Loading...

Letërsia e sulmuar si peshku i Heminguejit


Rita Petro 

Debati për studimin e  lëndës së Letërsisë në shkollë është nga debatet më të rëndësishëm, nëse marrim parasysh, se sa madhor është formimi estetikoletrar i të rinjve tanë. Letërsia së  bashku me Matematikën, duke qenë mbretëresha të dijeve, historikisht kanë zënë vendin kryesor në përvojat e arsimit botëror dhe në atë shqiptar.  Prandaj ka qenë mjaft shokuese heqja e studimit të letërsisë nga programet e reja të shkollës së mesme, të aplikuara për herë të parë vitin e kaluar, gjë që krijoi një debat të madh e kundërshti për këtë veprim arbitrar. Ky debat vazhdon edhe sot prej oponentëve të programit, të caktuar zyrtarisht nga MASH-i, si dhe nga autorët e teksteve, të interesuarit e parë që programin e kësaj lënde e materializojnë në tekstin e nxënësit. Por përpara se të analizoj pasojën e asaj se çka ka ndodhur në lidhje me këtë problem, është e nevojshme të bëj një analizë se si lënda mësimore e letërsisë përgjatë viteve ka pasur uljet, ngritjet, zigzaget e veta, të ndikuara nga arsye ideologjike apo nga censura zyrtare, si dhe nga eksperimentimet e shpejtuara dhe të pabazuara shkencërisht. 
Arbitrariteti shtetëror mbi Letërsinë
Analizën time, për të qenë sa më pranë të vërtetës, do ta nis nga 1985, vit ky kur jam emëruar redaktore didaktike në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Gjatë kësaj periudhe deri në vitet ’90, censura mbi lëndën e Letërsisë ishte e padiskutueshme, në të mbisundonte kriteri ideologjik; analiza e veprave bëhej vetëm nga këndvështrimi i teorisë së metodës së realizmit socialist. Por, pavarësisht interpretimit skematik, pozitiv ishte fakti se nxënësit lexonin një numër të madh kryeveprash të Letërsisë Botërore, përjashto Letërsinë Moderne; ndërsa për sa i përket Letërsisë Shqiptare, gropa e zezë kishte përthithur pothuaj krejt letërsinë e gjysmës së parë të shek XX (me autorë madhorë si Fishta, Koliqi, Konica etj.).
Pas viteve ’90, u bënë përpjekje për një studim serioz të programeve, sidomos për lëndët me rëndësi kombëtare, si letërsia dhe historia. U ngritën komisione mbarëkombëtare me studiues edhe nga Kosova për të unifikuar programet e këtyre lëndëve; një ide e shkëlqyer kjo, kur të gjithë e dimë se historia e shqiptarëve dhe letërsia e shqiptarëve është një, pavarësisht se ku jetojnë sot shqiptarët. Në atë kohë na ndanin kufijtë me Kosovën, dhe çdo takim mbartte rrezik të madh për studiuesit kosovarë, ndërsa sot, që nuk ekzistojnë më këta kufij, vazhdon të thellohet ndarja ndërmjet nesh prej politikave arsimore, të cilat nuk kanë treguar më interes për të unifikuar programet e lëndëve me rëndësi kombëtare, si: Gjuha, Letërsia dhe Historia.
Gjatë viteve 1996-1998 u hartuan tekste mjaft të arrira të letërsisë shqiptare dhe botërore, në krahasim me ato që ishin botuar deri atëherë; ato evidentonin një kulturë të qëndrueshme qoftë kombëtare, ashtu dhe botërore, ku për herë të parë në tekste zuri vend studimi stilistik i tekstit dhe u anashkaluan ujërat e tepërta të historizmit të letërsisë. Por, me ndërrimin e Qeverisë dhe ardhjen e ministrit të ri, në vitin 1998 u shkrinë komisionet mbarëkombëtare të letërsisë dhe të historisë. I pari tekst i censuruar u bë “Letërsia moderne shqiptare” e prof. Sabri Hamitit (si redaktore përgjegjëse më duhej ta mbroja tekstin para komisionit). Pas shumë e shumë debatesh, komisioni më në fund e miratoi tekstin, por çudia më e madhe ishte se teksti u burgos me shtatë palë kyçe në një prej sirtarëve të ministrisë, me pretekstin se aty ne paskëshim përfshirë dhe autorë fashistë si Koliqi. Ministria e la shkollën tre a katër vjet pa tekst dhe atë libër nuk e lejoi të përdorej. Por, më vonë, kur ky tekst u botua privatisht, ai e gjeti vetë rrugën në dorë të mësuesve dhe nxënësve, vlera e të cilit është e padiskutueshme dhe sot.
Në vitin 1999-2000, me një vendim të menjëhershëm, u hodh nga MASH-i projekti për profilizimin e shkollave. Kështu, pa mbaruar mirë realizimi i programeve të reja të gjimnazit të përgjithshëm, nisi urgjentisht puna për hartimin e programeve të shkollës së profilizuar. Specialistët e Institutit dhe autorët e teksteve e dinë më mirë se gjithkush se me ç’tension dhe shpejtësi u hartuan programet dhe tekstet, të cilat gjatë aplikimit në shkolla rezultuan pothuajse në të gjitha lëndët të mbingarkuara dhe me objektivë të paqartë. Ndërsa pas dy vjetësh, me ardhjen e ministrit të ri, ndikuar dhe nga opinioni mediatik, se nxënësit po dilnin shumë dobët në lëndën e gjuhës në ciklin 8-vjeçar, u vendos që të përfshihej studimi i gjuhës dhe në shkollë të mesme. Sigurisht nuk kishte asgjë të keqe, por, si gjithnjë, çdo gjë u bë me ngut dhe e pastudiuar. U përfshinë në programin e gjimnazit tema gjuhësore teorike dhe jo të gjuhës aplikative. Dhe po me urdhër, u detyruan autorët e teksteve që këto tema gjuhësore të integroheshin me temat e letërsisë, të cilat ishin hartuar me programet ekzistuese. Kështu që, domosdo, u instalua një integrim mekanik i këtyre dy lëndëve.
Në atë kohë ne e kemi bërë oponencën tonë, si specialistë dhe si autorë tekstesh, në një mbledhje në MASH, por fjala jonë ka rënë në vesh të shurdhët (gjë që vazhdon edhe sot). Megjithatë kritika për mbingarkesën në programet  e tekstet ekzistuese të letërsisë të shkollave të profilizuara dhe, aq më keq, pretendimi se nxënësit sot nuk lexojnë, nuk mund të justifikojnë heqjen e letërsisë nga shkolla e mesme. 
Penalizmi i letërsisë në programet e reja
Vitin e kaluar shqetësimi i studiuesve të letërsisë e në veçanti i Katedrës së Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për këtë zhdukje të letërsisë nga shkollë, bëri që programi të ripunohej; por ky ripunim mbeti sipërfaqësor: titullit të programit Gjuhë shqipe iu shtua dhe edhe “Letërsia”, kjo lëndë u fut si një shtojcë në fund të programit, e materializuar në lista pafund veprash dhe autorësh, e privuar nga studimi i saj mbi baza shkencore e didaktike, me minimumin e orëve në dispozicion (vetëm me 12 fragmente veprash nga letërsia botërore dhe ajo shqiptare nga 90 -100 vepra të rekomanduara në një listë që fillon nga antikiteti dhe mbaron te letërsia moderne!!!); dhe përveç kësaj, me detyrimin që pjesët letrare të përdoren si model ilustrues për temat e gjuhës së aplikuar.
Nuk më duket profesional dhe i pranueshëm mendimi se veprat e letërsisë nuk duhet të studiohen sipas kriterit historik-kronologjik e gjinor. Studimi bazik i letërsisë nuk mund të kuptohet pa këtë kriter-bosht, pasi nxënësi nuk mund të analizojë poemën epike, pa mësuar më parë për mitet, poezinë simbolike, pa ditur se ajo lindi si kundërvënie e parimeve të realizmit; Letërsinë e Brezit të Humbur pa e lidhur me Luftën Botërore.
Edhe sikur ta pranonim idenë që letërsia të mos studiohet kronologjikisht, por me analiza të veprave të veçuara, përsëri për këto analiza në program nuk ka asnjë objektiv. Pra, nëse në listë ofrohen disa vepra të romantizmit dhe autorët  duhet të zgjedhim një prej tyre, kjo do të thotë që në tekstet alternative nxënësi duhet patjetër të përvetësojë objektiva të njëjtë, të cilët duhet të përcaktohen në program: si p.sh. për Veçoritë e romantizmit në prozë: ndjeshmëria dhe imagjinata; tema ekzotike; kontrasti dhe zmadhimi; tema historike etj.; pra, vetëm në këtë rast nuk do të ketë rëndësi nëse nxënësi do të studiojë një vepër të Viktor Hygoit apo të Valter Skotit, po do të dallojë tiparet në prozën romantike. Janë pikërisht këta objektiva shkencorë, të cilët standardizojnë tekstet alternative; duke u bërë pika orientuese për mësuesit e letërsisë, janë treguesit për një vlerësim të drejtë të testimeve të nxënësve. Këta objektiva e standarde shkencore didaktike do të shmangnin dhe vlerësimet subjektive të oponentëve të teksteve, të cilët do të kuptonin se mbi ç’kriter shkencor e didaktik është zgjedhur një pjesë letrare apo joletrare. (P.sh., nëse kërkohet një model reportazhi apo kronike, nuk ka rëndësi se sa i madh është emri i gazetarit, por nxënësi të mësojë se si shkruhet ky model publicistik e kështu me radhë.)
Nëse pretendojmë se bëjmë program modern, ai asnjëherë nuk mund të jetë listë veprash pa kriter, ku secili që e lexon ka të drejtë të bëjë vërejtje, pse mungon ky apo ai shkrimtar, kjo apo ajo vepër dhe kështu gjithçka përfundon në dorë të subjektivizmit dhe, e keqja më e madhe është se ajo listë ka fatin e keq të shndërrohet si listat me botimet artistike që miratohen për pajisjen e bibliotekave të shkollave. A mund të kemi njëherë dhe ne shkencën didaktike për letërsinë? Dhe, së fundi, mbi ç’studime shkencore apo modele tekstesh u hodh ideja e integrimit të Letërsisë me Gjuhën shqipe?
Integrim apo hibridizim i Letërsisë me Gjuhën?
Çfarë ka ndodhur në realitet në ciklin 9-vjeçar, ku u kërkua të zbatohej ky integrim: autorët e teksteve alternative gjatë punës vunë re se vetëm në ciklin fillor mund të realizohej ky integrim, ku për shkak të moshës, nxënësi i merr në mënyrë intuitive njohuritë, njëlloj si në tekstin e Diturisë së natyrës, ku shkrihen Fizika, Kimia dhe Biologjia. Në klasat VI-IX, përgjithësisht në tekstet alternative njohuritë letrare dhe ato gjuhësore renditen në kapituj të veçantë. Ka edhe tekste alternative, ku temat e leximit dhe të gramatikës renditen njëra pas tjetrës, por edhe kjo është bërë në mënyrë thjesht mekanike. Vetë programet e ciklit 9-vjeçar njohuritë gjuhësore kërkohen të studiohen me objektivë që janë brenda disiplinës së gramatikës dhe jo të stilistikës gjuhësore apo letrare. Ky lloj integrimi realizohet nëpërmjet rubrikave të veçanta në tekst, por jo duke prishur objektin kryesor të Leximit, që lidhet me dallimin e llojeve të ndryshme të teksteve dhe të Gjuhës shqipe, që lidhet me përvetësimin e njohurive gramatikore, të cilat përmbyllen në ciklin 9-vjeçar.  Pra, nëse (ruajna zot!) del ndonjë urdhër t’i shkrijmë këto dy disiplina, nxënësi nuk do të njohë më dot as njohuritë letrare, që e përgatisin për studimin e letërsisë në shkollë të mesme dhe as gramatikën e gjuhës së vet amtare.
Nga seritë e teksteve që kemi në dispozicion, botime pas vitit 2005 (italiane, gjermane, franceze, sllovene, kroate, kanadeze, amerikane) kemi arritur në konkluzionin se një hibridizim të tillë nuk e gjen askund. Tekstet e Leximit dhe të Gramatikës janë ose libra më vete, ose të përfshira në një tekst, por në kapituj të veçantë. Është për t’u habitur se ideja e integrimit është hedhur dhe vazhdon të mbrohet vetëm nga zyrtarë, pasi nuk ka prononcime nga institucionet e specializuara; Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë, Instituti Albanologjik, nga studiues të letërsisë apo gjuhëtarë me integritet profesional. Ndaj, mbrojtësve të kësaj ideje do t’u luteshim, madje dhe me përgjërim, që të na venë në dispozicion tekste të tilla, ku leximi apo letërsia të jetë e integruar me gramatikën apo me teorinë e komunikimit. Integrim në vetvete do të thotë të gjesh pika takimi mes këtyre dy lëndëve, por pa e prishur objektin e secilës disiplinë: të Letërsisë dhe të Gjuhës.
Gjuhë shqipe apo Edukim tekstor?
Është për t’u përshëndetur programi i ri, i cili shmangu futjen e gramatikës në shkollën e mesme dhe i dha rëndësi gjuhës së aplikuar, pasi është parësore që nxënësi ta përdorë drejt e pa gabime gjuhën amtare në të gjitha situatat. Por, gjatë tri viteve të gjimnazit nxënësi nuk mund të kufizohet vetëm në ushtrimin e gjuhës së aplikuar; nuk mund të lihen jashtë studimit temat e kulturës së gjuhës shqipe, që lidhen me origjinën e saj; bazën e fjalëve shqipe, kontributi i albanologëve të shquar; marrëdhëniet e standardit të shqipes me dialektet etj., me qëllim që programi jo vetëm të justifikonte emërtimin “Gjuhë shqipe”, por pa këto tema nxënësi do të dilte me mungesa formimi.
Prononcimi i MASH-it se vërejtjet e oponentëve dhe të autorëve për programin e Gjuhës dhe të letërsisë do të realizohen në vitin e tretë, nuk më duket dhe aq ngushëllues, pasi ngrehina e letërsisë dhe e gjuhës shqipe nuk mund të fillojë nga kati i tretë, por me një studim të thelluar që nis nga viti i parë. Është e domosdoshme që specialistët e Institutit të Kurrikulave të zgjerojnë tryezat e tyre të punës me gjuhëtarë e studiues letërsie, mësues e specialistë didaktikë, në mënyrë që të vendoset për shtyllat që realizojnë një formim të qëndrueshëm gjuhësor dhe estetik të nxënësve në shkollën e mesme. 
*Specialiste didaktike, autore tekstesh shkollore, poete
Home item

Arkivi

Më të lexuarat