Loading...

“Hamleti” që “fle” në dorëshkrimet e Pashko Gjeçit

Oliverta Lila

I jepet lamtumira përkthyesit të veprave të mëdha të letërsisë botërore. Në proces botimi gjendet “Andromaka” e Rasinit, përkthyer prej tij dhe një botim kushtuar krijimtarisë origjinale të Gjeçit në shtypin e kohës
Kishte vite që Pashko Gjeçi jetonte me sëmundjen e tij. I pamundur të merrej ende me kryevepra të letërsisë, përkthyesi i kalonte ditët në shtëpinë e tij. Ndërsa mbrëmjen e së mërkurës mbylli sytë në moshën 92-vjeçare. Pranë trupit të pajetë, vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar, miq, kolegë e ish-studentë të tij kanë bërë homazhe. Janë përkulur mbi të edhe politikanët që kanë thënë fjalët e rastit për një përkthyes që tashmë shkoi. “Odisea”, “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Fausti” i Gëtes, “Andromaka” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të tjera në radhë janë sfida të Gjeçit, që i kanë mbetur lexuesit shqiptar. I pranishëm në homazhe, një nga ish-studentët e tij që ka vazhduar rrugën e përkthimit, Shpëtim Çuçka, e sheh Gjeçin jo vetëm si përkthyes. “Në moshën time kam dëgjuar të flitet për shumë njerëz të shquar e të njohur dhe më duket se vështirë të gjenden fjalë për të thënë për Pashko Gjeçin. Pashko Gjeçi ishte përkthyes i shquar, pedagog i shkëlqyer dhe njeri i madh. Besoj se këto lidhen me faktin që Pashko kishte një formim të mrekullueshëm dhe kjo është përshtypja e përgjithshme që ka lënë ky njeri me punën e vet të përkthimit, por edhe te kolegët e tij”, shprehet Çuçka. Një ndër emrat e elitës së përkthimit, Gjeçi si pedagog nuk kishte formula të gatshme se si duhej apo nuk duhej bërë përkthimi.

Por Çuçka kujton se “Gjeçi nuk la ndonjë porosi. E përsëriste vazhdimisht: Punoni me ndershmëri dhe me cilësinë më të lartë, sepse gjëja që do të nxirrni nga duart do të mbetet e përjetshme”. I lindur në Shkodër, më 7 shtator të vitit 1918, Pashko Gjeçi mbaroi Shkollën e Jezuitëve, si dhe Gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Që në moshë të re, aty rreth vitit 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në shkollë nisi të mësojë mirë italisht, më pas në gjimnaz greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku gjithnjë do të kujtonte më pas me nostalgji leksionet e prof. Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte atij në kohën e diktaturës jo pak, por 5 vjet heqje lirie. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën “Doktor shkencash” në letërsi. Ndonëse një pjesë e veprave të përkthyera prej tij janë botuar e ribotuar, në arkivat familjare mbeten ende dorëshkrime të tij. Botuesi Mehmet Gëzhilli i “Argeta LMG”, i cili solli ribotimin e “Komedisë Hyjnore”, shprehet se ka në proces botimi edhe “Andromakën” e Rasinit të përkthyer prej tij, deri më sot në dorëshkrim.

“Ndonëse këtë vepër ne e kemi botuar me përkthim të Prokop Gjergos, duke e ditur se është vepër madhore, e pamë të arsyeshme të botojmë edhe variantin e përkthyer nga Pashko Gjeçi, vepër së cilës ai i ka kushtuar një pjesë të jetës. Qoftë studenti apo lexuesi i thjeshtë, do të ketë mundësi t’i shohë të dy variantet”, shprehet Gëzhilli. Ndërkohë që po brenda këtij viti ai ka menduar botimin e një vepre tjetër kushtuar Gjeçit. Nuk bëhet fjalë për përkthim, por për krijimtarinë origjinale të Pashkut, të botuar në revistat apo gazetat e kohës. “Pashku ka botuar shkrime që në vitet 1940 në gazetat e revistat e kohës. Ka shkrime për Gjergj Fishtën, Lasgush Poradecin, Naim Frashërin, përkthimin e ‘Rubairave’ të Khajamit nga Fan Noli dhe për autorë të tjerë. Këto përbëjnë një botim më vete, i cili do të shoqërohet me materiale fotografike, që plotësojnë portretin e tij”, shprehet Gëzhilli. Ende është e paqartë sasia e dorëshkrimeve që Gjeçi ka lënë pas, por dihet me siguri që në arkiva ka një tjetër vepër të madhe të përkthyer prej tij. Bëhet fjalë për “Hamletin” e Shekspirit, një vepër me të cilën ka punuar në vitet e hershme. Nuk dihet për ç’arsye ka mbetur pa botuar deri më sot. Ndoshta përkthyesi ka qenë i kushtëzuar nga rrethanat ku u detyrua të punojë për disa vite të jetës së tij.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, Gjeçi ndalohet me akuzën për “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Në lirim e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi shumë gjatë për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit. E përfundoi këtë vepër në një banesë modeste me kushtet minimale. Pas botimit të saj, nisi të përkthente një tjetër vepër madhore të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Meritat e Gjeçit si përkthyes i kaluan përmasat kombëtare. Presidenti italian, Çampi, e ka dekoruar atë në vitin 2004 me dekoratën “Ordine de la stela, de la solidarita italiana”. Po ashtu Pashko Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kuadër të 90-vjetorit të lindjes, përkthyesi i shquar Pashko Gjeçi nderohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin kombëtar të përkthimit, “Fan Noli”, për kontributin e madh dhe vlerat që ka përcjellë në kulturën shqiptare me përkthimin mjeshtëror të veprës “Fausti” të shkrimtarit të shquar gjerman, Gëte. Ditët e tij u mbyllën në këto ditë janari, për t’i lënë rrugëtim emrit të tij.
Home item

Më të lexuarat