Loading...

POETIKA E HAPËSIRËS NË LIRIKAT E MURAT ISAKUT

MR. ARLIND FARIZI - USHT


FJALËT KYÇE: Poetika e Hapësirës, Poetikë e Vendbanimit, Poetika e Mungesës Univers i Vendlindjes...

                                                                                       
HYRJE

Poetika e hapësirës priret nga leximi i poetëve, por edhe i imazheve poetike të jetës së brendshme shpirtërore. Ajo niset prej një këndvështrimi tjetër, të quajtur topo-analizë.[1] Shtëpia e lindjes, nevoja për vetminë, shpirti i babait si më i miri i vendit dhe më i mirë i shtëpisë, Njeriu-Mik, Arta e Fisi, imazhet simbole të djepit, kasolles dhe mashna[2], janë disa nga vendqëndrimet të rrugës që shpie tek “pafundësia intime” e Murat Isakut. Poetika e hapësirës është e vetëkuptueshme në shumë poezi të Murat Isakut. Vesa kristalore dhe drita e lehtë e një ylli, sa e largët, aq edhe shpresëdhënëse, e kulluar për të parë hijet e dukurive tona unikale, janë  imazhe kontraste që na dalin si të fotografuara në shumicën e poezive të Murat Isakut. Por jo gjithçka ka një ngjyrim të errët, dramatik dhe të pashpresë. Zëri i poetit është thirrja shpirtërore për të apeluar kohën. Ai vë në dukje dhe është dëshmi e gjallë se ç`ndodh në dhe përreth vendlindjes së tij. Nga kjo pikë nuk mbetet tjetër, veçse të kthejmë sytë dhe të rindërtojmë me kujdes ekuilibrin e humbur. Ajo në poezitë e tij paraqitet si një tekst që na flet për mungesën e tekstit, po edhe për praninë e përhershme të dikujt tjetër.
Jo vetëm shkrimi-poezia, por edhe shkruesi-poeti pra, jo vetëm germa e vdekur, por dhe fryma e gjallë ishin përbrenda natyrës krijuese të Murat Isakut. Jeta e tij mbeti një libër i shkruar nga Brenda dhe nga Jashtë, nga sendet e dukshme nuk janë bërë për të na çuar drejt njohjes së sendeve të padukshme. Ai qe refleksiv ndaj elementëve të poetikës së hapësirës. Ai dëshironte ta përkufizoj atë me të gjithë madhështinë që ka vendlindja e tij. Por dhe ajo njësohet çuditshëm me atë kristal të shpirtit të poetit që është i predestinuar të humbasë në kaosin e pashpresë. Me një vështrim paksa ndryshe, natyra si koncept i poetikës së hapësirës ka humbur formën fillestare, sepse fatkeqësisht ajo është rikrijuar nga dora e njerëzore prej poeti. Është shfytyruar deri në atë nivel sa është kopjuar. Murat Isaku përshkruan të tashmen e kësaj natyre dhe të përjetshmen e bukurisë së saj e cila banon në poezitë e tij.


Drejt një konstatimi të këtillë nisemi nga poezia: Nata tjetër

“Prit ta thërras natën tjetër
Që duhet të jetë e gjallë…
Do të vijë nëpër qiellin e vjetër
Askush pa vjedhur si barkën në zall’[3]

Dhe kështu ngjet me pothuajse gjithë krijimtarinë e poetëve që i afrohen fundit të jetës. Përmbledhja me poezi M’i këpusin kokrrat e frymës e Murat Isakut, e botuar pak muaj pas vdekjes fizike të poetit, dominojnë notat e dhembjes për jetën, për këtë bukuri shituese të cilën aq shumë e deshi e që tani po i rrëshqiste duarsh me shpejtësi marramendëse kohe. 
Popullin e fshatit të tij të lindjes e quan me të drejt mendjemadh ose më saktë mendjeshumë, të zgjuar, por jo dinak. Ai nuk harron të shkruajë për rrethinat e bukura të Malit Sharr, që njëra pjellë vajza të bukura, të cilat humbin kohë pas kohe në konakët e familjeve të mëdha të fshatit e tjetra që lind kryeneçësi, mosbindje dhe puroshqiptari.
 Në atë kohë të pakohë, kur, fatkeqësisht, mbi gërmadhat e të njerëzishmes po i ngre ngadalë e pahetueshëm muret përditshmëria moderne çorientuese dhe po rëndon me krejt peshën e vet indiferente mbi vlerat shpirtërore, poezia mbeti zëri më i ëmbël e melankolik njëkohësisht, që vjen andej nga Sharri, e duket si një zë shkretëtirë, që kërkon një pikë ujë kthjellimi për t’i ujitur ëndrrat e veta që po i vdesin diku xhunglave të harresës. Murat Isaku mbajti gjallë kujtesën kolektive përmes poezisë. I ndodhur përballë ndrydhjeve, thinjave, territ, perëndimit, fletëve të verdha, vyshkjeve, shkretëtirave, vajeve, klithmave, vdekjeve, varreve, zhgënjimeve, lotëve, dhembjeve, urisë, lypësve, lakut (gjitha këto imazhe)... poeti e vë fli veten e tij, ngase tabani ku e ndërton ai jetën e ëndërrt për të gjithë njerëzit është poezia, dashuria,  lumturia, është e njerëzishmja... Ngrehina e kuptimtë, tema, ideja, poetika, retorika, ligjërimi i këtij bagazhi letrar të ideuara në librin e tij Zani i Malit të kujton një nga poezitë më të mira të shkruara ndonjëherë për vendlindjen. Sipas Basho-it këto poezi mund të shfaqin POETIKË E VENDBANIMIT. Të tilla janë poezitë; Lirikat e vendit tim”, Fëmijët e kohës sonë, Katundit tim, Liqeni i dashurisë, Pemët e vendlindjes time.
Duke harmonizuar kohën dhe hapësirën, nëpërmjet studimit të poetikës së Murat Isakut, rigjejmë një univers të gjerë letrar, e artistik, Universin e vendlindjes, gjejmë Murati Isakun vetë, duke interkomunikuar me botën e artit, me botën shqiptare, duke harmonizuar eksperiencat e jashtme (kujtesën, që reflektohet si kujtesë teksti[4]), si dhe përvojat e tij të brendshme, dijet letrare në harmonizim me imagjinatën e pasur prej poeti. Semiologu i madh i kohës, Umberto Eco[5], njëherësh dhe shkrimtar, duke shtruar shumë probleme rreth autorit dhe interpretuesit të tij, shtron një intencë, që zhvillohet, si përsiatje, kur thekson "dialektikën midis të drejtës së teksteve dhe të drejtës së intepretuesve të tij"[6]. Përmbledhja  me poezi Zani i malit mbetet formulim letrar me shumë shtresime semantike, si sintezë e manifestuar në tekste konkrete, në hapësirë konkrete fshati, të analizuara në një rrjet të dendur relacionesh hapësinore që shfaqen në të gjitha planet e poezisë duke rigjetur teorinë e cila thekson kujtesën historike nëpërmjet poezisë. Pra, leximin e tyre në kuadër të një bote të librit, botë kjo që interkomunikon në letërsinë e Murat Isakut. Tek poezia Thirrja e djepava të rinj ai shkruan:
“Përtej strehëve të lakueme me shekuj
Shiqoj, në parakalimin e bardhë
Stinët që nxitojnë me ngadhënjim
Stinët që mëshifen në këllëfin e qiellit
E trukshëm ndëgjoj orën dymbëdhetë
Që troket në mes e çarshisë…[7]
Gjatë leximit të poezisë së Murat Isakut spontanisht artikulohet sintagma: POETIKA E MUNGESËS. Pra, mungesa e kohës dhe e botës fëmijërore, e botës që pastron dhe ekuilibron, mungesë e Njeri–Mikut, njeri-mungesës, i tjetërsuar, mungesë e harmonisë dhe përsosjes, mungesës kujtimesh dhe kuptimësish në botën reale. Nëpërmjet aktit të leximit të kësaj poezie, në dialogim të gjithanshëm, me të gjitha paramodelet, për t'u bartur kështu në rrafshin e receptivit përmes leximit, identifikimit të tekstit në tekst, e zhvilluar kjo si reminishencë kohe, mbase edhe vetëdije krijuese qëllimore e Murat Isakut është në përmbushje të fiksionalitetit letrar-estetik. Ai bën thirrje botës në poezinë Thirrja djepave të rij:

“Më dëgjoni djepa nëpër paralele,
andej ku ma njifni se s’ma njifni gjuhën:
klithma jonë është jehonë ma e fortë se ajo e Nevadës”![8]

Kjo duket si një teknikë e të rrëfyerit artistik. Drama e madhe e një artisti siç është Murat Isaku është vuajtja e skllavërisë materiale ndaj ligjeve të hapësirës dhe kohës. Poeti është njëri i rëndomtë e pranon hapësirën edhe pa qenë i vetëdijshëm se ajo ekziston. Ai duhet të kryejë orë e çast “kapërcim në zbrazëti” si një lloj transcendence, si një ndjenjë të thellë krijuese, ku lejohet fjala, stili i të rrëfyerit si para një pasqyre besnike. Kjo ngjan si një kapërcim të çdo lidhjeje me botën materiale.
Mungesën e gjymtyrëve ndërmjetëse mes vargjeve (elipsi i kontekstit) duhej të ishte më pak e theksuar që të krijohej një lidhje organike midis tyre deri në gjendjen apo mendimin final. Ka një sërë fjalësh emërues, siç janë; djep, kasolle, gur, vatër, mashna, për të cilat vetë autori shprehet se i pëlqen të ndiejë shijen dhe forcën e tyre. Këto fjalë e zbukurojnë vargun dhe lehtësojnë semantikën e tyre. Pra, me mjetet stilistikore autori di ti punojë aq mirë për të dhënë ide të qarta dhe gjendje të kulluara me motiv nga vendlindja. Murat Isaku në mënyrën se si e percepton realitetin dhe raportet, poetikën e vendlindjes që e krijon nëpërmjet poezisë, duket sikur asaj i ka krijuar një fizionomi të vetën dhe përpiqet që në çdo poezi ajo të jetë Ai dhe jo hija e të tjerëve. I tillë është ai edhe kur i këndon dhimbjes, trishtimit, ndarjes, thinjave, njerëzve të tij më të afërt, botës dritë-terr dhe asaj më të bukurës, ndjenjës sublime të dashurisë.
Murat Isaku nuk kufizohet tek uni i tij si qytetar dhe poet, as në qytetin ku banoi gjatë tërë jetës. Poezia e tij është universale, ka shtrirje dhe rreket të përfshijë brenda saj sa më shumë fate njerëzore duke ndërtuar artistikisht poetikën e vendlindjes. Prirja drejt individualitetit krijues është imazh serioz dhe përkushtim artistik. Është vlerë e patjetërsueshme për krijuesin, është zë origjinal dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim se rruga e poezisë është e gjatë dhe nuk është e shtruar me lule.
Natyra në lirikat e tij është pretekst subjektiv i përhershëm. Syri i poetit sheh, ndenja e tij formëson. Syri bazohen në dialektikën e raporteve vizuale formale, ndjenja dhe përjetimi i natyrës në raporte estetike esenciale. Poeti ndalet para saj për ta pasqyruar dhe riprodhuar atë. Në letrën e bardhë poeti ndërton një realitet duke e bërë atë pjesë autentike të botës së tij. Ai i përgjigjet pyetjes që ia parashtron natyra dhe shkruan:

“Lisit që qëndron kryelartë me shpirtin në shtat
 vetëm hëna që natën vjen, po s’flen në fshat
I qaset me ledhati si t’i falë puthje e ndjesë
Dhe n’këmbë e lë të dergjet, po të mos vdesë...” [9]

Poezia është më shumë ndjenja e realitetit se sa arsyetimi i këtij realiteti. Është më tepër psikologjia e sendeve dhe njeriut se sa nacionaliteti dhe algjebrizimi i shqisave të tij. Në laboratorin e tij krijues ai mundohet të imitojë natyrën përmes poezisë ku sundon dhe poetika e gjeniut mbi kulturën autoktone të këtij gadishulli, të egër, e me rregulla të serta. Murat Isaku si shkrimtar i tregoi përmes poezisë botës së civilizuar jetën e plotë dhe reale, në kohën më të vështirë për poezinë atë të diktaturës komuniste, që, sipas gjasave, ai pushtet vazhdon të ketë akoma akses të fuqishëm mbi jetën e sotme shqiptare edhe pse kaherë pretendohet vdekja e tij.
Por a mund të jetë NDRYSHE në këtë vend, në këtë gadishull, ku e jashtëzakonshmja gjendet në eter?! Këtë kohë ontologjike dhe këtë poetikë të hapësirës Murat Isaku e përdor për penën e tij, duke e ngjyer në bojën e mençurisë së të parëve, një histori, një jetë të tërë të shkruar në faqet meduzë të trurit të tij, e të ekspozuar përmes unit lirik ku gjejmë të gravuara ngjarjet për dritën e të parit. Egoja që i vesh ai vendlindjes së gurtë të Gajres është e merituar. Poezia Pritja në fshat ilustron mirëfilli këtë të dhënë.

“Pse të dalë hëna – me dritë ta shkruaj këtë poezi,
Po hallet vijnë pas meje e kumbulla shtatit e fsheh...
Vargjet m’gjesdisin n’gjoks si peshqit n’detit me shi.
......................................................................
Tash m’vjen era babë, era drithë, era skamë e fjalë,
Sa e ëmbël është kjo dritë, kjo kumbull, kjo dhimbë!”[10]

Në disa lirika të Murat Isakut lexojmë vargje interesante të një krijimtarie të suksesshme dhe të bollshme letrare. Koha nuk mund të ecë pa ndjerë zërin e emocioneve dhe pa përkrahur zërat e poetëve që meritojnë të hyjnë në rrugën e bukur të poezisë.



PËRFUNDIMI

Poetika e lirikave të Murat Isakut sintetizon ngeshëm në një lirizëm që buron thellë në ontologjinë njerëzore, në gjithë atë kozmogoni të paanshme që mund të krijojë një lirikë e mirëfilltë. Për të poezia mbeti esencë, rrëmim ekzistencial në shpirtin njerëzor, mbet dashuri e arkivuar në zemër, që më pas të ri-zbulohej nga kritika, mbeti poezi-identitet si një shpirt i këputur dhe i përgjëruar…
Për të argumentuar repertorin e tij lirik të ankoruar në “lëndën njerëzore”, vlen të lexohen vargjet nga lirikat: Ngutem të marrë frymë, M’i këpusin kokrrat e frymës, Dikush punon në ballin tim, etj. Murat Isaku mbeti frymë, lëndë, brendësi dhe përjashtësi, bektashizëm letrar dhe përtejkohë, i sublimuar në lirikë, i sublimuar në muzikë vargu dhe imazh të përndritur. Poetika e tij mbetet një univers i vendlindjes, një univers plural i tretur në fjalë të qëmtuara ngeshëm që reflektojnë një lirikë të kulluar dhe të paimitueshme. Në këtë kontekst lirikat e tij janë të një modeli të veçantë, edhe lirikat e poetit të Gajres dhe lirikat e poetit të qytetit, janë lirika avangarde të një frymëzimi me konotacione e me një pritje të hapur drejt besimit dhe identitetit. Këto karakteristika të lirikave  të tij evidentohen edhe me tepër në kapituj që pasojnë. Është fjala për një tufë lirikash që përbëjnë universin e vendlindjes të përfshira në të gjitha përmbledhjet poetike. Në vijë historike, Murat Isaku vinë si poet i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe të Maqedonisë. Letërsia shqipe në Maqedoni kishte fatin e njëjtë më të popullit shqiptarë.
Murat Isaku qe poet intelektual. POEZIA E TIJ ISHTE NJË KLITHMË INTELEKTUALE.



REFERENCË;

·         Hans Robert, Haus , Estetika recepcije (izbor studija), Nolit, Beograd, 1978
·         Iv, Shevrel, , Letërsia e krahasuar, Albin, Tiranë, 2002
·         Jorge, Luis Borhes, To imiječe stiha, Neklada Jesenski I Turk, Zagreb, 2001
·         Kujtim, Shala,, Kujtesa e tekstit, Buzuku, Prishtinë, 2005
·         Murat Isaku, Poezi1, Klubi letrar ‘94,Tetovë, 2003
·         Murat Isaku, Zani i malit,  Rilindja, Prishtinë, 1960
·         Nebih, Muriqi, Baraspesha estetike, botimet Hejza, Rilindja, Prishtinë,1989
·         Osman, Gashi Kufijtë e letërsisë, Prograf, Prishtinë, 2008
·         Salajdin,Salihu Digresione, Milenium, Tetovë, 2008
·         Umberto Eco, Për  letërsinë, Dituria, Tiranë


[1] Shevrel, Iv, Letërsia e krahasuar, Albin, Tiranë, 2002, f. 102
[2] Kasollë për ruajtjen e zahiresë së kafshëve
[3] Isaku, Murat, M’i këpusin kokrrat e frymës, Albas, Tetovë, 2007, f. 43
[4] Shala, Kujtim, Kujtesa e tekstit, Buzuku, Prishtinë, 2005, f. 34
[5] Umberto Eco është profesor i semiotikes. Ndërsa në shqip deri tani janë botuar pese tituj nga Umberto Eco: "Të thuash gati te njëjtën gjë", "Si shkruhet një punim diplome", "Për letërsinë", "Gjashte shëtitje ne pyjet e tregimtarisë", "Ne kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën evropiane", ndërsa në plan shqipërimi janë edhe disa prej titujve të tjerë nga Eco-ja.
[6] Umberto Eco, Për  letërsinë, Dituria, Tiranë, f. 22
[7] Isaku, Murat, Zani i Malit, Rilindja,Prishtinë, f. 20
[8] Isaku, Murat, Zani i malit, Rilindja, Prishtinë,1960, f. 20
[9] Isaku, Murat, POEZI 1, Klubi letrar ‘94, Tetovë, 2003, f. 30
[10] Isaku, Murat, POEZI 1, Klubi letrar ‘94, Tetovë, 2003, f. 40
Home item

Më të lexuarat