Letërsia si habi estetike

Nga Granit Zela

Miti dhe Uni

Kërkohet vdekja e autorit. Por autori është i prirur gjithmonë të mos bindet. Jo vetëm kaq, ai reagon, kërcënon, sulmon, bëhet i dhunshëm dhe gjithë këtë e arin me praninë e tij. Mirëpo, mosqenia e tij në kësi rastesh, do të na qartësonte shumëçka dhe do të na bënte të këqyrim kthjellët atë që duhet të jetë gjithmonë, veprën. Po pikërisht meqë ai është subjekti dhe vepra objekti, autori tregohet subjektiv duke u përpjekur gjithmonë të nxjerrë në plan të parë veten dhe të lërë në plan të dytë veprën. Uni i tij është torturues, një lloj demoni, po aq i pakuptimtë sa cytësi i krijimit, porse tash ai i kalon kufijtë duke dashur të krijojë diçka tjetër, mbase atë që ka dashur të bëjë gjithmonë, mitin e emrit apo imazhit të tij. Mistifikimi zë fill këtu. Autori thotë se ai është vepra, e vërteta, çelësi i zbërthimit të saj. Kjo ide grishëse e gjithë po aq ledhatare e bën të besojë se miti do ta bëjë të pavdekshëm pasi e mundon ideja e kësaj mungese. Është në natyrën e njeriut të kërkojë pavdekësinë. Jeta dhe vdekja, qenia dhe mosqenia, janë dikotomitë ekzistenciale të autorit.
Vepra u krye! Por jo, është e vështirë që autori të mos dalë në skenë. Ai mbolli andaj dhe do të korrë. Egoja thotë pafundësiht fjalën “Unë” Marrëdhënia subjekt(autor) - objekt (vepër), mendje(autor) - trup(vepër) nuk është e drejtë. Kësisoj për ta bërë më të besueshëm këtë gënjim autori shkruan më së shumti për jetën e vet ose trillon duke e jetuar atë. Jeton si në vepër. Kufijtë zhduken. Gracka ngrihet. Kritiku harron se shpjegimi që jep autori s’është gjë tjetër veçse një nga shpjegimet e pafundëta, të cilat mund t’i jepen një vepre. Kritiku sugjestionohet nga prania e tij.
Por le të hidhemi në një teren më konkret. Autori shqiptar pjesën dërrmuese të veprës së vet e ka bërë nisur nga qëllimi utilitarist për t’i shërbyer diçkaje, qoftë kjo edhe një ide si atdheu, gjuha, qenësia kolektive, ideologjia, doktrina, etnia etj. Roland Barthes-i kërkon vdekjen e autorit. Po kështu edhe Flaubert-i. Mirëpo autori shqiptar është mësuar të jetë aktivist shoqëror. Zëdhënës i kombit të tij. Autor dhe mandej: luftëtar, prijës kryengritjesh, pasha, i burgosur, liberator, i helmuar, i varur, censor dhe i censuruar, persekutor dhe i persekutuar, ministër, këshilltar presidentësh, ambasador i monarkisë dhe i republikës, pasunar dhe varfanjak, antifashist, antikomunist, profashist dhe prokomunist, cinik, agresiv, paqësor, shpërfillës, i pakënaqur, ateist dhe përçues i religjionit, i hyjnizuar, i anatemuar, azilant, i braktisur, orator turmash, legjendë e gjallë, anonim i pavlerësuar kuurrë në ngjallje të vet, deputet, i pa punë, i alkoolizuar, tregtar, gazetar, këngëtar, prift, hoxhë, autor që letrarizon jetën e vet, i keqkuptuar, pafundësisht i keqkuptuar. Ai i ngre kult vetes, jetës së tij. Në periudhën socrealiste autori u njësua me doktrinën.
Shtysa historike
Në letërsinë shqipe ekziston një listë e kobshme, lista e shkrimtarëve dhe artistëve të arrestuar, burgosur, torturuar, internuar, perndjekur, helmuar dhe gjer të pushkatuar në kohën e regjimit komunist. Kundërvënia e shkrimtarëve shqiptarë ndaj pushtetit ngjan me gojëdhënat ballkanike, një kundërvënie rebele ndaj dhunës së një historie të mbrapshtë. Thirrja shtangëse e Lame Kodrës, i cili bërtiste si i çmendur për shpëtimin e bibliotekës së tij ndërsa flakët i përfshinin shtëpinë duke i djegur dorëshkrimet është një shembullzim i saktë i tragjizmit dhe përmasës mitike të shkrimtarëve shqiptarë.
Sejfulla Malëshova, kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve u internua ne Ballsh, me vonë, në Fier, ku vdiq. Dom Ndoc Nikaj, nismëtari i romanit shqip vuajti burgjet e internimet. U torturuan dhe u pushkatuan shkrimtarë klerikë të veriut si Dom Ndre Zadeja, At Anton Harapi, Dom Lazër Shantoja, At Vincenc Prennushi, At Bernardin Palaj. Në vitin 1963, u pushkatua poeti disident Trifon Xhaxhika, i cili recitoi para trupit gjykues poezinë Atdheu është lakuriq. Faik Ballanca vrau veten, me 1978. Bilal Xhaferri, u detyrua te arratisej nga atdheu dhe vdiq në mërgim në Amerikë, në një mënyrë të cilësuar si vdekje e dyshimtë. Në vitin 1977, u pushkatuan poetët e rinj Vilson Blloshmi e Genc Leka. Sikurse u ndalua besimi në Zot dhe leximi i librave të shenjtë u ndalua edhe leximi i librave të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Martin Camajt, Ernest Koliqit, Kasem Trebeshinës, Visar Zhitit, Bedri Myftarit, Zyhdi Moravës etj. Mërgimi i Ismail Kadaresë në vitet 90-të drejt purgatorit parizian ngjante me një ikje të përkohshme prej ferrit. Në një libër të botuar tash së voni rreth dyzetë shkrimtarë, publicistë dhe intelektualë kanë shkruar për aktin barbar të varjes së poetit kuksian Havzi Nelaj në mes të sheshit të qytetit. Para se të arratisej, ai la një shënim në një degë lajthie si një lloj testamenti dhe pengu shpirtëror, i cili shembullzon tragjizmin e shkrimtarëve shqiptarë përballë atdheut “Lamtumirë atdhe i dashur, po të lë me zemër të plasun”.
Tradita tregon se autori shqiptar dashur pa dashur është bërë aktivist i jetës shoqërore. Po ta këqyrim të shkruarit në letërsinë shqipe sipas optikës oruelliane duke iu referuar katër arsyeve madhore të cilat ai mendon se pse shkruhet 1. Egoizmi i mirëfilltë 2. Entuziazmi estetik 3. Shtysa historike 4. Qëllimi politik, ajo që mbizotëron në letërsinë shqipe dhe, sigurisht pa përjashtuar askurrnjërën prej tyre ose të gjitha bashkë me arsye të tjera, mund të thuhet se është shtysa historike. Kjo është kushtëzuar gjithhershëm nga “dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idenë e njerëzve mbi llojin e shoqërisë, për të cilën ata duhet të rropaten”.
Një seri librash të botura në Britaninë e Madhe me titull Shkrimtarët dhe polítika merret më së shumti me vlerat letrare dhe në ndonjë rast me shqyrtimin e ideve politike në vepra të ndryshme letrare ose me vlerësimin e mënyrave si partitë dhe lëvizjet politike kanë kontrolluar dhe përdorur për interesat e tyre shkrimtarët dhe intelektualët, të cilët shpallnin bindjet e tyre politike, duke përshëndetur atë aradhë kritikësh që e kanë zhvendosur vëmendjen nga çfarë thonë idetë te si shprehen ato. Mirëpo jeta e autorit shqiptar i kalon caqet e një shkrimtari të shquar. Habia që të ngjall ai është më së shumti historike dhe biografike.
Kritika dhe vepra
Nëse Gerard Genettte-i e konsideron letërsinë si art të ligjërimit artistik, kritika ngjan të jetë një gjykim i arsyetuar i këtij ligjërimi. Këtë arsyetim gjejmë edhe te Kohëtore e Letrave Shqipe nga Konica në artikullin Ç’është kritika letrare?, ku thotë se kritika është “një gjykim i vlerës së librave, gjykim i gatitur me dëftime e me shpikje, e i sjellë si një rrjedhë e pritur, jo i hedhur si një urdhër mizori…”
Kritiku duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur me veprën më së pari në lëmin teorik.. Duhen pasur një herë instrumentet për të vendosur mandej se si e qysh duhen përdorur. Përvoja e sotme tregon se ekziston një prurje e madhe shkrimore, ndoshta deri diku edhe për shkak të asaj që thoshte Arshi Pipa, kur fliste për një kritikë letrare “I riu asht porsi prroni që don me shfrye dikund, e zakonisht shfren aty ku ka ma pak pengesa, në rasën tonë medet! në lamën e leteratyrës. Nuk asht gja ma e natyrshme se me e çlirue zemrën nga pasionet e para në nji copë letër!”. Pra lipset të zotërohen konceptet estetike, shumësia e qasjeve metodologjike për të dekoduar shkrimin
Sa i përket shumësisë së qasjeve kritike ndaj fiksionit J. Hoëthorn vëren se ajo mund të jetë (I) Qasje tekstore (II) Qasje e përgjithshme (III) Qasje kontekstuale (IV) Qasje biografike (V) Qasje psikologjike (VI) Qasje e drejtuar kah lexuesi (VII) Qasje feministe. Sipas tij lëvizjet kritike të quajtura me termat strukturaliste, post-strukturaliste dhe dekonstruktuese, të cilat kanë fituar emër si edhe të gjitha qasjet e përvijuara më sipër mund të ndërthuren nga kritiku, por jo në të gjitha rastet, ngase në disa syresh ka kundërshti mes tyre. Tjetërndryshe John Hopkins parapëlqen të bëjë një inventar pyetjesh kritike, që një kritik duhet të ngrejë përballë pjesëve të një teksti ose një teksti të plotë të cilat janë: Ontologjike, epistemologjike, teologjike, origjinare, përshkruese, interpretuese, normative, historike (a) analitike, (b) organike; narrative, kulturore, psikologjike, gjenetike, afektive, vlerësuese, metakritike.
Rreziku është se kritiku mund t’i shohë veprat si shembullzime të teorive të tij ose nis të flasë për veprën duke përfunduar të flasë për veten. Rreziqet që i kanosen kritikut janë të shumta mes tyre: epigonizmi, dilentantizmi, plagjiarizmi, panegjerizmi, tautologjia etj etj. Sikur një kritik të kishte në studion e tij tërë librat e botuar në kohën e vet dhe t’i kishte lexuar të gjitha ato, për të dhënë gjykimin e tij, besoj se nuk do të kalonte shumë kohë që të kuptonte se përveç të tjerave duhet edhe talent. Kritiku bën mirë të mbajë parasysh thënien e të urtit se “ato që di, ruaji me anë të studimeve, kurse ato që nuk i ke mësuar, përpiqu t’i mësosh me anë të kërkimit metodik shkencor.” Çka është nyjëtuar vazhdimisht gjatë këtyre viteve në lidhje me kritikën është se ajo vetë është në gjendje kritike. Kritika është përballë trysnisë së boom-it kaotik të botimeve, shtëpive botuese, shtypit kulturor të kontrolluar nga botuesit dhe konkurencës mes tyre ashtu sikurse nga mediokriteti që nuk përfill cilësinë por censurën e pragmatizmit të përçdoditshëm.
Lexuesi si lexues
Sipas Umberto Eco-s ka dy lloj shkrimtarësh 1. Shkrimtarë që e përshkojnë fund e krye tregun, shohin se çka do lexuesi, studiojnë shijen e tij dhe krijojnë veprën siç e do ai duke u shitur me mijëra kopje. 2. Shkrimtarë që e krijojnë lexuesin duke shkelur shtigje të pashkeluar e kësisoj i imponohen atij. Lexuesi i zakonshëm është dembel, hipokrit dhe sipërfaqësor, po aq diktator sa autori. Ai e sheh autorin si mishërim të shijes së tij që ndërron me ndërrimin e stinëve. Mandej vjen lexuesi i vërtetë. Shumë herë ai i imponohet autorit. Asgjamangut, publikut duhet t’i mësohet zeja e të lexuarit. Kështu mendon R. Scholes: “Është në interesin e kombit për të edukuar te qytetarët zejen e të lexuarit. Zejen, jo artin. Arti është unik; nuk mund ta mësosh. Zeja është e zakonshme, mund të mësohet”.
Janë të shumtë shkrimtarët që e vuajnë mungesën e lexuesve. Por edhe pse këta lexues nuk kanë qenë dishepuj të tyre, kurrë nuk do ta refuzonin praninë e këtyre autorëve. Karlos Fuentes shenjon dy mënyra që e ftojnë lexuesin të marrë pjesë në një vepër letrare: njëra është bestselleri, që nënkupton një lexues të dallueshëm, shijet e paragjykimet e të cilit autori i njeh që më parë, gjë që i lejon atij të sajojë sipas recetës një lloj gjelle komerciale. Në këtë rast lexuesi nuk lexon, ai vetëm konsumon. Ky lloj lexuesi gëlltit gjithçfarë librash, manipulohet prej kulturës masive dhe modës së saj e cila sipas Nabokov-it është një ndikim kalimtar, epidemi idesh, sulm banalitetesh, që magjeps masat. Mënyra tjetër ka të bëjë me kërkimin e një lexuesi që ende nuk ekziston, një lexues që duhet të formohet dhe zbulohet gjatë leximit. Duhet që lexuesi dhe vepra të takohen. Lexuesi dhe vepra krijojnë njëri-tjetrin.
Sidoqoftë, them se sa i përket kësaj trinie: autor, kritik, lexues, letërsinë mund ta ndajmë në tre nivele ekzistence sikundër religjioni ndan botën e përtejme: 1. Letërsia e nivelit të epërm (letërsia cilësore) 2. Letërsia e nivelit të mesëm, e cila mbizotëron gjithmonë. 3. Letërsi e nivelit të poshtëm, nënmesatar, gjithë po aq me bollëk sa mesatarja. Në letërsinë në gjuhën gjermane bëhet dallimi mes E-Literatur (letërsia elitë) dhe U-Literatur (letërsia zbavitëse). Kjo e fundit është quajtur “art masiv”, “art populist” “art tregu” - diçka e lidhur ngushtë me qëllimet e tij. Bash kjo lloj letërsie ushtron trysni dhe censurë ngase e sheh librin vetëm si mall për t’u konsumuar dhe shitur dhe jo si vlerë. Tashtimë shkrimtarët tanë ndodhen përballë një censure të tjetërllojtë - censurës së tregut. William Saroyan-i, shkrimtar amerikan i mirënjohur në nivel ndërkombëtar e refuzoi Çmimin Pulitcer me arsyen se “tregu nuk duhet të jetë padron i artit”.
Lexuesi ynë është krijuar nga autori dhe kritika, është krijesë (pjellë) e tyre. Krijimi i gjithsejtë letrar ç’prej librit më të parë shqip e përkëtej gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë u kalua nëpër filtrin e jashtëmendshëm ideologjik duke formësuar një përfytyrim të panjëmendtë mbi rrjedhat shkrimore. Kjo humnerë e mungesës së komunikimit me vlera të qëndrueshme dhe të patjetërsueshme që ekzistonin dhe ekzistojnë sot e gjithë ditën në hapësirën gjithëshqiptare, me ç’ka kuptojmë më së pari hapësirën gjuhësore arriti të krijojë një lexues me shije dhe përceptim të gjymtuar, sikurse vetë kritika e cila nuk mundej asesi të bënte kritikën e kritikës. Sidoqoftë pas viteve 90’të po të citojmë fjalët e kritikës “Letërsia shqipe ka hyrë në fazën më interesante të saj” Mbase kjo ngase autori socrealist e pa se sa i lehtë dhe i përkohshëm është autori, ideologjitë, dhe, ajme! lavdia jashtëletrare. Këtë mund ta bëjë vetëm TEKSTI (textumi) si habi estetike.