Loading...

Një vështrim mbi veprën letrare të shkrimtarit të shquar gjatë regjimit komunist

Fatmir Terziu

Kadare, një mjeshtër i "loci imagines", një penë për të gjithë

Sartri thotë se ekzistojnë tre lloje shkrimtarësh. Shkrimtarë që shkruajnë për Zotin, shkrimtarë që shkruajnë për veten dhe shkrimtarë që shkruajnë për të tjerët. Të tjerët, sidomos kritika e huaj që i referohet së fundi veprës së përkthyer në disa gjuhë të huaja të shkrimtarit Ismail Kadare, shprehet se, shkrimtari fitues i disa çmimeve Botërore është 'një shkrimtar që shkruan për të tjerët' (Carrey, 2005). Kjo diktohet nga vetë fakti se mbi dyzet veprat e tij të shkruara në formate të ndryshme, kurrë s'kanë qenë një lexim i lehtë për t'u gëlltitur. Vëmendja e tij e parë e treguar në moshën djaloshare me poezinë "Frymëzimet djaloshare" (1953), edhe pse diku zënë vend disa poezi për Stalinin, kanë në thelb një lidhje me memorjen e fortë kulturore, identitetin etnik dhe ristrukturimin e "loci imagine" (imagjinatës së përshkrimit), gjë që e bën këtë autor një mjeshtër për të rezistuar në tërë strukturën e 'transkulturimit' (den Boer, 2008:234 & Ortiz, 2008:29). Kjo mjeshtëri e kategorizon stilin Kadare dhe vetë veprën e tij, përpos një stature tipike Kadare që të përballojë edhe sfidën e një totalitarizmi që shqyu portat e krijimtarisë shqiptare në gati gjysëm shekulli. Poezia dhe proza e Kadaresë mes kësaj mjeshtërie ka lënë pas turrarendës dhe dritëhije, duke dhuruar mes fakteve hapësirë të qëndrueshme dhe 'psikoanalizë' mbi mënyrën e kapjes dhe analizimit të gjërave në gjuhën profesionale. Së fundi, është Ornela Domi që e sheh këtë tek studimi i saj monografik "Kadare në Psikoanalizë", që në fakt përbën një dëshirë të brendshme për ta parë Ismail Kadarenë ndryshe, nga një këndvështrim tipik frojdian. Ky studim monografik, që përmbledh pesë vepra të Kadaresë me karakter autobiografik: "Kronikë në Gur", "Rrëfim trikohësh", "Marrëzia kadaerane", "Qyteti pa reklama", "Muzgu i perëndive të stepës" kuptohet se ka qenë një sprovë jo e lehtë, e cila ka rrekur të qëmtojë elementët autobiografikë, që lidhin jetën me veprën e një shkrimtari, nëpërmjet një metode letrare moderne siç është "Psikoanaliza e letërsisë' (Domi, "Tirana Observer" 2010). Në këtë hapësirë mes elementëve të psikoanalizës, këndvështrimi i memorjes kulturore që prodhon proza dhe poezia e Kadaresë janë pjesë e detyrueshme e një debati si shkak për atë që prodhoi shtirrur 'disidencën' e Kadaresë. Shkrimtari britanik Howard Brenton na vjen disi në ndihmë kur shprehet se "të gjithë shkrimtarët janë ekstatikë, gjë që është përse të gjithëve u qepet nga pas një 'sirenë' që gjëmon nga të adiktët dhe ekremizmi" (Howard; "Guardian" 2010:10) Po pse kjo e bën shkrimtarin e përmasave Botërore të mbetet një dritare e hapur në tërë strukturën e këtij debati?
Si shkak për "disidencën" e Kadaresë
Në një nga faqet më të kërkuara internetike, "Wikipedia", në gjuhën angleze ndodhet edhe vepra dhe jetëshkrimi i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Midis të tjerave ajo që të bën përshtypje është edhe pjesa që ka të bëjë me një debat të hershëm ndaj tij. Aty shkruhet: "Në vitin 1990, Kadare mori azil politik në Francë, për lëshimin e deklaratave në favor të demokratizimit. Gjatë kërkimit të statusit, ai deklaroi se "diktatura dhe letërsia autentike janë të papërshtatshme për bashkëjetesë… Shkrimtari është armiku natyral i diktaturës." (Wikipedia, online) Po aty shkruhet:
"Disa emigrantë shqiptarë dhe shkrimtarë anti-komunistë pretendojnë se, të paturit e një statusi të privilegjuar nën regjimin e Enver Hoxhës, tregojnë se ai ishte në fakt një shkrimtar i realizmit socialist dhe jo një disident, si shumica e njerëzve të kualifikuar. Kur u pyet, ai nuk e pranoi që të jetë një Solzhenicin, duke argumentuar se një rol të tillë nuk ishte e mundshme ta vije në dispozicion nën regjimin Hoxha, të cilin ai e ka cilësuar regjim paranojak dhe sulmues". (Po aty)
Qosja në debatin me Kadarenë rrëfehet tipik dhe kundërshtar lidhur me aspekte të ndryshme, përfshirë disidencën dhe identitetin. Ndërsa më i ashpri për disidencën e Kadaresë mbetet Trebeshina. Pyetjes së marrë nga gazeta "Express" e Kosovës nga intervista e gazetarit Alfred Beka, Prishtinë, 22 maj "Kur jemi te Kadareja, ka që thonë se ai ka qenë disident. Sipas jush, a ka qenë disident Ismail Kadare?", Trebeshina i përgjigjet: "A mund të jetë disident një poet i oborrit? Nëse doni jepjani dekretin për disident. Është punë për ju. Fuqi keni. Pushtetin e keni. Disidencën jepjani" (Trebeshina, 2009). Sidoqoftë, shkrimtari Kadare dhe kjo dilemë kanë mbetur një debat i gjallë dhe me kundërshti të vazhdueshme. Askush në fakt edhe nga përkrahësit e tij, po aq edhe nga debatuesit dhe mbrojtësit e idesë se, ai nuk ishte një disident, deri më sot nuk kanë dhënë argumenta të qarta. Të dy palët janë nisur nga koha, hapësira dhe vendi në të cilën argumenti Kadare i diskutuar është jashtë fenomenit Kadare në debat. Pa marrë përsipër të bëj një vijë ndarëse, apo të fryj në këtë debat-zjarr të ndezur, do të mundohem të ndikojë sadopak të jap një kontribut në ndriçimin e disa pikave që lidhen me këtë debat.
Pse alarmon fjala "Disident" në debatin Kadare?
Në fillim duhet të sqarohet së paku shkurtimisht se çfarë përcakton një njeri të quhet disident, apo kush mund të jetë një i tillë. Sipas përcaktimit filozofik të këtij termi fjala "Disident" merr kuptime të ndryshme në sisteme të ndryshme shoqërore dhe politike. Një përcaktim më afër është ai që sqaron se, "Një disident është një person që flet kundër sistemeve politike me qëllim profesionalizmin e tij". Këtu duhet kuptuar se ky person është një njeri i papajtueshëm me rrjedhën e ngjarjeve dhe ligjet e proklamuara. Ky term është përdorur më shpesh për ata që janë në pyetje për jetën edhe fatin e tyre në mesin e diktaturave, sidomos atyre që janë përndjekur e përballur për këtë qëllim nga diktatura komuniste. Në shoqëritë totalitare ka ndodhur që shpesh jeta e disidentëve të merrte fund, ose ata të përndiqeshin, kërcënoheshin dhe shumica janë shpesh të dënuar. Në ish-Bashkimin Sovjetik ata ishin shpesh të dërguar në Gulagun Siberian. Ndryshe ndodh në shoqëritë demokratike. Disidentëve, në këtë shoqëri ku supozohet liria e fjalës dhe veprës e mendimit ndryshe, shpeshherë u kanoset një presion 'demokratik', si rasti i ndjekjes për komunistët në vitet 1950 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet thënë se, nën emrin e mirëfilltë disident deri tani njihen emra të tillë si Andrei Saharov, Noam Chomsky, Vaclav Havel dhe Aleksandër Solzhenicin.
Duke parë këtë teori të shkurtër pak a shumë shihet, kuptohet e sqarohet më së miri fjala 'disident' dhe lidhja e saj me debatin në fjalë. Por, për të mos u nxituar në argumenta dhe dhënë vetëm njërën anë të medaljes, padyshim ne mbesim në duelin e ashpër 'letërsi-shtet' apo e thënë më saktë në duelin e shtetit diktatorial me letërsinë dhe krijuesit e saj. Në këtë aspekt ka sërish mendime të ndryshme. Mendime që vijnë nga pika e këndvështrime të ndryshme, ide që qarkullojnë nga kohëra të tjera. Ajo që është në interes si fillim është kryesorja për ta parë në vetë fjalën evoluese në gojën e shkrimtarit Kadare. Ja se si shprehet vetë Kadareja, duke marr çmimin "Man Booker International":
"Ne kemi besuar tek letërsia. Dhe ajo, në këmbim të besnikërisë dhe të besës sonë, na dhuroi bekimin dhe mbrojtjen e saj". Të besosh tek letërsia, do të thotë të besosh në një realitet të epërm; të besosh tek letërsia do të thotë që regjimi i tmerrshëm, të cilit iu nënshtrua vendi im ishte më i dobët se madhështia e pikëlluar e letërsisë. Të besosh tek ky art, kjo do të thotë që të jesh i bindur se ai regjim, të cilit ju nënshtruat, se policia që ju përgjonte, se udhëheqësit e lartë, funksionarët, gjithë ngrehina e tiranisë nuk është veçse një makth kalimtar, në krahasim me Urdhrin suprem për të cilin ju ishit bërë dishepull." (Kadare; Fjala duke marr çmimin "Man Booker International", Skoci).
Në këtë fjalë duken edhe drita edhe hija. Pra, dritëhijet që të shpien në kuptimin e qartë të fjalës disident e sidomos në kushtet shqiptare të kohës së diktaturës komuniste. Kjo që komentohet është njëra anë. Ana tjetër është sërish tek mjaft kënde që bien pre e kësaj dritëhije. Por, ndërsa kjo që shkruhet më lart është një derivat i shprehur nga Kadareja në këtë lidhje të lartcituar, ajo që vjen si një argument në ndihmë të fjalës disident është një intervistë e dhënë kohë më parë nga vetë shkrimtari për shtypin shqiptar.
Në këtë intervistë të tij të titulluar "Historia e një bllofi", Kadare, duket se lëshon vetë paksa dritë mbi këtë pikë të disidentizmit shqiptar, duke 'integruar' dritën me hijet, në një sfond debati të qartë dritëhijesh. Ai në përgjigje e sipër, duke kundërshtuar faktet e shtruara në librin e Fatime Kullit, "Uragani i meteorëve - Bilal Xhaferri dhe Ismail Kadare ballë për ballë", shprehet në një fjali "Nuk e kuptoj se si pas kaq vitesh, kjo kritikë mund të reklamohet si disidente". (Kadare, intervista; Gazeta "Shekulli"). Fjalët e tij 'si disidente' dalin nga një alarmim i brendshëm në lidhje me këtë debat dhe në tërësi ato janë më të kuptueshme kur lexohen në tërë përgjigjen e shkrimtarit: "Kritika e Xhaferrit, siç e thashë e siç del edhe nga pyetja juaj, ka qenë retorike, tipike e një militanti që mbron realizmin socialist nga ndikimet dekadente. Dy ishin pikat e saj kryesore. E para, më akuzonte se në romanin tim kisha denigruar klasën punëtore e figurën e gruas shqiptare (për këtë të fundit shkruaja, sipas tij, se ajo nuk kishte sapun për t'u larë). E dyta, lidhej me ndikimet e letërsisë dekadente perëndimore në veprën time. Siç e shihni, një kritikë e tillë, në një regjim diktatorial nuk nderon asnjë shkrimtar, e aq më pak një "disident". Nuk e kuptoj se si pas kaq vitesh, kjo kritikë mund të reklamohet si disidente". (Kadare, "Shekulli").
Kadare asnjëherë nuk pretendoi të jetë një disident
Duke marrë shkas nga ky debat ka disa ditë që disa kanë marrë nën sqetull bllokun e shënimeve për "Behlulin". Duke u munduar të zënë në gojë në gjithfarë mënyrash emrin "Kadare", natyrshëm mendojnë se bëjnë emër, marin pak vëmendje tek 'doni më për Behlulin?!". Kadare vetë citohet të ketë thënë se ai asnjëherë nuk pretendoi të jetë një disident, se "ishte një pozicion i tillë disidence në Shqipëri, se askush nuk mund të bëhej, qoftë edhe për pak ditë, pa u përballur me pushkatim". Atëherë përse disa turren të kthejnë flakën e shuar të disidencës për shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare? Përse duan ta bëjnë me zor shkrimtarin e vlerësuar, disident? Është pyetja a i duhet rrugës dhe veprës ku ka arritur shkrimtari Kadare, një disidencë e tillë për 'Kadarenë'? Natyrisht që jo. Turrarendësit e këtij monopati plot dritëhije, janë thjesht një mori diletantësh që ende kacavirren pas gati njëzet vjet demokraci në fushën e shkuar e tashmë të (ç)minuar të diktaturës. Çminimi është kryer me sukses. Letërsia po shkon në rrugën e majat e saj. Vetë Kadareja mbetet shkrimtari që ka plotësuar një itinerar të tillë. Një itinerar nderi në fushën e letrave shqipe dhe prezantimin e saj në botë. Të citosh sot Kadarenë, të paktën në Britani të Madhe, natyrshëm ke marrë një emër tjetër për tërë nocionin shqiptar. Një emër që ta krijon shkrimtari, pa patur nevojë për 'mushamanë' e disidencës së shiut të buzëmbrëmjes.
Pikënisja e një studimi për veprën e Kadaresë
Unë jam një kërkues shkencor në Universitetin South Bank të Londrës, që në 2006-ën, kur për herë të parë mendova për botimin e një studimi mbi Ismail Kadarenë dhe veprën e tij. Ajo, pra ideja dhe iniciativa ime, nuk ishin ndoshta thjesht një ambicie origjinale. Më shumë se dhjetra studime mbi veprën e Ismail Kadaresë ishin botuar në gjuhën shqipe, në anglisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera të Botës, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, shumica e tyre nga autorë, të cilët i parapriu mendimi i një dëshire të panjohur, një valë të re të njohjes së letërsisë shqiptare të viteve 1990-të dhe eksplorimit të letërsisë së këtij vendi, duke rrëmuar për të kaluarën pesëdhjetë vjeçare nën diktaturën e komunizmit. Mend pas kuvendit, do të thuhej në një mënyrë tjetër. Me datën e studimit tim, që përkiste në vitin 2006, shpeshherë i ndikoja nismës time ashtu siç i sugjeron ndërgjegjes një zanafillës. Si një studiues në atë kohë unë mund të kisha qenë më i avancuar në drejtime akademike, për të tërhequr vëmendjen në fushën krijuese ose në studimet kërkimore që kanë të bëjnë me mediat dhe kulturën apo edhe të rrëmoja në libra e të mësoja nga përvojat britanike, apo si një shkrimtar në ecje e sipër të aspiroja në linjën krijuese shumëplanëshe, duke marrë shembullin e më të shkëlqyerve të fushës së letrave dhe që janë përherë të kapshëm nga lexuesi dhe krijuesi shqiptar dhe anglez. Pra, të isha në rrjedhën e shkrimtarëve, siç edhe mundohesha ta bëja në të njëjtën kohë.
Unë nuk do të mendoja të kishte mendime ndryshe në atë kohë rreth Kadaresë, të paktën në këtë mënyrë mendoja aty në prag të 2006-ës. Jo se kur isha nxënës i shkollës së mesme, pra rreth viteve 1980-të, e dija shumë mirë se ishte zor të shpëtoje pa mbajtur mend dhe mësuar përmendësh "Shqiponjat fluturojnë lart", apo të mos kishe mësuar "Raporte e fjalime" të Enver Hoxhës, ku kritikoheshin Ismail Kadareja dhe Helena, e shoqja e tij shkrimtare, për honorare të shumta, si veprime 'mikro-borgjeze'. Kështu mes shkrimtarit që i këndonte Partisë dhe shkrimtarit nën thuprën e Partisë në mendjen time, pikërisht në vitin 2006-të, në zemër të Metropolit britanik, më vinin edhe erëra të tjera nga Perëndimi e Lindja, më vinin zëra nga e gjithë Bota Letrare, ku vinin theksin 'pro dhe kundër' fenomenit Kadare të letrave shqipe. Kjo mund të kishte tulatur studimin dhe mendimin tim në ato rrethana, nëse diçka më e madhe nuk do të më shtynte të vazhdoja kërkimet dhe studimin tim për shkrimtarin Kadare. Unë isha në mëdyshje edhe nga ajo që dukej shumë e çuditshme me mungesat e mia të fakteve për të bërë ballë dhe për të përqendruar në kujtesën kolektive faktet që kërkoja si armë për studimin tim. Studimi im ishte ndoshta hapur një tendencë për të lexuar një shkrimtar shqiptar në një kohë tjetër dhe me mendim ndryshe, pasi ai nuk mund të ishte lexuar kaq shumë ndryshe në këtë vend, edhe pse mediat e huaja e kishin bërë shumë të dukshme kureshtjen rreth veprës së tij, edhe pse shpesh herë isha duke menduar vrullshëm se pse ne nuk jemi duke bërë atë që bëjnë mediat e huaja për shkrimtarin tonë, për shkrimtarin shqiptar, që merrte çmime, vlerësohej dhe propozohej për Nobël.
Dukuria moderne e Ismail Kadaresë u vërejt ndjeshëm, dhe u vu pika mbi i, mbi reputacionin dhe stilin e papërsëritshëm të tij letrar, në një ese edhe pse jo shumë studimore, por në mënyrë të konsiderueshme, nga shkrimtari Zija Çela, që vlerësoi një nga romanet e tij, "Darka e gabuar" si majë të paarritshme:
"Më pas, ka gjasa që i përgjumuri është ngritur dhe ka nisur të shkruajë dehshëm, pa e kuptuar nëse kishte parë në ëndërr Homerin dhe Shekspirin, apo ishin vetë tragjikët e mëdhenj që, jo në muret e Trojës dhe as të El Sinorit, por në një kështjellë të vjetër shqiptare u qe shfaqur në tym një i ngjashëm, vllam i bojëshkrimit, prijësi dhe princi i letrave Kadare". (Zija Çela)
Sulmi i vazhdueshëm i kritikëve të tij dhe Rutten
Prapëseprapë, në fakt Ismail Kadare jo në mënyrë të rrallë ka ndodhur të renditet me shkrimtarët e mëdhenj të botës, edhe pse ai mësohej nga mediat shqiptare, por edhe nga të huajat se, "kishte rënë nën sulmin e vazhdueshëm të kritikëve të tij që jetojnë brenda kujtesës, por edhe për shumë shqiptarë në mërgim, apo edhe nga brezi i shkrimtarëve të dënuar nga diktatura shqiptare". Kur në vitet 1990-të u shpalos intervista e tij në media, kur ai u largua fshehurazi për Francë, kritikët e tij arritën një numër tipik, duke përfshirë Paskal Milon, Fatos Lubonjën, Primo Shllakun, Kolevicën dhe disa të tjerë. Por përshtypjen e shkrimtarit, Zija Çela jo pa qëllim e sulmuan interneteve dhe jo pa qëllim shumë sulme ndodhin ende për njeriun Kadare, pa bërë kurfarrë analize për veprën e tij. Dhe pas të gjitha këtyre zërave shumë pak prej nesh, duke mënjanuar disa shkrime të stilit 'mbrojtës', në sfond ndihet heshtje, madje asnjë prej nesh nuk flet dhe hesht për të gjithë kohën kur edhe ne në fakt jemi, duke pretenduar në heshtje për një gjë të tillë.
Tim Rutten shkruan më pas në Shkurt të 2009-ës, në "Los Angeles Times" me titullin "Disident ose jo, Ismail Kadare mbetet një shkrimtar i Madh", duke theksuar se, "Ismail Kadare është në shumë mënyra një prej shkrimtarëve të mëdhenj më problematikë në letërsinë perëndimore kontemporane". Duke lexuar më tej Rutten, ndikimi dhe dualiteti në zbërthimin e Kadaresë mbetet vërtet problematik. Por, ky është Kadareja i interpretuar. Kadareja i vërtetë, Kadareja i veprës, pra shkrimtari për të cilin ne mundohemi të themi gjërat dhe mendimet tona është tek fjala e tij, filozofia, stili dhe shumë e shumë tek vlerat e papërsëritshme krijuese që ka lënë kohërave për kohërat. Por, duke parë problematikën e tij, shpeshherë ngatërrohet kjo vlerë. Ai sipas Rutten: "Është një pyetje e ndërlikuar, që është bërë nga shumë artistë të njohur të shekullit të 20-të, vendlindjet e të cilëve iu nënshtruan hijeve totalitare, veçanërisht ato regjime komuniste, që duke ecur sipas modelit sovjetik, tentuan t'i mbanin artistët e tyre, shkrimtarët, poetët dhe muzikantët, të mbyllur… në rastin e Kadaresë, përgjigja duket të jetë se ai ishte në kohë të ndryshme, edhe disident, edhe bashkëpunëtor. Ai është i vetëm në dualitetin e tij." (Rutten; Shkurt 2009). "Sugjerimi i nënkuptuar se Kadare ishte një disident, ashtu si Vaclav Havel ose Aleksandër Solzhenicin, është shumë çorientues". Kadare nuk do të kishte mbijetuar dhe botuar kurrë nën regjimin e Hoxhës pa pasur asnjë lloj shkalle bashkëpunimi, detajet e plota akoma nuk janë të qarta. Vetë Kadare thjesht deklaron që e shkruara e tij ishte në fakt një kundërshtim i hapur. (Po aty)
Fenomeni Kadare diktohej disi i kursyer
Duke thelluar kërkimet pashë se, shkrimtari Ismail Kadare kishte rënë vërtet tashmë në korin e madh e të bashkuar që e barazonin me shkrimtarët modernë. Ishte kori i akademikëve të shumtë që binin dakord dhe vinin parantezë për kritikët letrarë që të hyjnizonin veprën e tij, së bashku me emra të mëdhenj në fushën e letrave, të mëdhenj si Homeri e Shekspiri me të cilët e krahason shkrimtari Çela, por edhe më tej me emra të mëdhenj si Pope, Johnson, Wordsworth dhe George Eliot.
Kjo ishte pas 2006-ës në fakt kur unë kisha filluar të shkruaj studimin për veprën e Kadaresë, me synimin për botimin e saj në vitin 2009, në këtë vit që ne ndodhemi tani. Ndërkohë, media më kishte armatosur me dëshmi të freskëta rreth romaneve dhe në njëfarë mënyre këtë e diktoja edhe nga lexuesit e Kadaresë. Studimet akademike për veprën e Kadaresë tani ishin shumëzuar për mrekulli, pothuajse të gjitha në të njëjtin format: një hyrje të shkurtër, duke propozuar se vepra e Kadaresë ishte kurorëzim i një arritjeje të njeriut, i pasuar nga metamorfoza tipike të jetës dhe rrethanave shqiptare. Kjo ishte një recetë që efektivisht fenomeni Kadare diktohej disi i kursyer nga vlerësues në krahasim me malin e madh të krijimtarisë së tij, [duke ditur se botuesi i tij "Onufri" kishte shpallur ekskluzivitetin e veprave të tij] ose pak si një mënjanim nga të qenit e tij i vendosur në një botë tjetër letrare, intelektuale, sociale apo edhe për mjedisin në të cilin ai krijoi.
Përgjigjet e këtij 'kursimi' në adresë të veprës së tij, apo edhe të një kritike kundërshtare mund të jenë ende si një hamendësi, apo kundërshti, pasi askush nuk argumenton, siç thamë më lart me veprën e tij, por me qenien e tij. Një fakt i vetëm e disi më bindës vjen vetëm nga një brez intelektualësh që kishin arsyet dhe faktet e veta të kritikonin dhe të formonin kundërshtitë e tyre. Ky brez i ndjekur dhe i 'djegur' nga diktatura, me një bagraund tejet optimist para luftës dhe me një oportunitet më të civilizuar familjar kishte rënë në darën e diktaturës. Duke parë Kadarenë si një shkrimtar herë oborrtar e herë me një problem në lidhje me shtetin, për ta duket si një shërbëtor i tyre. Kjo në fakt ka krijuar edhe një revoltë në një masë tjetër që diktojnë prioritet veprën e tij dhe shpërfillin këto anësime të lidhura me jetën dhe fatin e saj. Çela duket se nuk është i vetëm me esetë e tij në ndihmë të vlerave të Kadaresë. Analiza e tij e vitit 2008, gjithsesi ishte jo vetëm një ese që u kritikua shumë nga kundërshtarët, por edhe një fakt i çuditshëm që radhiste emra legjendarë në fushën e letrave rreth Kadaresë. Me këtë ese duhet thënë nga një palë u ngrit vlera e tij, por ama edhe nga një palë tjetër u zhyt disi fama e tij, pasi kritikat u shtuan dhe në fushën internetike të huajt e kishin më të lehtë të gjenin të përkthyera kundërshti të tilla, edhe pse ndonjëherë të pabazuara dhe shumë egoiste. Por, Çela e shpalli mendimin e tij, dhe kjo mund të ketë qenë edhe një arsye ndoshta për të nënkuptuar, se romanet e Kadaresë kanë prekur çështjet me interes për lexuesit dhe mbetet shkrimtari që është lexuar dhe lexohet më shumë edhe sot.
Përkthyesit e Kadaresë
Me përkthyesin e shkrimtarit shqiptar, David Bellos u njoha fizikisht nga afër në South Bank të Londrës. Ishte dita kur Kadare ishte mes lexuesve të tij londinezë në këtë Qendër të Madhe të Kulturës dhe Artit. Pas zyrtarizmave dhe takimit në sallë, pyetjeve dhe përgjigjeve mes dy palëve, Kadare dhe Bellos ishin pranë njëri-tjetrit në korridorin e gjatë të godinës. Kadare firmoste librat e shumtë që blenin të pranishmit. Këtu u zhvillua edhe biseda ime me Kadarenë dhe me përkthyesin e tij. Bellos, një intelektual dhe akademik i formuar, dukej shumë entuziast që ishte përkthyesi i Kadaresë. Për këtë, ne lamë një takim dhe vend për një intervistë…
Adam Kirsch shprehet në këtë mënyrë: "Kadare është padyshim një marrës i denjë i këtij çmimi (Man Booker International). Ai është një nga më të shpeshtit e përmendur si laureat në pritje i çmimit Nobël, por ai është gjithashtu një shkrimtar jashtëzakonisht i vështirë për t'u kuptuar plotësisht për një anglisht folës. David Bellos, një përkthyes i cili ka përkthyer disa prej romaneve të Kadaresë nga frëngjishtja në anglisht, kujton në një ese se ai në fakt po kryen "kthimin në anglisht të veprës së Ismail Kadaresë". (Kirsch, 27 Qershor 2005, The Sun, New York).
Duke lexuar Adam Kirsch në një nga analizat e tij të titulluara "E panjohura e personit: Kush është Ismail Kadare?", në plan të parë të vjen në mendje fakti që ekziston nga vështirësia e kuptimit të tij në anglisht. Ai përkthehet nga frëngjishtja dhe kështu ai disi përshtatet, kësisoj ai humbet vlerën origjinale dhe shprehinë origjinale të fjalës e mendimit të tij. Këtu Kirsch sjell shqetësim dhe habi. Ai shprehet se, zgjedhja e tij për të fituar çmimin "Man Booker International" si fituesi i parë i këtij çmimi, të modifikuar në arenën ndërkombëtare, përbën një arsye tjetër për të shtuar presionin e pyetjes së lartcituar.
Një shans tjetër ishte njohja me përkthyesin e parë të Ismail Kadaresë. John Hodgson, një njohës i mirë i Gjuhës Shqipe, ish-lektor në Universitetet shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, por edhe përkthyes i mirënjohur për përkthimet e tij me vlerë nga Gjuha Shqipe në gjuhën angleze nga shumë institucione të rëndësishme botërore, tashmë ishte miku im dhe ndodhej herë pas here në zyrën time në Londër. Dija për të shumë pak. Dija se kishte përkthyer për herë të parë shkrimtarin Kadare nga origjinali në shqip në gjuhën angleze. Dhe kisha dëgjuar se ai ishte në fakt përkthimi i parë dhe i vetëm nga origjinali për veprat e shkrimtarit shqiptar. Përkthimet e tjera bëheshin nga versionet e Jusuf Vrionit në frëngjisht, pasi përkthyesi i sotëm i Kadaresë, David Bellos është një njohës i shkëlqyer i gjuhës frënge. Gjithsesi, fakti që njoh përkthyesin e parë të Kadaresë, shpeshherë më ngacmonte të pyesja dhe të shtoja shënimet për Kadarenë.
John, shumë i matur dhe kursimtar në përgjigjet e tij. Herë më thoshte se ishte duke përkthyer libra shumë të rëndësishëm dhe herë më thoshte se po përkthente edhe një libër të pabotuar të Kadaresë. Kur një ditë ia behu me një libër nën sqetull. Më dhuroi librin me kopertinë të zezë, ku në të binin në sy dritëhije të zbehta të një korridori të ngushtë e të gjatë, në sfondin ballor të të cilit diku shumë larg ndodhej konstrukti i një njeriu me kurriz nga shikuesi dhe më tej me të vetmen bardhësi në kopertinë që vinte nga fjalët në anglisht "Second …. dhe inside the Albanian Gulag" (E dyta…. Në brendësi të birucave shqiptare). Me të kuqe shkruhej fjala e zmadhuar në sfondin e kopertinës "Sentence" (Dënimi). Mes këtyre kontrasteve ishin edhe dy emra me ngjyrë të bardhë në të zezën e kopertinës, që sfumohej në gri të rëndomtë, që vinin nga autori i librit Fatos Lubonja dhe nga përkthyesi John Hodgson, këto me madhësi relativisht shumë më të vogël se sa emri i autorit. Ishte vetëm kaq. Më dha librin dhe më tha se 'ishte libri më i mirë i shkruar për diktaturën nga një autor dëshmitar, vuajtës i diktaturës…"
Pastaj si zakonisht pas leximit të librit gjithmonë kureshtja intelektuale të shpie në stacione të ndryshme. Isha kureshtar të lexoja edhe librin e përkthyer të Kadaresë, librin e pabotuar më parë, librin që John Hodgson më thoshte se ishte duke përkthyer….
Debati jashtë dyerve të shtëpisë
Deri në kohën kur debati për 'disidencën' Kadare vlonte dyerve të shtëpisë dhe deriçkat internetike shkundnin thërriza mbi flokë të rëna, Heather McRobie në gazetën britanike "The Gurdian" shkruante një esse me shumë filozofi. Heather është shkrimtare dhe punonjëse e të drejtave të njeriut e vendosur në Lindjen e Mesme. Romani i saj i parë është publikuar në vitin 2008 dhe aktualisht është duke punuar në një roman me temë nga Ballkani. Ajo dukej e qartë dhe se tepër përzemërsisht, pa ndonjë ide inflacioniste ishte nisur të karakterizonte këtë debat të mbyllur që në titullin e esesë së saj. Eseja e botuar në këtë gazetë, që lexohet nga shumë profesionalistë, me miliona lexues britanikë dhe në Botë, më 6 Mars 2009, niste që në titull: "Ismail Kadare nuk duhet të jetë disident, që të jetë i mirë" (McRobie, 6 Mars 2009, "The Guardian). Ajo shpjegonte se, argumenti për shkrimtarin shqiptar si bashkëpunëtor i regjimit Hoxha ishte një shpërthim, por debatuesit e tij 'kishin humbur pikën' (Po aty). Kështu edhe shqetësimi i saj për hezitimin e Stokholmit në lidhje me vlerat e shkrimtarit Kadare, dukej disi politik, ndoshta si pasojë e këtyre kundërshtive dhe jo një faktor për termin 'disident'. Këtu përfshirja disa herë e emrit të përkthyesit të Kadaresë, Bellos, lidhja dhe popullariteti në arenën frëngjishtfolëse dhe sipari i hapur bukur në gjuhën angleze, nga përkthimet e librave të shkrimtarit shqiptar, përbëjnë një arsye më shumë për të konfiguruar aspektin 'shkrimtar në shërbim të letërsisë'.
Kadare vetë pranon se veprat e tij si dhe çdo vepër tjetër humbasin vlera në përkthim, aq më tepër kur veprat e tij në anglisht përkthehen nëpërmjet frëngjishtes. Ai shprehet: "Një shqiptar i madh, që jetoi në fillimin e shekullit të kaluar, këtu në Angli zbuloi se "Iliada" ishte përkthyer gabim në të gjitha gjuhët e botës. Ky gabim ishte përsëritur për më shumë se 20 shekuj. Në frëngjisht dhe në anglisht, p.sh. shkruhej se Akili ishte i "inatosur", por në fakt në greqishten e vjetër, në origjinal shkruhej se ai ishte i "pezmatuar"…". (Kadare, Oksford, Intervistë "Albanian Mail")
Ky ishte Ismail Kadare, i cili vinte tashmë, jo për herë të parë në mediat e përfaqësuara me elementin profesional, për të qëmtuar pozitiven, më të arriturën, më të vlerësuarën, veçanërisht modernen dhe personalitetet e kulturës, në të cilën edhe pikasja e Kadaresë, kishte qenë fjala dhe argumenti në esenë e saj. Kurrë më parë s'kishte qenë jeta krijuese e shfaqur në këtë mënyrë si ajo që tregon arsyeja nga debati i lirë, kurrë më parë ai vetë s'kishte qenë i konceptuar në mënyrë të ndërlikuar dhe me arsyetim kaq të vështirë dhe tejet lodhës.
Ajo shkruan se, studiuesi Robert Elsie, përpiqet të shpëtojë reputacionin politik të Kadaresë, duke e quajtur atë "një shkrimtar thellësisht disident", i cili bëri një "jetë bashkëpunëtore me regjimin". (Po aty) Pyetja e saj në këtë ese "por pse kërkojmë që të jetë Kadare akoma një disident politik?" e bën këtë fenomen një çështje pa vlerë. E bën të tillë, pasi sipas autores është vepra e tij që krijon në mënyrë perfekte identitetin e hershëm shqiptar në kontrast me regjimin survejues të Hoxhës. Në këtë mënyrë, veprat e Kadaresë nuk kanë nevojë për disidencë politike, as edhe mbrojtje apo sulme politike.
Talenti dhe psikoanaliza
Një nga miqtë më të hershëm të shkrimtarit Ismail Kadare, Sadik Bejko, në një nga intervistat e tij dhënë gazetës "Ballkan", më 28 Prill 2005, ndriçon një fakt të lidhur me 'talentin' që sipas tij mbetet i pasqaruar edhe nga mjaft rryma filozofike. Bejko shprehet: "Ismail Kadareja ishte njeri i lindur me dhuntinë e artistit. Talentet artistike, asnjë rrymë filozofike, psikologjike, psikoanalitike, etj., nuk i ka zgjidhur dot se, si lind dhuntia artistike dhe në një moment të caktuar, futet në një kafkë, në një njeri".
Le të marrim si shembull të Madhin, Leonardo Da Vinçi. Michael Philip Levine në librin e tij studimor "The analytic Freud" (Frojdi analitik). Pikërisht në faqen 254 nën kapitullin "Marguerite la case" ai shtron një argument të thjeshtë për të kuptuar atë që Bejko e shtjellon si të pashpjegueshme. Levine, duke analizuar kohën, vendin dhe hapësirën në të cilën u aktivizua dhe zhvilloi rrjedhën e aktivitetit të tij Leonardo Da Vinçi, depërton me anë të psikanalizës së Frojdit, për të parë thelbin.
Sipas Levine "Ky përshkrim i jetës dhe punës së Leonardos nuk përllogaritet për të gjitha pyetjet që ne mund të presim si përgjigje në lidhje me natyrën e fisnikërimit, talentit dhe krijimtarisë". (Levine, 1999:265) Duke lexuar Levine kuptojmë se, Frojdi nuk ka arritur të shpjegojë pikërisht pse Leonardo kishte një tendencë drejt represionit institucional. Në këtë pikë është pikërisht faktori kryesor që na ndihmon të kuptojmë edhe lidhjen tërësore që ende nuk është shpjeguar deri më sot nga Kritika për aspektin krijues të Kadaresë si një fenomen i veçantë i letërsisë shqiptare. Duke mos kuptuar represionin institucional, natyrshëm është e vështirë të kuptosh e ndash shkrimtarin Kadare nga njeriu Kadare. Represioni në vetvete si term duhet kuptuar si një proces me të cilin dëshira të papranueshme ose impulse ndikuese vijnë dhe mbeten të përjashtuara nga ndërgjegjja dhe lihen të operojnë në pavetëdije. Ndërsa, kur përdorim represionin institucional kemi një hapësirë më të gjerë të këtij funksioni. Mendimi nuk është një riprodhim intelektual, thotë Theodor W. Adorno tek "The Culture Industry: Selected Essays on Mass Culture", (Industria e Kulturës: Ese të zgjedhura nga maskultura) redaktuar nga J. M. Bernstein (Nju Jork: Routledge, 1991), faqe: 292. Por, mendimi është edhe një produkt i sublimacionit të instiktit. Sublimacioni është një fenomen i përdorur teknikisht dhe shkencërisht, por në rastin konkret kur ai lidhet me instiktin plotëson anën psikologjike të kuptimit që lidhet me aspektin krijues tek njeriu.
Frojdi nuk ka saktësuar as aftësinë e madhe të talentit në teorinë e tij për sublimacionin e instinktit. Por, ama Frojdi dhe teoria e tij e Psikoanalizës vetëm na sugjerojnë se represioni, pra jo aftësia për zotërimin e instinktit, në këtë rast e lidhur për të depërtuar në lidhje me talentin e Leonardos, është i lidhur me biologjinë. Ai sugjeron se, ne duhet të shikojmë aspekte dhe procese të biologjisë për të shpjeguar talentin të ardhur nga themelimi i karakterit. (S. E. XI:135).
Frojdi vëren se, kritikët kanë deklaruar se formën e krijimtarisë Leonardo e ka patur të ndërvarur nga shansi i disa ngjarjeve (në fillim të jetës së tij ai qëndroi me nënën e tij dhe më vonë ai zhvendoset në shtëpinë e babait të tij), por përsëri kjo nuk është domosdoshmërisht në dëm të saj, as edhe ndonjë mënyrë ndikuese sipas Frojdit. Duke pasur parasysh se çdo pjesë dhe hap i jetës, në një masë të madhe, është i qeverisur apo ndikuar nga rastësia dhe ngjarjet e rastësishme, nëse kjo ndodh të jetë në raport me prindërit e krijuesit, ose në aspekte të tjera, është e vështirë për të parë se si shkon në ngjizjen e talentit, pra nuk na tregon pikërisht se si është menduar të ndodhë që të vijë ky talent në kushte të tilla. Për pasojë edhe largimi nga familja, apo edhe mënyra e demonstrimit të faktit, në rastin tonë të Kadaresë të shkollimit të tij në Institutin "Gorki", nuk përbën faktorin bazë të kësaj teme. Për më tepër, pozicionimi në ekzistencën e një procesi të fisnikërimit nuk mund të shpjegojë se origjina e talenteve është një pasojë e rrethanave të tilla, edhe pse ai, pra, shkaku i përqendrimit të jetës në një hapësirë ndryshe mund të japë një shpjegim të formave me kufizimet dhe aprioritë e tij. Siç thotë Frojdi, vetëm Leonardo (duke folur psikanalitikisht) mund të ketë pikturuar veprat e mëdha si Mona Lisa. Kjo të bën të shtjellosh më tej edhe argumentin e lidhur me talentin e shkrimtarit, Ismail Kadare. Kjo kuptohet qartë edhe me këtë fakt, që Bejko na sjell me intervistën e tij: "Kadare është shprehur se, e priste që një ditë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" të vlerësohej krahas veprave të shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë si: Heminguej, H. Bël, etj." (Po aty).
Kadare mes "fatit" të viteve '54-'64
Ky studim nuk është në fakt për të ricikluar të thënat për shkrimtarin Ismail Kadare, as për të ritreguar se vepra e Kadaresë është rendi i ditës, përfshirë tematikën, debatin, kritikën dhe mjaft lidhje me të, por një hapësirë teorike e bazuar mbi teorinë bashkëkohore për të depërtuar tek e pathëna lidhur me vlerat dhe arritjet e tij në fushën krijuese. Duke parë të shkuarën e kritikës dhe analizën e disa prej romaneve të tij, është e rëndësishme të thuhet se të gjitha të thënat vijnë nga aspekti kohë, vend dhe hapësirë dhe diku thuhet se ato ishin të mbushura plot me argumente, të cilat përcollën mendimet dhe opinionet që sollën debatin tek Kadareja jashtë veprës së tij, si stacion për t'u ndalur e argumentuar. Kjo nuk është e thënë që të jetë një nga ata teori që diferencojnë dhe duhet domosdoshmërisht të luajnë rolin shumë selektiv për të përcaktuar llogaritë e 'bakgraundit' për të cilin shihet lidhja 'disidencë' apo 'njeriu Kadare'. Ky studim vazhdon të interpelojë dhe të flasë në aspektin e punës krijuese dhe jo për hegjemoninë e lidhur me fuqinë e pushtetit, për të cilin Foucalt ka përcaktuar natyrshëm ndikimin mbi krijuesin. Por në shumë raste ndeshja me mendimin ndryshe e të paargumentuar, duket si një luftë absurde idesh, që prodhojnë mëri për hir të 'inatit' apo faktorëve ndërlikues. Kjo nuk do të thotë të jesh i përndjekur dhe kundërshtar i një regjimi despotik apo diktatorial, të të bëjë që të jesh me idetë që shfaq një 'demokrat', apo edhe një 'revolucionar'. Këtu idetë përcaktohen nga rrymat filozofike, në të cilat hyn mendimi dhe opinioni, analiza apo kritika jote.
Në qoftë se idetë dhe mendimet, ose analizat dhe kritikat, pra të gjitha teoritë e thëna apo të shkruara rreth Kadaresë, pra, ato janë në traditën marksiste, apo edhe përshkruhen si Zeitgeiste ose edhe në frymën e kohës, nuk do të thonë se, përcaktojnë një vijë të prerë, pra në qoftë se ata nuk janë bazuar tek vepra dhe krijimtaria dhe thjesht stigmojnë jetën dhe personin në aspektin shoqëror, social, familjar apo edhe në lidhje me sistemin politik.
Duke lënë paksa këtë pikë të debatueshme, por shumë të rëndësishme për t'u sqaruar le të shikojmë shkurtimisht kohën në të cilën nisi vepra e Kadaresë. Në një intervistë të studiuesit Ymer Çiraku, dhënë "Zërit të Amerikës" më 28 Janar 2006, gjejmë pikërisht rrugën e gjatë dhe tepër prodhimtare e cilësore të Kadaresë. Në këtë intervistë shihet rruga e tij që nga vëllimi i parë poetik "Frymëzimet djaloshare" (1954) deri tek romani i tij më i fundit. Nga ana tjetër sipas studiuesit Gjovalin Kola, kuptohet se "rryma letrare, që parapriu nga pikëpamja ideoestike që në vitet 1945-1946 me kundërshtimet e S. Malëshovës, S. Luarasit, I. Dishnicës ndaj ideve zhdanoviste që nisën të depërtonin në letërsinë shqiptare, që me vendosjen e pushtetit komunist, ka njohur lulëzimin e saj me samizdatet e viteve '50-'60". (Kola, Letërsia shqiptare: 2007) Pra është periudha në të cilën Kadare publikoi vëllimin e tij të parë poetik, pikërisht viti 1954, një vit në të cilin "në mënyrën më të qartë dhe të organizuar, grupi i dytë i disidentëve me K. Trebeshinën, Mark Ndojën dhe M. Myftiun denoncohet publikisht në mbledhjen plenare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të shkurtit 1954". (Kola, 2007). Duke lexuar Kolën në argumentin e tij analitik mësojmë se "nga raporti, ashtu dhe diskutimet e pjesëmarrësve del qartazi se, kemi të bëjmë me një ballafaqim pikëpamjesh të kundërta përsa i përket lirisë së shkrimtarit, natyrës së letërsisë dhe rolit të politikës dhe të shtetit në raport me kulturën dhe artet. Pa hyrë në shpjegime të tjera, mjafton të kujtojmë se disidentët kishin ato mendime të lira që kanë sot njerëzit e letrave në Shqipëri dhe se ata, pikërisht për këtë herezi e ndarje nga ideologjia e Partisë, u dënuan, u persekutuan dhe u degdisën gjithë jetën nëpër burgje, internime e privime të tjera shoqërore e politike". Në këtë situatë dhe në këtë periudhë të zjarrtë nisi udhën krijimtaria e Kadaresë. Siç shihet nga thënia e Kolës dhe nga deklarimi i Çirakut, aspekti kohë vend dhe hapësirë ka ndikimin e vet. Kola ndalon tek letërsia 'ilegale' dhe sqaron disidencën, si një ndikim tejet didakt për fatin e krijuesve dhe konkurrencën e krijimtarisë. Këtu ndalesa e argumentuar e Kolës sjell një fakt sublim, që kërkon sqarim më të detajuar. Sipas Çirakut "vepra e Kadaresë shfaqet si një univers që të trondit me galerinë e pafund të personazheve, me groteskun dhe tragjizmin njerëzor, me lirizmin dhe gjëmimet epike, do të thoja me apokalipset, tiranitë dhe rilindjen e popujve. Pra, është një vepër komplekse, shumëplanëshe, polifonike; do të thosha se është dhe një vepër që ka një vazhdimësi, që ka një koherencë, në planin estetik, në planin stilistik. Natyrisht, në aspekte të përmbajtjes së saj, ajo sigurisht që ka evoluar, sigurisht që është përsosur më tej". (Çiraku, Intervistë "Zëri i Amerikës") Duke parë të dy mendimet e cituara shihet në përgjithësi se rendi i përcaktuar është i qartë, pushteti ka kalibrin dhe shënjestrën e vet. Kjo më së shumti në analizën e Kolës, ku shohim se ka për qëllim të tregojë se, edhe përdorimi i shumë shembujve, kthen argumentin se praktikat e shkrimtarëve të asaj periudhe ishin të ndryshme, ishin estetike, ndikoheshin nga më të veçantat e shoqërisë, por që në vend të kritikës dhe analizës së mirëfilltë letrare u ndikoheshin vendimeve dhe ndërhyrjeve të pushtetit të asaj kohe. I skicuar në disa premisa ideologjike argumenti i asaj kohe, i cili nuk vjen nga ndonjë shtresë intelektuale, por nga dogmat ideologjike, dhe duke u shprehur tashmë lirisht mbi llojet e lëvruara dhe në mënyrë të njëpasnjëshme si pasojë e nevojave të kohës, shkrimtari dhe mendimi krijues i tij i asaj kohe mbetet një risk fati. Por, kjo nuk do të thotë se është kryesorja.
Por, ndërsa mësojmë sipas Kolës se shkrimtari Mehmet Myftiu, një nga emrat më në zë të asaj kohe, ishte preokupuar të tregojë historinë reale, ngjarjet, personazhet se sa të kërkonte ndonjë mënyrë moderne rrëfimi, thelbi i 'fatit' të shkrimtarit nën diktaturë mbetet thikë me dy presa. Sipas Kolës, Myftiu mendonte se imperativi i tij si shkrimtar me mendime të lira ishte pikërisht shpalosja e "së vërtetës" së ndaluar, e cila u mungonte lexuesve të kohës së tij. Në vend të saj, ata mësoheshin me veprat që e deformonin jetën sipas parimeve të letërsisë së propagandës. Në kujtimet e tij, autori ka dhënë madje të dhëna të hollësishme edhe për prototipat ku është mbështetur për të krijuar personazhet. Besniku, për shembull, personazhi kryesor është ai vetë, Hyseni është Kasëm Trebeshina, Agimi, kritiku letrar është miku i tij i ndjerë, Trim Gjata, shkrimtari i ri i porsakthyer nga Bashkimi Sovjetik është Ismail Kadare, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, Aliu Nexhmije Hoxha etj.
Kritika dhe tema historike
Para se kritika letrare të profesionalizohej dhe stabilizohej në Shqipëri është dhe ekziston edhe një pyetje se si është lexuar dhe analizuar romani dhe krijimtaria e Kadaresë, se si romani dhe krijimtaria e tij është konceptuar në përmasat institucionale dhe 'profesionale' të asaj kohe? Po lexuesi a ka qenë i ndikuar dhe si e ka konceptuar këtë aspekt të kritikës së asaj kohe? Pyetja e parë do të shpjegohet në vazhdim, ndërsa e dyta ka një nevojë për retushim. Ka nevojë për një 'retushim' të tillë se në vitet kur nisi krijimtaria e Kadaresë, lexuesit dhe krijuesit e edukuar në literaturë (klasike), praktikonin veten në shkrime letrare të diktuara nga regjimi dhe sistemi, nuk u mësohej se një punë e tillë e krijimtarisë dhe letërsisë duhet të gjykohet nga rregullat e brendshme të letërsisë, por nga doktrina ideologjike dhe politizime. Është e vështirë për të izoluar 'kritikat" e asaj kohe, sepse ajo ishte ende pjesë e përgjithësuar e tipit ligjëratë si shumë të prirur drejt moralit dhe politikës, siç ndodhte në përgjithësi me çdo fushë dhe aspekt të artit.
Komentet për librat në letrat private e më së shumti të adresuara Lidhjeve të ndryshme të asaj kohe, apo edhe Komiteteve të Partisë dhe kritikat në letra shpesh debatonin pika të sjelljes dhe moralit politik dhe formimit marksist-leninist, testonin karakteret e trilluar për ndjeshmëri e për nder, se sa duke i kërkuar pozicionet e tyre letrare të përdorura nga intuita e autorit, pa pyetur vetë autorin nëse ai i kishte bërë ato interesante apo të gjalla në sytë e lexuesve për të bërë vepër letrare të mirëfilltë.
Nuk kishte shkolla, universitete ose sistem të mësimit të konventave të tjera të letërsisë për të shpërndarë sa më shumë të kualifikuar në atë fushë, sidomos në fushën e kritikës dhe analizës letrare. Virtytet e heronjve të atyre krijimeve kësisoj mbeteshin të diskutueshëm. Një lëvizje liberale, por tejet individuale u mbyt në kushtet sociale dhe më tej në kafazë politike. Pasi shprehu faktorë të domosdoshëm që lidhen me filozofinë e vërtetë dhe pse kërkonte më shumë liberalizëm në krijimtari me veprat që afroi, siç e shpjeguam më lart, ajo mbeti e luftuar. Kjo thirrje bëhej në atë kohë kur romancieri i asaj kohe kishte filluar të ndikohej më së shumti nga propaganda e ndikuar, dhe në një kohë kur kërkohej me ngulm për bashkëkohoren në letërsi një faktor i lartë moral e intelektual, duke hapur rrugën për pavarësinë e protagonistit, ose duhej më qartë përshkruar në mënyrë simpatike pa zemërim, dhe kufizimet në këtë botë krijuese duheshin vënë në një rol me një individ të qartë e forcë ndjeshmërie. Në mënyrë të njëvlershme, me lavdërimin e një krijuesi që dilte në pension 'krijues' në shërbim të kastës, mungonte kryesorja që në mënyrë të kultivuar të ushqehej ndjenja fetare dhe cilësia individuale, për të krijuar një dallim mes propagandës së urdhëruar dhe realitetit të jetuar, me qëllim të atillë që karakteret, personazhet dhe heronjtë e lirë të veprave letrare të luftonin në atë botë të izoluar siç ndodhte për shembull, në romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", që mbeti i preferuari i lexuesve dhe kastave të oborrit vetëm se shkrimtari Kadare diti në mënyrë perfekte të gjej kyçin e trillit mbi një faktor tejet të mprehtë siç trajtohet në atë roman.
Shumë larg nga të qenët statike, universale dhe tërësisht të vendosura, këto çështje funksionojnë në bazë të asaj se si janë shfrytëzuar dhe në kohën, vendin dhe formën në të cilën ato janë shfaqur. Për pjesën më të madhe të kohës së komunizmit motivet liberale janë 'përzier' lirisht nga disa shkrimtarë, me metoda të mrekullueshme për të mos rënë në sy, ose duke kapur ide dhe forma disi historike, që shpesh duken veprime me qëllim për të kryer shmangien e një infeksioni në partishmëri.
Shkrimtarja dhe studiuesja britanike, Heather e shikon këtë pikërisht tek Kadareja si një pikë të rëndësishme. "Më e rëndësishme, ishte gjithmonë frymëzimi i Kadaresë për historinë e Ballkanit. E gjithë historia e Shqipërisë është pothuajse tërësisht e ritreguar përmes romaneve të tij të shumta, duke filluar që nga grekët e lashtë, me Otomanët, e deri më sot. Dhe, brenda kësaj, gjatë viteve të Hoxhës ka disa tregime, që Kadare ka krijuar si mënyrë ri-shkrimi dhe përdorimi e historisë si një armë. Edhe romani i fundit i përkthyer në anglisht nga Bellos, "Rrethimi", që përshkruan një qytet-shtet shqiptar nën torturat dhe sulmin Otoman, është lexuar si një miratim i hollë dhe i kodifikuar i nacionalizmit të Hoxhës përzier me makthin e luftën kundër ndikimit sovjetik. (McRobbie, 6 Mars 2009 "The Guardian").
"Vdekja e autorit" dhe stigma shqiptare e 1960-ës
Pas viteve '50, e sidomos aty nga fillimi i 1960-ës u panë ndryshime të rëndësishme në fushën e komenteve, kritikave dhe mendimeve letrare. Autorë si Nexhat Hakiu (1917 - 1978), një kritik i hershëm, por në rolin e mësuesit të letërsisë ishin vënë në shërbim të studimit të letërsisë. Kështu që, në librin e tij "Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit", botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 1970, në një mënyrë krejt ndryshe shohim shfaqjen e idesë se të dyja, romani dhe novela, ishin pushtuar nga partizanët e ideve në shërbim të sistemit. Këto shfaqnin hapur shenjat diktuese të linjave politike të polarizuara. Kur këto linja nuk shkonin në udhën e duhur, kritikë të tillë mënjanoheshin dhe riskonin shumë. Këto linja nëpërmjet rrugëve të diktuara përçonin kuptimin e librave tek lexuesit.
Kjo tashmë është e hapur për kritikët e sotëm të mohojnë apo të pohojnë për autoritetin e asaj klime në dëm apo në interferencë të autorit të librit, dhe dobia e autorësisë le të sillet ndërmend si një udhërrëfyes në kuptimin e ekzistencës së librit në atë periudhë si të diktuar nga rrethana apo kushte propagandistike, nëse vërtet mund të thuhet se kanë një kuptim kritikat e asaj kohe. Por, kjo në vetvete është një gjest i kondicionuar historik që ka hapësirën e një debati pafund, madje me një pikënisje nga mesi i shekullit të njëzetë e që nisi në kushtet dhe konditat e mendimeve akademike në mjaft vende të Evropës. Këto mendime të avancuara akademike dhe të përshtatshme universale pretendojnë, se të thënat e kritikat e kushtëzuara ngjajnë si të jenë të përhershme me një asfiksi mentaliteti të pandërrueshëm. Por në brendësi të këtij mendimi akademik ata janë piketuar si strategji afat-shkurtër, duke reaguar për kritikën e strategjive të tjera. Kështu, Barthes me të tjerë shpallën 'vdekjen e autorit' në Francën e 1960-s vetëm pas kultit romantik të autorit kur ai kishte ngurosur në një diçka të ndaluar.
Ai kult në fillim u shfaq si një strategji udhërrëfyese e profesionalizmit të shkrimtarit në mjaft vende në periudhën me të cilën përballej tkurrja e krijuesit nën diktatin dhe ndikimin politik në Shqipëri. Ndërsa në këto vende artistët konsideronin fuqinë e krijimtarisë dhe imagjinatës, vetëm disa vite më vonë nga periudha e lartpërmendur në sferën krijuese shqiptare do të binte kosa e kuqe e Hoxhës, duke riskuar shumë elementë krijues. Dhe ashtu si në Evropë, ku shumë specialistë të letërsisë mundoheshin të shpëtonin nga lufta e konkurencës së ideve, edhe në Shqipëri kishte filluar një luftë akoma më e ashpër për të shpëtuar nga vala e thumbit të Byrosë Politike, si 'letërsi jashtë vijës së masave'.
Deri atëherë krijuesit dhe shkrimtarët, po aq edhe lexuesit nuk kishin njohur vështirësi të tilla me ndikime kaq të shpejta që vinin me urdhër-rrufe nga Partia dhe përhapeshin tek 'masat' nën moton 'ndarja e punës intelektuale'. Kadare nuk përjashtohej nga kjo as nuk mund të mendohet se nuk përfshihej në këtë sistem dhe ky fakt thuajse ndihmon në mënyrë të saktë për të shpjeguar se pse librat e tij janë në mënyrë të atillë, që ata janë ndër më të lexuarit edhe sot. Sidoqoftë edhe pse "Vdekja e autorit" ishte shumë larg Shqipërisë së viteve 1960-të, kohë në të cilën Barthes prezantonte teorinë e tij të famshme, në krijimtarinë shqiptare mbetej dogma e stigmatizuar politike që paralajmëronte vdekjen e vërtetë të autorit…
Kritikët, lexuesi dhe kapërcimi i stilit Kadare
Kritikët e parë të Kadaresë dhe lexuesit e tjerë shijuan argumentet e romaneve të tij, më saktë morën prej tyre atë që e kuptonin, jo për shkak se ata kuptonin çdo gjë prej gjëje nga synimet e tij private, por për shkak se romanet e tij devijuan në hollësi e në detaje prej detajeve të romaneve të tjera si ato në atë kohë. Karakteret e tij kryesorë janë përshkruar në stil tjetër, të diktuar e njohur nga situatat sociale; në syrin e lexuesit, me identifikimin e karakterit, u mësohej një kod sjellje, i cili nuk ishte universal si për lexuesit e librave të tjerë, por vinte mjaft aktual dhe me sublimitetin e alternativave. Këtu mjafton të sjedhim si shembull romanin "Kronikë në gur" (1970), në të cilin, Kadare kritikoi psikologjinë provinciale. Në thelb ky roman ndryshonte nga detajet e përshkrimit të romaneve të tjera të asaj kohe, aq më shumë në trajtimin e kësaj psikologjie.
Theksi i Kadaresë për heronjtë e tij nuk është thjesht një shërbim krijues vartës, derivues, diktues, apo konservator, por një lidhje vartëse me rolin e tyre në histori dhe shoqëri, në bazë të agravimeve të tyre, aspekteve medituese që mbartin, vetëmohimit dhe vetëkontrollit. Në thelb, këto ndahen mjeshtërisht në këtë pikë nga kodet e tjera krijuese të asaj kohe, nga mjaft stile të shkrimtarëve të asaj kohe, sidomos nga krijime të asaj kohe të prura nga shkrimtarë me emër si Dritëro Agolli dhe Dhimiter Xhuvani. Por, heroi i tij është disi i urtë në romanin e tij dhe karakteristika e heroit të tij ose sfidat që përcjell heroi apo heroina e romaneve të tij, është disi paralele me një kategori tjetër të shkrimtarëve të 1970-ës të përfaqësuar nga reformatorë të tillë si Kasem Trebeshina, Mehmet Myftiu, Trifon Xhagjika, Frederik Rreshpja, dhe të tjerë, që këmbëngulnin për të menduar në mënyrë të pavarur.
Kadare mbajti disi me stilin e tij të kyçur kodin e mendimit të pavarur. Ai mbijetoi me këtë 'aventurë' që i mundësoi edhe një pasaportë të sigurtë në njohjen ndërkombëtare. Kjo njohje erdhi në kushte dhe rethana të ndryshme, për të cilat është thënë e shprehur mendimi disaplanësh e disa debate janë hedhur për lexuesin. Për të mos e lodhur lexuesin tim me këtë strukturë të ngjeshur debati, preferoj të jap version që Luan Rama ka paraqitur në disa shkrime të tij. Janë mendime dhe fakte që lidhen me lidhjen dhe kapërcimin e stilit Kadare në një hapësirë më të gjerë. Më vonë në fakt, kjo është një interpretim ndryshe në lidhje me tematikën e avancimit të mendimit të pavarur. Në një shkrim të këtij studiuesi kuptohet se kjo përzemërsi e huaj për Kadarenë është e hapur. Ja se si shkruan ai: "Të paktë janë letrarët e mëdhenj që kanë hyrë në thellësi të jetës së Dyran. Këta janë Kadare, Garcia Markez dhe Solzhenicin. Tri shkrimtarë të natyrave të ndryshme, dy "nobël" dhe një pretendent prej kaq vitesh; një i "realizmit magjik" të Amerikës Latine, tjetri disident i shquar i botës staliniste dhe denoncues i gulagut totalitar, i treti shqiptar, ballkanas, me një krijimtari tronditëse, ku mithet e legjendat, bëmat e rapsodëve dhe dramat tragjike kombëtare, janë aureola e tij. Në shkrimet e tij, herë pas here Kadareja flet dhe për Dyran, veçanërisht në udhëtimet e tij në Paris, shkuarje e ardhje mjaft të tendosura e plot mister, i ndjekur gjithnjë nga dyshimet se dikush po e përgjonte gjer në thellësi të qenies së tij, atmosferë që e gjejmë mjaft mirë në romanin e tij "L'Ombre" (Hija)".
Në këtë trajtesë është me vend të citohet edhe një gjetje nën pseudonimin "Xha-Xhai" që duket disi interesante dhe ndihmon pak a shumë në disa drejtime për të fokusuar më qartë rrjedhën Kadare në mesin e viteve 1960-të-1970 kur romani i tij nisi të bëjë emër, por edhe aspektin e 'përzemërsisë së huaj për Kadarenë". "Xha-Xhai" shkruan: "Kadarenë shkrimtar e idolizuan intelektualët shqiptarë të viteve 1970-1980, ose të gjithë ata që e ndjenin veten si "më të mirë" sesa kasta e pushtetarëve, ose profesionistët e dhunës totalitare në Shqipëri; pa qenë doemos kundërshtarë të regjimit vetë, as adhurues të Perëndimit dhe të Europës. Ky idolizim, i cili nuk kishte lidhje me suksesin e Kadaresë në Francë e gjetiu ku ishte përkthyer, ishte efekt anësor i tensionit të përftuar, në mendjet e intelektualëve, prej po atij Ketman-i që, pas gjasë, e kishte ndihmuar Kadarenë vetë të krijonte kryevepra". ("Xha-Xhai", online). Më tutje, sqarimi vjen disi më analitik, por pak kontradiktor me vetë faktin e cituar: "Paradoksalisht, lexuesi më normal i veprës së Kadaresë ekziston sot në Perëndim; sepse brezat e rinj në Shqipëri janë shurdhuar prej përvetësimit që i është bërë shkrimtarit nga propaganda trashamane kombëtariste dhe lajkatarët gjithfarësh; ndërsa brezat më të vjetër kanë mbetur të ngecur brenda asaj vepre, dhe e kanë të vështirë të përjashtësohen. (Po aty) Duke u ndalur tek "Liria e lexuesit" autorshkruesi i këtyre radhëve thekson më tej: "Pavarësisht nga spekulimet e mësipërme, ndryshimi madje hendeku që ndan veprën letrare të Kadaresë të pas 1990-ës, me veprën e periudhës "klasike", të viteve 1965-1985, nuk është çështje përshtypjeje; madje mund të qëmtohet në mënyrë objektive. Krahasimi i prozës nxjerr në dukje një dobësim të theksuar të karakterizimeve dhe të ligjëratës së drejtë; fjalitë janë bërë më të shkurtra, ritmi i frazës është thjeshtuar, dhe një mani e çuditshme për të promovuar neologjizma në emër të pastrimit të gjuhës (p.sh. qiellzanë për "tavan") e largon vëmendjen nga loja e tekstit me kuptimin dhe ia prish efektin estetik fjalës. Gjithashtu, përshkrimet kanë ardhur duke e humbur sugjestivitetin pamor; dhe e ashtuquajtura mise en abîme, ose rrëfimi brenda rrëfimit, mungon ose nuk e ka zhdërvjelltësinë e dikurshme. Vende-vende të duket sikur shkrimtari lodhet e sfilitet për të fryrë një kamerdare tashmë të shpuar".
Dekraktorët dhe 'harresa' e krijuesit
Duhet thënë hapur se, kritika dhe analiza për krijimtarinë shqiptare sot nuk është ende në fokus, e në këtë rast edhe kritika dhe analizat për krijimtarinë e Kadaresë nuk bëjnë përjashtim. Kjo nuk do të thotë se nuk është në fokus për faj të kritikëve, analistëve apo disa intervistave të krijuesve që 'mallkojnë' [mos]ekzistëncën. Është një lloj inercie nga e shkuara. Është kjo inerci që na tundon e na mundon deri në deje me sinorin e 'Lirisë së Fjalës'. Sa mirë ne komunikojmë me njëri-tjetrin me lirinë personale të shprehjes së mendimit kur e dimë se 'frika' apo 'fjala' nuk përbën rrezik. Flasim intelektualçe. Kur duhet të themi atë që ndjejmë, hezitojmë. Degjenerohet fjala. Ikën ajo që duhet, dhe natyrshëm...., pastaj mungon kritika?! Mungon edhe arti. "Arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut" shkruante që në vitin 1944, Dhimitër Pasko, në shkrimin e tij kritik "Poetë dhe Dekraktorë" të botuar tek "Revista Letrare", Tiranë, 1944, më 15 Prill në faqet 1-4. Duke lexuar Paskon ne kuptojmë se, "dektraktorët shkojnë me pathos-in e tyre, krijuesit mbeten" (Pasko, po aty). Pikërisht këtu nis edhe 'dyluftimi' i heshtur dhe shpërfillës, këtu lind edhe mosbesimi për kritikën dhe kritikët e djeshëm, të sotëm e ndoshta edhe të ardhshëm aq të domosdoshëm për mjedisin e madh krijues shqiptar. Lind mosbesimi për ta se ata bëhen 'dekraktorë' me mision. Nuk është se një palë kritikuan dhe analizuan krijuesit e tjerë dhe një palë vetëm veprën e Kadaresë. Është thuajse një grup kritikësh, thuajse e njëjta dorë. Askush nuk e ka ende në thelb metodën, me të cilën duhet të ndërtojë fjalën që do të shërbejë si bazament për të ardhmen. Kritika psikoanalitike, kjo në fazat e para të saj në mesin e krijimtarisë shqiptare, duket si një vijë e gjatë akademike në fushën e begatë me prurje të vazhdueshme e të mrekullueshme krijuese në ditët që ajo ka marrë përsipër të trajtojë një vepër letrare. Dhe kur fjala vjen për kritikën psikoanalitike, s'duhet të harrojmë meshën e saj të fuqishme në Francën e kulturës dhe të letrave, pikërisht aty ku edhe vepra e Kadaresë gjeti vend të trajtohej pas viteve 1990-të. Ajo ndryshe nga kritika shqiptare që ende përpëlitet në një shtrat të çuditshëm, madje edhe krejt ndryshe nga kritika anglishtshkruese [Amerikë dhe Britani] paraqet dhe mbizotëron një farë opinioni të fokusuar në traditën e culture dé France. Por edhe pse duket disi e 'çliruar' nga risi të tjera anësore, ajo prapë nga vjen dhe si shkruhet tregohet si një pjesëtim i tipit modernist dhe akademik. Ndërsam kjo ndodh në përgjithësi, në trajtimin e veprës së Kadaresë ngjan si një risi e trajtimit ndryshe, pasi sfidon shumë diletantizma të shfaqura në mediat shqiptare që krahasimi dhe shprehitë vijnë nga superfica të fryra dhe emocionale. Dhe ndërsa kjo ndodh s'duhet të harrojmë faktin e mirëthënë, se çdo kohë ka patur, ka dhe do të ketë figurat e saj krijuese. Natyrshëm ka baticat dhe zbaticat e veta, por kur nuk mund të merren 'figura' të kohërave të tjera të vihen si 'figurina' të kohërave ku jetojnë dhe lëvrojnë mjaft figura. Kjo tentativë është e dëmshme. Është vdekjeprurëse, është laku që i vihet së ardhmes. Këtu fshihet dhe lind i trembur edhe konteksti i 'Lirisë së Fjalës', i vrarë pa lindur. Pra, janë kohërat që kanë prodhuar, prodhojnë e do të prodhojnë emra dhe krijues, nuk janë arkivat, nuk janë qeveritë, partitë, kryeministrat apo presidentët. Kohërat mbahen mend nga veprat më së shumti. Studiuesi akademik dhe esteti shqiptar, Alfred Uçi shprehet:
"Ekziston një trashëgimi kolosale shkrimtarësh e shkencëtarësh të vendit tonë të kohëve të ndryshme, që nuk është mbledhur e sistemuar, që nuk gjendet e nuk ruhet nga arkivat shtetërore dhe arkivat përkatëse. Se ç'vlera të jashtëzakonshme gjenden në këtë trashëgimi, e tregojnë disa fakte që dua t'i përmend..." (Uçi, "Koha Jonë, 12 Prill 2004 fq.14)
Kjo na çon tek një fakt interesant. Na shpie edhe tek nevoja e shikimit të krijimtarisë në një rrugë të plotë, të gjatë, komplekse dhe me praninë e gjithë vlerave krijuese, jo shikim specifik, 'i dedikuar', 'i veçantë' me motivime interesi dhe kult primitiv. Natyrshëm gjithkush ka vlerat e tij. Gjithkush duhet trajtuar me të mirat e të këqijat e tij. Tamam si një konkurs i hapur. Tamam si një hapësirë për shprehjen e Lirisë së Fjalës. Duke e parë Kadarenë 'të seleksionuar', natyrshëm të krijohet edhe idea se gabimi më i madh mbetet tek 'harresa' me detyrim e vlerave për të cilat Uçi shtron me të drejtë. Vetëm një kritikë e plotë, historike, e kompletuar dhe bashkëkohore, komprehensive ka për qëllim të realizojë misionin e bukur e të ndalojë në stacionin e dëshirës dhe idesë së autorit dhe të plotësojë kursin e imagjinatës së veprës në hapësirën e lexuesit. Le të marrim si shembull pikasjen e Jup Kastratit. Ai shprehet në një nga studimet e tij se, 'mungon katalogu i përgjithshëm i librave shqipe' dhe me mungesën e tillë thotë ai, 'bëhen edhe gabime' (Kastrati, "Revista Letrare", Pjesa e parë, Tiranë, 1944, nr. 11, 15 Korrik, faqe 6-7)
Duke ndërtuar metoda që theksojnë veçorinë në romanin e Kadaresë, për të përfshirë të gjithë mendimet e kritikëve, analistëve, kolegëve, si të mendimit majtas ashtu edhe të mendimit djathtas, në pak a shumë proporcione të barabarta, ky studim paraqet për herë të parë këndvështrim për veprën e Kadaresë nga një kënd i pavarur. Qartësisht faktet, ndodhitë, rrjedhat historike rezultojnë se janë trajtuar nga kritikët e krahut të majtë si empirike dhe pozitiviste në shumë trajtesa që bëhen për hir të sfondit. Kjo ndodh vetëm para 1990-ës. Pas kësaj periudhe shohim një rrugë tjetër. Dhe kështu shumë lehtë kuptohet se kjo kategori kritikësh janë më së shumti jo-marksistë të krahëve të ndryshëm, por që diktohen lehtë për qëllimet e tyre ideologjike për të bërë kritikë. Sigurisht, diktohen lehtë se modelet e kritikës së tyre janë një modë që vjen nga vazhdimësia e traditës së sensacionalizmit, edhe pse në çështjet e ngritura, kritikat dhe moria e analizave të dy dekadave 1960-'80 ata paralajmërohen me rrezikun e ardhur nga sensacionalizmi. Pra, kjo përshtatet dhe konfirmon me Marksizmin në thelb për të deklaruar, se romani i Kadaresë është përzier nga 'fenomeni i materialit', që nënkupton shmangjen e detyruar nga "Revolucioni, ndërtimi dhe mirëqenia socialiste ose komodifikimi i tipit enverist të mbështetjes në forcat e veta".


Pse Ramiz Alia nuk i pranoi sugjerimet e Kadaresë?
Fatmir Terziu
Nuk është aspak e rastësishme që shkrimtari Ismail Kadare ka tërhequr vëmendjen e të huajve me temat e tij rreth botës shqiptare. Prej kohësh, mjaft nga lexuesit e huaj kanë pohuar se e kanë njohur Shqipërinë, ose u është rritur interesi për ta vizituar dhe për ta parë së afërmi, pasi kanë lexuar një a disa vepra të shkrimtarit shqiptar. Por, ndërsa të huajt e kanë njohur identitetin shqiptar nga veprat e Kadaresë, zërat e ndryshëm kritikë shqiptarë kanë thënë ose s'kanë konsumuar aspak në lidhje me këtë pikë. Një njohës i qetë dhe i domosdoshëm është shkrimtari, Naum Prifti. Tema ime e doktoraturës, pranë Universitetit të Londrës, Sowth Bank (London South Bank University) lidhur me memorjen kulturore dhe identitetin etnik në prozën dhe poezinë e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, natyrshëm nuk do të ishte një lëvrim i gjerë i saj, as edhe një zhvillim shkencor, nëse në të nuk do të ishte edhe mendimi dhe vlerat që përcjell një penë e një kalibri të tillë, siç është shkrimtari Naum Prifti.
Ai shprehet se e ka njohur Kadarenë në një jetë normale, por edhe në një kohë dhe hapësirë disi tejet ridimensionuese dhe kontradiktore. "E kam njohur Ismail Kadarenë qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, dhe shoqëria jonë ka vazhduar gjatë, aq sa u ka rezistuar viteve, sa edhe sot nuk është vyshkur. Ngjau që ne e filluam krijimtarinë letrare në të njëjtën dekadë, në fillim të viteve '50. Rastësisht, apo për koincidencë, kontigjenti që hyri në letërsi në këto vite pati ndikim e la gjurmë të forta në letërsinë e re shqiptare".
Ishte kjo kohë kur debutuan në fushën e poezisë Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu, dhe në prozë Jakov Xoxa, Naum Prifti, Dhimitër Xhuvani, Sotir Andoni. Krijimtaria e tyre pati ndikim të gjerë tek lexuesit, u pëlqye sidomos për pasqyrimin e realitetit nga këndvështrime të reja, duke e pasuruar traditën e duke e ngritur në nivel më të lartë krijimtarinë artistike.
Lidhur me këtë, ne i adresuam disa pyetje shkrimtarit Prifti dhe ai me një dashuri akademike, një profesor i shquar i letrave shqipe, na afroi këtë material me vlera të padiskutueshme kulturore.
-Profesor Prifti, si mund të përkufizohet Kadare qartësisht, duke qenë një hulumtues didakt i progresit linguistik në këmbim të së vjetrës me progresiven dhe të domosdoshmen në literaturë, në vitet e hershme të njohjes suaj?
Më kujtohet se, në ato vite shpesh Ismail Kadare na pyeste shoqërisht se si mund të përktheheshin në gjuhë të huaj, (frëngjisht, anglisht, rusisht,) disa fjalë të huajtura nga turqishtja e arabishtja që ishin ngulur në gjuhën tonë dhe shprehnin kuptime të mirëfillta të sferave emocionale sikurse hallall, harram, terjaqi, jaran, ashari, sherret, ibret, mysybet, etj. Këto fjalë ishin krejt popullore e të kuptueshme për shqiptarët e të gjithave moshave, ndërsa të vështira për t'u përkthyer në gjuhë të huaj, mbasi shpesh i largoheshin kuptimit të mirëfilltë. Harram, nuk është thjesht forbidden, (jo e lejuar, e ndaluar), por ngërthen kuptim më specifik në normat e jetesës, sipas botëkuptimit fetar. Fjala turqisht taze, ka kuptimin e mirëfilltë "e freskët" kryesisht për perimet, por ajo njëkohësisht përdoret edhe për nocionin "e ngrohtë", e sapo dalë nga furra, si për shembull bukë e ngrohtë, simite, qahije. Këto diskutime nisën si lojë midis nesh dhe na shërbenin kryesisht për humor.
-Ku ndikoi kjo vlerë e Kadaresë në prozën shqiptare dhe si mund ta lexojmë ndryshe atë?
Duhet thënë se, Ismail Kadareja në prozë, ndryshe nga gjithë shkrimtarët e tjerë, të moshuar e të rinj, u përqendrua ta shihte e ta vizatonte Shqipërinë me tiparet e saj më të qenësishme, me ngjarje mbresëlënëse e tronditëse nga e kaluara e largët dhe e afërt. Këto tipare origjinale u dukën qysh në vëllimin e tij të parë me tregime "Qyteti i Gurtë" kushtuar vendlindjes, Gjirokastrës. Atje, ai pikturoi jetën e qytetit provincial, me tipare psiko-fizike origjinale, më saktë ashtu siç e kishte njohur. Qyteti është sa iluziv, aq dhe i vërtetë. Nuk ka qytet tjetër në Ballkan aq të pjerrët sa Gjirokastra. Ismaili në kujtimet e tij në Institutin Gorki tëi Moskës pohon se, kur u tregonte shokëve të vet letrarë se qyteti i vendlindjes ishte aq i pjerrët, sa po të qëllonte "të shkisje nga rruga aksidentalisht, kishte të ngjarë të bije mbi çatinë e ndonjë shtëpie", ata nuk e besonin. Thënia u dukej figurative, e ekzagjeruar, jo e besueshme, po për Gjirokastrën qe reale dhe jetësore. Gjirokastra është një perlë për piktorët e të gjitha drejtimeve, e njëkohësisht qytet torturues për vendesit me rrugët e pjerrta, rrëpira me kalldrëm, ngjitje e zbritje të pasosura që të këputin gjunjët e këmbët. Asnjë fotograf s'ka arritur të japë panoramën tërësore të Gjirokastrës, sepse nga çdo pikë shikimi, një pjesë e qytetit fshihet në faqet e përrenjve. Shtëpitë janë trekatëshe, ndërsa në të vërtetë vetëm kati i sipërm shërben për banesë, dy të tjerat janë bodrume, ose hajate. Tjetër veçanti. Qyteti s'kishte rrjet ujësjellësi, as puse me kovë a pompa me dorëz, por përdorte sistemin origjinal të "sterave", depo të posaçme përfund shtëpisë që mblidhnin ujët e shiut. Kalaja e Gjirokastrës disa shekullore, e vendosur në krye të kodrës ngjet me një vapor madhështor që ka ngelur në cektinë. Ajo i jep qytetit një pamje sa madhështore, aq dhe hijerëndë.
-Poezia e Kadaresë nisi me çmime, por a qëndron fakti i zërave të kritikës për interpretime politike?
Për poemën "Përse mendohen këto male" (1964) Kadareja fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar e po ashtu u nderua edhe me Çmimin e Republikës, nderi më i madh për veprat artistike letrare, pikturat e skulpturat dhe studimet shkencore. Ngjarja më e bujshme qe se e mori në telefon dhe e uroi vetë Zeusi shqiptar, Enver Hoxha. Kjo ishte e vetmja herë që ai uronte një autor personalisht. Një vit më parë, ai kishte kritikuar ashpër dramën time "Rrethimi i Bardhë", të cilin e kishte parë në Teatrin "A.Z. Çajupi" në Korçë. Ai e damkosi veprën me gabime, sepse e interpretoi sikur ajo përmbante sulme ndaj politikës së partisë kundrejt klasës punëtore, sikur ata nuk çanin kokë për fatin e tyre të bllokuar mes dëborës në veri të vendit. Drama u ndalua dhe autori u vu në shënjestër të kritikave për disa vjet. Njëherë gjatë shëtitjeve tona shoqërore të mbrëmjes në rrugët e Tiranës, ndërsa ishim në Sheshin "Skënderbej", Ismaili tha: "Sikur Naumi dhe unë të vdisnim sot, unë do të vdisja në kulmin e lavdisë, ndërsa Naumi në kulmin e shpërfilljes dhe kritikave". I mbaj këto fjalë, sepse shprehnin pikëpamjen e sinqertë për kohën, edhe pse në fushën e tregimit isha bërë i njohur, pas botimit të vëllimit "Çezma e Floririt". (1960).
-Romani i parë i Kadaresë ka ngjallur polemika të forta në atë kohë, a kishte diçka lidhje me identitetin shqiptar apo ishte thjesht nyja konverguese me stilin tipik Kadarean?
Romani i parë i Kadaresë "Dasma", ngjalli polemika të forta, për shkak të largimit nga rruga e njohur deskriptive e ngjarjeve. Ai u përpoq ta trajtonte realitetin në mënyrë krejt të re, me personazhe emblematikë, si "njeriu me lungë", masje edhe Katrina, protagonistja pikturohet pa botë të brendshme. Gjithsesi, romani dëshmonte përpjekjet serioze të autorit për të thyer kornizat konvencionale e tradicionale të prozës shqipe. Kujtoj nervozizmin e autorit A.A. tregimtar dhe romancier, i cilësuar nga Kadareja si shkrimtari më skematik që kërkonte me zë të lartë nga ne shkrimtarët, hartimin e një relacioni ku të protestonim kundër veprës, duke e anatemuar si rrugë e gabuar. Për fat të mirë asnjë autor nuk e pasoi, sepse s'kishte kuptim t'i diktoje autorit si duhej shkruar.
-A ndikonte ky stil në jetën e shkrimtarit?
Kadareja nuk e ka patur jetën të lehtë dhe do të ishte gabim sikur rruga e tij letrare të paraqitej e shtruar me dafina. Kohë pas kohe kundër tij kanë shpërthyer kritika të forta si nga dogmatikët, ashtu dhe nga ambiciozët, sidomos të atyre që u dukej sikur ai i kishte eklipsuar e pa atë do të shkëlqenin. Ndërkohë, Kadareja kishte nisur të shfaqte interes për shkrimtarët botërorë të anatemuar nga realizmi socialist, duke filluar që nga Franc Kafka, Kamusi, Ionescu, Celini, etj. Ai e ndjeu shpejt se, rusishtja ia kufizonte njohjen, prandaj iu fut mësimit të anglishtes në mënyrë autodidakte. Si rezultat qe përkthimi i novelës "Plaku dhe deti" të E. Hemingway, e cila u prit mirë nga lexuesit. Besoj se, pasi lexoi Kafkën, ai botoi tregimin "Përbindëshi" që ngjalli aq diskutime e kritika nga rrethet letrare dhe nga zyrtarët. Mbaj mend një mbledhje në sallën e madhe të klubit të shkrimtarëve gjatë viteve '70. Atje iu turrën me ashpërsi, "shkrimtarët" e veshur me uniformë, të cilët si ushtarakë besonin se ishin kompetentë për mjetet luftarake, si mina e gjendur në det. Ismaili u fye nga kritikat e tyre që kalonin caqet letrare. Me buzët, që i dridheshin nga inati, kërkoi menjëherë nga kryetari (D. Agolli) që kritikuesit e tij t'i kërkonin falje për sulmet e tyre politike që kërkonin ndalimin e veprës dhe kryqëzimin e autorit. Kryetari gjeti një farë kompromisi, duke i cilësuar kritikat interpretime të ekzagjeruara, por mbledhja u mbyll në një atmosferë të thartuar.
-Ku duhet dalluar Kadare nga shkrimtari Kadare, përpos zërave kritikë të kohës?
Sot, shpesh përmendin dhe e akuzojnë Kadarenë se qe njeri me pozitë gjatë kohës së diktaturës si nënkryetar i Frontit Demokratik. Kjo nuk qe kurrfarë pozite në hierarkinë e Partisë, por një lloj nderimi sipas stilit komunist për t'i marrë me të mirë disa persona, për t'u treguar se i nderonin. Organizata e Frontit, në këtë kohë e kryesuar nga Nexhmije Hoxha, e shoqja e diktatorit, qe një kufomë politike, e cila nuk luante më asnjë rol. Përpjekja për ta ringjallur për të arritur unitetin popullor, ishte tejkaluar dhe siluruar nga Partia e Punës, me dënimet, burgosjet dhe internimet e mijëra familjeve anembanë vendit. Pozita e vetme e Ismail Kadaresë qe emërimi kryeredaktor i revistës "Lettres Albanaise", që botohej frëngjisht. Kadareja qe i zoti që vendoste e përzgjidhte pjesët nga letërsia shqipe, prozë e poezi, dhe shijet e tij ndikuan që të servireshin krijimet më të arrira të çdo kohe.
-A mund të konsiderohet shkrimtari Kadare thjesht si 'një ish-anëtar i PPSH-së?
Ismail Kadareja ka qenë anëtar i PPSH, por pohoj me bindje se, nuk qe ai që përqafoi idetë komuniste, as nuk u bë ithtar i tyre. Atë e kooptuan, i vunë gishtin që ta futnin në radhët e PPSH, se ndjenin nevojë të kishin edhe intelektualë të dëgjuar në radhët e tyre, prandaj ngarkuan me mision sekretarin e organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Ibrahim Uruçin. Ai e mbante afër, e këshillonte, e udhëzonte, dhe Ismaili bënte sikur e dëgjonte, duke ruajtur gjithmonë mendimet e tij. Ka një fakt që, tregon për mendimet politike të Kadaresë ndaj udhëheqjes sonë, e personalisht ndaj Enver Hoxhës. Ismailin e dërguan anëtar delegacioni të Rinisë Shqiptare, në Finlandë, ku po mbahej Kongresi Botëror i Rinisë, me nxitjen dhe përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, që i stimulonte këto tubime për të zgjeruar ndikimin e tij. Kur delegacioni shqiptar po kalonte para tribunës, për forcë zakoni apo zelli politik, filloi të skadonte parrullën më të njohur të kohës, "Parti-Enver-Jemi gati kurdoherë!" Ismail Kadareja tok me Drago Siliqin e transformuan në thirrje proteste, duke bërtitur: "Parti-Enver/Kemi frikë se na ther!" Të thoshe diçka të tillë publikisht para tribunes në Helsinki, qe kuturisje e madhe, në mos çmenduri, sepse në delegacion kishte sigurimsa. Ky skandal erdhi në Shqipëri pas mbylljes së Kongresit, madje u bë i njohur si anekdotë, po u pa e arsyeshme të kalohej heshturazi. Duhet të ketë qenë mesi i viteve '60 kur u mbajt Kongresi Botëror i Rinisë në kryeqytetin finlandez.
-Si ndikoi 'leksioni Kadarean' tek një shkrimtar si ju që ecët në rrugë të njëjtë edukimi dhe vlerash të memories kulturore dhe identitetit etnik me të?
Në kohën që unë po gatitesha të shkoja për studime në Institutin Gorki në Moskë, Ismail Kadareja sapo qe kthyer nga kursi special dy vjeçar për shkrimtarë, me kolegë nga Europa Lindore dhe nga republikat e B.S. Konditat e tyre ishin shumë të favorshme, se ata kishin trajtim special, bursë të lartë, dhe favore të tjera. Në Moskë, ai botoi një përmbledhje me poezi të përkthyera, duke e ndryshuar paksa emrin nga Ismail në Smile Kadare, që të mos tingëllonte si islamik. Ai e urrente regjimin e Bashkimit Sovjetik për sistemin policor. Më porositi të ruhesha nga studentet ruse, të cilat ua vinin shqiptarëve për t'i ndihmuar të mësonin gjuhën, por edhe për të investiguar pikëpamjet e tyre politike. "Janë të gjitha spiune, agjente të KGB", më tha Ismaili, pa më të voglin hezitim, "prandaj ruaju prej tyre!". Të thoshe këtë gjë në vitin 1962, qe kuturisje e madhe. Në fakt, nuk munda të vija në Moskë, se bursën ma prenë për shkak të acarimit të marrëdhënieve politike me Bashkimin Sovjetik. Për një farë kohe, ne u gëzuam që shpëtuam nga tutela ruse në çdo fushë të jetës, pa e ditur se do të binim në prehërin e skematizmit të skajshëm kinez. Mjafton të sjell se kinezët nuk gjetën asnjë vepër letrare të denjë për ta botuar në gjuhën e tyre, se të gjitha krijimet tona të rekomanduara e të përkthyera nuk i shkonin për shtat skematizmit të tyre të skajshëm, prandaj i skartonin si të pabotueshme.
-Pse Ismail Kadare shfaqi interes për veprat e ekzistencialistëve francezë?
Më pas, Ismaili filloi të interesohej për veprat e ekzistencialistëve francezë. Ai më kërkoi t'i jepja romanin "I huaji" dhe "Mortaja" të Camus,-it dhe autorë të tjerë. Filloi të mësonte frëngjisht me ndihmën e Jusuf Vrionit, përkthyesit të talentuar nga shqipja në frëngjisht, të cilin francezët e nderuan me çmim honorifik të lartë. Ndërkohë, u botua romani "Dimri i vetmisë së madhe", titull që u ndryshua më vonë se udhëheqja komuniste shqiptare nuk pranonte kurrsesi që ishte e vetme. Përkrah saj ishin "marksistët-leninistët e vërtetë" dhe revolucionarët e gjithë botës, një eufemizmë partiake e burokracisë shqiptare, se shpejt e treguan veten si aventurierë politikë. Pas botimit nisi orteku i kritikave të rrepta kundër romanit, edhe pse në qendër të tij ishte figura e udhëheqësit shqiptar. Më kujtohet një bisedë me Ismailin gjatë rrugës së Dibrës, drejt shtëpisë sime. Ismaili më tha se sinqerisht nuk e kuptonte ashpërsinë e kritikave me shkrim e ca më shumë me gojë nga kritikë e persona me emër. I thashë mendimin tim: Keni pohuar disa të vërteta të hidhura në roman, me personazhin e Sotiraqit, (nëpunës në Ministrinë e Brendshme) që gjen kënaqësi, duke mbushur dosjet e qytetarëve me gabime politike". Ajo figurë zemëroi gjithë punonjësit e sigurimit dhe besoj se prej tyre nxiteshin kritikat për romanin. Ismaili u rrezikua jo vetëm t'i hiqnin romanin nga qarkullimi, por edhe ta internonin si armik të pushtetit. Enver Hoxha i zgjati kamerdaren e shpëtimit në fjalimin e tij në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Ai tha se, besonte se autori do ta ripunonte e do ta përmirësonte, duke patur parasysh vërejtjet. Kaq u desh që orteku i furishëm të ndërpritej dhe autori të vazhdonte i qetë punën. Autori bëri disa rregullime të pjesshme, po romani mbeti po ai që ishte në thelbin e tij.
-Po Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", pse e sorollati Kadarenë?
Romani "Koncert në fund të dimrit" edhe pse ka kapituj shumë të bukura, ngjan paksa i shtrirë. Për botimin e këtij romani, Kadareja vuajti shumë. Disa vite me radhë Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", e sorollati me vërejtje pas vërejtjesh, deri sa më në fund u bë një mbledhje e posaçme në selinë e Komitetit Qendror me të ashtuquajtur ekspertë të letërsisë, kritikë dhe aparatçikë. Ata i kërkuan me këmbëngulje që në qendër të vinte shokun Enver, që përmendej vetëm shkarazi, kurse Ismaili u mbrojt, duke thënë se atë figurë e kishte epuizuar te "Dimri i Vetmisë së Madhe" dhe nuk do të ishte e denjë ta përsëriste. Argumentin e tij e pranuan dhe romani u botua pas dy vitesh me disa ndryshime që pranoi autori.
-Cila vepër e bëri shkrimtarin Kadare me nivel të bujshëm?
Vepra me të cilin Kadareja pati sukses të bujshëm në shumë shtete të Europës, qe romani "Gjenerali i ushtrise së vdekur", baza e të cilit qe një ngjarje e vërtetë, kthimi i eshtrave të ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri. Te ky roman gjeti zhvillim pikëpamja e tij për ta pasqyruar Shqipërinë me sytë dhe ndjenjat e të huajve, po aty ndërkohë jepen edhe mjaft pasazhe realiste e tronditëse nga ndërthurja midis dy kohëve. Kjo vepër pati sukses edhe si dramë, ndërsa si film nuk pati sukses, edhe pse merrnin pjesë aktorë me famë botërore si Mishel Pikoli dhe Mastrojani. Arsyeja, qe këndi i gabuar i vështrimit, se ata tragjedinë e trajtuan si komedi-satirë.
-Si e konsideroni romanin "Prilli i thyer"?
Kadareja e shtriu më gjërë vizatimin e botës shqiptare me syrin te romani "Prilli i thyer". Aty ai gjeti fushë për të parashtruar pikëpamjet e tij për gjakmarrjen, plagën shoqërore më të rëndë, që për fat të keq u ringjall dhe po vazhdon ende. Tek-tuk ndonjë pasaktësi interpretimi të fakteve, nuk ia cënon aspak vlerat, çka e tregon interesi që ngjalli kudo në botë. Hakmarrja dhe gjakmarrja rezistuan pak më gjatë në Italinë e Jugut dhe në Korsikë, por edhe atje u shuan qysh në mesin e shek. XVII. Përmendim se një shoqëri braziliane kinetamatografike e gjeti romanin të përshtashëm për një film artistik me atë subjekt, por në kushte e rrethana të tjera. Ndihet qartë ndikimi i Kadaresë në mbarë botën letrare të kontinenteve të tjerë. Shqipëria falë veprave në prozë të Kadaresë, më romanet që përmendëm dhe me të tjerat që ai botoi në vitet e fundit, pushtoi hapësira të reja në mbarë botën. Një vend nderi në galaktikën krijuese të Kadaresë zënë novelat dhe tregimet me subjekte nga koha Bizantino-Osmane. Aty, Kadareja me zgjuarësinë e tij gjeniale shpalosi subjekte nga realiteti komunist shqiptar, aludimet e të cilave kuptoheshin qartë nga çdo lexues i vëmendshëm. Te "Pallati i Endrrave" ndihet kënaqësia e autorit që po ia kalonte ujët nën rrogoz censurës së rreptë të partisë.
-A ekziston një urë ndarëse mes Kadaresë së paraarratisjes në Francë, me Kadarenë e viteve që njohët ju?
Arratisja e Kadaresë në Francë qe shuplaka më e papritur dhe më tronditëse që shkrimtari i dha regjimit komunist të Ramiz Alisë, që zëvendësoi Enver Hoxhën. Qëkur ai u betua se do të vazhdonte besnikërisht rrugën e diktatorit, la të kuptohej se pranoi të ishte hija e hijes. Të gjithë ata që prisnin një Gorbaçov të vogël, u zhgënjyen keq prej politikës së tij miope. Ka plot fakte që vërtetojnë këtë tezë. Në fund të viteve '80, ai thërriti në një mbledhje të posaçme të gjithë intelektualët, duke iu lutur t'i tregonin rrugën si t'i gënjente të huajt për pluralizmin, pa ndryshuar asgjë. Në atë mbledhje qe ftuar dhe I. Kadareja, por ai nuk pranoi të jepte asnjë sugjerim, duke u justifikuar se mendimet e tij ia kishte shfaqur Ramiz Alisë me letër. Ramiz Alia nuk i pranoi sugjerimet e Kadaresë. Ai mbeti një komsomolas i thekur që edhe tani vazhdon të gënjejë për të justifikuar prapambetjen e tij politike. Sapo mbledhja mbaroi dhe intelektualët po diskutonin jashtë midis tyre, Ismaili tha se Ramiz Alia i ngjan atij ustait që do t'i hedhë çati shtëpisë, pa hapur themele e pa ndërtuar mure. Ishte koha, kur Partia u orvat t'i ngrinte subjektet e krijuara prej saj si Organizatën e Rinisë, të Gruas, të Frontit, e Veteranëve, të ngriheshin në rangun e Partive, për të krijuar imazhin e pluralizmit politik. Vetëm Lidhja e Shkrimtarëve nuk pranoi të futej në këtë lojë naive dhe ky qe një grusht i papritur për partiakët e lartë. Duke kërkuar azil politik në Francë, Ismail Kadareja ia ktheu mbrapsht partisë të gjitha nderet, dekoratat, titujt, pozitat, gjithçka që i kishin akorduar. Zemërimi i tyre reflektohet te komunikata luftarake që u botua me atë rast te "Zëri i Popullit", më e turpshmja, më e poshtra që mund të hartohej, duke e akuzuar agjent, renegat, dhe epitete të tjera. Askush nuk parashikoi atëherë rolin e madh që do të luante Kadareja për atdheun e tij e sidomos për fitimin e pavarësisë së Kosovës.
-A është zë i veçantë shkrimtari Kadare në fushën e pasqyrimit të identitetit shqiptar?
Ismail Kadareja, më mirë se çdo shkrimtar tjetër bashkëshohës, shprehu identitetin shqiptar me bukuri artistike dhe vërtetësi historike. Ai sot është zëdhënësi më i fuqishëm dhe më me ndikim për mbrojtjen e aspiratave të çështjes kombëtare. Një autor si Ismail Kadareja nderon kombin që e ka lindur e rritur.


Home item

Më të lexuarat