Loading...

Romani “E Penguara” – Si e kuptoj unë

MINELLA ALEKSI






Një roman ku ngjarjet zhvillohen në qiell dhe në ferr, ku koncepti universal i lirisë së individit vjen në formën më të bukur artistike. Në parafytyrimin e lexuesit lëvizja në kohë e personazheve, koha e futjes në lojë, hapësira që u jepet atyre në ngjarjet dramatike të përshkruara, zhvillimet dinamike artistike që ato pësojnë, e bëjnë strukturën e romanit para mendjes së lexuesit të ngjashme me strukturën e një ndërtese gjigande ku arkitekti ka ruajtur me fanatizëm, mjeshtërisht harmoninë e raporteve të masës së hapësirës dhe kohës në funksion të një qëllimi final, arritjen e një vepre arti brilante. Struktura e këtij romani me raportet tepër të balancuara që u janë dhënë ngjarjeve e personazheve të përfshirë në të mendoj se përbën një model shkollë se si ndërtohet një prozë e gjatë e harmonizuar si art i madh. Një ngrehinë ku asgjë nuk është e tepërt, duke mos munguar asgjë. Në këtë roman Kadare ka zgjedhur stilin e një makthi që të përfshin valë valë. Të ka rrëmbyer vala e parë e ankthit të personazhit Dramaturg e cila, duke u pasuruar me detaje të holla në volum dhe intensitet të përfundon në një moment rënieje të menjëhershme dhe, ndërsa nga kjo rënie merr frymë i ç’tensionuar pa të lënë kohë për qetësim pas rënies, fillon të të rrëmbejë vala tjetër e ankthit në rritje për një rënie nga një majë tjetër makthi makabër. Ky sistem, ky mekanizëm i transmetimit të valëve të ankthit e përshkon romanin nga rreshtat e parë deri në ato të fundit. Do e quaja Stil i Ankthit Valëzues. Ka gjithnjë një diçka që nuk dihet deri në fund. Nuk ndjen asnjëherë gjatë leximit se diku po të bie ethja e magjepsjes. Autori nëpër rreshta të rrëzon ty vet, sa nga hapësira mrekulli e dashurisë së epërme hyjnore në Ferrin e shpirtrave të robëruar nga krimi.
Përse në krye të këtyre shënimeve i referohem konceptit universal të lirisë? Kemi dramën historike njerëzore, raportin liri individi, të drejtat e njeriut me makinën cinike të diktaturës. Kadare me ngjarjet në këtë roman depërton në thellësi të mijëvjeçarëve për të na thënë se cmira e zezë e tillë ka qenë në mendjen e njerëzve përgjatë historisë njerëzore. Mesazhi filozofik që përcillet nga autori bazohet në konceptet bazë të filozofisë së dy emrave të njohur të kohëve klasike, Orfeut dhe Senekës.
Përse Orfeu, Përse Seneka janë kaq të pranishëm në faqet e romanit E Penguara? Grekërit e epokës klasike e nderonin Orfeun si shef të poetëve e muzikantëve por edhe si perfeksionues i lyrës. Si një nga pionierët e civilizimit ai u mësoi njerëzve mjekësinë, të shkruarit dhe bujqësinë. Ishte interpret i vullnetit të zotave dhe praktikues i arteve magjike. Orfeu ishte një nga të paktët heronj të Greqisë i cili zbriste në botën e nëndheshme dhe rikthehej mes njerëzve mbi dhe׳ e përgjatë kësaj zbritjeje këngët dhe lyra e tij nuk humbisnin fuqinë e tyre. Seneka trajtohet në historinë njerëzore si shenjti i humanizmit dhe një nga filozofët stoik më popullor që nga koha e tij.
Seneka ka një vizion kompleks të vdekjes, përbërë nga dy aspekte të ndryshme, një tradicionale dhe një origjinale. Si para ardhësit e tij Seneka e konsideronte vdekjen diçka pozitive, si çlirim nga disa të këqija që torturojnë ekzistencën e njeriut. Origjinaliteti, aspekti tjetër i vdekjes qëndron në idenë se njeriu megjithëse nuk e vëren, ai vdes përditë nga pak. Në fakt edhe pse vdekja mendohet si diçka e largët, një pjesë e saj është jetuar tashmë sepse e gjithë koha e përshkuar i përket asaj. A nuk vdes në po këtë mënyrë, përditë nga pak personazhi vrasës i shokut të vet me plumb mbas koke?
Shoqëria shqiptare e penguar tmerrësisht nga vullneti diktatorial ka nevojë për qytetërim, për atë qytetërim që është në ndërgjegjen e njerëzimit prej kohëve greko latine pa arritur të bëhet ushqim organik i botëkuptimit shqiptar në kohët moderne. Krijohet te lexuesi imazhi i një shoqërie shqiptare që vuan në shpirt mungesën e elementeve më prioritare për jetën e një komuniteti i cili, po lëngon pa shenja shërimi moral. Kadare me këto evokime e orienton mjeshtërisht ndërgjegjen e lexuesit drejt këtyre referencave të kulturës botërore duke nënkuptuar qartë se duhet larguar sa më parë nga mendësia primitive e nderimit verbërisht të idhujve të rremë të ditëve të sotme, të diktatorëve të rinj.
Autori na risjell në mendimin shoqëror shqiptar ato vlera që ka kultivuar dhe zhvilluar njerëzimi që nga kohët greko latine, të mbartura në mitin e Orfeut dhe filozofinë humaniste të Senekës. Të ngjan si jehona e veprës së Rilindasve që evokuan figurën e Skënderbeut në vetëdijen shqiptare si nevojë imediate për zgjim Kombëtar. Në këtë roman arti i madh me filozofinë civilizuese janë shkrirë te njëri tjetri në një formë madhështore. Analizohet, zbërthehet artistikisht mëkati dhe virtyti, terreni botëkuptimor që i mbështet. Për atë që quhet art i madh ka një kriter themelor shkencor e artistik i cili ndan edhe vlerat. Dante është i pranishëm në roman pikërisht për shkak të këtij kriteri shkencor. Te Komedia Hyjnore në përshkrimin alegorik që ai i bën mëkatit te Ferri dhe virtytit te Purgatori e Parajsa i huan karakteret nga antikiteti grek, nga historia e mitet romane si dhe nga figura reale të kohës së vet. Vetëm një artist gjenial mund të luaj me artin e tij në këto nivele sipërore të mendimit shoqëror ku ndërthuren historia, filozofia, parapsikologjia, letërsia klasike e moderne, etj. A nuk bën Kadare të njëjtën gjë në romanin e tij me karakteret e huazuara nga kohët greko latine dhe nga koha e sotme e botës shqiptare? Cili shkrimtar do guxonte të hynte e të vepronte me artin e tij në këto sfera të mendimit botëror, përveçse ai që ndihet brenda kësaj bote si pjesëtar i zakonshëm i racës së shkrimtarëve gjenial!
Dikush mund të thotë që dramaturgu në roman është vet autori. Do e konsideroja pak të thuhej kjo. Autori mbart një peshë më të madhe, si misionar, si nyja lidhëse e botës me dritë të dramaturgut për te bota e tmerrit ku jetonte Linda. Kështu zbriti me artin e tij te njerëzit e u dha dritën të cilën ua kufizonte regjimi diktatorial. Na shpie në thellësitë e historisë së shoqërisë për të na dhënë mesazhin filozofik të një raporti të pandryshuar historik, se padija dhe dija, drita e qytetërimit me errësirën e injorancës, bukuria shpirtërore me shëmtinë smirëzezë në të gjitha kohërat kanë qenë dhe janë në një ndeshje të përjetshme. Në diktaturën shqiptare drama njerëzore kulmoi si në asnjë vend tjetër. Epidemitë e gripit janë njësoj nëpër vende të ndryshme, egërsia skëterrore e diktaturës shqiptare ishte më e kobshme krahasuar me epideminë e diktaturave të sistemit të Lindjes.
Fantazmat viktima të cilat rëndojnë në ndërgjegjen e vrasësve të tyre cmirëzinj, të tilla janë endur në memorien e shoqërisë. Fantazma e të vrarit me plumb pas koke nuk është hequr ndonjëherë dhe nuk ka për tu hequr edhe në të ardhmen nga drama e shoqërisë. Këtu qëndron arsyeja që autori shumë natyrshëm e përfshin lexuesin në botën e dramave të kohës së Senekës, Kaligulës, Prometheut e Shekspirit deri te enigma e dramës së kryeministrit shqiptar duke dhënë makthin e ndërgjegjeve që vuajnë në roman nëpërmjet raportit Hetues - Dramaturg.
Është krejt një veçori e artit të Kadaresë dhënia në këtë roman si rrallë ndonjëherë një përmbysje të mrekullueshme të roleve Hetues - Dramaturg. Nuk është Hetuesi ai që bën pyetjet, madje ky të torturon me indiferentizmin e tij, por Dramaturgu që vuan ankthin e rrëzimit shpirtëror i cili, mjeshtërisht nga autori vihet në një pozitë dyfishe, sa keqardhëse aq edhe groteske; edhe të dhimbset tej mase për fatkeqësinë që e pret por edhe të bën të nënqeshësh nga humbja e durimit dhe psikoza që e përfshin në çaste të caktuara në pritje të marrjes vesh prej hetuesit të së vërtetës. Kjo bën pjesë në atë që Kadare e ka quajtur procesi gradual i rrëzimit, i squlljes së personalitetit të njeriut, deri në stadin e një kufome aluçinante. Në roman shijon artistikisht si analizat shumë të holla psikologjike të tipit Dostojevski ashtu edhe groteskun më të shkëlqyer të llojit Gogol.
Me personazhin e vajzës së penguar Kadare ka arritur notat më të larta të interpretimit të klithmës së dëshpërimit të një njeriu që vuan për pak liri. Gjetjet e mrekullueshme artistike janë të pafund. Skenat e pyetje përgjigjeve të Fantazmës me Hetuesit janë të arritura në atë shkallë sa që janë një mrekulli më vete. Gjatë gjithë romanit ndjehet në sfond një zymti makabre e sjell herë pas here nëpërmjet emrave të vendeve si Kurthi i Zekës, Kodra e qyqes, Rrëzoma e keqe, etj, etj, të penetruara mjeshtërisht në shtimin e zymtisë së jetës së personazheve. Sarkazma therëse është e pranishme në shumë forma duke arritur notat më të larta të një humori të zi në skenat e hetimit dhe ato të portretit psikologjik të Prijësit. Njerëzit Qenë të diktaturës janë simbole ulëritëse të mbytjes së lirive të njeriut, të cilësuar të tillë në fjalët e fantazmës së partizanit të vrarë - “Dashuria nuk i donte sepse ata nuk e donin atë”. Një përçmim ky i një shkalle sipërore që njeh intelekti njerëzor.
Kapitulli i skenës së thirrjes në hetim ballafaques të Vrasësit me Fantazmën e shokut që vrau pas shpine, është një produkt i shkëlqyer i fantazisë gjeniale të Kadaresë. Skenë makabre, absurde deri në çmenduri. Përjetohet pak a shumë ajo situatë tmerri psikologjik që kemi lexuar në librin biografi për shkrimtarin Kasëm Trebeshina, ku autori përshkruan mënyrën se si heroi i tij, Trebeshina ekzekuton me dorë të ftohët pas shpine shokun e tij partizan të të njëjtit njësit, me shkakun – sepse kishte manifestuar sjellje bajraktarizmi. Në këtë rast jepet nga zbatuesi i vrasjes një sebep për të kryer vrasjen. Pra ekzekutuesi Trebeshina dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk u morën vesh asnjëherë vazhduan në rrugën e tyre të pashqetësuar. Këto ndodhi ishin oguri i zi, paraprirëse të një diktature që u instalua me vrasjet pas shpine dhe me morinë e ndëshkimeve të mëvonshme për dekada të tëra. Skenat e vrasjeve prapa shpine për shkak se kryhen nga njeriu ndaj njeriut kudo në artin botëror përshkruhen të dhimbshme deri në palcë. Në romanin “E Penduara” marin përmasën e një dhimbjeje të përgjithëshme skëterrore shoqërore.
Kadare ka krijuar në këtë roman si edhe në vepra të tjera situata dialogësh të mprehta, magjepsëse artistikisht. E zhvillon në perfeksion ndërthurjen e tyre, me mënyrën se si e ndërton fjalinë dhe atë se si i vendos fjalët në fjali. Njësoj si me notat në një kompozicion muzikor. Diku duke forcuar një tingull, diku duke bërë kombinime ritmike, diku duke zgjatur një akord, diku më piano, diku më forte, etj. për të shprehur kompozitori frymëzimin e tij ashtu siç duhet. Ashtu edhe me fjalinë e Kadaresë. Të bën një zigzake, të jep një situatë dhe pastaj e përsërit thekshëm një tipar të personazhit njësoj siç bëjnë kompozitorët e mëdhenj për të fiksuar sa më mirë mendimin e tyre. Si të thuash në fund të fjalisë e vulos atë, e tipizon në mënyrën më të paharrueshme personazhin. Në këtë roman kjo mënyrë shprehjeje ka arritur një perfeksion të habitshëm. Mjaft të sjellim shembullin e përshkrimit të tipareve dhe sjelljes së diktatorit nën personazhin Prijësi. Një sjellje e Tij prej adhuruesi të së bukurës në figurat e grave të anëtarve të Byrosë, por i përcaktuar me fjalën nofkë Meleq-Ëngjëll, është e mjaftueshme që me 15 - 20 rreshta të japë tërë atë humor të zi të cilin shkrimtarë të tjerë janë munduar që ta japin me një libër të tërë.
Si në shumë drama të historisë njerëzore ku përherë ka një lajmës ashtu edhe drama e të Penguarës ka lajmësin e saj. Është Migena, shoqja e saj e ngushtë, e cila i sjell Lindës lajme nga bota e dritave. Nocioni i kulmit të dëshpërimit njerëzor arrin ekstremin e vet kur nga Linda kërkohet marrëzisht sëmundja e kancerit si parakusht ndihmës për të realizuar një qëndrim gjashtë mujor në Tiranë, në qytetin e dritave. Ka një madhështi qiellore skena e paqes hyjnore të realizuar nga dy shoqet në kontaktet e tyre fizike si përcjellëse te njëra tjetra të dashurisë së ëndërruar dhe të përmbushur me Dramaturgun. Të duket sikur të vjen nga fundi i krahërorit thirrja e përhershme e njeriut në çastet më sublime- Bëje zot të vërtetë. Zëvendësuesja e Lindës në dashurinë me Dramaturgun, Migena, të sjell në parafytyrim fantazmat dashnore të dramave të mëdha botërore. Realizimi me Zëvendsuese i dashurisë mes dy personazheve, si virtyti më i lartë njerëzor vërtitet si lavjerrës, si ndarës i kohës që dallon një veprim lesbik nga të qenit diçka shumë larg tij, jashtë ligjeve të kësaj bote. Dhe mbas kësaj vjen vetëvrasja sfiduese me ëmbëlsi hyjnore e Lindës. Si një kurorë lavdie për njeriun që kërkoi marrëzisht dashurinë dhe lirinë e vërtetë njerëzore.
Këndvështrimet dhe interpretimet për kënaqësinë që të jepet përgjatë leximit të këtij romani janë të ndryshme, si faqet e një prizmi që rrezaton më shumë nga ajo faqe që i kthen dritës. Në mjetet shprehëse artistike një minierë e vërtetë brilantesh vezullues. Përpiqesh të masësh dhe vlerësosh se nga cila anë të vjen më shumë dritë por e ke të pamundur pasi forca e saj të verbon njësoj.
Kadare me këtë roman ka manifestuar një shkallë pjekurie artistike sipërore, një teknikë shumë të avancuar, një virtuozitet të lartë të gjuhës dhe të konceptit filozofik që jep. Pak kohë më parë Ai është shprehur se nuk do shkruaj më roman. Shumë keqardhëse për lexuesit një pohim i tillë që, pikërisht në këtë fazë kulmore nuk do kemi të tjera vepra prej tij. Sidoqoftë, në sistemin letrar shqiptar Ai është planeti dhe të tjerët janë satelitët e tij, të baraslarguar në distancë të pandryshueshme.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat