Loading...

Mësuesi im i madh!

SHPëTIM ÇUçKA



Çdo portret buron nga këndvështrimi. Portreti i Pashko Gjeçit i skicuar nga unë mban vulën e një nxënësi të tij. Në historinë e njerëzimit portretet e mësuesve, kryer nga nxënësit, thënë ndryshe me një fjalë latine, nga dishepujt, vlerësohen si vepra të subjektivizmit, për të mirë a për të keq qofshin, pra jo fort të pranueshme.

Shpresoj të jem aq objektiv në portretizimin e njeriut të nderuar dhe mësuesit tim të rrallë, sa askush të mos ndihet qoftë edhe lehtësisht i shtënë në dyshime mosbesimi.



Mësuesi

Në vitin 1965 në Tiranë u hap, për herë të parë në periudhën e pasçlirimit, një shkollë e veçantë, ajo e mësimit intensiv të gjuhëve të huaja. Shkolla, e cila njihej thjesht si Shkolla e Gjuhëve të Huaja, sillte bashkë me lindjen e vet edhe një risi për arsimin shqiptar të pasçlirimit: hapjen e një dege të veçante, klasike, për mësimin e gjuhëve kryesore të antikitetit, greqishtes së vjetër dhe latinishtes.

Ende sot e kësaj dite nuk më ka qëlluar “dhe as jam interesuar” të mësoj se në cilën instancë të administratës shtetërore lindi ideja, disi e çuditshme për atë kohë, e hapjes së një dege të tillë. Asokohe në Tiranë latinishtja mësohej, me orar të zakonshëm, vetëm në gjimnazin "Sami Frashëri", ndërkohë që në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë përgatitej për studimin e mëvonshëm të historisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe një grup tejet i vogël prej 5 studentësh, të cilët mësonin në mënyrë të veçantë greqishten e vjetër dhe latinishten.

Këto janë pak a shumë rrethanat mësimore të hapjes së degës së greqishtes së vjetër dhe latinishtes në Shkollën e Gjuhëve të Huaja këtu e 40 vjet më parë.

Prekja e rrethanave të tjera do të ishte diçka, që do të kërkonte shumë kohë dhe do të ishte jashtë kornizave të një gazete. Por le të kujtojmë kalimthi që gjuhet klasike, sidomos latinishtja, lidheshin së paku me dy përfytyrime në mendësinë e njeriut të kohës: së pari, me disiplina shumë të vështira dhe, ndoshta të panevojshme; së dyti, me klerin katolik dhe rolin e tij në historinë e vendit.

Hapja e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja u shoqërua me një vërshim lutjesh të nxënësve, që kishin mbaruar klasën e shtatë (asokohe arsimi i parë ishte shtatëvjeçar). Nuk besoj të ketë pasur shumë kërkesa për të hyrë në degën klasike. Ndërsa nxënësit e pranuar në të ishin dhe mbeten 20. Në vitet e mëpasshme dega nuk pati vijimësi.

Dhe ja, ora e parë e mësimit të latinishtes “kjo ishte gjuha, me mësimin e të cilës hapej dega klasike. Greqishtja e vjetër do të fillonte dy vjet më vonë”. Mund të përfytyrohet emocioni i katërmbëdhjetëvjeçarëve në ballafaqimin e parë me një lëndë aq të largët për realitetin tonë, pothuaj të panjohur. Dhe në klasë hynte mësuesi i saj, mësuesi i lëndës dhe i klasës. I dinim vetëm emrin. Asgjë më shumë. Kishte ndonjë që dinte se mësuesi ynë kishte përkthyer "Komedinë hyjnore" të Dante Aligerit, por përveç portretit zymtan të këtij poeti të madh që ndodhej në kopertinën e të tre vëllimeve të "Komedisë hyjnore" asgjë tjetër askush nuk dinte.

Mësuesi vinte i shkurtër, paksa i kërrusur supesh. Kishte një fytyrë të bardhë, dy sy shumë të vëmendshëm dhe cilësinë e rrallë për mësuesit e kohës që të mos ulej kurrë. Ai lëvizte ndërmjet rreshtave, nuk i drejtohej askujt në mënyrë të veçantë dhe u drejtohej të gjithëve njëherësh. Shkodranishtja e këndshme e shkrirë me zërin e butë dhe çuditërisht të gjallë, kumbues, mjaftonte për të tërhequr vëmendjen e një klase gjithsesi mjaft euforike. Mësuesi ynë nuk e ngrinte zërin kurrë, por ashtu si pa e kuptuar as ne vetë, në klasë vendosej shumë shpejt heshtja dhe vëmendja përqendrohej tek fjalët që dora vogëlane e mësuesit rendiste në dërrasën e zezë. Mësuesi ynë nuk dallohej për një metodikë të ngurtë. Bashkë me rregullat e leximit dhe fjalët e fjalitë e para rutinore, ja tek erdhi edhe diçka e veçantë, një fjali, e cila na u duk si pa lidhje koherente me mësimin e ditës, por që dëshmonte se cili ishte këndvështrimi i mësuesit tonë ndaj botës së mësimit në përgjithësi, ndaj latinishtes në veçanti. Kjo fjali, në të cilën mësuesi ynë u ndal paksa më gjatë, tingëllonte "Aurora amica Musis". Ne sapo kishim filluar të njiheshim me lakimin e parë të emrave në gjuhën latine “më pas do të mësonim se të tillë ishin plot”, ndërsa mësuesi na jepte një fjali, që kishte gjithsej tre fjalë, tre emra, të tre të lakimit të parë, dhe... asnjë folje. Ai u ndal diku përbri radhës së fundit të bankave tona dhe zëri i tij na erdhi si melodi që prapa krahëve. Lexonte me ngadalë e me zë të plotë fjalinë që sapo kishte shkruar në dërrasën e zezë. Dhe na tërhoqi vëmendjen tek disa elemente të kësaj fjalie: së pari, tek numri i madh i zanoreve, duke na shpjeguar se kjo i jepte gjuhës tingëllime, melodi. Së dyti, te denduria e zanores a në këtë fjali të thjeshtë, duke nënvizuar hapësirën që i shtonte kjo zanore frymëmarrjes. Së treti, te mungesa e nyjave, parafjalëve, shkurt te karakteri monolitik i fjalëve, i fjalisë, i gjuhës latine. Së katërti, te bukuria e përgjithshme e fjalëve "aurora", "amica", "Musis": të tria të shtrira, të qeta, të thjeshta, e njëkohësisht madhështore, plot bukuri.

Ishte një këndvështrim tërësisht estetik, ndonëse i mbështetur në tipare rreptësisht gjuhësore. Ishte kjo pjesa qendrore e teknikës mësimdhënëse të mësuesit tonë: Nxënësit mësimi duhet t'i bëhet i këndshëm, i pëlqyeshëm, tërheqës. Kjo rregull nuk na kishte rënë pothuaj fare në sy në tërë vitet paraardhëse këtu do të veçoja për një teknikë të ngjashme edhe mësuesin tjetër të talentuar e të apasionuar, atë të fizikës, Besim Turdiu) dhe pothuaj nuk do ta hasnim as në të ardhmen edhe këtu një përjashtim do ta bëja me dëshirë për latinistin tjetër të shquar Henrik Lacaj, pedagogun tonë të periudhës universitare). Ndërsa te mësuesi ynë Pashko kjo, siç do ta tregonte koha, ishte baza.

Krahas mësimit estetik na erdhi, me të njëjtën fjali, edhe mësimi moral, edukata: "Shkolla, mësimi duhet të zhvillojë te nxënësi qetësinë, natyrën e shtruar, të vëmendshme". Për ne, djem e vajza me botë ende të paçelur e me edukatë larg të qënit në lartësinë e një jetë të vërtetë qytetare, këto mësime ishin mjaft të thella, pothuaj të parrokshme mendërisht. Por ishin aq të drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë, aq depërtues e mbresues në natyrat tona të buta.

Dhe, së treti, mësimi pedagogjik: "Mësuesi nuk është antitezë e nxënësit. Ai është udhëheqës i tij". Ne për herë të parë mësonim të bindeshim pa një frikësim, pa një britmë, pa një dackë. Për herë të parë ne thjesht mësonim dhe jo shtrëngoheshim të mësonim. Për herë të parë në gjenim te mësuesi mësuesin dhe jo urdhërdhënësin, gjenim autoritetin e dijes dhe jo atë të mbivendosjes së dhunshme, pavarësisht se e ç'natyre mund të ishte kjo dhunë: psikologjike, nervore, pseudo-kulturore etj.

Kur kujtoj sot ato vite, ndjej sa pak ua ditëm asokohe vlerën këtyre gurëve të vyer të pedagogjisë së mësuesit tonë të thjeshtë si vetë e mira dhe e vërteta.

***

Nuk po ndalem këtu në nismën e mësuesit tonë që ne të përkthenim në latinisht himnin e punëtorëve, "Internacionalen", “gjë që u realizua dhe u këndua në një veprimtari të të gjithë shkollës”, nuk po ndalem në leximet e citimet që ai na bënte nga "Odiseja", "Hamleti" ose pjesa e parë e "Faustit", nga sonetet e Dantes, Karducit.

Në çdo rast mund të kuptohej se si ai na merrte pa e kuptuar, si të na kishte zënë për dore dhe na shpinte drejt shkollës së lartë, asaj të jetës. Me urti, me largpamësi, me thjeshtësi, e njëkohësisht me një kulture që te rrallëkush tjetër e kam ndeshur në jetë.

Nuk po ndalem as në rastet kur në e kandisnim mësuesin tonë të urtë e të mirë të na merrte e të na nxirrte për shëtitje “kjo në pranverë” nga parku i liqenit. As kjo nuk qe e huaj për të: të përmbushurit e një dëshirë të natyrshme për diell e ajër te nxënës në moshë djalërie dhe vashërie.

Ky ishte Mësuesi dhe prapa tij ky ishte Njeriu. Ashtu si ky ishte, siç do të kuptonim më vonë, edhe Artisti.

*Pjesë e shkëputur nga “portreti” i përkthyesit Shpëtim Cuçka, që do të vendoset pasthënie në një nga veprat që pritet të botohet nga “Argeta LMG”
Home item

Më të lexuarat