Loading...

Të lexosh, po përse?

  Agim Baçi 

Leximi i letërsisë prej shekujsh ka frymëzuar njerëz në përditshmërinë e tyre dhe në përmirësimin e jetës , apo dhe ka ndërtuar opinione brezash të tërë. Por, a ka një “përse” themelore për leximin? Ose më saktë, a është e rëndësishme të gjejmë një “përse” për leximin? Të dish përse duhet të lexosh, kjo duhet të jetë tërësisht në favor të lexuesit. Por, për të përmirësuar afrimin e lexuesit drejt letërsisë, për çka përpiqen edhe shkencat letrare, duhet së pari të përmirësosh teknikat për të qartësuar rëndësinë e leximit. Kjo e fundit është pikërisht edhe hallka e shkëputur prej vitesh me radhë mes librit dhe lexuesit shqiptar. Me të drejtë, Profesoresha Floresha Dado në librin e saj “Sfida teorike të historiografisë letrare” shtron çështjen e rëndësisë dhe kritereve që duhet të ketë rishkrimi i historisë së letërsisë. Dhe, për hir të së vërtetës, përballë teksteve alternative, apo llojeve të ndryshmeve të komunikimit në dhjetëra universitete, shtetërore apo private, libri shtron në emergjencë nevojën për rishkrim shkencor të historisë së letërsisë, të cilat duhen unifikuar në kuadër të mësimit të një historie të përbashkët. Pa i hequr asnjë presje rëndësisë së rishkrimit të letërsisë, bazuar në eksperiencat më të mira teorike, të cilat fatmirësisht janë sot edhe në shqip, unë dua të kthej vëmendjen në një çështje pararendëse të studimit shkencor të letërsisë - atë të artit të të lexuarit. Fundja, çfarë rëndësie do të kishte njohja e të gjitha teknikave studimore për një libër artistik, nëse ne nuk kemi mundur t’i themi lexuesve sot, se përse duhet ta lexojnë atë libër. Nëse do të merrnim një vepër vetëm nga ana shkencore, do të ishte si t’i flisnim për pjesët e një makine, pa i bashkuar ato, për t’i dhënë më pas kuptimin më të rëndësishëm që ka makina: atë të ecjes dhe të shërbimit ndaj njeriut.
Pra, pikësëpari, nevojitet nevoja e gjetjes së mekanizmave për të tërhequr lexuesin drejt botës së lëkundur të leximit – një botë kjo në krizë, për shkak të sulmit të pashembullt që i bëhet nga informacioni apo televizionet. “Fakti se çfarë lexojnë dhe se si lexojnë, mirë a keq, nuk varet plotësisht nga lexuesit, por arsyeja se përse lexojnë duhet të jetë plotësisht në shërbim të interesit të tyre”, shprehet Harold Bloom, një nga kritikët më të famshëm në botë, profesor i Shkencave Humane në Universitetin e Yale-it dhe në Harvard, duke na sugjeruar “estetikën e kënaqësisë”, si estetika thelbësore që duhet të na interesojë në letërsi. Pra, një lexim me kënaqësi - një lexim që na ndihmon për të forcuar gjykimet dhe opinionet tona mbi botën dhe fenomenet e përditshme - larg termave, larg përcaktimeve të rrymave, duhet të jetë thelbi i shqetësimit parësor mbi gjendjen e librit sot. Dhe ne duhet të dimë të sugjerojmë pikësëpari, se përse duhet ta lexojmë një libër, ose përse nuk duhet ta lexojmë atë.  Sidomos, për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilët janë edhe më të rrezikuarit nga informacioni i pakontrolluar, ne duhet të ndërtojmë mekanizmin për të përgatitur përgjigjet se përse duhet apo përse nuk duhet ta lexojë një libër. Pra, duhet të gjejmë argumente që e bëjnë të vlefshëm (ose të pavlefshëm) një libër, jo nga arsyet e teknikave të të shkruarit, por nga mesazhi që rrok, nga ajo që na lidh moralisht, shpirtërisht dhe që na shqetëson në përditshmërinë e pikëpyetjeve njerëzore. Më pas, leximet shkencore, qofshin ato krahasuese, semiotike, historike, stilistike, apo gjithçka tjetër, duhet të jenë pasojë e artit të leximit, apo thënë më saktë, artit të kthimit të dëshirës për të lexuar.
Libri sot është në krizën e rastësisë së leximit, për shkak të mungesës së guidave nxitëse, apo paralajmëruese, për llojin e letërsisë që sot tregtohet. Dhe kjo për faktin se brezat e mëparshëm të identifikuar si kritikë, e kanë të pamundur rrokjen e një leximi që ndjek “arsyen njeri”, pasi mënyra e tyre e mëparshme e leximit ka qenë partishmëria, ideologjia, por jo Njeriu. Ndaj, së pari ne duhet ta shohim një libër në fuqinë e tij ose në pafuqinë e tij në rrugëtimin e të qenurit Njeri. Ne duhet të kërkojmë së pari te një libër fuqinë që të është dhënë, aftësinë tënde për të ndryshuar, dashuruar, falur, besuar, dhe të drejtohesh drejt arsyes për t’i dhënë jetë kësaj fuqie të brendshme – ja ky është “udhëzimi” i letërsisë, që vjen me burra e gra që në jetën tonë nuk do të mund të guxonim t’i njihnim kurrë. Ne duhet të gjejmë së pari rrugëtimin për t’i bërë të ditur lexuesit se, letërsia ka fuqinë të zgjojë brenda nesh këto dhurata. Duhet të dimë dhe të themi përmes veprave konkrete, nëse kemi, se letërsia tenton të zgjojë brenda nesh përmasat e mundshme tonat, se letërsia na jep mundësinë të shohim brenda vetes atë që më parë nuk e shinim, që nuk e besonim se e kishim. Një libër, si shkak parësor duhet të ketë vetëm leximin. Më pas, mënyrat e leximit janë pasojë dhe i përkasin një faze të dytë. Por ne jemi në nevojën për trokitjen e portës së parë, atë që duhet të na çojë drejt librit. Ndaj të gjitha kambanat duhet t’i drejtojmë pikësëpari në orientimin e nevojës për lexim – një orientim që më pas do t’i hapte udhë edhe leximeve shkencore, duke përfshirë këtu të gjitha këndvështrimet mbi letërsinë.
Por më parë të shohim Njeriun!
Home item

Arkivi

Më të lexuarat