Loading...

ALEKSANDËR XHUVANI




Emil Lafe


NJË EMËR I SHQUAR NË HISTORINË E ARSIMIT DHE TË SHKENCAVE FILOLOGJIKE SHQIPTARE


Me rastin e 130-vjetorit të lindjes
Aleksandër Xhuvani është një emër që nderon kulturën, shkencën dhe shkollën tonë kombëtare. Ai i takon brezit të atyre burrave që e rilindën Shqipërinë dhe që atij shteti shqiptar të kërthinjtë i vunë shpatullat për ta mëkëmbur, për ta nxjerrë në dritën e përparimit e të qytetërimit modern. A. Xhuvani dhe shokët e tij të idealit e të veprimit kishin besim se drita e diturisë përpara do të na shpjerë, përpara drejt lirisë.... Ata e kryen më së miri misionin e tyre: e ushqyen rininë shqiptare jo vetëm me dituritë, po edhe me idealet e larta kombëtare e demokratike, me frymën liridashëse e me krenarinë për emrin shqiptar.
Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars 1880 në Elbasan. Plot një vit më pas ushtritë e Portës së Lartë do të shtypnin përfundimisht Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por fara e lirisë kombëtare që kishte mbjellë ajo “qysh prej Tivari deri në Prevezë”, kishte zënë mirë kudo në truallin shqiptar. A. Xhuvani u rrit dhe u burrërua në atmosferën e një rritjeje të fuqishme të lëvizjes për të drejta kombëtare, veçanërisht për shkrimin shqip, për gjuhën shqipe. Megjithëse që i vogël u shkollua në shkolla të huaja, larg vendlindjes, si shumë të tjerë ai nuk e ndërroi me asgjë vetëdijen e tij kombëtare, dashurinë për gjuhën e nënës. Dëshira për t’i shërbyer asaj dhe rinisë shqiptare përshkojnë si fill i kuq jetën e këtij njeriu simbol. Edhe në rastin e A. Xhuvanit vlen ajo anekdota e njohur e pedagogut zviceran, J. H. Pestaloci, që tregon Fan Noli për rastin e vet. Një nënë dikur shkoi me të birin e saj të mitur tek ai dhe iu lut që ta edukonte sipas sistemit të vet. “Sa vjeç është?” – e pyeti pedagogu. – “Pesë” – u përgjigj e ëma. – “Është vonë ...”. Me këtë Fan Noli tregon se ndjenja kombëtare që kishte marrë që i mitur në mjedisin shqiptar të familjes e të fshatit, kishte zënë rrënjë brenda tij dhe të gjitha ato që mësoi më pas nëpër shkolla të ndryshme të huaja, i pa e i kuptoi gjithnjë me sytë dhe mendjen e një shqiptari. A. Xhuvani ruajti gjithnjë me shumë dashuri kujtimin e atdhetarisë së qytetit të tij të lindjes, Elbasanit. Atje emri dhe vepra e Kostandin Kristoforidhit (1827-1995) kishin lënë gjurmë të pashlyeshme. A. Xhuvani nuk qe nxënës i drejtpërdrejtë i K. Kristoforidhit, por thithi në Elbasan frymëzimin për të vijuar punën e bashkëqytetasit të tij të madh. Dhe i mbeti besnik këtij frymëzimi rinor deri në fund të jetës.
Aleksandër Xhuvani lindi si shtetas i Perandorisë Osmane, ishte 32 vjeç kur “u bë Shqipëria”, siç thuhej atëherë, jetoi dy luftëra botërore, përjetoi dhembjen e humbjes së të birit, dëshmorit Ptoleme Xhuvani, dëshmor në luftën e Pojskës (16 korrik 1943), jetoi gëzimin e zhdukjes së analfabetizmit, të përhapjes së arsimit në çdo kënd të atdheut, të ngritjes së Universitetit të parë shqiptar dhe të organizimit të shkencës shqiptare. U nda nga jeta në nëntor të vitit 1961. Veprimtaria e tij e gjatë shtrihet në disa fusha: në veprimtari pedagogjike dhe hartim tekstesh mësimore, në studimet gjuhësore, në studimet letrare, në veprimtari shoqërore. Punën si mësues e nisi më 1906, kur sapo kishte kryer studimet e larta në Universitetin e Athinës. Dha mësim në Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh Shën Mitër, ku kishte dhënë mësim edhe De Rada i madh (1814-1903) dhe ku studiuan edhe jo pak shqiptarë nga Shqipëria. Por zëri i Atdheut e thirri të hapë, bashkë me Luigj Gurakuqin, të parën shkollë të mesme në gjuhën shqipe në Shqipëri, Normalen e Elbasanit, më 1 dhjetor 1909. Me këtë vatër të arsimit u lidh jeta dhe veprimtaria e tij si mësues për vite të tëra. Normalistët, misionarë të shkollës e të edukatës kombëtare, e kanë ruajtur gjithnjë në kujtesë shëmbëlltyrën e mësuesit dhe të drejtorit të tyre të mençur, të ditur e fjalëmirë. Puna e shumanshme mësimore, edukative, drejtuese dhe tekstet e A. Xhuvanit krijuan traditat e mira të kësaj shkolle me rrezatim e ndikim të gjerë në gjithë hapësirën shqiptare. Puna dhe përvoja e A. Xhuvanit në këtë shkollë e bënë atë të dallohej si një nga përfaqësuesit më në zë të mendimit pedagogjik shqiptar. Pas çlirimit të vendit A. Xhuvani qe një ndër pedagogët kryesorë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar, e para shkollë e lartë në Shqipëri, që u hap më 1 dhjetor 1946. Ai ishte nga të parët dhe të rrallët që kishin kryer studime të plota filologjike që në fillim të shekullit XX. A. Xhuvani ishte një mendje gjithnjë aktive, e interesuar për një qerthull të gjerë çështjesh. Ndiqte sistematikisht edhe zhvillimet e gjuhësisë europiane dhe veçanërisht të albanologjisë. Ai mbante letërkëmbim me një varg albanologësh të huaj, si: Norbert Jokli, Maksimilian Lamberci, Karl Trajmeri, Gustav Vajgandi, Marko La Pina, Karlo Taliavini, Anxhelo Leoti, Aleksandër Roseti etj. Atij i takoi të çonte përpara traditën e themeluesve të mëdhenj të gjuhësisë shqiptare, K. Kristoforidhit dhe S. Frashërit.
Krahas dhënies së leksioneve, A. Xhuvani zhvilloi edhe një punë të dendur kërkimore shkencore në fushën e gjuhësisë e të letërsisë në Institutin e Shkencave, që u organizua në vitet 1947-1948. Për vite me radhë drejtoi këtu seksionin e gjuhës, letërsisë dhe folklorit, duke bashkëpunuar me kolegët e tij të vyer: Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Osman Myderrizi, Anton Krajni, Pashko Geci, Lirak Dodbiba dhe me më të rinjtë si Androkli Kostallari, Spiro Floqi, Qemal Haxhihasani, Jorgji Gjinari etj. Veprimtarinë shkencore e pati nisur herët, që më 1905, duke botuar në revistën “Albania” të Faik Konicës artikullin e njohur “Për themelim të një gjuhe letrare”. Këtë temë e lëvroi gjithë jetën, në një varg shkrimesh. Shkroi gjithnjë pak a shumë në dialektin e vet amtar të Elbasanit, por ishte ai që formuloi tezën se gjuha letrare e përbashkët do të mbështetej mbi toskërishten, duke i ardhur gegërishtja si ndihmëtare. Këtu e çoi që më 1905 analiza e rrethanave gjuhësore e historike-kulturore. Në vitet 1917-1918 u thirr për të marrë pjesë në Komisinë Letrare të Shkodrës. Me përvojën e atij forumi drejtoi komisionet që përpunuan rregullat e drejtshkrimit më 1948 e 1951 (me K. Cipon dhe E. Çabejnë) e më 1956 (me E. Çabejnë, M. Domin e A. Kostallarin). Le të përmendim me këtë rast se drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe ka në themel pikërisht rregullat e “Ortografisë shqipe” të vitit 1956 të punuara nën drejtimin e tij; dallimet janë mjaft të pakta.
A. Xhuvani shtjelloi një veprimtari të gjerë e të begatshme për studimin e gjuhës shqipe dhe për zhvillimin e gjuhës letrare. Me veprimtarinë e tij ai e ngriti në një fazë të re më të lartë gjuhësinë shqiptare në tërësi. Seksioni i gjuhës, letërsisë e folklorit, që drejtoi ai në Institutin e Shkencave, përveç udhëzuesve të drejtshkrimit, botoi Gramatikën e gjuhës shqipe nga K. Cipo (Morfologjia, 1949; Sintaksa, 1952), dhe hartoi të parin fjalor shpjegues të gjuhës shqipe (K. Cipo, E. Çabej, M. Domi, A. Krajni, O. Myderrizi), që u botua më 1954. A. Xhuvani ishte një nga njohësit më të mirë të gjuhës shqipe të folur e të shkruar. Shqipja letrare u rrit e u zhvillua, si të thuash në sytë e tij dhe kështu ai dinte ditëlindjet e shumë e shumë fjalëve të reja si dhe autorët e tyre, ashtu siç dinte edhe përhapjen dhe format dialektore të qindra fjalëve shqipe. Nxënësit e tij të Normales dhe gjithë të njohurit e mbajnë mend kureshtjen e tij për fjalën shqipe. Fryt i atij pasioni të jetës është një fjalor me mbi 20 mijë fjalë, që ai e la në dorëshkrim dhe që është botuar pjesë-pjesë vite me radhë në revistën “Studime filologjike”. A. Xhuvanin në këtë punë e udhëhiqte shembulli i K. Kristoforidhit, për të cilin kishte një nderim të madh. Fjalorin e tij nuk e ndante nga dora. Ai e ringjalli “Fjalorin e gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (Athinë, 1904), duke përgatitur dhe redaktuar me kujdes, vite me radhë, ribotimin e tij me alfabetin e sotshëm. Arriti ta merrte në dorë dhe ta ndiente gëzimin e këtij botimi në vitin 1961, pak muaj para se të ndahej nga jeta.
A. Xhuvani ka lënë një emër dhe një shembull të madh me punën për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe për pasurimin e saj me fjalë të brumit të vet. Gjuhën ai e përcaktonte si “shenjë e gjallë e kombësisë dhe vegël përparimi e zhvillimi kombëtar”, prandaj gjuha shqipe duhet të ruhet e paprishur me fjalë e ndërtime të huaja, se “pakujdesia për gjuhën, zvetënimi dhe prishja e saj, asht një shenjë e tatëpjetës edhe të jetës kulturore të kombit.” Artikujt e tij të herëpashershëm për këtë çështje dhe libri me titullin kuptimplotë “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” kanë pasur një ndikim të gjerë në opinionin shoqëror. Ata kanë shërbyer si shembull edhe për brezat pasardhës të gjuhëtarëve shqiptarë. A. Xhuvani ka krijuar shumë terma që kanë zënë vend të përhershëm në gjuhën shqipe, si p.sh. gjini, dhanore, rrjedhore, zanore, parafjalë, lidhëz, shkallë pohore, krahasore, paskajore, përcjellore, pasthirrmë, cilësor, ndajshtim etj. nga fusha e gjuhësisë; si dhe ndijim, ndijor, ngacmim, vetëqeverim (i nxënësve), shkathtësi etj. nga fusha e psikologjisë dhe pedagogjisë. Puna për krijimin e fjalëve të reja e çoi A. Xhuvanin edhe te thellimi në çështjet e fjalëformimit të shqipes. Janë të mirënjohura studimet “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), dy vepra themelore në fushën e fjalëformimit, që i hartoi me bashkëpunimin e prof. Eqrem Çabejt (1908-1980). Të dy ishin të lidhur me një miqësi kolegjiale prekëse.
E. Çabej vlerësonte tek A. Xhuvani jo vetëm dijetarin, po edhe anët njerëzore të personalitetit të tij. Ai e ka skalitur në një mënyrë mbresëlënëse personalitetin e kolegut të tij më të afërt: “Si çdo dijetar i vërtetë, A. Xhuvani ka qenë i rrafshët e i thjeshtë në jetë e në marrëdhëniet e tij me të tjerët. Besnik i parimit tonë për të vënë të gjitha forcat në shërbim të shoqërisë, duke i dhënë gjithnjë më shumë asaj sesa t’i marrë, ai ka vepruar gjithherë ashtu që interesi i përgjithshëm tek ai e ka lënë shumë mbrapa interesin personal, si në jetë, si në fushë të dijes. ... Punëtor metodik e i palodhur deri në fund të jetës së tij, ai, më anë tjetër, në bashkëpunim e në diskutime ka qenë gjithmonë i matur e i durueshëm në dëgjim të mendimit edhe të të tjerëve, gjë që e lejonte të arrinte në përfundime shkencore objektive, dhe që e bënte të lehtë bashkëpunimin me të... Ai si njeri mbeti një humanist socialist i vërtetë, një burë përparimtar në kuptimin fisnik të kësaj fjale.” Të dy këta dijetarë ishin të një brumi moral. Ka qenë një rrethanë fatlume që bashkëpunimi Xhuvani–Çabej dhe veprimtaria e tyre shkencore u zhvilluan nën përkujdesjen e afërt të prof. Mahir Domit, i cili nuk u kursye kurrë për të bërë më të mirën për ta dhe veçanërisht për botimin e veprave të tyre. Nën drejtimin dhe me redaktimin e prof. M. Domit u botua nga Instituti i Shkencave përmbledhja e parë e A. Xhuvanit “Studime gjuhësore” (1955) dhe më vonë dy vëllime të “Veprave” të tij (vëll. I, 1980, vëll. II, 1990) nga Akademia e Shkencave në serinë “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”.
Përkujtimi i figurave të shquara të shkollës, të kulturës e të shkencës është një rast për të mësuar nga shembulli i tyre, por edhe për të njohur detyrimet ndaj tyre. Në këtë mënyrë vepra kanë lënë ata do t'i vlejë më mirë së sotmes e së ardhmes. Vitin e ardhshëm është 50-vjetori i vdekjes së këtij dijetari, i pari që mori në Shqipëri zyrtarisht titullin "profesor" më 6 shtator 1956. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si pasardhëse e Institutit të Shkencave, ku A. Xhuvani, si njeri i veprimit e i organizimit hapi dhe udhëhoqi drejtime të reja studimesh, ka për detyrë morale të plotësojë botimin e "Veprës" së tij me vëllimin e tretë, "Fjalorin" e fjalëve popullore, që A. Xhuvani i mblodhi me kujdes nga goja e njerëzve të thjeshtë gjatë gjithë jetës, sipas shembullit të mësuesit të tij të madh. K. Kristoforidhit.
A. Xhuvani ishte një dijetar me autoritet edhe në botën e jashtme. Në një vëllim të posaçëm "Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit", të botuar nga Akademia e Shkencave (1986, 750 f., i vetmi i këtij lloji deri tani), kanë marrë pjesë me shkrimet e tyre edhe një varg dijetarësh të huaj, e që çmonin mendimin e tij shkencor. Me A. Xhuvanin, siç e ka përcaktuar me të drejtë E. Çabej, zë fill periudha e mirëfilltë shkencore e gjuhësisë dhe filologjisë shqiptare. Vepra e tij mbetet një udhërrëfyes dhe një shembull për studiuesit në fushat e shumta që ka lëvruar ai.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat