Loading...

Letrarja dhe Kuteli


image
Në 2004 është botuar “Proza e Kutelit”, ndërsa tani libri i ri “Kuteli dhe Letrarja”, një rikthim tek mjeshtri i prozës shqipe...


Mitrush Kuteli, në historinë e letërsisë shqipe është nga të paktat raste, që shpërfaq një raport vetëdije të plotë me letraren dhe format e larmishme të ekzistencës së saj, që ndonëse nuk kreu shkollë përmbi letraren, dhe kjo përbën edhe paradoksin e ndritshëm, por edhe formatimin më të habitshëm të ndihmesës dhe punëve të shumta të kryera mbi letraren, ku vendin e parë si dimension e zë shkrimi i prozës, me aq finesë dhe magji letrare, dëshmi e prekshme në tregime, novela, rrëfime dhe rrëfenja, përralla dhe romane. Vetëdija kuteliane, ashtu në atë plotëninë e vet, e mbruajtur me tepër në kudhrat e leximit dhe përkujdesjes për letraren, patjetër edhe të përkthimit të disa librave të letërsisë së përbotshme, çka dëshmohet në zellin e treguar për botimin dhe përcjelljen edhe më shënime të veprës poetike të Emineskut, Poradecit, Nolit, por edhe me artikuj kritikë mbi tekste dhe autorë të shumtë të letërsisë së huaj dhe asaj shqiptare. Vetëdija e letrares, si shenjë dhe dëshmi shoqëruese e punëve të kryera, me aq sqimë, na shpërfaqet e plotë në veprën e larmishme dhe interpretimin e letërsisë, duke hyrë dhe mbetur në letrat shqipe si një vetëdije specifike dhe e vetëmjaftueshme për ta qëmtuar artin e fjalës nëpër të gjitha skutat ekzistenciale. Më së shumti, gjithnjë si prani tekstesh dhe sprovash, madje eksperimentesh shkrimore të përfunduara, në të gjitha gjinitë letrare, në llojet letrarë të ekzistencës së artit të fjalës, e paraqitet sidomos me lëvrimin e të gjithë llojeve letrar të prozës, qysh me rrëfimin, rrëfenjën, tregimin, novelën, romanin e gjer tek ritregimi i epikës legjendare dhe historike të shqipes. E realizon, gjithashtu dukshëm edhe me shkrimin poetik, të një poezie buçitëse dhe melodike, klasike po edhe me ndoca shenja të lëvrimit modern, e cila të përkujton ritmin e trompetës së poezisë noliane, të poezisë plot vrull dhe emocion, përthyerje dhe kthesa të befta, e nganjëherë të një ritmi dhe situimi të veçantë poetik, siç ngjet me vargjet e Poemit Kosovar, një gjurmë ekzistenciale e qenies shqiptare, sidomos në trojet etnike. Vlerat e Poemit Kosaovar janë të shumëfishta, janë letrare edhe më përtej letërsisë, vargjet e saj janë një himn i mbijetesës së shqiptarit edhe në kushtet më të errta të terrorit dhe shkatërrimit serbomadh. Pjesë e punës dhe kërkimeve letrare dhe për studimin dhe verifikimin e saj, është edhe lëvrimi i shkrimeve kritike, ku prekim dhe zbulojmë edhe kulturën e gjerë, por edhe shijen e hollë të verifikimit dhe shqyrtimit të letërsisë, që arrijnë deri tek botimi i dy librave, para viteve ‘44, duke shënuar të parin rast të botimit të librave me kritika letrare në historinë e letërsisë shqipe. Trajtimet dhe shqyrtimet kritike, aq të shumta dhe të gjera në shtjellimet e tyre, konfirmojnë qëmtimin e letrares, dhe veçmas përndritjen e saj si vlerë, si dhe nivelet dhe llojet e lexuesve. Shpërfaqja e vlerave letrare, në poezi, prozë a dramë, si dhe të vlerave kritike dhe studimore, të shpërfaqura në botimin e dy librave, na vjen në një formë të veçantë letrare. Kjo shpërfaqje, e plotë shqyrtimore e rrafshit kritik të kundrimit të letrares, bëhet më e prekshme me botimin dhe vlerësimin e poezive të Poradecit, Nolit, Emineskut, të cilat përcillen me përkujdesje dhe finesë shkrimore, me tekste të nivelit prezantues dhe afirmues, madje duke i vendosur në majat letrare që kanë sendërtuar në poetikën e secilit. Opusi letrar kutelian, me të gjithë shenjat e pranishme kreative dhe shqyrtimore, përkthyese dhe verifikuese, fikson rrugën qëmtuese dhe zbuluese të letrares, diç e përafërt me rrekjet e De Radës, Skiroit, Fishtës, Konicës, Santorit, Koliqit, Pipës, Camajt etj., buron, sidomos nga vetëdija e formuluar si pasojë e leximeve, mbase edhe prej ekuilibrit të shpallur dhe të dëshmuar mes dëshirës marroke autoriale dhe vetëdijes së pohuar të shkrimtarit. Dëshira shkrimore është një shtysë e fortë, mbase nga ato të një niveli të papërmbajtshëm, ndërsa vetëdija, padyshim letrare dhe gjuhësore, është rruga e vetme dhe e sigurt e ecjes së pandërprerë në shtigjet e letrares. Kuteli, në shumicën e punëve të kryera me finesë dhe art, me qëmtime dhe eksperimente të përfunduara, erdhi në këtë stad komunikimi letrar prej vetëdijes së qartë dhe të thellë. Shpërfaqja e kësaj vetëdije, letrare dhe më gjerë se sa kaq, sidomos gjuhësore në materien e teksteve, poezi apo prozë, kritikë apo përkthime, madje edhe në dramatikën e humbur, shkruar prej tij, preket në të gjitha situatat shkrimore, megjithatë duke mbetur një përvojë e larmishme në letrat shqipe. Me termin letrare, si qasje teorike dhe praktikë shkrimore, tashmë do kuptuar dhe receptuar vetëm vlera e mirëfilltë letrare. Letrarja, pra vetëm arti dhe prurja estetike, shenja e mëvetësishme dhe e vetëmjaftueshme e shkrimit të prozës, përgjithësisht e përjashton jashtëletraren, pavarësisht natyrës së dëshmuar të saj, si joletrare ideologjike, sociale, fetare apo krahinore, e të çdo ngjyrese tjetër. Përzierja e letrares me joletraren, artit me joartin, estetikes me mungesën e plotë të saj, ku kjo e fundit, pra jashtëletrarja mund të na shpërfaq edhe nuanca të pastra kombëtare dhe shoqërore, bashkë me aspektet e tjera të rrafshit ideologjik, më së shumti dogmatik, por edhe sociologjik, e ngushton hapësirën e artit të fjalës dhe krijon realisht një boshëtirë të frikshme, në atë rrekjen për të shënuar sprova moderne. Në letrat shqipe, qysh në zanafillë e gjer në ditët e sotme, formatohen disa periudha letrare, ku gërshetimi i letrares me joletraren është pothuajse i pashmangshëm, edhe si pasojë e ndikimit të fuqishëm të konteksteve shkrimore, pa të cilat as që bëhej fjalë që të botoheshin, sidomos nga shekujt e mesjetës së vonë, e cila gjithsesi është pjesë e epokës së Rilindjes Evropiane, që synojë dhe realizoi vendosjen e njeriut dhe të humanes në qendër të kozmogonisë letrare dhe artistike. Si të këtilla, bazuara në shqyrtimin e jetës dhe veprës së autorëve, sidomos të teksteve letrare, natyrisht pa harruar kontekstet shkrimore edhe ato të leximit dhe rileximit, sipas teorive letrare, numërohen:
 A - Periudha e parë e shkrimit të shqipes, ku edhe gjellojnë vlerat gjuhësore, historike, por edhe shenjat parake letrare, e cila përfshin krijimtarinë e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit etj., që bart mbi vete nevojat diturake, pra nevojën dhe dobinë e mësimit të shqipes në shkollë, por edhe lejimin e saj për të qenë instrument dhe mjet efikas i shkollimit, që buron prej hapësirave të krijuara prej Kundërreformacionit.
 B - Periudha e letërsisë së Rilindjes, së paku kështu është emërtuar gjer më tash prej studimeve të historiografisë së shqipes, e cila mori mbi vete edhe detyrën e përtrimjes së kombit, atdheut dhe të shqiptarit, si dhe ngjeshi mbi supet e letërsisë, me dhe pa dëshirën e saj, mjetet e realizimit të programit të rilindjes kombëtare. Fatmirësisht, si fakt letrar, por edhe si kontekste shkrimore, pikërisht në këtë periudhë të ndërlidhjes së dukshme të letrares me joletraren, më saktë ende të letrares me atdhetaren, varësisht kushteve dhe rrethanave imponuese, në disa nga veprat e veçanta të De Radës, N. Frashërit, A. Z. Çajupit, N. Mjedës, Z. Serembes, Z. Skiroit etj., gjithnjë sipas përfundimeve të shkencës letrare, lëvrohet edhe letrarja e mirëfilltë, krahazi me letërsinë me tezë të mirëqenë atdhetare dhe të rilindjes së vetë qenies shqiptare.
 C - Nga viti 1944 - 1990, në Shqipëri mbizotëron në mënyrë të zyrtarshme dhe me një sundim detyrues, gjedhi letrar zyrtar socrealist, i cili u vu plotësisht në shërbesë të ideologjisë dhe dogmave përjashtuese të sistemit në fuqi, të cilat i realizoi me principet e modelit të realizmit socialist, që synuan dhe sendërtuan estetikën e brendisë, si dhe përjashtimin dhe refuzimin estetik të të gjitha modelimeve dhe alternativave të tjera letrare, më të hershme apo bashkëkohore. Në këtë periudhë, megjithatë si ligjësori brendaletrare, zhvillohet letërsia antizyrtare, me dy forma:
 - Kundërvënia e hapur, e cila promovon edhe poetikën e përveçme dhe të ndryshme me modelin zyrtar të socrealizmit, çka ngjet sidomos me veprën e A. Pipës, A. Pashkut, K. Trebeshinës, B. Xhaferrit etj.
 - Kundërvënia e pashpallur, në kuptimin se nuk deshën dhe nuk e deklaruan kundërshtinë e tyre, por megjithatë e shoqëruar me tekste letrare, veçmas në poetikën e përkundërt gati me të dyja prirjet e tjera, zyrtare dhe antizyrtare, pra me letraren e parullës dhe antiparullës, gjë që ngjet sidomos me poezinë e Z. Zorbës, B. Musliut, F. Reshpes, po ashtu me krijimtarinë e gjerë letrare të M. Camajt, në të gjitha gjinitë letrare, ku edhe zbulohet mjeshtëria dhe magjia shkrimore e tij.
Edhe vetë këto fakte letërsishkrimore, të atij kapërthimi të pashmangshëm, mbase të ndërthurjes së letrares me joletraren, artistikes me të rëndomtën, estetikes me mungesën e plotë të saj, megjithatë edhe këto situata të një bashkekzistence të vështirë dhe të pamundshme, e nxjerrin edhe më në pah letraren, pra thelbin ekzistencial të artit të fjalës. Megjithëse, në historinë e letrave shqipe, ka edhe momente të dukshme vetëm të ligjërimit letrar, të purolirikës dhe ta artit të pastër, pra pa ndërfutur në materien e teksteve lëndë joletrare dhe me mungesa të dukshme estetike. Kështu harku i viteve 1912-1944, njëri prej momenteve kulmore të ligjërimit të fjalës shqipe, ngërthen në vetvete një përvojë shkrimore të përveçuar nga të tjerat, ku letrarja është parësore, është shenja unike e përfaqësimit, madje në ndërlidhje me realitetin letrar tërësor të letrave shqipe, të së kaluarës dhe atyre bashkëkohore, kjo periudhë thelbësore, si dhe arritjet e saj mbetën një ishull letrar i fuqishëm dhe i shkëputur nga momentet e tjerë, madje edhe sot e gjithë ditën mbetet cak i pambërritshëm. Kjo periudhë, gjithnjë sipas përfundimeve të shkencës letrare shqipe, shënon çastin kulmor të literaritetit, si dhe nivelin më të ngritur letërsishkrimor në të gjithë historinë e gjuhës shqipe. Pjesë thelbësore, e kësaj periudhe, ngritur si shenjë letrare, të thekur si frymë dhe teknikë shkrimore, padyshim është edhe krijimtaria letrare e Kutelit, me të gjithë aspektet e saj përfaqësuese, ku proza me llojet dhe nënllojet e lëvruar prej tij përbën edhe thelbin, edhe majën e sendërtimit të vlerave të gjithanshme. Diskutimi mbi letërsinë dhe letraren, një ligjëratë e hapur dhe që merr vlera, sidomos në interpretimin e dukurisë kuteliane, veçmas në dy aspekte:
 Së pari: Si ligjërimi letrar, i mëvetësishëm dhe i vetëmjaftueshëm, ku hasim nga të paktat raste në letrat shqipe, lëvrimin e të gjithë zhanreve. Kuteli, padyshim edhe dhjetëra autorë të tjerë të letërsisë së kaluar, duke e ndjerë zbrazëtirën e letrave shqipe, në të gjitha llojet dhe nënllojet letrarë, asaj ndërkohje kur zë fill dhe kulmon shtegtimi letrar, ai nuk la mbas dore asnjërën prej gjinive letrare, padyshim edhe llojet dhe nënllojet letrarë, mbase për të kundërshtuar tezat dhe paragjykimet mbi pamundësitë e shqipes. Më tepër se kaq duke pohuar dhe zbuluar vetë, me krijimtarinë e larmishme në prozë, poezi, dramatikë dhe rishkrimin e poezisë, kritikë dhe përkthime, si pak shkrimtarë të asaj periudhe, mbase në gjerësi dhe thellësinë e nevojave që kishte literatura në gjuhën shqipe, kontributet e tij ngjajnë sidomos me ndihmesën e dhënë nga At Fishta, cili me lëvrimin e epikës, lirikës, dramatikës, satirës, kritikës letrare, patjetër edhe në lëmin e përkthimit, ndikon për të zbutur hapësirat boshe të shkrimit letrar në gjuhën shqipe, po ashtu përafrohen edhe me sipërmarrjet dhe prurjet letrare dhe studimore të Jeronim De Radës dhe Zef Skiroit, por edhe të Fan Nolit, që ndikoi në përkthim, poezi dhe kritikën letrare. Pavarësisht faktit të lëvrimit gjithëzhanror, pavarësisht faktologjisë së poezishkrimit,Kuteli në esencën e vetë, në thelbin e sendërtimit letrar, mbetet njëri nga prozatorët më të thuktë të letrave shqipe, veçanërisht në lëvrimin e rrëfimeve dhe rrëfenjave, tregimit dhe novelës, përrallës dhe ritregimit të këngëve epike legjendare dhe historike. Mitrush Kutelit ka hyrë në udhën e ligjërimit letrar të prozës në gjuhën shqipe dhe do të mbetet me këtë veçanësi dhe prurje, duke bartur mbi supe thelbin letrar të shkrimit të dyfishtë dhe të fuqishme të prozës, shkrimit klasik dhe modern, njëherit. Thelbi klasik i prozës së autorit, që shërben më tepër si atmosferë dhe frymë, pra duke përbërë vetëm njërën prej shenjave letërsishkrimore të autorit, ka të bëjë me fondamentin sendërtues të shkrimit të prozës. Nga ana tjetër, modernia në tekstet letrare në prozë, një shenjëzim që e mataron dhe formulon prozëshkrimin e shkrimtarit, buron para së gjithash, qoftë si strukturim dhe ndërtim kompozicional, qoftë si forma shprehjeje dhe figurshmërie, e po ashtu edhe si spektër rrëfimor plot laryshi, si dhe me ngjyresa shprehësie letrare.
 Së dyti: Si interpretim i ligjërimit letrar, i autorëve shqiptarë dhe të huaj, pothuajse e munguar në shtratin teorik dhe praktik. Në fushën e kritikës letrare, pavarësisht llojit të metatekstit, që parapëlqen dhe shkollës së ndjekur, Kuteli është i pari autor që ka botuar libra me kritikë letrare në historinë e kulturës së gjuhës shqipe. Deri në vitin 1944, Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, si emër letrar, njëri prej pseudonimeve më të parapëlqyera, ka botuar dy libra me kritikë letrare, përkatësisht Vështrim mbi Poradecin, dhe Shënime letrare. Nga fryma e përgjithshme që përçojnë tekstet kritike ngjyrosen nga toni pozitiv, si të thuash afirmativ dhe pohues, sepse letërsia shqipe asaj ndërkohje kishte edhe tepri mungesash, ndonëse aty-këtu nëpër tekstet e autorit nuk mungojnë edhe interpretimet e figurshmërisë dhe të stilistikës, tipologjisë shkrimore, si dhe ato të rrafshit të shprehësisë letrare, si mjetet me të cilat flet letërsia dhe letrarja. Forma e tyre, fillimisht është konceptuar si hyrje, mbase si bashkëshoqërim i teksteve poetike, si një mënyrë editoriale, pra si vijim i praktikës së introduktave (hyrjeve), të Fan Nolit, tashmë për të shoqëruar poezinë e Poradecit, Nolit, Emineskut etj. , e mandej këto gjurmë dhe trajtime janë përfshirë edhe në strukturat e librave, të cilat konsoliduan themelet e kritikës letrare shqipe. Shumicën e librave të përkthyer mjeshtërisht prej tij, por një pjesë e mirë edhe të librave autorial, Kuteli i shoqëron me parathënie, pra me një paraqitje shkurtimore të problematikës së një vepre apo teksti letrar, në semantikë dhe në formësimin letrar, një praktikë shkrimore e pranishme në letrat shqipe, qysh me librat e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit, mbase ndërtimi i teksteve poetike të shoqëruara me parathënie shënon një mënyrë efikase për të prekur dhe ndjerë autorin. Ky konceptim, tërësor dhe fondamental, lidhet ngushtazi edhe me prirjen e autorit për të shpjeguar kodet e krijimtarisë, si shkrim personal. Prania e këtyre dy shenjave thelbësore dhe përfaqësuese të Kutelit, e ligjërimit letrar të mëvetësishëm në shkrimin e prozës dhe poezisë, por edhe në shqyrtimin e letrares si metakujtesë kritike, pra si metatekst shqyrtimor, dëshmon dhe materializon interesimet e shumëfishta tëKutelit për letërsinë dhe letraren. Këto interesime përbëjnë edhe atë cak personal të prurjes së autorit në letrat shqipe, që përpos se i gjerë në kapjen e shqetësimeve të kohës, qoftë edhe si formatim letërsishkrimor, në lëvrimin e prozës, përkthimit, poezisë, po ashtu edhe të shënimeve kritike, ku edhe vuri bazat e zhvillimit modern. Situata e larmisë letrare, si shkrim dhe përfundime prej shqyrtimeve të kryera, tregon edhe për aftësitë e thella të shkrimit dhe verifikimit të letrares prej Kutelit. Kahjet shkrimore të Kutelit dhe çdo shkrimtari tjetër, kanë të bëjnë me rrafshet e shumta horizontale: të njeriut që shkrihet për të mirën dhe letraren, të intelektualit, me sfond të qartë nacionalist, i cili më se një herë vuri në rrezik jetën për t’iu përgjigjur zërit të atdheut. Fondament të mirëfilltë horizontal, madje me peshë specifike të prekshme, shënon edhe lëvrimi i të gjitha gjinive letrare, i poezisë, jo pak të lëvruar qysh me Budin e Bogdanin, që megjithatë kulmon me De Radën, N. Frashërin, N. Mjedën, Gj. Fishtën, Z. Skiroin, L. Poradecin etj., i prozës që deri tekKoliqi dhe Kuteli notonte në rapsodizëm dhe moralizim, i dramës shqipe, që edhe tani vijon lëngatën e nivelit formësues, së paku po të nisesh nga përfundimet e zhurmshme të historiografisë së shqipes. Po ashtu, përkthimet e shumta, realizuar në kushtet e lirisë personale dhe të mungesë së plotë të saj, ku spikaten prurjet e teksteve të Gogolit, Turgenievit dhe Emineskut, sidomos në kohën e diktaturës me pengime të dukshme, kur ia normuan punën e përkthyesit, madje si detyrim i ndërprerjes së krijimtarisë letrare, duke e dhunuar kështu sistematikisht. Po ashtu, ritregimet e shkëlqyera, konceptuar si rishkrime të epikës legjendare dhe historike, një modelim i pakrahasueshëm në letrat shqipe, ndonëse u shoqëruan edhe me ndarje të shenjave letrare, siç e thekson edhe vetë shkrimtari, përrallat e shkruar me aq dashuri dhe art apo botimet e kujdesshme dhe përplot finesë, shpërfaqin natyrën e papërtuar dhe punëshume të Mitrush Kutelit. Dimensioni horizontal, pra rrënjët e shkapërderdhura në kaq lami të vështira dhe plot ndryshesa të mendjes dhe krijimit, të artit të fjalës si poezi, prozë dhe dramë, të mjeshtërisë shkrimore si kritik dhe përkthyes, të aftësisë shkencore në fushën ekonomike. Kjo përmasë e shkrimit letrar në të gjitha gjinitë letrare, pothuajse në të gjitha llojet dhe nënllojet letrarë, pra sendërtimi i një realiteti letrar të mëvetësishëm dhe të vetvetishëm, veçmas me një artikulim të papërsëritshëm në rrëfime dhe rrëfenja, dy llojet që u lindën dhe formësuan si kulmime letrare nga Dhimitër Pasko, tregime dhe novela, ku spikaten Vjeshta e Xheladin Beut, E madhe është gjëma e mëkatit, duke përndritur nivelin e arritjeve kuteliane si një përvojë shkrimore e papërsëdytshme. Pjesë përfaqësuese e këtij bazamenti letrar, të larmë dhe të ndryshueshëm, ashtu siç e formuloi mjeshtri tjetër i letrave shqipe, Martin Camaj, për kryemjeshtrin e prozës shqipe, Kuteli mik tre ditësh rrymash letrare, është edhe lëvrimi i kritikës letrare, si një emblemë e nivelit ku kishte mbërritur letërsia shqipe, si dhe potencialet e gjuhës shqipe, me të gjithë funksionet e saj, si gjuhë kulture dhe si gjuhë e artit të fjalës, pavarësisht pranisë së shikimit pozitivist, pra i pranimit dhe verifikimit me nota pohuese, që vinte nga ndikimi i pozitivizmit të Ipolit Tenit, pavarësisht rrafsheve subjektive dhe afirmative tek shqyrtimet e Kutelit, është kjo punë që e kthen vështrimin nga nevoja e interpretimit të letrares. Interpretimi i letrares, i letraresëndërrore, siç e thërriste Konica letërsinë, pra vetëm i pjesës së shkrimit letrar me vlera të dëshmuara dhe argumentuara, tregon dhe zbulon kulmin e vetëdijes letrare, të materializuar në morinë e teksteve të shkruara si poezi, prozë dhe dramatikë, si shkrime përmbi ekonominë dhe kritikën letrare. Kahjet ligjërimore, të shpërfaqura gjerësisht në krijimtarinë letrare, por edhe aq të larmishme në lloje dhe nënlloje letrarë, të ndjekura dhe të dëshmuara qartësisht nga premisat e lëvrimit të një proze të mirëfilltë letrare, më shpërfaqje të tipologjisë shkrimore moderne, madje të shkruara edhe si variante dhe versione, e patjetër shkrimet kritike, e vendosin Kutelin dhe figurën e tij në rrathët qendrorë të shekullit të njëzet, të shekullit të kulmeve letrare në letrat shqipe, madje në pjesën e parë të atij shekulli, që hodhi themelet e modernitetit në letrat shqipe. Ky pozicion, pra në radhën e shkrimit letrar të njati shekulli të artë, kur shkruan dhe krijuan vlera Fishta dhe Migjeni, Poradeci dhe Koliqi, Asllani dhe Haxhiademi, pa harruar Skiroin dhe procesin e hapur letrar të Asdrenit, Mjedës dhe Çajupit, lidhet ngushtazi me rolin dhe ndikimin e krijimtarisë letrare kuteliane. Roli i veprës letrare, që solli dhe sendërtoi proza e Kutelit, në strukturë dhe shprehësi, në leksik dhe veçmas në rrëfimtari, pandarazi me të edhe proza e Koliqit, Konicës dhe Migjenit, të cilat e ndërfutën shkrimin e prozës shqipe në shtjellat e ligjërimit modern, si tipologji shkrimi, si rrëfim dhe fjalësi artistike është i pamatshëm. Ikja nga vatrat e lëvrimit, moralizues dhe përshkrimor, idealizues dhe skematik, ekzotik dhe historizant, skematik dhe pa shenja letrare, është një tregues risie dhe novitetesh të pranishme në shkrimin dhe strukturimin e letrares, sidomos në lëvrimin e prozës. Ndikimi i letrares së Kutelit, pra i shkrimit të prozës së të gjitha llojeve, por me kulme në sendërgjimin e tregimit dhe novelës, rrëfimit dhe rrëfenjës, përrallës dhe rishkrimit të epikës legjendare dhe historike, është i shumëfishtë, pa harruar në këtë rast edhe sprovat në shkrimin e poezisë, si dhe në lëvrimin e kritikës letrare. Larmia e gjinive letrare, pra e të tria gjinive, prozë, poezi dhe dramatikë, por e lëvrimit të kritikës letrare, si dhe të përkthimit të disa veprave të shquara të letërsisë botërore, shkruar dhe realizuar në ligjërimin poetik, më ligjërime që herë-herë të faniten si burimore, e sidomos në ligjërimin e prozës, tejet të realizuar si frymë dhe formësim, si thadrim artistik dhe narratologji moderne, pa harruar edhe ligjërimin kritik, e po ashtu edhe përkthimet e Turgenjevit, Gogolit, Ostrovskit etj. , kaq të gjerë dhe të pasur në shqyrtime letrare edhe si forma të recesionit dhe të shënimeve përcjellëse të teksteve, por edhe për nga thellësia kulmore letrare, çka shënjon majën në lëvrimin e prozës gjithëzhanrore, na zbulon të plotë dimensionet dhe interesimet letrare të shkrimtarit. Pjesë e punës krijuese është edhe përkthimi, ku përveçohet shqipërimi i shkëlqyer dhe pashoq i romanitFrymë të Vdekura  N. Gogolit, një punë e përkorë letrare, një rikrijim i përsosur i këtij teksti magjik, që shumëkënd gati e ka futur në theqafje të kërkimit të rrënjëve të shkrimit të prozës, pikërisht tek ky autor. Po ashtu, edhe lëvrimi i ritregimit, tashmë si rishkrim, me ritregimin e përsosur të epikës legjendare dhe historike, titulluar Tregime të Moçme Shqiptare, ndonëse vetë autori në parathënie e sheh edhe si humbje të vlerave letrare të poezisë epike popullore shqipe. Të gjithë këta përbërës, e ngjisin emrin dhe veprën e gjerë të shkrimtarit në nivelin e një shkolle të dyfishtë:
 - Si një përvojë e gjerë dhe e larmishme e shkrimit letrar, pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, e ku padyshim nivelin më të ngritur shkrimor e ka shënuar në gjininë e prozës, e sidomos në lëvrimin e tregimit, novelës, rrëfimit dhe rrëfenjës.
 - Si një përvojë që çeli udhën e lëvrimit të prozës moderne, si fabul dhe rrëfimi, si përshkrim dhe gdhendje e personazheve, si formësim dhe shprehësi letrare, madje duke pasur edhe ndjekës dhe pasues të shquar në të gjitha hapësirat e shkrimit të letrave shqipe, gjithnjë duke mbetur një univers letrar që pret të zbulohet dhe rizbulohet pambarimisht.
 Një shkollë, sidomos letrare, që i ndikoi mjediset letrare të kohës shkrimore të shumicës së teksteve, e veçmas me ndryshimet e thella në shkrimin e prozës letrare shqipe, por edhe me gjerësinë e zhanreve letrarë të realizuar prej tij. Një shkolle letrare, e cila e vijon ndikimin e vet edhe më përtej kohës shkrimore, përmes pasuesve. Ndikimet e gjedhit shkrimor kutelian, sidomos të prozëshkrimit ndjehen dhe preken në veprën letrare të J. Xoxes, K. Trebeshinës, B. Xhaferrit, S. Andonit, I. Kadaresë, D. Agollit, A. Cergës, T. Laços, N. Lerës etj., ndikime të pashmangshme të frymës dhe konceptualitetit, të teknikës dhe sendërtimit letrar, të rrëfimit dhe shprehësisë letrare, të cilat të shpien vetvetiu tek shansi i ngjyrimeve të një shkolle letrare të veçantë, që pati për promotor dhe nxitës shpirtëror Kutelin.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat