Loading...

“Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane”

BEQIR SINA


 Skënderbeu nga veprat e Marin Barletit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës deri te studiuesi më ri në SHBA Halit Daci

UASHINGTON D.C - Një libër i ri i sapodalë nga shtypi dhe i shpërndarë edhe në librarinë amerikane, që mendohet se do ti duhet shumë lexuesit amerikanë, por dhe bibliotekës së pasur në SHBA, për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, i shkruar në mënyrë perfekte në gjuhën angleze, është libri "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), i studiuesit dibranë në Amerikë, zotit Halit Daci, autorë i katër librave të ndryshëm me studime.






E gjithë jeta, vepra dhe luftërat e lavdishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeut, i konsideruar si “atlet dhe mbrojtës i krishterimit”, që prej kohës në të cilën ai jetoi e deri në ditët e sotme ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë interes për historianë, lexues dhe studiues të historisë Shqipërisë, qofshin këta të huaj apo shqiptarë.

Si rezultat i kësaj, nga kronikanë, biografë, shkrimtarë, studiues dhe historianë të shumtë, vendas e të huaj, Skënderbeut i janë kushtuar me dhjetëra e dhjetëra libra me studime të ndryshme të karakterit historik dhe hulumtues, pjesa më e madhe e të cilëve janë të panjohur për shqiptarët dhe ndodhen në bibliotekat e shteteve të ndryshme të botës. Një nga këto libra është dhe ai me titull "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), pari i një studiuesi shqiptarë në SHBA që shkruan për historinë e Skënderbeut në gjuhën angleze.

Duket se viti i Skënderbeut (2004) ishte viti që theu heshtjen plotë, e cila për më shumë se gjysmë shekulli kaploi kombin tonë, kur shqiptarët si në atdheun e tyre, por edhe në trojet etnike të sunduara nga diktatura e egër komuniste, pothuajse e lanë në heshtje, në harresë edhe figurën më të madhe të kombit tonë Skënderbeun. Duke e zvenitur figurën e Gjergj Kastriotit dhe duke e zëvendësuar atë me propagandën e madhe të realizmit socialist, me çdo gjë rreth figurës së diktatorit komunistë Enver Hoxhës.

Aktiviteti më i madh nga shqiptarët e Amerikës në diasporë u mbajt në vitin 2004 nga një grup intelektualësh shqiptarë në Nju-Jork. Kjo ishte hera e parë që me simpoziumin me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit legjendarë të kombit Gjergj Kastrioti të flitej kaq shumë për Skënderbeun në SHBA nga studiuesit shqiptarë e të huaj. "Heroi legjendarë i lombit, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, strateg i luftës, udhëheqës i shtetit e popullit shqiptar” ishte tema që mbajti studiuesi Fatbardh Doçi, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Shqipëri.

Në këtë kohë figura e Skënderbeut në SHBA duket se po merrte vendin që i takonte në studimet shqiptare në Amerikë. Pasi u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar "Gjergj Kastrioti Scanderbeg - Warrior King of Albania" në Nju-Jork City, një prodhim ky i shqiptarëve të Amerikës. Filmi ishte jo vetëm një projekt i rëndësishëm për kulturën shqiptare, por dhe njëkohësisht një shfaqje respekti ndaj figurës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, aq të munguar në periudha të ndryshme të komunizmit. Paraqitja e këtij dokumentari të parë të këtij lloji në Nju-Jork i artit shqiptar këtu ku lulëzon bota magjike i filmografisë, u pa nga shqiptarët si një sukses më vete në të gjitha këndshikimet, pavarësisht ndonjë të mete në nivelin artistik.

Më pas ishin dy anëtarë, ish-kongresisti amerikan, demokrati Tom Lantosh (vdiq janar 2008) dhe kongresisti republikan Dana Rohrbaker, të cilët i paraqitën Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan një rezolutë për nder të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Është hera e parë që në Kongresin Amerikan paraqitet një dokument i tillë, i cili përkujton Skënderbeun si burrë shteti, diplomat dhe gjeni ushtarak si dhe rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman.

Projektrezoluta, e paraqitur në Kongres me ndihmën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e përshkruante me hollësi rolin e Skënderbeut në mposhtjen e ushtrive osmane para dyerve të Evropës, duke e shpëtuar kontinentin nga pushtimi. Meqenëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri atëherë nuk dëgjohej të flitet shumë për Skënderbeun, kjo projektrezolutë ishte një përpjekje e mirë për ti njohur amerikanët me rolin e tij 6 shekuj më parë.

Pas këtyre jo shumë larg qëndron edhe studiuesi i ri, një ish-ushtarak i lartë i shtetit shqiptar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë gjatë viteve të demokracisë, zoti Halit Daci. Studiuesi i ri, i cili banon dhe jeton prej vitesh në Nju-Jork, pati zgjedhur që gradimin e tij në këtë fushë ta mbronte me temën "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), temë e cila pas laurimit do të botohej fillimisht në një libër me të njëjtin titull.

Autori ka botuar edhe dy libra të tjerë: njëri është botuar nga Universiteti i Groningenit në Holandë në vitin 1998, e tjetrin e ka botuar së bashku me gjeneralin Ali Koçeku në vitin 2005 dhe një studim shkencor për NATO-n në vitin 1999. Botimet janë të gjitha në gjuhën angleze. Ky është libri i tretë i tij që botohet në gjuhën angleze dhe qarkullon në disa biblioteka amerikane.

Për librin me të ri në SHBA për Skënderbeun - " Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane") - biseduam me autorin e tij, zotin Halit Daci.

- Zoti Daci, nisur nga ky botim juaji për Skënderbeun në anglisht me titull "Scanderbeg in Anglo-American Literature" ("Skënderbeu në literaturën anglo-amerikane"), nëse nuk gabohem, është i katërti libër në vitet e tranzicionit, a mund të na thoni se ku qëndron ndryshimi mes librave të tjerë për historinë e Skënderbeut dhe librit tuaj?

- Kam botuar dy libra: njëri është botuar nga Universiteti i Groningenit në Holandë në vitin 1998 e tjetrin e kam botuar së bashku me gjeneralin Ali Koçeku në vitin 2005 dhe një studim shkencor për NATO-n në vitin 1999. Botimet janë të gjitha në gjuhën angleze. Ky është libri i tretë. Ky libër, i cili po hidhet në qarkullim pasi u shtyp në Tiranë para disa muajve, nuk ka të bëjë shumë me historinë e Skënderbeut. Historia e Skënderbeut është shkruar që në shekullin e 16-të nga Marin Barleti. Pas Barletit një numër autorësh të tjerë kanë botuar shkrime historike për Skënderbeun në disa gjuhë. Kronikanët dhe historianët e tjerë të mëvonshëm, të cilët kanë botuar në gjuhën angleze, janë bazuar te kronika e Barletit.

Shumë nga kronikat janë përkthime nga latinishtja në italisht, frëngjisht ose anglisht. Këtu përfshihen autorë të tillë si Peter Ashton, Thomas Norton, John Shute, Zachary Jones dhe Clement C. Moore. Vlen të përmenden këtu autorë të tjerë, si Richard Knolles, i cili botoi librin “Historia e turqve” në vitin 1603, dhe një kronikë nga Rabbi Joseph Ben Meir, botuar në hebraisht në vitin 1545 dhe e përkthyer në anglisht në vitin 1830, që përfshinin pjesë të historisë së Skënderbeut.

- Sa kohë ju desh për të përgatitur këtë libër për botim?

- Në këtë libër kam punuar rreth pesë muaj pa ndërprerje, krahas angazhimeve të tjera.

- Pse këtë material e latë në duart e dy profesorëve amerikanë të “Lehman College”, të cilët, siç thoni ju, ekontrolluan kryesisht anën drejtshkrimore, pasi ti vet ishe shumë më kërkues?

- Profesorët, kur u tregova për librin dhe projektin tim, e kanë vlerësuar librin me notën maksimale, sipas tyre. Unë besoj se libri për vetë natyrën që ka do të shitet më shumë në botë - Amerikë sesa në Shqipëri. Dhe si i tillë mu desh të gjejë kritikë të njohur amerikanë, siç është rasti i dy profesorëve amerikanë të “Lehman College”.

- Sa dhe si jeni përpjekur të jepni një panoramë të botimeve për Skënderbeun deri në fund të shekullit të 19-të, pasi deri këtu kanë shkruar shumë?...

- Libri im ka karakter letrar me një përmbledhje shumë të shkurtër të historike. Unë analizoj figurën e Skënderbeut në letërsinë angol-amerikane, duke filluar nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 20-të. Gjatë kësaj periudhe janë shkruar 7 tragjedi, drama e melodrama, 3 romane, 3 soneta, dhe 2 poema. Po ashtu një numër i madh autorësh anglez e kanë përdorur figurën e Skënderbeut në aluzione të ndryshme në poezi, dramaturgji apo romane.

Tragjedia e parë, shkruar “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit,” konsideruar përfundimisht e humbur, është vënë në skenë në Londër në vitin 1601. Në vitin 1730 janë botuar tri tragjedi të tjera nga Uilliam Havard, George Lillo dhe Thomas Whincop. Dy tragjeditë e para janë luajtur në skenë në Londër, ndërsa e treta nuk është vënë në skenë.

Në vitin 1798 Charles Stearns, një prift amerikan, ka botuar një drama në tri akte të titulluar “Scanderbeg”, e cila është vënë në skenë nga studentët e shkollës liberale në Linkoln Massachusetts. Me pas vjen një melodrama në tri akte, përshtatur nga një roman francez nga Thomas Dibdin, vepër e cila është luajtur në teatrin mbretëror “Surrey” në Londër në vitin 1819.

Një tjetër dramë e titulluar “Iskander”, përshtatur nga Uilliam Dunseath Eaton më 1896 sipas romanit të Benjamin Disraelit, është vënë në skenë në Lankaster, Pennsylvania, me 1897 nga Frederick B. Warde, një aktor mjaft i famshëm i asaj kohe. Por tekstet e melodramës të Thomas Dibdin-it dhe dramës së Uilliam Eatonit nuk gjenden.

Skënderbeu është figurë kryesore në romanin e shkruar nga Samuel Rowe nën pseudonimin “Arthur Spenser”, të titulluar “Iskander, ose Princi i Epirit” botuar në Londër në vitin 1819, në romanin e Benjamin Disraelit “Ngritja e Iskanderit”, botuar në Londër në vitin 1833, dhe në romanin e James Ludlow të titulluar “Kapiteni i jeniçerëve”.

Autorët anglez dhe amerikan i kanë dedikuar Skënderbeut tri sonete dhe dy poema. Sonetet janë botuar me rastin e përkthimit në gjuhën angleze të historisë së Skënderbeut nga Zakary Jones në vitin 1596. Njëra nga sonetet është shkruar nga poeti i mirënjohur anglez Edmund Spenser. Dy sonetet e tjera botuar autorët nuk dihen, pasi ato kanë inciale R. C. Gentlemen dhe C. C. Gentlemen. Përdorimi i inicialeve ishte në modë gjatë kohës së Rilindjes. Edhe përkthyesi i historisë së Skënderbeut, Zachary Jones, i cili përdorte inicialet Z. I. Gentlemen, është identifikuar në mesin e shekullit të 20-të.

Poezia tjetër është shkruar nga poeti i mirënjohur amerikan, Henri W. Longfellou. Kjo poezi është përkthyer në shqip nga Fan Noli në vitin 1916. Poema e Longfellout për Skënderbeun është përshtatur nga kronika e Rabbi Joseph Ben Meir, që përmenda më lart. Poema tjetër titulluar “Një Ballad për Iskanderbeun” është shkruar nga poeti dhe diplomati amerikan Maurice Francic Egan në vitin1887. Maurice Egan ka qenë ambasador amerikan fuqiplotë në Danimarkë gjatë viteve 1907-1917.

Krahas këtyre botimeve libri im do të përmbaj edhe punime të pabotuara deri tani nga dr. Charles Telfrod Erikson. Dr. Erickson ka lënë një poezi dhe disa shkrime të tjera për Skënderbeun. Disa nga tragjeditë, romanet dhe poezitë janë të panjohura deri tani si për publikun shqiptar, ashtu dhe për kritikët e huaj a vendas . Për shembull, drama e Charles Stearns-it, melodrama e Thomas Dibdin-it, Uilliam Eatoniit, romani i Samuel Rowe-it, poema e Maurice Egan-it dhe dy sonetet janë të panjohura deri tani si nga publiku shqiptar, ashtu dhe nga kritikët e huaj e vendas. Poezitë do ti bashkëngjiten librit.

- Pse ke zgjedhur këtë lloj formë te libri i juaj, pra atë të karakterit të një studimi shkencor?

- Kam zgjedhur këtë formë libri pasi është pjesë e kërkesave për gradën e mjeshtrit të arteve në letërsinë angleze. Dhe besojë se e plotësoj...

- Çfarë impakti mendoni se përbën dalja e këtij libri për Skënderbeun në SHBA?

- Ka disa studime shkencore sidomos në shekullin e 20-të për Skënderbeun. Vlen të përmenden disertacioni për doktoraturë i gjermanit Hans Rautner botuar në Gjermani në vitin 1900; tema e mbajtur për gradën “Mjeshtrit të arteve” të Carol C. Linner mbrojtur në Universiteti “Kolumbia”, SHBA, në vitin 1937, por që nuk është botuar; disertacioni për doktoraturë i prof. Benjamin Bowles Aschom, mbrojtur në Universitetin e Wayne-it, SHBA, në vitin 1937, por që nuk është botuar. Ka edhe disa studime të shkurtra, të cilat i kam përmendur në studimin tim.

Ndryshe nga studimet e mësipërme, libri im përfshin të gjitha zhanret e letërsisë angleze, përfshin materiale të panjohura nga autorët e mësipërm dhe materiale të pabotuara. Për më tepër, unë e analizoj figurën e Skënderbeut si pjesë e konfliktit midis kristianizmit dhe myslimanizmit.

- Duke e njohur historinë e tij, çfarë të ka motivuar më shumë nga historia Skënderbeut?- Ajo që më ka motivuar është sesa pak njihet figura e Skënderbeut në letërsinë angleze si nga kritikët shqiptarë, ashtu dhe të huaj. Shumë studiues shqiptarë dhe të huaj i fillojnë botimet e tyre me epigrafe të lord Bajronit, që ka një rëndësi të veçantë për prezantimin e Shqipërisë në Perëndim, por Skënderbeun ai e përmend kalimthi në këngën e 38-të të “Çajld Haroldit”. Ka me dhjetëra autorë të tjerë anglezë dhe amerikanë që kanë shkruar shumë herë më tepër sesa lord Bajroni. Mendoj se shqiptarët duhet të punojnë me tepër për ti dhënë Skënderbeut dhe autorëve q
ë kanë shkruar për të vendin që i takon në historiografinë botërore. 
Home item

Arkivi

Më të lexuarat