky rrezik është më i madh tek lexuesit e “thjeshtë” që nuk kanë pretendime të lexojnë ashtu sikurse duhet. Sa shumë citate për LIBRIN sa pak për GRUAN. Një natë dashurie është një libër më pak i lexuar -thoshte Balzac.

Citati dhe interteksti si filozofi kreacioni

Në këtë poezi CITATI dhe INTERTEKSTI ka një filozofi të veçantë kreacioni. Interteksti është i pahetueshëm aq sa shkrihet e bëhet tekst origjinal. Në këtë mënyrë, ashtu siç thotë edhe Ekoja për Poe-n, duke u përpjekur që të përkufizojë praktikën e tij të shkruarit, Agim vinca zbulon strategjinë postmoderne poetike, krijon struktura të reja që e karakterizojnë filozofinë e një kreacionit tipik post-modern në letërsisë shqipe. “Palimpsest për gruan dhe librin” është poezia më specifike në tërë krijimtarinë poetike të këtij poeti. Në të shpërfillet pastërtia zhanrore, interaksioni zhanror, citati i së cilës proklamohet zëshëm. Ky tekst artikulohet herë si poezi, herë si prozë e, aty-këtu, edhe si ese a koment. Po të përdornim etiketa, këtë tekst do ta cilësonim si postmodern, por poeti interesohet për mallin e jo për etiketa: /“Në shkrime, si në dashuri, or tungjatjeta, rëndësi ka malli e jo etiketa!”/, thuhet në fjalinë e fundit të këtij teksti. 
Zherar Zheneti në hyrje të kapitullit të tij për zhanret letrare, në librin Figura dhe teoricieni amerikan Northrep Fraji treguan qartë funksionet intertekstuale me diskursin e ngjeshëm që përdor Vinca në këtë poezi. “Çdo tekst është  intertekst”-shkruan teoricieni i madh Rolan Barti. Në fakt këtë mendim e mbështesin shumë dijetar të  letërsisë. POETI SI TIP IMPERSONAL BËHET TIP PERSONAL. Shikuar në aspektin e influencës, që është dukuri e pashmangshme për secilin shkrimtar, madje (sipas Bodlerit) për secilin njeri, poezia e Agim Vincës pranon katër modele: poezinë popullore, poezinë (e shkruar) tradicionale, poezinë e Brehtit dhe poezinë e Preverit.  Letërsia është e paparamendueshme jashtë tipologjisë së një  diskursi- thoshte Cvetan Todorovi. SHKRIMTARI POSTMODERN është në pozitën e filozofit: teksti që shkruan, vepra që krijon, nuk udhëhiqen vetëm nga rregullat e vendosura, prandaj për to nuk mund të gjykohet në mbështetje të  një kriteri të caktuar, në të vërtetë për këtë tekst, për këtë vepër përdoren kategoritë e njohura.  Këto rregulla dhe këto kategori janë ato për të cilat gjurmon vetëm vepra. Këto teori i ka të absorbuara mirë poeti Agim Vinca. Rrjedhimisht, poezia e Agim Vincës është subtile plot sens dhe intertekst preverian. Teksti “Palimpsest për gruan dhe librin” është pa dyshim një nga krijimet më intriguese të librit. I konceptuar si një PALIMPSEST, ai është një lojë e vërtetë metaforash, kontrastesh, batutash, citatesh e imazhesh, e luajtur me mjeshtri nga ana e autorit. Agim Vinca i kësaj faze, që mund të quhet fazë e pjekurisë së tij të plotë krijuese, është poet jo vetëm i frymëzimit lirik, por edhe i komunikimit intelektual me mite, dokumente e kode të proviniencës letrare, shkencore, filozofike etj. Të analizosh diskurset, do të thotë të mbulosh e të zbulosh kundërthëniet, të shpërfaqësh lojën e  vendosur brenda tyre; të tregosh si i shpreh ato, si i ringjall, ose si iu jep atyre pamje të  përkohshme thoshtë dikur Mishel Fuko.

Post poziconi, sfida mbi rregullat e artit

 Post-poziconi në këtë poezi sinjalizon varësinë dhe pavarësinë kundërthënëse nga ajo që kohësisht i paraprin dhe që me të vërtetë e bën të mundshëm. Agim Vinca shënon një shkëputje të thjeshtë dhe radikale nga poezia moderne dhe nga kontinuitetin drejtvizori saj. Ai është edhe njëri, edhe tjetri, dhe as njëri, as tjetri. As moderni as post-moderni. Ky rast ka të bëjë me  kuptimin estetik, filozofik ose ideologjik të kësaj poezie dhe lë lexuesin të gjykojë si të dojë. Igëltoni i ndan TEORINË dhe PRAKTIKËN, duke zgjedhur të ndërtojë ARGUMENTIMIN në radhë të parë mbi konceptet abstrakte teorike dhe pothuajse duke iu  shmangur të thotë se për çfarë tipi të praktikës estetike flet. Fama e citatit në post-modernizëm sikur “zëvendëson të  vërtetën”. Post-modernizmi nuk mohon ekzistimin e së kaluarës; ai pyet se thua fare mund të njihet ndryshe e  kaluara pos përmes mbetjeve të tekstualizuara. Poezia post-moderne është vetëm një FIKSION I RIKULIFIKUAR. Hajnrih Klotz do të shprehej se "Post-modernizmi është rimëkëmbje estetike e fiksionit", duke  përcaktuar kështu njërën prej veçorive më karakteristike e më domethënëse të artit post-modern në  përgjithësi e të letërsisë në veçanti. Nuk bën gjë tjetër përveçse rimerr, rikualifikon apo  rimëkëmb fiksionet e dikurshme e që u "përkisnin" formacioneve të mëparshme letrare.
Çfarë vlerësojmë si moderne apo post-moderne, do të dallohet nga mënyra se si përshtaten në një  kulturë të caktuar provokimet që shkakton një vepër arti. Veprat që mund të jenë moderne për një  kulturë, mund të jenë post-moderne për një tjetër. Francezi Liotar, autori i veprës themelore për  pos-tmodernizmin, thotë se një vepër mund të jetë moderne, nëse ka qenë më parë post-moderne. Si  rrjedhim, mund të thuhet, për shembull, se vepra e njohur “Urinorja” e Marsel Dushamp-it, e cila  mund të ketë filluar si post-moderne për nga mënyra sesi i sfidoi rregullat e një vepre arti, por  tashti ekspozohet nëpër galeri me statusin e një vepre arti. Pranohet se post-modernizmi është më  tepër një stil, sesa një periudhë kohore. Veçori të tij mund të renditen në këtë mënyrë: de-kanunizon  standarde kulturore, vepra dhe autoritete të mëparshëm; mohon autoritetin e autorit, zhvlerëson  qëllimin dhe synimet e tij; kundërshton të pritshmen, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin;  shkatërron burimet e veta me parodi, ironi, pastiche; argumenton që kuptimi është i papërcaktuar,  duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer; fragmenton tekste, duke i kthyer në  kolazhe e montazhe; shmang seriozitetin dhe përgjegjësinë, duke nxitur arbitraritetin e lojën;  përzien zhanret; zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë.


PËRUNDIMI:
REFERENCË:
( Agim VINCA “Psalmet e rrënjës”, Brezi 9, 2007 )




POETIKA E HAPËSIRËS NË LIRIKAT E MURAT ISAKUT



FJALËT KYÇE: Poetika e Hapësirës, Poetikë e Vendbanimit, Poetika e Mungesës Univers i Vendlindjes...

                                                                                       
HYRJE

Poetika e hapësirës priret nga leximi i poetëve, por edhe i imazheve poetike të jetës së brendshme shpirtërore. Ajo niset prej një këndvështrimi tjetër, të quajtur topo-analizë.[1] Shtëpia e lindjes, nevoja për vetminë, shpirti i babait si më i miri i vendit dhe më i mirë i shtëpisë, Njeriu-Mik, Arta e Fisi, imazhet simbole të djepit, kasolles dhe mashna[2], janë disa nga vendqëndrimet të rrugës që shpie tek “pafundësia intime” e Murat Isakut. Poetika e hapësirës është e vetëkuptueshme në shumë poezi të Murat Isakut. Vesa kristalore dhe drita e lehtë e një ylli, sa e largët, aq edhe shpresëdhënëse, e kulluar për të parë hijet e dukurive tona unikale, janë  imazhe kontraste që na dalin si të fotografuara në shumicën e poezive të Murat Isakut. Por jo gjithçka ka një ngjyrim të errët, dramatik dhe të pashpresë. Zëri i poetit është thirrja shpirtërore për të apeluar kohën. Ai vë në dukje dhe është dëshmi e gjallë se ç`ndodh në dhe përreth vendlindjes së tij. Nga kjo pikë nuk mbetet tjetër, veçse të kthejmë sytë dhe të rindërtojmë me kujdes ekuilibrin e humbur. Ajo në poezitë e tij paraqitet si një tekst që na flet për mungesën e tekstit, po edhe për praninë e përhershme të dikujt tjetër.
Jo vetëm shkrimi-poezia, por edhe shkruesi-poeti pra, jo vetëm germa e vdekur, por dhe fryma e gjallë ishin përbrenda natyrës krijuese të Murat Isakut. Jeta e tij mbeti një libër i shkruar nga Brenda dhe nga Jashtë, nga sendet e dukshme nuk janë bërë për të na çuar drejt njohjes së sendeve të padukshme. Ai qe refleksiv ndaj elementëve të poetikës së hapësirës. Ai dëshironte ta përkufizoj atë me të gjithë madhështinë që ka vendlindja e tij. Por dhe ajo njësohet çuditshëm me atë kristal të shpirtit të poetit që është i predestinuar të humbasë në kaosin e pashpresë. Me një vështrim paksa ndryshe, natyra si koncept i poetikës së hapësirës ka humbur formën fillestare, sepse fatkeqësisht ajo është rikrijuar nga dora e njerëzore prej poeti. Është shfytyruar deri në atë nivel sa është kopjuar. Murat Isaku përshkruan të tashmen e kësaj natyre dhe të përjetshmen e bukurisë së saj e cila banon në poezitë e tij.
Drejt një konstatimi të këtillë nisemi nga poezia: Nata tjetër

“Prit ta thërras natën tjetër
Që duhet të jetë e gjallë…
Do të vijë nëpër qiellin e vjetër
Askush pa vjedhur si barkën në zall’[3]

Dhe kështu ngjet me pothuajse gjithë krijimtarinë e poetëve që i afrohen fundit të jetës. Përmbledhja me poezi M’i këpusin kokrrat e frymës e Murat Isakut, e botuar pak muaj pas vdekjes fizike të poetit, dominojnë notat e dhembjes për jetën, për këtë bukuri shituese të cilën aq shumë e deshi e që tani po i rrëshqiste duarsh me shpejtësi marramendëse kohe. 
Popullin e fshatit të tij të lindjes e quan me të drejt mendjemadh ose më saktë mendjeshumë, të zgjuar, por jo dinak. Ai nuk harron të shkruajë për rrethinat e bukura të Malit Sharr, që njëra pjellë vajza të bukura, të cilat humbin kohë pas kohe në konakët e familjeve të mëdha të fshatit e tjetra që lind kryeneçësi, mosbindje dhe puroshqiptari.
 Në atë kohë të pakohë, kur, fatkeqësisht, mbi gërmadhat e të njerëzishmes po i ngre ngadalë e pahetueshëm muret përditshmëria moderne çorientuese dhe po rëndon me krejt peshën e vet indiferente mbi vlerat shpirtërore, poezia mbeti zëri më i ëmbël e melankolik njëkohësisht, që vjen andej nga Sharri, e duket si një zë shkretëtirë, që kërkon një pikë ujë kthjellimi për t’i ujitur ëndrrat e veta që po i vdesin diku xhunglave të harresës. Murat Isaku mbajti gjallë kujtesën kolektive përmes poezisë. I ndodhur përballë ndrydhjeve, thinjave, territ, perëndimit, fletëve të verdha, vyshkjeve, shkretëtirave, vajeve, klithmave, vdekjeve, varreve, zhgënjimeve, lotëve, dhembjeve, urisë, lypësve, lakut (gjitha këto imazhe)... poeti e vë fli veten e tij, ngase tabani ku e ndërton ai jetën e ëndërrt për të gjithë njerëzit është poezia, dashuria,  lumturia, është e njerëzishmja... Ngrehina e kuptimtë, tema, ideja, poetika, retorika, ligjërimi i këtij bagazhi letrar të ideuara në librin e tij Zani i Malit të kujton një nga poezitë më të mira të shkruara ndonjëherë për vendlindjen. Sipas Basho-it këto poezi mund të shfaqin POETIKË E VENDBANIMIT. Të tilla janë poezitë; Lirikat e vendit tim”, Fëmijët e kohës sonë, Katundit tim, Liqeni i dashurisë, Pemët e vendlindjes time.
Duke harmonizuar kohën dhe hapësirën, nëpërmjet studimit të poetikës së Murat Isakut, rigjejmë një univers të gjerë letrar, e artistik, Universin e vendlindjes, gjejmë Murati Isakun vetë, duke interkomunikuar me botën e artit, me botën shqiptare, duke harmonizuar eksperiencat e jashtme (kujtesën, që reflektohet si kujtesë teksti[4]), si dhe përvojat e tij të brendshme, dijet letrare në harmonizim me imagjinatën e pasur prej poeti. Semiologu i madh i kohës, Umberto Eco[5], njëherësh dhe shkrimtar, duke shtruar shumë probleme rreth autorit dhe interpretuesit të tij, shtron një intencë, që zhvillohet, si përsiatje, kur thekson "dialektikën midis të drejtës së teksteve dhe të drejtës së intepretuesve të tij"[6]. Përmbledhja  me poezi Zani i malit mbetet formulim letrar me shumë shtresime semantike, si sintezë e manifestuar në tekste konkrete, në hapësirë konkrete fshati, të analizuara në një rrjet të dendur relacionesh hapësinore që shfaqen në të gjitha planet e poezisë duke rigjetur teorinë e cila thekson kujtesën historike nëpërmjet poezisë. Pra, leximin e tyre në kuadër të një bote të librit, botë kjo që interkomunikon në letërsinë e Murat Isakut. Tek poezia Thirrja e djepava të rinj ai shkruan:
“Përtej strehëve të lakueme me shekuj
Shiqoj, në parakalimin e bardhë
Stinët që nxitojnë me ngadhënjim
Stinët që mëshifen në këllëfin e qiellit
E trukshëm ndëgjoj orën dymbëdhetë
Që troket në mes e çarshisë…[7]
Gjatë leximit të poezisë së Murat Isakut spontanisht artikulohet sintagma: POETIKA E MUNGESËS. Pra, mungesa e kohës dhe e botës fëmijërore, e botës që pastron dhe ekuilibron, mungesë e Njeri–Mikut, njeri-mungesës, i tjetërsuar, mungesë e harmonisë dhe përsosjes, mungesës kujtimesh dhe kuptimësish në botën reale. Nëpërmjet aktit të leximit të kësaj poezie, në dialogim të gjithanshëm, me të gjitha paramodelet, për t'u bartur kështu në rrafshin e receptivit përmes leximit, identifikimit të tekstit në tekst, e zhvilluar kjo si reminishencë kohe, mbase edhe vetëdije krijuese qëllimore e Murat Isakut është në përmbushje të fiksionalitetit letrar-estetik. Ai bën thirrje botës në poezinë Thirrja djepave të rij:

“Më dëgjoni djepa nëpër paralele,
andej ku ma njifni se s’ma njifni gjuhën:
klithma jonë është jehonë ma e fortë se ajo e Nevadës”![8]

Kjo duket si një teknikë e të rrëfyerit artistik. Drama e madhe e një artisti siç është Murat Isaku është vuajtja e skllavërisë materiale ndaj ligjeve të hapësirës dhe kohës. Poeti është njëri i rëndomtë e pranon hapësirën edhe pa qenë i vetëdijshëm se ajo ekziston. Ai duhet të kryejë orë e çast “kapërcim në zbrazëti” si një lloj transcendence, si një ndjenjë të thellë krijuese, ku lejohet fjala, stili i të rrëfyerit si para një pasqyre besnike. Kjo ngjan si një kapërcim të çdo lidhjeje me botën materiale.
Mungesën e gjymtyrëve ndërmjetëse mes vargjeve (elipsi i kontekstit) duhej të ishte më pak e theksuar që të krijohej një lidhje organike midis tyre deri në gjendjen apo mendimin final. Ka një sërë fjalësh emërues, siç janë; djep, kasolle, gur, vatër, mashna, për të cilat vetë autori shprehet se i pëlqen të ndiejë shijen dhe forcën e tyre. Këto fjalë e zbukurojnë vargun dhe lehtësojnë semantikën e tyre. Pra, me mjetet stilistikore autori di ti punojë aq mirë për të dhënë ide të qarta dhe gjendje të kulluara me motiv nga vendlindja. Murat Isaku në mënyrën se si e percepton realitetin dhe raportet, poetikën e vendlindjes që e krijon nëpërmjet poezisë, duket sikur asaj i ka krijuar një fizionomi të vetën dhe përpiqet që në çdo poezi ajo të jetë Ai dhe jo hija e të tjerëve. I tillë është ai edhe kur i këndon dhimbjes, trishtimit, ndarjes, thinjave, njerëzve të tij më të afërt, botës dritë-terr dhe asaj më të bukurës, ndjenjës sublime të dashurisë.
Murat Isaku nuk kufizohet tek uni i tij si qytetar dhe poet, as në qytetin ku banoi gjatë tërë jetës. Poezia e tij është universale, ka shtrirje dhe rreket të përfshijë brenda saj sa më shumë fate njerëzore duke ndërtuar artistikisht poetikën e vendlindjes. Prirja drejt individualitetit krijues është imazh serioz dhe përkushtim artistik. Është vlerë e patjetërsueshme për krijuesin, është zë origjinal dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim se rruga e poezisë është e gjatë dhe nuk është e shtruar me lule.
Natyra në lirikat e tij është pretekst subjektiv i përhershëm. Syri i poetit sheh, ndenja e tij formëson. Syri bazohen në dialektikën e raporteve vizuale formale, ndjenja dhe përjetimi i natyrës në raporte estetike esenciale. Poeti ndalet para saj për ta pasqyruar dhe riprodhuar atë. Në letrën e bardhë poeti ndërton një realitet duke e bërë atë pjesë autentike të botës së tij. Ai i përgjigjet pyetjes që ia parashtron natyra dhe shkruan:

“Lisit që qëndron kryelartë me shpirtin në shtat
 vetëm hëna që natën vjen, po s’flen në fshat
I qaset me ledhati si t’i falë puthje e ndjesë
Dhe n’këmbë e lë të dergjet, po të mos vdesë...” [9]

Poezia është më shumë ndjenja e realitetit se sa arsyetimi i këtij realiteti. Është më tepër psikologjia e sendeve dhe njeriut se sa nacionaliteti dhe algjebrizimi i shqisave të tij. Në laboratorin e tij krijues ai mundohet të imitojë natyrën përmes poezisë ku sundon dhe poetika e gjeniut mbi kulturën autoktone të këtij gadishulli, të egër, e me rregulla të serta. Murat Isaku si shkrimtar i tregoi përmes poezisë botës së civilizuar jetën e plotë dhe reale, në kohën më të vështirë për poezinë atë të diktaturës komuniste, që, sipas gjasave, ai pushtet vazhdon të ketë akoma akses të fuqishëm mbi jetën e sotme shqiptare edhe pse kaherë pretendohet vdekja e tij.
Por a mund të jetë NDRYSHE në këtë vend, në këtë gadishull, ku e jashtëzakonshmja gjendet në eter?! Këtë kohë ontologjike dhe këtë poetikë të hapësirës Murat Isaku e përdor për penën e tij, duke e ngjyer në bojën e mençurisë së të parëve, një histori, një jetë të tërë të shkruar në faqet meduzë të trurit të tij, e të ekspozuar përmes unit lirik ku gjejmë të gravuara ngjarjet për dritën e të parit. Egoja që i vesh ai vendlindjes së gurtë të Gajres është e merituar. Poezia Pritja në fshat ilustron mirëfilli këtë të dhënë.

“Pse të dalë hëna – me dritë ta shkruaj këtë poezi,
Po hallet vijnë pas meje e kumbulla shtatit e fsheh...
Vargjet m’gjesdisin n’gjoks si peshqit n’detit me shi.
......................................................................
Tash m’vjen era babë, era drithë, era skamë e fjalë,
Sa e ëmbël është kjo dritë, kjo kumbull, kjo dhimbë!”[10]

Në disa lirika të Murat Isakut lexojmë vargje interesante të një krijimtarie të suksesshme dhe të bollshme letrare. Koha nuk mund të ecë pa ndjerë zërin e emocioneve dhe pa përkrahur zërat e poetëve që meritojnë të hyjnë në rrugën e bukur të poezisë.


PËRFUNDIMI

Poetika e lirikave të Murat Isakut sintetizon ngeshëm në një lirizëm që buron thellë në ontologjinë njerëzore, në gjithë atë kozmogoni të paanshme që mund të krijojë një lirikë e mirëfilltë. Për të poezia mbeti esencë, rrëmim ekzistencial në shpirtin njerëzor, mbet dashuri e arkivuar në zemër, që më pas të ri-zbulohej nga kritika, mbeti poezi-identitet si një shpirt i këputur dhe i përgjëruar…
Për të argumentuar repertorin e tij lirik të ankoruar në “lëndën njerëzore”, vlen të lexohen vargjet nga lirikat: Ngutem të marrë frymë, M’i këpusin kokrrat e frymës, Dikush punon në ballin tim, etj. Murat Isaku mbeti frymë, lëndë, brendësi dhe përjashtësi, bektashizëm letrar dhe përtejkohë, i sublimuar në lirikë, i sublimuar në muzikë vargu dhe imazh të përndritur. Poetika e tij mbetet një univers i vendlindjes, një univers plural i tretur në fjalë të qëmtuara ngeshëm që reflektojnë një lirikë të kulluar dhe të paimitueshme. Në këtë kontekst lirikat e tij janë të një modeli të veçantë, edhe lirikat e poetit të Gajres dhe lirikat e poetit të qytetit, janë lirika avangarde të një frymëzimi me konotacione e me një pritje të hapur drejt besimit dhe identitetit. Këto karakteristika të lirikave  të tij evidentohen edhe me tepër në kapituj që pasojnë. Është fjala për një tufë lirikash që përbëjnë universin e vendlindjes të përfshira në të gjitha përmbledhjet poetike. Në vijë historike, Murat Isaku vinë si poet i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe të Maqedonisë. Letërsia shqipe në Maqedoni kishte fatin e njëjtë më të popullit shqiptarë.
Murat Isaku qe poet intelektual. POEZIA E TIJ ISHTE NJË KLITHMË INTELEKTUALE.



REFERENCË;

·         Hans Robert, Haus , Estetika recepcije (izbor studija), Nolit, Beograd, 1978
·         Iv, Shevrel, , Letërsia e krahasuar, Albin, Tiranë, 2002
·         Jorge, Luis Borhes, To imiječe stiha, Neklada Jesenski I Turk, Zagreb, 2001
·         Kujtim, Shala,, Kujtesa e tekstit, Buzuku, Prishtinë, 2005
·         Murat Isaku, Poezi1, Klubi letrar ‘94,Tetovë, 2003
·         Murat Isaku, Zani i malit,  Rilindja, Prishtinë, 1960
·         Nebih, Muriqi, Baraspesha estetike, botimet Hejza, Rilindja, Prishtinë,1989
·         Osman, Gashi Kufijtë e letërsisë, Prograf, Prishtinë, 2008
·         Salajdin,Salihu Digresione, Milenium, Tetovë, 2008
·         Umberto Eco, Për  letërsinë, Dituria, Tiranë



VDEKJE E AUTORIT APO VDEKJE E LEXUESIT?


Poeti shkruan dhe s’e honeps hijen e vdekjes (G. Selaja)

Murat Isaku qe një sizmograf modern. Shënoi pagabueshëm gjithë gjurmët e tërmeteve shpirtërore të jetës me sinjalet e fjalës së bukur artistike. Qe kalorës i një urdhri të bekuar Zoti. Qe një nga poetët më të fuqishëm, më energjikë e më të talentuar nga Maqedonia. Një zë i mbijetesës dhe vlerë identitare e letërsisë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Ai nuk qe poet dhomash të mbyllura apo i një vetmie sfilitëse të humbur në lëmsh mendime. Poezia për të s’ishte alkimi fjalësh dhe renditje mekanike të metaforave. Ai e ndjen veten poet dhe kjo është me rëndësi, jo në formë stereotipi, por në funksion të misionarit të fjalës së bukur që duhet të lë gjurmë. Lexuesi i lirikave të tij mbetet përherë i magjepsur. Çdo vjershë, çdo fjalë, çdo mendim i tij, i nënshtrohej një filtri të dendur konformizmi personal. Një zakon deklamimi të zjarrtë e spontan dhe specifik. Lirikat e tij janë përplot ngjyrime emocionale dhe shkallëzime kuptimore. Talenti i tij poetik s’është luksoz por identitet krijues, i pakrahasueshëm, që bashkon pandashëm rreth vetes tematikën e vendlindjes me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij, e cila, pa dyshim, flet në mënyrë absolute për rrugët e reja të poezisë bashkëkohore shqiptare dhe për mesazhe qëndrueshmërie të kalasë së tij poetike. Letërsia shqipe në Maqedoni me krijimtarinë e Murat Isakut është më e thellë, më e gjerë, më e bukur. Është pasqyrë ku mund të shohin nipërit e letërsisë vetveten… Në orën e vona, në heshtjen e natës, ai i flet muzës së tij dhe i lutet t’ia fsheh pengjet.
Murat Isaku është një figurë e madhe e poezisë moderne shqiptare që me krijimtarinë e tij e ka mahnitë kritikën, për shkak të modernitetit të vargut dhe substancës së poezisë, referencave dhe asociacione të holla semantike. Klithma ontologjike ekzistenciale lidhet me ndjenjën bashkëkohore të një lirizmi poetik dhe human. Poezia e tij nuk ka një lloj tejdukshmërie, nëpër të cilën frymon lehtë një bukuri e distancuar, mbuluar metaforikisht dhe alegorisht, një tis mjegulle të paqartë që mundohet të shprehë të pa dukshmen, të pakapshmen, të pathënën, të paparën, e mishëruar me fjalën, formën, vargun poetik tipik të Murat Isakut. Lirika e tij është e krijuar me mjeshtri intelektuale. Shenjat letrare, sendërtuar në poezi dhe prozë, i japin autorit pozicionin e magjistarit të shenjimit të letrares, asaj që shënon Jakobson qysh më herët, letrarja e formatuar natyrshëm në shtjellimin e krijimtarisë poetike. Gatimi i një punimi shkencor për lirikat e Murat Isakut të krijon kënaqësi përgjatë procesit të punës, sepse krijon komunikim me hijen e poetit, hijen e njeriut Murat Isakut, me vetveten, e sprovon veten si lexues dhe si kritik letrar.
Lirikat e tij janë të mrekullueshme, përherë emocionuese si vetë ndjenja poetike që e rriti dhe kultivoi atë. Rrallë ndeshemi me poezi të mirëfillta ku fjalët janë në vendin e duhur, si notat që rrëshqasin pentagramit të shpirtit dhe krijojnë një muzikë që dëshiron ta dëgjosh gjithnjë e më shumë e më shpesh. Ndoshta kjo pse në vargjet e Murat Isakut ka shumë figura - nota të rimarra në një pentagram të ri poetik që e bëjnë poezinë e tij të luhatet mes vokacionit të traditës sonë poetike dhe gjuhës moderne të poezisë shqiptare. Lexuesit i duhet vetëm ta vlerësojë, ta ruajë dhe t’i japë asaj dimensionin që i takon.
Murat Isaku ruajti lidhjet e tij të forta me traditën, jo thjesht si një mani formaliste. Ai mbi to organizoi motivet dhe figuracionin modern, duke i transformuar përjetimet nga vendlindja e tij dhe ndjenjat e tij në vlera artistike pikërisht me forma të tilla vargjesh tradicionale. Lirika e tij nuk ka varg të rregullt, e ka koncepte nënvlerësuese dhe pa komplekse “moderniste”. Dhe pikërisht me këtë besim në vargun e lirë, me këtë guxim dhe ndërmarrje të tij ai arriti të përcjellë emocione, gjendje dhe mesazhe moderne poetike. Bota moderne, mendësitë qytetëruese, elementet, dukuritë, marrëdhëniet, skenat, mjediset, raportet e botës dhe njeriut të sotëm, përbëjnë limfë e poezisë dhe ia japim krijimtarisë së tij atë modernitet që kërkon lexuesi, shija estetike modern. Poezia e tij, përveçse përmban një tension të lartë të emocionit, përveçse përcjell kënaqësi estetike nëpërmjet tingëllimit dhe shkëlqimit brilant të figuracionit, ajo rrezaton mençuri dhe urti filozofike. Nga ana tjetër, ajo është një refleksion për veten, për alter egon e tij, është një pasqyrë e vënë përpara secilit për të parë pamjen e vërtetë.

“Një plak heq shpirt afër Zotit
dhe miqtë i kujton një nga një
si drunj shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë”...

Murat Isakut i kujtoi miqtë e tij, një nga një. Murat Isaku harrohet shpesh prej miqve të tij, por jo dhe prej lexuesit...




FOLKLORI SI EMOCION


HYRJE

Në kuptim më të gjerë Folklori[11] është kristalizim i vlerave arketipore. Ai përbën të kërkuarit dhe të gjeturit e mesit brenda nesh dhe përreth nesh. Folklori është megjithatë veprimtari, eksteriorizim, është gjithçka që ka dije nga populli, që rrjedh nga përdorimi efikas i një mjeti instrumenti tradicional, është vepër e gjeniut, nxjerr në pah të vërtetën, shpirtin, idealen, tipiken, zgjon iluzione, provokon kënaqësi, ngjall një emocion, na lidh me personalitete të jashtëzakonshme, mitike. Funksioni thelbësor Folklorit është i shenjtë. Shenjtëria e tij shndërron atë në lum të pashtershëm frymëzimi për letërsitë dhe arte tjera. Ai zhvendos Qenien popullore në Qenie personazh artistike. Kthen Esencën popullore në Esencë artistike. Shpirti njerëzor përmes dukurive të caktuara të kontaktojë arketipat folklorike dhe arketipin e vet artistik.
Gjithçka në vepër është kuptim thoshte Jan Mukarovsky[12]. Kuptimi është prezantimi i së vërtetës. Përmes saj jepet një sugjerim për kuptimin, që nënkupton shenjën. Ajo krijohet përmes lidhjes së shenjës me procesin historik të krijimit popullorë, në të cilin stabilizohet kuptimi i tij. Pika fillestare e  kuptimit është qëndrimi tërësor i njeriut mbi botën dhe drejtimi i ndryshëm i funksionit estetik mbi  aspekte të ndryshëm të lidhjes mes njeriut dhe botës. Lloji dhe mënyra, në të cilën një vepra e artit strukturohet, i jep pamjes mbi të vërtetën një drejtim të caktuar. Mukarovský e plotësoi modelin e Bühler të tre funksioneve të gjuhës me një të katërt: funksionin  estetik. Një funksion sipas Mukarovský-t është aftësia e të shërbyerit për implementimin e një  qëllimi, pra e të qenit një mjet. Funksioni estetik ka një pozicion të veçantë  mes funksioneve të tjera: Ai ndërton një pol të kundërt me funksionet e ashtuquajtura jashtë-estetike dhe ka përballë tyre një funksion organizues. Veçanërisht në krijimet folklorike ai merr një pozicion dominant. Funksioni estetik në krijimin popullore mund të mos-shihet andaj mund ta quajmë dhe si „mohim i funksionueses“, siç qëndron në pasthënien  e studimeve mbi estetikën dhe poetikën strukturaliste, duke qenë se ai e tërheq vëmendjen  mbi shfaqjen vetë dhe kjo në këtë mënyrë e kthen veten në qëllim e ndershëm që ka Folklori përgjithësisht është mjet shprehje edhe asimilimi, shprehje e personalitetit dhe etnogjenezës; është mjet cilësor dhe jo arbitrar dhe kaotik; është projektim arketipash dhe artefaktesh. Ai përbën një lëvizje nga vetja jonë tek e dikujt tjetër. Folklori është mjet interkulturor. Dialogon paimponueshëm mes kulturave të popujve tjerë. Është sistem i hapur i cili funksion sipas parimit jep e merr. Folklori rrënjët i ka tek Absolutja…
Misioni i Folklorit është heqja e lëvozhgës të së kaluarës dhe zbulim i Esencës, Bërthamës, Etnosit, Rrënjës… Misioni i Folklorit është fisnik. Fisnikërimi nuk është gjë tjetër por, prirje e natyrshme alkimike në të gjitha rrafshet. Folklori indukton emocione estetike dhe përçon bashkë me to mesazh të drejtpërdrejtë shpirtëror dhe kësisoj sugjerimet që burojnë nga letërsia popullore ri-shpijnë tek e vërteta çliruese. Folklori autentik dhe normativ priret gjithmonë të kombinojë vëzhgimin mençurak të natyrës me stilizime të thella dhe fisnike. Mundohet të asimilojë veprën- model të krijuar nga Zoti në natyrë dhe ta ndajë atë nga kontigjenca fizike duke i dhënë kësisoj një vulë shpirti frymëzues dhe sintezë ndjenjash të kulluara.
Konceptimi modern i folklorit

 Konceptimi i Folklori modern është që në start i rremë.  Frymëzimi krijues ose impulsi për krijuar folklor sot është larg nga krijimi i formës cilësore, i përmbajtjes së saj dhe aktualitetit të saj, i perceptimit ndryshe herë-herë i tejkaluar si formë shkrimi. Interpretimi modern i folklorit nënkupton Qasjet. Qasjet mund të jenë: Qasjen retorike kanë ato studime që merren, pike së pari me komunikimin inter-folklorik,  dhe teoria e aktit ligjërues  mbi folklorin. Qasja semiotike dhe strukturaliste është pritur nga analiza dhe përshkrimi i tekstit të Folklorit. Qasja fenomenologjike  që interesohet për fenomenet folklorike. Qasja psikanalitike dhe subjektive, që provon të shpjegojë se si personaliteti i lexuesit e formëson të lexuarit dhe interpretimin e folklorik. Qasja sociologjike dhe historike që përfshin edhe estetikën e receptivit të folklorit që i referohet publikut  lexues të kohës së sotme. Qasjes hermeneutike, hasim kritikët, të cilët shtrihen nga autoritarizmi i padyshimtë interpretativ deri te relativizmi në interpretimin e materialit folklorik. Të zëvendësosh atë zotësi dhe mjeshtri popullore të quajtur Folklor duhet përfshirë patjetër talenti real që të bëj shkëputjen normative të letërsisë popullore nga ajo artistike. Folklori me konceptim modern njihet përmes tri kritereve: fisnikërimi i përmbajtjes – që përbën kusht shpirtëror; përpikërisë së simbolizmit folklorik dhe pastërtisë së stilit dhe elegancës së shkrimit të ri më temë nga Folklori. Çdo kalimi nga aksidentaliteti tek substanca ose kalimi nga lëvozhga deri te e vërteta çliruese nënkupton interpretimin modern të folklorit.

Folklori si emocion

Folklori si emocion është i veçantë dhe i shenjtë. Ai vinë përmes qëllimit personal të gjeniut krijues, përmes përmbajtjes tipike popullore, simbolizmit mitik dhe stilit arkaik  të veçantë. Për nga përmbajtja Folklori ndjek një model kanonik. Për nga simbolizmi Folklori është etnografik dhe antropomorf. Duke pasur parasysh pikëpamjet që kanë lindur prej kohësh, mund të themi se Folklori merret  vetëm me qëndrimin ndaj pikëpamjeve të ndryshme popullore mbi jetën, por gjithashtu krijon bazën për të ndërtuar një disiplinë racionale të quajtur Letërsi, të përshtatshme dhe të vetë-përgjegjshme. Përqasja e Letërsisë me folklorin dhe dallimi esencial midis Letërsisë dhe Folklorit vërehet nga  qasja ndaj tekstit: e para ka qasje e jashtme, kurse e dyta qasje e brendshme.
Kur kërkojnë të përcaktohet objekti i studimit letrar, studiuesit i letërsisë thonë se ka një mirëkuptim të përgjithshëm për atë që duhet të studiohet si letërsi: pra i referohen  gjenezës historike, pa pyetur për tiparet e brendshme të saj. Kështu që duke u nisur nga të  ashtuquajturit “krijimet nga gjeniu popullor” apo “madhështitë e krijimit popullor”, si dhe duke i vëzhguar ata si fenomene të izoluara, Folkloristët dhe studiuesit e folklorit nuk arrijnë të kapin ndonjë kuptim të zhvillimit të plotë historik  të Folklorit. Gjuha letrare, emocioni, elementi i domosdoshëm estetikë dhe zhvillimi i saj nuk mund të kuptohet si një zhvillim i planifikuar i Folklorit,  por më tepër si zhvendosje kolosale e traditës folklorike drejt Letërsisë. Interpretimi i stilit modern të letërsisë gërmon dhe gjatë këtij akti shkatërron. Ai gërmon pas fasadës së  krijimit popullor dhe nxjerr prej andej një nëntekst, të cilin e shpall si tekstin e vërtetë. Në disa qarqe  kulturore interpretimi i tillë është një akt çlirues. Në disa të tjerë ka karakter reaksionar, trivial,  mbytës dhe meskin. Kur ngacmimi nga leximi i parë i krijimeve popullore merr fund, kur bartja dhe dehja e të papriturës shuhet, ajo çka  mbetet pas në vargjet e shkruara mirë janë mjetet e kujdesshme të poezisë së pastër, që mund të na risjellin  kënaqësinë dhe admirimin. Çka do të na bjerë në sy që në fillimet e poezisë popullore është vargu jo mirë i përpunuar, shtjellimi a-teorik, ndryshimi thelbësor nga paragrafët e prozës letrare të mirëfilltë. Shqyrtimi i vargut do të nxjerrë në pah  njësitë më të vogla që e përbëjnë atë: bashkëtingëllorja, zanorja, rrokja me konotacione të gegërishtes. Ndërsa mbetet e  vështirë për ne qenia objektivë në qëndrimin ndaj ideve të poezisë popullore (të njëjtës poezi mund t'i japim  shpjegime krejt të ndryshme, në mos edhe kontradiktore), jemi lehtësisht objektivë në qëndrimin ndaj  njësive të tingullit dhe lëvizjes, melodicitetit. Fakti që “gjeniu popullor  zgjedh një fjalë, a një skemë rime, para një  tjetre, shton shfaqjet e paqëndrueshme të zgjedhjes njerëzore, që ne, si rezultat, të zbulojmë një  zë të qartë, individual, edhe në poezitë më formale moderne. Kjo pikëpamje, e përcaktuar prej parashtrimeve të mësipërme, mëton të japë një pamje historike të  asaj që ka ndodhur me fjalën artistike popullore shqipe, historinë e zbulimeve e risive, si dhe shprehjen e  tyre: ajo që mund të gjendet vetëm te një varg a dy, apo me cilësi të veçanta të kadencës e  sonoritetit, të cilën pasuesit e shumtë e përsërisin, e zbusin apo e modifikojnë. Zgjedhja në bazë  të zbulimeve e risive që shtrihen në dimensionin e thellësisë së thesarit popullor, jo vetëm të ndonjë risie sipërfaqësore, hedh dritë më të qartë se sa një paraqitje kuturu. Kjo metodë nuk ka asgjë të  përbashkët me metodat a përpjekjet që i ndajnë elementet e letërsisë sipas disa kategorive joletrare. Folklori nuk është kategori jo-letrare. Vetëm një metodë e tillë na ndihmon që të dallojmë shpikësit,gjurmuesit, mjeshtrit e mëdhenj, ata që kanë  merita për ngritjen e folklorit në  shkallën më të lartë duke iu afruar kësisoj krijimeve të njëmendta artistike. Vetëm një metodë e tillë do t’ia shkurtonte jetën studimeve arkaike dhe  përshkrimeve sipërfaqësore mbi Folklorin.

Tekstet folklorike dhe tekstet e letërsisë

 Tekstet folklorike vazhdojnë të ushqejnë letërsinë. Edhe pse Nietzsche ka shkruar se zotat kanë vdekur, kultura popullore thotë se edhe i vdekur një zot mbretëron përjetësisht. Krijimi popullor mbetet çelësi i shumë shkrimeve të trilluara të disa autorëve. Shkrimi palimpsestik[13] çliron përherë një kuptim të shumëfishtë duhet hapur kësisoj rrugën për përdorimin e krijimeve popullore. Sistemimi i këtij përdorimi, shënon poliseminë  dhe raportet e ardhshme Letërsi - Folklor. Aty tërë temat folklorike janë të pranishme: Gjeneza, Arka e Noes, engjëjt e Apokalipsit, Sodoma e Gomorra, tempujt, apostujt, epifanitë, festimet, sakrifica e flijimet dhe objektet ose momentet fetare, adetet e Martesave, Kulti i Besës[14], etj. etj. Këto janë njëkohësisht dhe burim metaforash për letërsinë, por një terren kulturor dhe artistik, një model krijimi i vetëdijshëm për veten,  për trupin dhe shpirtin. Folklori  kërkon një lexim fjalë për fjalë si kërkim i ethshëm dhe domethënës ndërsa poetët bashkëkohorë i kthehen këtij teksti të pashtershëm, si një siguri ekzistencialiste të një “zoti të fshehtë”. Goldman Hugo[15] thoshte se simbolet e  vjetra zanafillore janë të përjetshme. Folklori shërben si model letrar, sepse në shumë vepra personazhet duan të gjejnë motive përtëritëse për zemrën, për të varfrit fatkeq. Folklori jep gjithashtu sigurinë e një tradite stërgjyshore të një autor i ri në kërkim të ligjësimit letrar për vete.
Civilizimet njehin kohën e vet të gurit dhe të atomit, por kultura nuk njeh zhvillim të tillë: mund të  flitet vetëm për ecje kronologjike e dukurive folklorike, sepse matja e kohës nuk vlen edhe për artin. Folklori lidhet me Pakohësinë. Në  fushën e shkencës, ekonomisë, teknikës, bota e lashtë është aq larg botës së sotme, por në fushën e  artit nuk mund të flitet në të njëjtën mënyrë: kush i afrohet sot poeti grek Homerit dhe poeti bredhës  Aed? Artistët u përkasin të  gjitha kohëve dhe se tradita është aktive dhe aktuale. Me anën aktive të traditës kemi të bëjmë edhe në rastin e  kërkimit për modele të reja: mjeshtrit e të kaluarës, me gjithë universalitetin e tyre, janë të  kufizuar nga moda (shkolla) për të cilën kanë bërë aq shumë, sepse krijimtaria e tyre shpjegohet  vetëm brenda kodeve që ata i afirmojnë. Në historinë e Folklorit shohim se zgjidhja e një problemi lind probleme të reja, duke u dhënë mundësi të tjerëve të tregojnë se ç’mund të bëjnë: çdo artist varet prej traditës popullore për atë formë nxitëse që u jep drejtim procedimeve artistike. E gjithë kjo përcaktohet jo nga përmirësimi, por nga ndryshimi i materialit në zotërim. Është ky kuptimi historiko-tradicional që e bën studiuesin të ndërgjegjshëm për bashkëkohësinë e tij. Në artin folklorik një mendim i plotë pjell fjalë që  e “shprehin” e “përkthejnë” atë, kemi takimin e një shenje, që është fjala, dhe synimit: “mendimi” është përgatitur dhe zë vend pak nga pak prej rastësisë së fjalëve. Kemi një art të shprehjes, të zbulimit: fjalët rrotullohen në syprinë, sipas një sqime elegante e  zbukuruese. Ato ne i pëlqejmë nga formulimi që i bashkon dhe nga fuqia a vetë hijeshia e tyre, sepse e kanë ruajtur mundësinë e tyre ngarkesore në dobi të një gjendjeje më solide të ligjërimit. Kemi të  bëjmë me një ligjërim të folur, me gjithë kodifikimin jo aq të rreptë, ku fjalët e kanë peshën e tmerrshme të domethënies, të së nënkuptuarës, të nëntekstit. Tradita në fillim shfaqet si ndihmë, si diçka që duhet doemos të përdorët. Tradita popullore përmbush, ngop, prandaj letërsia (krijimi) fillon si receptiv i traditës. Artisti i vërtetë vjen vetëm pas fazës fillestare të kopjimit të modelit tradicional. Në fillin të shekullit XX, estetët formalistë këtë do ta  quanin “de-familjarizim” me format apo mjetet shprehëse të kthyera në rutinë. Gjithë kjo ndihmë do të  vazhdojë, derisa artisti do ta kuptojë se në çdo rast ka qenë në prehrin e ngrohtë të asaj që ka e dashur: në çdo rast ai është përcaktuar nga vetë tradita, pasi ajo është baza ku rrotullohet  gjithçka. Nëse e kaluara na ndihmon që të shpjegojmë bashkëkohoren dhe të ardhmen, edhe e ardhmja  dhe bashkëkohorja na ndihmojnë që të kuptojmë më mirë të shkuarën, pasi mund të zbulojmë në të  elemente të drejtimeve dhe stileve të reja.

Gramatika e folklorit

Gramatika e folklorit është zhveshur nga qëllimshmëria e saj, ajo është shndërruar në prozodi, një përthyerje që zgjat sa për të paraqitur fjalën, si të furishme dhe të mistershme. Përthithësi i poezisë popullore përplaset me Fjalën,  ballas, dhe e merr atë si një sasi absolute, të shoqëruar me gjithë mundshmërinë e saj. Çdo fjalë popullore është kësisoj objekt i papritur, është një urti e llojit të veçantë, nga ku brofin të gjitha aftësitë finoshe të ligjërimit folklorik. Folklori nuk është qëndrim ndërgjegje, por akt detyrimi, mbrojtja e poezisë popullore si një ushqim shpirtëror dhe si shkëlqim dhe freski e një ligjërimi të këndshëm. Ky orientim ndihmon të përcaktojmë poezinë popullore dhe ta  mbrojmë nga ndryshku i automatizimit dhe  që nga vlerat muzeale-popullore të ngrihen monumente poetike moderne. Gjuha është më e vjetër se sa shkrimtari; gjuha zotëron një  energji centrifugale që ia përcjell potenciali i saj kohor – d.m.th., gjithçka që gjendet para  kohës. Dhe ky potencial përcaktohet me përbërjen sasiore të kombit që e flet këtë gjuhë. 

Përfundimi

Folklori është mjet shprehje edhe asimilimi, shprehje e personalitetit dhe etnogjenezës; është mjet cilësor; është projektim arketipash dhe artefaktesh. Ai është lëvizja nga vetja jonë tek e dikujt tjetër. Folklori është mjet interkulturor.


REFERENCË;

Sako, Zihni., Universiteti Shtetëror i Tiranës. Instituti i Folklorit.
Harito, Keti., Universiteti Shtetëror i Tiranës. Instituti i Folklorit. Sektori i Folklorit Gojor
Structure Sign and Function: Selected Essays (1978), translated and edited by John Burbank and Peter Steiner
L. V. Propp, Morphology of the Folktale, Second Edition, revised and edited ëith a Preface of Louis A. Ëagner, University of Texas Press, 1968
Kenneth S. Goldstein, "Strategy in Counting Out: An Ethnographic Folklore Field Study," in Elliott M. Avedon and Brian Sutton-Smith, eds., The Study of Games Neë York: John Ëiley & Sons, 1971
Mukarovským, Jan Mukarovský, Jan (1977). Studien zur strukturalistischen Ästhetik und Poetik. Frankfurt/Main:  Ullstein.

POETIKA E POLITIKËS


Jo një herë është thënë se politika ka një mistikë të veten prej nga duhet të eksplorosh semantikën e saj. Kuptimin ajo e shndërron në mit dhe misticizëm. Bile shpesh, shënjon interferime të ndryshme me letërsinë, filozofinë dhe religjionin. Politika  është religjion në vete, e cila të tundon thellësisht, përderisa ajo, me hir a me pahir, i përulet dashurisë ndaj pushtetit. Kështu, formulimi semantik politikë në të gjitha leximet rezulton në një koncept universal, i cili shpjegohet si filozofi e së përkryerës, e përsosmërisë së lartë, si një art. Gjetja më e mirë për t’i thurë himn pushtetit, njëkohësisht për të prezantuar një imazh, tingull, objekt dhe për t’i përfaqësuar denjësisht kuptimet e tyre. Ndodh shpesh që politika të ketë konkordanca me dashurinë. Të dyja kanë një Erotemë: përkushtimin dhe provokimin. Politika ka një përkushtim tejet provokues: ”një për të gjithë, e të gjithë për një”, të cilës ia përkujtoj antitezën “një për të gjithë, e të gjithë për disa”. Një përkushtim i tillë është thyerje shpirtërore e poetikës politike. Një ftesë ndryshe për t’iu qasur politikës, e që s’është asfare tikete për t’i dhënë atribute të ndryshme vetes, as për t’u cilësuar si vox clamatis in diserto. Thjesht, politika përmbys një rend vlerash intelektuale (inekzistente), që trumbetojnë tërë kohën duke dhënë përmes shkrimesh imazhin gri të vorbës sonë politike në vlim. Duke shpaluar përvoja dhe tema të ndjeshme ajo merr dimensionet e një himni të madh për jetën. Dashuria ndaj pushtetit shtrihet kudo, e cila është një uverture për golgotës e madhe personale të liderit deri te pushteti, e cila shënjon epilogun, kodin e kësaj veprimtarie. Politika është arti mbi krijimin e rrenës, zanafillën e jetës së mashtrimit, zanafillën e dashurisë së bindur në tradhtinë eventuale, në të cilën njeriu i thjesht ndjek një procedure, fillimisht en general drejt vënies në pah të subjektit politik, pastaj një vaji plot zhgënjim. Tutje, politika shtrohet e përpunohet në variante e in-variante të ndryshme a-kulturore, rrjedh si një vals hipnotik dashurie, duke himnizuar e mitizuar pushtetin, karriget e lëkurës, dashurinë ndaj parasë si koncept personal e universal, për ta konkretizuar në forma dhe diskurse politike. Fundja, ky është një koncept poetik intim për politikën që i përkushtohet pushtetit, pra, dikush i drejtohet dikujt me një pasion dhe dashuri të madhe. Prandaj, është krejt afërmendsh që poetika e politikës të shndërrohet në pasion personal për të dashtë me kulm dhe për ti takuar tërësisht me ka kejt’. Relacioni subjekt lider (mashkull) - politikë (femër) është relacion ndërmjet autorit dhe lexuesit, relacion mes grua dhe burrit, relacion lider dhe turmë. Për të përforcuar konstatimin tonë, subjekti politik identifikohet me personazhe simbole, prej nga formësohet poetika e politikës.  Kështu, poetika e politikës shtrihet kudo në kohë si diskurs e figurë.
Diskursi politik nuk është prodhim estetik, por praktikë shënjuese. Ajo s’ka metafora, ka krahasime ndërpartiake, ka hiperbola, ka rrymë të betshme sa për ti dhënë muzikalitet llafeve politike, më shumë ka antiteza. Sipas kësaj logjike, politikani e shtrin platformën e tij duke lidhur temat-plagë, motivet-luftash, figurat-midelinjtë në një strukturë të vetme, sipas një vije lineare të rrëfimit politik. Politika duke pasur një shtrirje të organizuar në nivel të sistemit të jetës, meqë kemi të bëjmë edhe me një emërues formal, si ditar madrigal, i cili njeh procedurën e shkrimit sistematik, struktura këtu përbën sistemin politik e cila rrotullohet hamendshëm rreth një boshti tematik të paracaktuar diku në ndonjë zyrë të selisë. Mbi strukturën partiake funksionalizohet edhe sistemi politik, si një tetractys muzikal brenda të cilit shtresohen kodet politike, në mënyrë të veçantë kodi mistik politik. Përmes këtij tetractysi,  shpërfaqet kodi mistik, madje sipas një saktësie matematikore, për të zbuluar dhe dekoduar simbologjinë e numrave mistike del një mut i madh... Një rrenë e kulluar kombëtare, një mashtrim optik, një zhgënjim me përmasa njeriu. Në këtë mënyrë, kodi mitik dhe kodi mistik janë bashkudhëtarë në fillim e deri në mbarim të politikës për një arsye të thjeshtë: përmes tyre lahet më akull kokat e njerëzve që s’e kuptojnë se s’ka kurfar qelizash mitike e mistike në politikë, pos një lojë llafesh që mpijnë trure njerëzish. Duke qenë i tillë ky sistem politik formësohet mbi statuse e statute, të cilat shtrihen në dy skaje të mëdha; fillimin dhe mbarimin e politikës, brenda së cilës shpërfaqet dualiteti i madh erotik: lider (mashkull) - politikë (femër), raporti Unë–Ti. Kështu, duke shkruar për fillimin dhe mbarimin e politikës, si në formë dashurie, ajo shpërfaq biografinë tij trans-personale plot mashtrime, rrena dhe aspak vlera.



NË SHQIPËRI ETNIKE MUND VETËM TË BESOSH



Kjo ditë ka ndjenjën e njëjtë me poezinë e Agron Tufës :” Shqipëria është më e madhe se toka e saj, se qielli i shtrirë pingul. Ajo është ëndërr e thinjur anije-Jaht që greminat puth. Me krahë reh plagët - gjak t’i mbyllë, tek përpëlitet e përgjysmuar. Ajo s’është pjesë planeti, por yll – loti që zotit i pati pikuar”.  Nëse dëgjojmë sintagmën SHQIPËRI ETNIKE veshi është i ndjeshëm ndaj thelbit tingullor, nëse e shkruajmë shohim vezullimin e dielltë të grafisë apo ideogramës të germës, por të besosh është më e ndjeshme dhe më e dhimbshme. Besimi i ka rrënjët në shpirt. Dialektika e besimit në SHQIPËRI ETNIKE është më e pamëshirshme se sa forma sipërane e egoizmit të mosbesimit. Të besosh do edukim për t’u ruajtur nga skolastika zhgënjimesh historike, do mend dhe dije, do zhdukje të mëkateve komuniste dhe rrezatimeve alegorike, do ripërtypje të përsëritshme të temës së madhe të Shqipërisë së MADHE…
Ky debat nuk do tym fjalësh, nuk do fjalë anemike dhe pa klorofil politik, nuk do meskinitet. A duhet për këtë temë ende të flasim me folje të kohës së ardhshme? A ka stina mendimi kjo temë? Po cikle menstruale? E vërteta duhet përsëritur shpesh sepse dhe rrena përfolët kurdoherë. Po katastrofa e dhimbshme e copëtimit të territorit të Shqipërisë etnike? Gabim historik, politik apo gabim alienësh? Por sot, ëndrra për BASHKIM TERRITORIAL TË SHQIPËTARËVE është idilike, është fryt eksperimentimesh politike, që vjen si pasojë e dehjes për pushtet, e lezetit të karriges e të postit, e harresës së përkohshme të kombëtares, të mpirjes së trurit të  popullit me anestezion politik.
Brenda Letërsisë së krahasuar është themeluar një sferë tjetër që sot quhet IMAGOLOGJI. Ky term mund të sqarohet si vijon: Në çdo letërsi ekziston një IMAZH për kombin tjetër që mund të mos jetë adekuat dhe, në fakt, mund të jetë MIRAZH (fatamorganë), pra diçka e rrejshme. Si na njohin të tjerët. Kuptimi për vetën dhe për tjetrin, qysh në antikitet ka qenë një referencë vlerësimi për shkallët e zhvillimit të një letërsie dhe Kulture. Nisur prej këtyre kritereve mund të gjykohet nëse një letërsi e sundojnë “muret” apo “urat”, fobia apo mania, kompleksi i përuljes apo epërsisë. E lidhë temën e Shqipërisë Etnike pikërisht me imagologjinë për një arsye të madhe: tejhuajsimi bëri që shqiptarët sot janë hapërdarë vendeve ku janë, janë muret brenda shqiptare që s’arrijnë të thyhen, është imazhi dhe mirazhi, kuptimi për vetën ( sipas shqiptarit të Shqipërisë) dhe kuptimi për vetën (sipas këtij të Maqedonisë dhe Kosovës). Ka vetëm një kuptim unik dhe ai është imazhi i shqiptarit, pa etiketa nënshtetësie. Shqiptarët nuk e ka vuajtur kompleksin e njësimit të tjetrit me të nën-vlefshmen dhe as të mbi-vlefshmen, duke treguar shkallën e saj të hapjes së identifikimit, si dhe përvojën e konvergjencës, jo të divergjencës, përkundër rreziqeve fiktive që predikohen, për konfliktin e pashmangshëm të tyre. Është e pashmangshme lufta e konvergjencës dhe divergjencës shqiptare, është përplasje mentalitetesh politike dhe kulturore, është luftë të kundërtash. Intensiteti i këtyre marrëdhënieve forcohet dhe bëhet më i identifikueshëm veçanërisht në vitin 2001, kur nis e ngjizet sistemi kombëtar shqiptar në Maqedoni. Ky është një fenomen normal, duke patur parasysh se kemi të bëjmë me një sistem të ri, pra receptiv, i cili e ka të domosdoshëm huazimin në tema dhe modele nga lufta e Kosovës. Sytë plot kërshëri shikojnë se ç’magji politike do sjell Bamir Topi për Kosovën dhe Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Ky e ka topin. Duhet të shënojë...
 Duhet të krijohet MEGASISTEMI POLITIK shqiptar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Shqiptarëve të Maqedonisë. Një sistem diellor politik që do bashkoj pandashëm partitë shqiptare në një projekt-galaktikë e cila do rezultojë zgjidhjen e përgjithmonshme të problemit shqip. SHQIPTARIZMA DUHET PATJETËR TË TRIUMFOJË! Në fillim të bëjmë një Rilindje politike dhe me pas një Shtet Etnik. Rryma dhe energjia shpirtërore e akumuluar kërkon të shpërthej në një lëvizje të përgjithshme. Shumë forcë, mllef, rebelim dhe nxitim për të fituar kohën e humbur... Jo në emër të ndonjë ideologjie, qoftë ky dhe nacionalizmi, por në emër të një ideje më të thellë, më të vërtetë… te POLITIKA PA MURE. Politika i rikthehet politikës së pastër, pra ka si funksion primar jo atë ideologjik a preferencial, por funksionin kombëtar. Identiteti i trefishtë politik shqiptar të njësohet në metodë dhe politikisht – komunikojnë përmes metodës së Shqiptarizmës.  Në të kundërtën dalja nga “matrica” do të ishte “fatale” për treshin dhe do të sillte një tjetër realitet politik për pasojë identitar dhe dëmtim të KONCEPTIT SHTETIT-KOMB.




POLITIKA SI RELIGJIONI 


Politika fillon si art manipulimi me njerëzit e më pas për t’u kristalizuar si religjion. Ajo me tej përmes fushatave e inauguron veten si përfaqësuese e denjë e popullit. Lideri politik pavetëdijshëm përmes turmës veshlepur e ta pashkolluar arrin të bëhet profet i politikës si religjion. Behët Jezu dhe religjioni – politikë, thjesht bëhet formë besimi. Besimi i parë, është besimi në të afërmit e partisë, apostujt, e cila quhet paganizëm politik, mandej vjen besimi që njihet si besim në vetvete (në mendjen e njeriut), i cili quhet budizëm politik (indisht: buddha-mendje). Pastaj vjen Judaizmi politik si forma e parë e besimit në një Zot (ku lideri i partisë është vetë Zoti). Ky religjion pason nga krishtenizmi politik, i cili është besim në ndërmjetësuesin e liderit - Zotit dhe në vetë Zotin e Vërtetë. Dhe, krejt në fund, vjen islamizmi politik, që ngrihet mbi principin e një Zoti. Krahas këtyre politikave dhe besimeve kryesore, gjithmonë ka qenë edhe ateizmi politik që shpreh mosbesim në Zot – në lider.
Njerëzit sipas ligjeve të domosdosë njerëzore detyrohen të besojnë në përralla të kuqe e të kaltërta. Materializmi zëvendëson shpirtëroren dhe kombëtaren dhe akomodohet kollajshëm në kryet e vendit. Gjithçka që është kombëtare, që duhet të mbrojë gjuhën, flamurin, margjinalizohet. Përparojnë vetëm masakrat e deputetëve dhe luftërat për tenderë dhe punësime e bijve dhe bijave pa kriter vlerash. Krahas atyre që i përkrahnin luftërat, në fillim të vitit 2001 nuk u konsolidua ndonjë  gjeneratë e re, që do i kundërvihej luftës dhe materializmit. Kjo gjeneratë e të rinjve duhet të quhej “Hippie generation”, brezi i hipikëve politikë, të cilët do përmbysnin njëherë e përgjithmonë të sistem të pistë politik.
Pra, duhet lindur hipikët e politikës të cilët do të kenë programin e tyre, rok’n’roll-in politik, dhe me ide kreative e me paqe t’i kundërviheshin luftës dhe atyre që e mohonin anën shpirtërore të botës. Ata duhet të besojnë në rok politikën. Rock politika do të jetë religjioni i tyre. Hipikët e politikës janë ëndërrimtarët e shekullit. Si muzika dinonisane, ashtu edhe rok politika janë një formë besimi, pra janë religjion. NJË GJUHË, NJË SHTET, NJË KOMB - është trinia e shenjtë e rok politikës. Rock muzika (rock politika) sipas Shën Augustinit është harmoni, kurse harmonia është Zot. 
Prandaj, ata që e duan rok politikën nuk janë në rrugë të gabuar. 


IMAZHI DHE AUTOIMAZHI


"Imazhologjia, shkruante studiuesja Nora Moll, është studimi i imazheve, paragjykimeve, klisheve, stereotipave dhe në përgjithësi i opinioneve për popuj e kultura të tjera që transmetojnë shkrimet e ndryshme duke u nisur nga bindja se këto imazhe siç quhen zakonisht, kanë një rëndësi që shkon përtej rëndësisë që kanë si fakte letrare të thjeshta. Interesi më i madh për studimet imazhologjike buron nga fakti se këto imazhe kanë edhe një vlerë ideologjike dhe politike"
Në Maqedoni banorët shqiptarët dhe trevat e banuara prej tyre, qysh herët janë bërë objekt matjesh imazhologjike dhe inkursionesh njohëse nga sytë e botës me trajta Fuereshë e Rikerësh. Imazhi i Maqedonisë ndërtohej pak nga imazhi i shqiptarëve, i cili për shkak të mungesës së ndërmjetësimit dhe për shkak të mos-ekzistencës së një elite politike dhe kulturore vendase’ mbetet për një kohë të gjatë i vetmi imazh gri. E thënë shkurt, krijohet një imazh së jashtmi, nga të huajt dhe për të huajt. Imazhi i krijuar nga të tjerët për shqiptarët e Maqedonisë është më i fortë se auto-imazhi dhe kjo është një pengese fortë në marrëdhëniet e shqiptaro dhe maqedonase.
            Si model imazhologjik është dhe modeli i stërkeqjes së planit për ndërtimin të shtëpisë së Nënës Tereze, Nënës Tereze Shqiptare, Nënës së Botës. Kjo tregon qartë vektorin e një stereotipi negativ dhe vjedhjen e një miti kulturor shqiptar si dhe akomodimin e saj në gjirin e kulturës maqedonase.
Kjo vjedhje publike u shndërrua në një strategji ideologjiko-kulturore dhe shtetërore. Pastaj, asgjë, një asgjë e madhe doli nga goja e shqipatërëve, një heshtje, një dobësi reagimi dhe në fund një dorëzim lochk mu’ n’pëllëmbë të dorës së Maqedonëve. E Humbëm Nenën Terezë, Nënën tonë Shqiptare, Nobelisten shqipatare. Kjo humbje është më shumë se fjala humbje, është humbje imazhi kjo!
Shpesh thuhet se  rreziku i MAQEDONISË vazhdon të jetë HISTORIA E REJSHME E SAJ. Ky është problemi i ende pa zgjidhur për vetë maqedonasit dhe për banorët shqiptarë në shtetin e Maqedonisë si përfaqësues territorial. Ky kataklizëm historike e rrokullis sa ngrihet në gjunjë për në këmbë drejt origjinës së saj shteti artificial i Maqedonisë. Shumë rënie ndodhin në këtë lesh shteti. Gjitha këto pa ndonjë përfillje politike, sikur ndodhi të një drame absurdi Brehtiane, si një kalim natyral i një nate të zezë. Netë te zezë vijnë për Maqedoninë… Për front të cilës shqiptari  do të jetë parësor.
Oksimoronia gruevskiane (mprehtësia e marrë) është aq prezente në këtë marri kultuore-politike-fetare. Propaganda e tij duket si një poezi që e bënë lexuesin e kulturuar ta ndjej veten në politikë-poezinë e subkoshiencës përzier ajo me shpirt GRUEVSKI. Elasticiteti politik shqiptar e çon atë në të papritura ogurzeza mendimore, herë duke e pakësuar e herë duke e zmadhuar  përshtypjen e mendimin se KY SHTET ËSHTË SHTET VETËM I MAQEDONËVE. Egoja që i m’vesh Gruevski Maqedonisë - vendlindjes së gurtë të Aleksandrit (sic!) është e planifikuar, e pjekur deri në djegie në furrat e MANU-së, është izoluese, konfliktuoze, është sajim lufte për të mbuluar mutllëkun ekonomik të këtij shtetit.
Tashmë është dokumentuar aventurieri i zbulimit të Maqedonisë antike dhe maqedonëve antik. Donkishiteske është gjesti i rizbulimi të identitetin maqedonas asnjëher të pazbuluar me kurrfar alkimie, sepse në fakt nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Identiteti është një akt gjuhësor, historik, kulturore dhe politik. Ky trinitet në Maqëdoni është krijuar kronologjikisht fals.
Maqedonasit janë udhëtarë të ngratë të dhënë pas aventurës së njohjes me tjetrin. Aktrimi para syve të botës është mjaft i dobët. Rrezatojnë demokraci nga frika e shpullave dhe qitekit të botës. Kur është fjala për dukuri komunikimesh ndëretnike, komunikime që kanë të bëjnë me zbulimin e tjetrit, me tjetrin si bartës të një identiteti kulturor dhe fetar të ndryshëm nga yti, me tjetrin si botë dhe si vetvete, me diversitetin etnik-fetar-gjuhësor si zbulim dhe si rikrijim, ata sajojnë kriza fetare, etnike, politike. Ata i ikin çdo përballje. Imazhi i tjetrit zbulohet në një shumësi tekstesh të ndryshme shkencore, filologjike, historike, gjeografike, letrare, të organizuara në forma ligjërimi në tryeza shkencorë të përbashkëta që nga ato studimore, letrare, e deri tek shënimet e politikës ditore që na transmetojnë informacione, gjykime, realitete në të gjitha gjuhët dhe për të gjitha kombet.
Në antikitetin grek ishte pikërisht elementi gjuhësor ai që bën dallimin mes "TANËVE", dhe "TË HUAJVE". Ata që nuk dinin gjuhën e tjetrit konsideroheshin "barbaros", domethënë të huaj. Barbari, i huaji, duhej përbuzur pikërisht sepse nuk fliste gjuhën e grekëve. Këtej rrjedh edhe ajo traditë imazhologjike, ku imazhi i tjetrit krijohej sipas paragjykimeve të një qytetërimi apo të një kulture. 
E vërteta shkencore, sidomos referenca, ka një rol shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në komunikimin e imazhit të tjetrit. Pavarësisht efekteve kufizuese pasi, duke kërkuar një marrës shumë të kualifikuar, ajo e ka shumë të vështirë ta gjejë një të tillë. E vërteta shkencore dhe referenca e saktë janë metoda më efikase të një strategjie komunikimi afatgjatë. E vërteta në rastin e Maqedonisë është pikërisht këtu, si kur duket, edhe kur nuk duket ajo fshehet duke u mbuluar me celofanë eufemikë, e gatshme të zhbëjë falsifikimet në momentin e duhur. Pavarësisht se falsifikimeve u vihen në dispozicion shumë mjete dhe rrethana, të vërtetat shkencore rezistojnë, referencat janë ata që një ditë dov të hapin gojën, do vetëflasin, do të përhapin dritën e tyre dhe ndonjëherë do të bëhen edhe mbizotëruese.       
Metodologjia e studimeve shkencore si një trajtim subjektiv i fakteve objektive, është krejt e ndryshme nga metodologjia e shkrimeve të tjera. Në ndryshim nga tekstet historike dhe filologjike që janë një studim diakronik minimalisht i ideologjizuar i një vendi sic është Maqedonia, kultura, populli apo historia, tekstet letrare, historike maqedonë janë një vështrim sinkronik, i sipërfaqshëm  maksimalisht i ideologjizuar  dhe shpeshherë i deformuar, nga politikanët, madje dhe nga Kryetari i Shtetit.
Për vende të vogla si Maqedonia imazhi përcaktohet së jashtmi, për vende si Franca, Gjermania apo Anglia imazhi krijohet së jashtmi dhe së brendshmi, por kryesisht së brendshmi. Është pak a shumë i njëjti ndryshim që vërehet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku fati i vendeve të vogla dhe të dobëta përcaktohet kryesisht nga ekuilibri i jashtëm i aktorëve dhe interesave, ndërsa fati i vendeve të mëdha ose i fuqive të mëdha përcaktohet kryesisht nga ekuilibri i brendshëm i forcave dhe aktorëve.
Në Maqedoni kemi një rast shembullor se si I ARDHURI, ka përparësinë e njohjes së sistemit të vlerave që orienton jetën e përditshme të BANORIT VENDAS. Kjo njohje i shërben atij për ta vënë në një pozitë të pabarabartë vendasin, pasi ai nuk i njeh vlerat e tij. Në këtë rast kemi një përballje të pabarabartë të dy nocioneve ku njëri prej tyre "i ardhuri" pasi e ka njohur një vlerë të tjetrit e përdor atë kundër tij, dhe në pafuqi politike të reagimin të “vendasit’ e përvetëson deri në shkallën për të lartë të përvetësimit, e bën mit të vetin kulturor. Paradoksi shkon dhe më larg me ndërtimin e Kishës në qendër të Shkupit, që  jep edhe një shenjë, një imazh të stërkeqjes së tolerancës fetare, dhe  afërmendsh do të reflektoj një incident fetar, ndëretnik. Gjithë kjo për mure, për objekte, jo dhe aq të nevojshme sa integrimi i maqedonisë në Nato dhe EU.
Për arsyet që përmendëm më sipër shqiptarët akoma nuk kanë filluar të mendojnë për krijimin e asaj që në imazhologji quhet autoimazh. Në fakt imazhi i vërtetë i një vendi, kulture apo populli krijohet në një lojë force mes imazhit dhe autoimazhit. Kjo lojë është një ndërthurje e shumë elementëve kulturorë, ideologjikë dhe sidomos gjeopolitikë. Çdo popull dhe kulturë në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme e ka një strategji të krijimit të imazhit të vet ose të përmirësimit të tij. Për shqiptarët e Maqedonisë kjo strategji fillon me hapjen e Universitetit te Tetovës, punën titanike të Fadil Sulejmanit, me luftën e 2001-shit dhe gjakun e dëshmorëve dhe me betejat e ditëpërditshme në agorën e Parlamentit. Shqiptarët duhet  të krijojnë  strategjinë e krijimit të autoimazhit, porse në ndryshim nga Gruevski që përdor pseudogjuhë, ne duhet ta krijojmë këtë me mjete letrare, kulturore dhe politike.
Të ndodhur në fazën e forcimit të egër të nacional-romantizmit maqedon, fillon dhe procesi i krijimit të autoimazhit tonë kolektiv. Të diktuar nga faktorë kryesisht politik ky proces do të shoqërohet me përpjekjet e të tjerëve për ta mbajtur supremacinë e imazhit mbi autoimazhin. Nëse maqedonëve nuk u intereson rregullimi i imazhit,  shqiptarët duhet të bëjnë autoimazhin për të mos u njohur në botë si lagje e varfër e globit.



    O ZHIVKO!!!


O Zhivko, o maska ironike e politikës, o metaforë e ditës, e humori grotesk, o qajëeqeshja jonë kolektive, e dielli alegorik i Migjenit… Ti që tërë kohën kërkove mediokritizimin politik të shqiptarëve dhe shërbimet servile plot dashamirësi; Ti që shqiptarët i përdore vetëm për të mbajtur gjallë vegzat e shpirtit të shtetit tënd; Ti që plot “zemërgjërësi” bën koalicione me ne dhe na largon çdoherë kur ta prishim mesataren e nevojshme për të kaluar provimin pranues për në EU dhe NATO; Ti që kurrë se kuptove kapacitetin e (t)’ultë politik dhe aspak modern; Ti që me bagera rrëzon mure universiteti; Ti që vdes nga dëshira për të na parë të asimiluar; Ti që je kundër çdo legjende të 2001-shit; Ti që përdor “pseudogjuhë” në Manifestimet Kulturore Shqiptare; Ti që do vrasjet pa gjurmë dhe grabitjet pa identitet; Ti që nuk i honeps idetë tonë për pranimin e shtetit të Kosovës; Ti që nuk e legjitimon ushtarin e UÇK-së; Ti që ligjin për gjuhën shqipe nuk e kalon në Parlament nga frika se “çdo komb gjuhësor dëshiror shtetin e vet etnik”; Ti që na urren aq shumë, Ti që s’na deshe kurrë...
            Shqiptarët janë për një nisje drejt Evropës me një vetëdije të re, urbane dhe paralele. Si dy lumenj që kanë rrjedhën e tyre, vrullin e lëvizjes dhe dëshirën e derdhjes në det... Jemi dy popuj të një shteti. Dhe shteti duhet të integrohet bashkë me ëndrrat tona të përbashkëta, pa dallime etnike. “Evropa është një vend i cili funksionon sipas principit të autonomisë së sferave shoqërore, barabarësisë dhe shoqërisë demokratike të popujve ku : ka vetëdije për bashkësi gjuhësore-teknike; ndjenjë për miqësi me popujt tjerë; ndjenjë faljeje në emër të një bashkëjetese afatgjate; miqësi me pakicat nacionale, politike, kulturore, fetare...; pa tendencat për t’i asimiluar”. Kjo thënie e evropianit të madh J. KONRADIT frymon thellë të vërtetën e realitetit tonë këtu në Maqedoni. Shqiptarët kanë qenë prej kohësh banorë të Evropës dhe ndërtues të saj, e sot përsëri shqiptarët duan të ndihmojnë Maqedoninë në rrugën drejt EU dhe Nato-s, maqedonasit i kap frika e të shpalluarit “tradhtar të kombit” nga vetë populli maqedon nëse pranohet gjashtë kërkesat ; gjashtë kërkesat e shqiptarëve; gjashtë kërkesat për status paralel të shqiptarëve në Maqedoni; gjashtë kërkesa-alarmime se shqiptarët duhet të integrohen bashkë me maqedonasit në EU dhe Nato... Po kuptojeni he nan’ se pa shqiptarët Evropa është një ëndërr plot djersë mëngjesi. Shqiptarët s’janë “mendje-robëruar”, duan vetëm drejtësinë, pjesën e tyre të ajrit... Shqiptarët s’janë konfliktuoz. Shqiptarët po tregohen më evropian së kur. Duhet krijuar shembuj të modestive politike-të cilët do të japin fotografinë e evidentimit të vlerave politike shqiptare, ide progresive për ta parë Maqedoninë si shtet demokratik me pushtet paralel, realizimin e gjashtë kërkesat si terapi për shërimin e ideologjisë komuniste; ndërroi konceptin mbi  shqiptarin e Maqedonisë dhe reagoi në momentin e 007 sekondave të bombës antishqiptare të përgatitur nga Maqedonasit. Ky reagim i arsyeshëm dhe me bazë kombëtare solli buzëqeshje të thyera tek politikanët Maqedonas që shohin në pikë të ditës ëndrra Greqie e Bullgarie... Reciklimi maratonik i marrëzive politike dhe kulturore ndaj shqiptarëve këtu duhet të përfundojë. Mbetet të presim përgjigjen e Gruevskit, i cili po nuk tregoi maturi politike do mbaj përgjegjësitë mbi çdo incident të mundshëm...
Në fund po e citoj të madhin Kadare, i cili thotë: nuk ka shtet një-nacional në Evropë, por ka shtete multinacionale. Më qartë: O Zhivko merr shembull nga shteti më i ri në botë (Republika e Kosovës).



FILOZOFIA E ZILISË



                Ka të tillë shkrimtarë që nuk e fshehin dot zhgënjimin për shkrimet e veta. Ai i korrigjon ato,  i shikon me sy si të maces, o Zot sa shumë i korrigjon! Aq sa dhe ka mundësi të çmendet nga ideja se ka shumëçka për të korrigjuar shkrimi përpara se të del në botim. Po çka ndodh pas kësaj pune kaq të lodhshme që bën krijuesi në laboratorin e vet? Shkrimi i postuar në një prej mediave të shkruara del si një sihariq, si një risi, madje dhe si një stereotip për të lënë gjurmë. Dhe pastaj plasin LLAFET: kur he nanën’  u bë ky analist? Shto kësaj dhe të sharat rafalë për nënën dhe anëtarët tjerë të familjes… Këto valë mendimesh e tmerrojnë krijuesin. Por, krijuesi beson në ndershmërinë e nënës së vet dhe përsëri vazhdon të shkruaj.  Ai në fillim ndjehet si me faj pse kllumet kot në këto ujëra të zezë të politikës por shpirti i tij rebel s’e lë të qetë. Përkundrazi ai shkruan edhe më shumë. Shkruan  të gjitha variantet e të vërtetave të tij. Po e drejta e të shprehurit dhe liria e fjalës sot prangoset nga gazetarët tanë nga këto kasap të shkrimeve të cilët për hir të ndershmërisë nga padronit – kryeredaktorit, kryetari të partisë, dhe kryetarëve të degëve dhe krandeve partiake shkrimin e masakrojnë në stilin më makabër të mundshëm. Madje dhe pa u botuar, shkrimi ka arritur në selitë e partive ku dekodohet, njëjtë siç dekodoheshin ëndrrat tek romani Pallati i ëndrrave i Kadaresë. Dhe krijuesi mendon në mbijetesën e fjalës, në mbajtjen e të vërtetës me infuzione dhe bajpase artistike, të shpirtit të krijuesit që s’di të vdesë… 
            Krijuesi është Jezu i letërsisë. Ai përjeton dhimbje në golgotën e tij krijuese. Rruga e tij është kalvar i dhimbshëm. Në moment kur ai me mençurinë e tij prish mesataren e rrethit të tij rural ai shpallet non grata në shtetin e tij që s’është dhe i tij… Shkaku i një shkrimi do ndjehet i kryqëzuar si më keq nga sy kurrioz dhe shikimesh cinike. Hetohet kudo prania e tij prej virusi në meset e politizuara skajshmërisht. Krijuesi i mirëfilltë përbuz politikën sepse politika është veprim. Krijuesi është njeri i mendimit. Ai mund vetëm të propozojë mendime një politikani dhe pastaj ato ti vënë në lëvizje. Politika është maske ironike. Letërsia është maskë me lëkurë fytyreje. Krijuesi i mirëfilltë është kundër çdo totalitarizmit. Letërsia kërkon që politikës t’ia kthejë gjuhën dhe filozofinë e pastër. Krijuesi për dallim nga politikani nuk ka mandat, atë e zgjedh lexuesi në zgjedhje të lira andaj dhe rilexohet. Politikani mashtron njerëzit andaj nuk rilexohet programi i tij. Politika do njerëz dinjitoz, të gatshëm për sakrificë, do zemërgjerësi ndaj padronin, dëgjueshmëri, pritje në rresht. Letërsia do mendje të hapura, shpirtra të lirë, liberalitet të natyrshëm. Letërsia s’ka kamxhik, as rrahje për gabime. Gabimet në letërsi fshihen me gomë dhe korrigjohen. Po ata të politikës jo! Mbeten vragë në shpirt dhe nuk fshihen kollaj. Politika është e përcaktuar për ekzil të brendshëm brenda Njeriut. Letërsia është për udhëtime. Të udhëtojmë atëherë! Poeti nuk do zëdhënës. A nuk flet më mirë një vepër me vlerën e saj që ka. Politika pa zëdhënës dhe pa turmën veshlepur  është vetmitare e sfilitur. Poeti i mirë kurrë nuk mërzitet se kush do ia lexoj librin dhe se sa lexues ka. Politikani më shumë mendon për numra, statistika, të cilat ia sigurojnë autoritetin e tij të rrejshëm plot vezullim alegorik. Po poetët politikanë? Oh, sapo i shava këta të dytët...
Poeti nuk është qytetar dhe aq i thjeshtë. Idetë kombëtare në kohën e Rilindjes a nuk lindën në mendje poetësh dhe pastaj u shpërndanë si valë mendimi në popull. Më parë ishte letërsia, politika erdhi si zanat, si akt teatral, si art sinkretik mes artit të budallallëkut dhe skenarit nga regjisor Padroni, nga dritëhijet evropiane dhe duartrokitjet në Parlamentit. Aktor mbeti Njeriu, ai i thjeshti, sy hapuri, i shastisuri makiatoman-i, i zhgënjyeri, fukaraja, idealisti, kombëtari, i çmenduri, i luajturi mendsh për dramën e jetës së tij plot absurditet. Ai e kërkon regjisorin. E dini pse? Kërkon që ta vrasë...



BIOGRAFIA


ARLIND FARIZI lindi në  Tetovë    02 Janar 1984.
Arsimin fillor e kreu në  shkollën fillore “Ismail Qemali” në  fshatin NERASHT, ndërsa arsimin e mesëm në  gjimnazin “Kiril Pejcinoviq” në  TETOVË .
Vazhdoi studimet deridiplomike në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në  Shkup, në  katedrën GJUHË  DHE LETËRSISË SHQIPE.
Aktualisht punon si asistent i ri në UNIVERSITETIN SHTETËROR TË TETOVËS, Fakultetin Filologjik, programi studimor Gjuhë dhe letërsi shqipe.
Në vitin 2010, magjistroi në temën: “Universi i vendlindjes në lirikat e Murat Isakut” dhe është magjistri i parë i letërsisë shqipe që doli nga Universiteti shtetëror të Tetovës
Asiston në  lëndët: TEORI E LETËRSISË, LETËRSI E VJETËR, LETËRSI E KRAHASUAR DHE LETËRSI BOTËRORE...
Ka të  botuar tre vepra:
1.     “ROMEO PATJETËR DUHET TË VDESË” , 2001,Brezi9, TETOVË
2.     “DIÇKA SI DASHURI”, 2003, Çabej, Tetovë
3.     “PATURPËSIA E MENDIMIT” , Nositi, 2009    

Merret dhe me publicistikë dhe shkrime eseistike.

Ka marrë  pjesë në  disa seminare ndërkombëtare ku është  prezantuar me kë to punime shkencore:

1.     Pjesëmarrës në Seminarin e II Albanologjik në Ohër me temën “Letërsia shqipe si pjesë e letërsi evropiane”, Ohër, 2008
2.     Pjesëmarrës në seminarin Alb-shkenca, në UEJL, me temën, “Poetika e hapësirës në lirikat e Murat Isakut”, 2009
3.     Pjesëmarrës në Seminarin e III Albanologjik në Ohër me temën “Folklori si emocion”,Shkup, 2009





PËRMBAJTJA;

Contents




[1] Shevrel, Iv, Letërsia e krahasuar, Albin, Tiranë, 2002, f. 102
[2] Kasollë për ruajtjen e zahiresë së kafshëve
[3] Isaku, Murat, M’i këpusin kokrrat e frymës, Albas, Tetovë, 2007, f. 43
[4] Shala, Kujtim, Kujtesa e tekstit, Buzuku, Prishtinë, 2005, f. 34
[5] Umberto Eco është profesor i semiotikes. Ndërsa në shqip deri tani janë botuar pese tituj nga Umberto Eco: "Të thuash gati te njëjtën gjë", "Si shkruhet një punim diplome", "Për letërsinë", "Gjashte shëtitje ne pyjet e tregimtarisë", "Ne kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane", ndërsa në plan shqipërimi janë edhe disa prej titujve të tjerë nga Eco-ja.
[6] Umberto Eco, Për  letërsinë, Dituria, Tiranë, f. 22
[7] Isaku, Murat, Zani i Malit, Rilindja,Prishtinë, f. 20
[8] Isaku, Murat, Zani i malit, Rilindja, Prishtinë,1960, f. 20
[9] Isaku, Murat, POEZI 1, Klubi letrar ‘94, Tetovë, 2003, f. 30
[10] Isaku, Murat, POEZI 1, Klubi letrar ‘94, Tetovë, 2003, f. 40
[11] Folklori është kristalizim i vlerave arketipore
[12]  Jan Mukarovský përfaqësues i  strukturalizmi të Pragës. Mukarovský, Jan (1977). Studien zur strukturalistischen Ästhetik und Poetik. Frankfurt/Main:  Ullstein.

[13] Shkrimi palimpsestik ëhstë karakeristikë për Postmodernizmin
[14] Kulti i Besës karakteristikë vetëm e shqiptarëve
[15] Goldman Hugo thoshte se simbolet e  vjetra zanafillore janë të përjetshme.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat