Loading...

Një rrëfim për gratë me ngjyrë



Kathryn Stockett


Është viti 1962, Jackson, Misisipi. Një qytet me 200 mijë banorë dhe një urë që ndan zonën e bardhë nga ajo e zeza. Përreth, plantacione pambuku, në të cilat punojnë të zinjtë. Gratë e racës së zezë janë punësuar në shtëpitë e të bardhëve, ku kryejnë disa shërbime: gatuajnë, pastrojnë dhe rrisin fëmijët e tyre duke u mësuar edhe rregullat e para të sjelljes. Këto gra u falin këtyre fëmijëve edukimin dhe përkujdesjen, të cilën vetë nënat e tyre shpesh nuk mundet t’ua japin për mungesë të kohës ose përqendrimit. Fëmijët i duan ato, u besojnë e herë i quajnë “mami”. Kur rriten, ata nuk janë më fëmijët e pafajshëm. Raportet e tyre ndaj të zinjve do të ndryshojnë për hir të interesave, e në të shumtën e rasteve për shkak të budallallëkut, paragjykimit dhe diskriminimit racial. Ndonjë prej tyre do të bëhet edhe personazh politik, madje nga ata të rëndësishmit. E shkuara nuk do ta pengojë aspak që të mbështesë e të votojë të gjitha ligjet që garantojnë një superioritet ndaj të zinjve. Janë vitet e luftës për të drejtat civile, e veprimeve të egra nga ana e bandave të Klus Klus Klanit, e shpresës kenediane, e luftës për emancipimin e grave, janë vitet e pilulës kontraceptive, e këngëve të para të Bob Dylan, por edhe vitet e luftës në Vietnam. Gjithçka më sipër është një rrëfim i shkrimtares amerikane Kathryn Stockett. “Ndihma”, romani i parë i saj, botuar edhe në shqip nga “Omsca-1”, është një kronikë e qartë e marrëdhënieve njerëzore të diktuara nga ngjyra e lëkurës. Në këmbim të këtyre përkujdesjeve, këto gra me ngjyrë merrnin paga të ulëta dhe jo rrallë ofendime e kërcënime se do të përfundonin në rrugë të madhe. Ligjet për ndarjen raciale i ndalonin të zinjtë të frekuentonin ambientet e të bardhëve: lokale, teatro, kinema, shkolla, biblioteka, spitale. Këto rregulla kishin plotfuqinë edhe brenda mureve të shtëpisë. Ishte menduar deri në detaje që këto dy raca njerëzore të dallonin qartazi: të zinjtë nuk mund të hanin në të njëjtën tavolinë, nuk mund të laheshin në të njëjtën banjë, nuk mund të ndërroheshin në të njëjtën dhomë... Këto kufij nuk duheshin kaluar kurrë. Duke qenë një roman dhe jo një ese mbi kushtet e grave të zeza në këto shtete, romani është një vepër që denoncon padrejtësitë. Nga ana tjetër, si vepra e parë e shkrimtares, është një akt mirënjohje ndaj Demetrie, gruas me ngjyrë të zezë që ka rritur vetë shkrimtaren. Këtë gjë e saktëson vet Kathryn Stockett në pasthënien e romanit, ku shpjegon arsyet pse iu vu shkrimit të kësaj vepre, për vështirësitë që hasi dhe sulmin e fortë që i bën tokës së origjinës, Misisipit, pavarësisht faktit se ajo mbetet e paragjykuar, për shkak se vendosi të largohej prej andej që në moshën 23-vjeçare. “Ndihma” është një roman ku takohen e ndahen fatet e tri grave. Eugenia Phelam, e bija e një pronari plantacioni, pas studimeve kthehet në Jackson. Për të qyteti nuk është më ai i mëparshmi. E ka të vështirë të ambientohet me mentalitetin e ngushtë dhe mënyrat që mikeshat e saj gjejnë për të vrarë kohën: klube tenisi, takime femërore dhe shoqata bamirësie. Bisedat e tyre vërtiten rreth fëmijëve, burrave dhe rastet e mira që u ofrohen atyre që ende nuk janë martuar. Gjithçka është monotoni. Ato jetojnë privilegjin e të qenët femra me ngjyrë të bardhë, të mbërthyera pas një mentaliteti dhe kulture të një shekulli më parë, pa e kuptuar se tashmë po ndryshon gjithçka rreth tyre. Eugenia ka ambicie: do të shkruajë, të bëhet gazetare, ndërsa familja dhe grupi i mikeshave të saj nuk presin veçse që ajo të fejohet me një djalë të mirë e të vazhdojë të marrë pjesë në takimet e tyre të përjavshme. Mbi të gjitha ajo nuk i pranon dot raportet që mikeshat e saj kanë me shërbëtoret e tyre. Nuk e duron rolin meskin dhe sadist të të qenët pronarja e shtëpisë. Kështu, e kontaktuar nga kryeredaktorja e një reviste në Nju Jork, së cilës i kishte dërguar të dhënat e saj, vendos të shkruajë një tip libri hetimor mbi kushtet e grave me ngjyrë, i konceptuar në formën e intervistave, ku këto shërbyese tregojnë punën e tyre poshtëruese në shërbim të të bardhëve. Zërit të Eugenia-s i bashkëngjitet ai i Aibileen, një shërbëtore me ngjyrë, e cila gjatë viteve të gjata në shërbim të të bardhëve ka rritur 17 fëmijë, ndërsa djali i saj i vetëm, i etur për t’u bërë shkrimtar, vdes në një aksident gjatë punës, në përpjekje për të fituar lekët e studimeve. I treti zë rrëfyes është ai i Minny-s, shoqes së saj më të mirë. Që të dyja pranojnë të bëhen pjesë e librit të Eugenia-s, duke përfshirë në projektin e tyre edhe shërbyese të tjera. Eugenia është e mallëngjyer edhe nga kujtimi i Constantine-s, gruaja që ka shërbyer në familjen e saj dhe që e ka rritur. Ajo i ka humbur gjurmët e saj. Mes një vajze të bardhë që vjen nga një familje e bardhë dhe dy mikeve të saj me ngjyrë, lind njëfarë aleance, një pakt sekret, një sfidë ndaj shoqërisë raciste të Jackson. Rezultati mund të vihet në dyshim, por të tria janë të gatshme të rrezikojnë. Yule May, Pascagoula, Louvenia, Winnie, Cleontine e dhjetëra të tjera tregohen të gatshme të japin dëshmitë e tyre. Përmes historive shpërfaqet gjithë dinjiteti i tyre, krenaria për të kërkuar respekt nga të bardhët, ndonëse në të shkuarën u është dashur të durojnë mbi kurriz, e vazhdojnë ta bëjnë akoma nga nevoja për të ushqyer fëmijët e tyre. Ndoshta e ardhmja e tyre do të jetë ndryshe. Pas çdo historie ka urrejtje për pronarët e bardhë, por në mënyrë të pashpjegueshme edhe miqësi ndaj tyre. “Shërbyeset marrin ftesë për dasmën e fëmijës së bardhë që ato vetë kanë rritur, një pakt thjesht sa për t’u shfaqur. Ajo që unë synoj të shpreh, është sintetizuar në frazën e njërës prej tyre: A nuk ishte ky qëllimi i librit? T’i bëjmë gratë të kuptojnë: "Jemi thjesht dy njerëz dhe nuk janë të shumta gjërat që na ndajnë. Janë shumë më pak nga sa mendon”, ka thënë shkrimtarja për librin e saj të parë, i klasifikuari më i miri në disa prej forumeve ndërkombëtare për vitin 2009.
Home item

Më të lexuarat