Loading...

Gjithçka me asgjë!

DEMIR GJERGJI 


Poeti Ylli Xhaferri shfaqet para lexuesit me poezitë e tij me të mira të shkruara në vite
Nga një lexim, qoftë edhe rastësor i poezisë së Ylli Xhaferrit të krijohet ndjesia se po udhëton herë në një relief të thyer gri nga gurët e mbuluar me myshk të vjetër, ku papritur të zë mjegulla e ta terratis pamjen ose të  përfshin një dritë e çuditshme hëne, duke të çuar në botë të tjera, ose shpesh të zë një shi nëpër të cilin ke dëshirë të mos e ndalësh udhën, të luash, të qullesh, ose t’i zbardh pamjet bora që s’dihet nga vjen, akullin që s’dihet pse ka ngrirë. Është po ky lexim që të zbret pastaj në rrafshina shkretane, që nuk janë gjë tjetër veçse trishtimi njerëzor, që të ul buzë një lumi gjysmë të fshehur nëpër shelgjishte, që s’është gjë tjetër veçse bota jote shpirtërore gjysmënudo,  gjysmenigmë, përreth është fusha, fusha nën mu(z)g, fusha nën diell, nën erë, nën ngjyrat e stinëve, pastaj shfaqet papritur deti, tronditës në përmasa, i papërballueshëm në joshjet për aventura...Pastaj janë kohë të egra, kohë të shkreta, kohë pa orë, ditë javë, muaj vite, madje edhe shekuj, kohë gjëmimesh e vërshimesh, nëpër të cilat zemërohen, rebelohen, qetësohen, urrejnë, dashurojnë, besojnë, zhgënjehen, privohen, torturohen. Me një fjalë, ti udhëton emocionalisht në të gjithë vend-lindjen. Kjo vetëm në një lexim rastësor, emocional, por po të hyjmë më thellë, në një lexim krijues, me mëtimin për të zhbiruar përtej asaj që duket, në mjeshtërinë dhe talentin e poetit Ylli Xhaferri, gjejmë vlera të mirëfillta artistike, të cilat i shtohen arsenalit poetik shqiptar të këtyre viteve.Arkitektura e fjalës.
I ardhur nga një brez krijuesish, që kanë përjetuar dy sisteme politike, krejt të kundërt, Ylli Xhaferri, ashtu si mjaft nga bashkëkohësit e vet, çuditërisht ka ruajtur të pacënuar stilin e vet krijues. Poezitë e përmbledhura në këtë libër i përkasin një kohe të gjatë, që përputhet me pjesën me të madhe të jetës së autorit dhe, ajo që vërehet dhe vlerësohet tek ai, është besnikëria në stil dhe qëndrueshmëria në profilin e vet poetik. Pra, është e vështirë të dallosh një poezi të shkruar në paranëntëdhjetën nga një tjetër, e shkruar së fundmi. E para gjë që të bën përshtypje në krijimtarinë poetike të përmbledhur në këtë përmbledhje, është misioni që Ylli Xhaferri i ka ngarkuar fjalës si përcjellëse të mendimit e të ndjenjës. Kjo jo vetëm për faktin se në vargjet e poezive gjemë një numër të madh fjalëformimesh origjinale. I bindur se gjuha shqipe e ka të gjithë potencialin dhe mundësitë për të shprehur edhe mendimet më të thella e të fshehta, edhe emocionet me të komplikuara dhe ato më të forta, poeti e ngarkon fjalën me ngjyrime dhe misione, me funksione dhe atë muzikalitet për të qenë një urë e sigurt komunikimi me lexuesin.           
ajo që hesht në qoshk,
si gjerdan me fishekë të lagur,
është biblioteka,
por sonte do lexojmë trupat tanë.
Kjo është një nga strofat e njërës prej poezive më të bukura të këtij libri. Por me vargje e strofa, krahasime dhe metafora, metonimi e hiperbola është i mbushur plot kjo poezi. Falë kësaj, fjala në këtë penë poetike (në se kemi parasysh edhe prozën e Yllit, mund të themi të njëjtën gjë.) ka arkitekturën e vet e cila përcillet pastaj mjeshtërisht në ngrehinën e të gjitha krijimeve dhe të të gjithë librit. Rrallë e për mall në organizimin poetik të këtij poeti mund ta hasësh rimën, apo metrikën tradicionale në përgjithësi. Por kjo nuk do të thotë se kjo i kushton stilit dhe të këtij vjershërimi. Aspak do të thoshim. Arkitektura e fjalës përcjell kënaqësi estetike dhe emocion, mendim artistik dhe filozofik, përcjell gjendje dhe informacion njëherësh.
Ngjyrat
Falë asaj që thamë më lart, poezia e Ylli Xhaferrit, është, ndër të tjera, edhe tablo më vete. Pothuaj në të gjitha poezitë, edhe në ato, ku është e pranishme natyra, edhe në portretet, edhe në vargjet që përcjellin ndjenja dhe gjendje të ndryshme shpirtërore, është e pranishme ngjyra.  

bohçe e çjerrë e shpresës lë hijen
kufomë e pafjalë, pa qefin,
vesë e zezë nga shelgjet bie
kullon e akullon zemërim.

Në strofën e mësipërme hija e murrme, qefini i bardhë, vesa e zezë, shelgjet e gjelbër bashkojnë ngjyrat si në penelin e piktorit për të na dhënë një gri pikëlluese. Thuhet për shumë poetë, që nëse nuk do të kishin shkruar poezi, me siguri do të ishin bërë piktorë. Ylli është njëri prej tyre. Edhe shpirtin njerëzor, edhe qiellin me të gjitha pamjet, edhe tokën, me të gjitha stinët, edhe detin me të gjitha tronditjet, edhe kohën me të gjitha dramat, poeti i percepton, i koncepton dhe i përcjell si tablo me ngjyrat e duhura. Dhe kjo harmoni ngjyrash vjen e përthyhet në një lexim të vëmendshëm në emocion poetik.
Ndjenja
Në  çdo rast mund të themi se poezia e Ylli Xhaferrit nuk ka lindur si proces mekanik shkrimi. Ajo ka ardhur vrullshëm së brendshmi, si reagim ndaj “agresionit” të së  jashtmes. Fjala vjen, a mund të shkruhen prej një të lumturi, prej një të veluri me jetë vargje të tilla:

më bën të vuaj më tepër dashuria,
fytyrat e dashura si flutura të bardha,
në flakën e përkujdesjes më digjen,
e vuaj,
rënkoj,
dergjem,
kufomë dashurie.(?)

Vetëm përjetimi i krijuesit mund të sjellë një ligjërim të tillë artistik, një emocion që bëhet i gjithkujt. Dhe kjo ndodh atëherë kur prej një shpirti të sinqertë buron një krijim i sinqertë. E gjithë krijimtaria poetike e Ylli Xhaferrit rrezaton njeri, sinqeritet, mirësi, pasion, urrejtje ndaj prangave, rravgim për liri, forcë për dashuri. Këto ndjenja përcillen te lexuesi dhe si mesazhe, edhe si kënaqësi estetike që të jep një nivel i tillë krijimtarie, edhe si ndjenjë besimi tek forca e njeriut për ta pasur në dorë timoni e botës dhe të kohës, për ta bërë atë banesë dinjitoze të tij dhe kohën, moshë rinie të ekzistencës së vet.
Përsëri arkitektura...
Folëm në krye për arkitekturën e fjalës në këtë libër brenda poezisë. Por ajo do të mbetej në vetvete në se e gjithë krijimtaria e Ylli Xhaferrit, e zgjedhur nga botimet e mëparshme të tij, nuk do të ishte organizuar bukur dhe me mendim në këtë libër. Do të ishte njëlloj si vilat dhe ndërtimet me arkitekturë moderne, të cilat edhe nëse do të ishin pranë njëra-tjetrës, nuk do të mund të përbënin dot një qytet të bukur, nëse nuk do të jepnin e merren me njëra-tjetrën nëpërmjet sfondeve, dritareve, çative, ngjyrave,  portave... Kjo përkujdesje për organizim e materialit, i ka dhënë  librit një tjetër vlerë. Kështu ai vjen në duart e lexuesit i plotë, harmonik, domethënës duke e paraqitur autorin si njërën prej firmave të rëndësishme poetike shqiptare të këtyre viteve.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat