Loading...

Ernesto Sabato: Më kujtohet shumë nëna ime, ishte shqiptare…

Nga Olga Wornat

…Sábato urren pleqërinë dhe veset e tij, fotografitë, të huajt në shtëpi, intervistat, gazetarët dhe regjistruesit e tyre, harresën, autografët dhe zhurmën e vendeve publike. Është një tip me humor të keq me një tendencë të fortë skepticizmi… Thonë që nuk ka qenë kështu kur ka qenë i ri, se ka qenë mendjemadh i padurueshëm, krenar dhe që i pëlqente vetja, grindavec dhe i shkëlqyeshëm…
Nuk duhet të ketë qenë aspak e lehtë të jesh Matilde, mendoj me zë të ulët ndërkohë që jam e ulur përballë Ernesto Sábato-s, e vetmja ikonë e gjallë e letërsisë hispanike, i cili me 93 vitet e tij të sapo mbushur, flet i hidhëruar (ose kushedi ndoshta do të më impresionojë mua) mbi fajin që e ndjek ditë e natë për tradhëtitë shkaktuar gruas së tij. “Mjeshtri” (kështu e quajnë miqtë e tij) më shikon nëpërmjet syzeve të mëdha dhe qan. Më trishton të shoh një burrë që qan, dhe më shumë akoma një burrë plak, që mund të ishte gjyshi im. Më vjen dëshira ta përqafoj dhe ta ngushëlloj. “Asnjëherë nuk kam qenë besnik, në realitet ne burrat nuk jemi monogam, unë jo, dhe kështu që e shkreta Matilde vuante me mua… Dhe varfëria e viteve të para, ajo e shkreta i duroi të gjitha pa thënë asgjë.”
Për ta lehtësuar pak i them se ka pasur fat me Matilde-n, sepse gra të tjera – unë , mes tyre – në vendin e saj nuk do ta kishin duruar as një sekondë, më të paktën, do kishte marrë ca goditje në kokë ose diçka më keq. Sábato qesh dhe qan në të njëjtën kohë dhe vazhdon të ankohet për vitet e humbura dhe për mungesat. Gjatë bisedës së gjatë që patëm, shpesh fshinte lotët që i rridhnin nëpër faqe. Ata që e njohën mirë Matilde-n më kanë thënë që para se të ishte dërrmuar krejt, shkëlqente bukuri dhe kishte karakterin e saj të veçantë. Jetoi për Ernesto-n dhe e deshi deri në çmenduri. I dinte aventurat dashurore të burrit të saj, vuajti dhe shumë herë e qortoi për ato që thashethemexhinjtë vinin dhe i tregonin. Por nuk e braktisi dhe shfaqeshin zhurmshëm së bashku, deri atëherë kur një sëmundje e pashërueshme dhe shkatërruese e lidhi në krevat derisa vdiq; në shtëpinë e madhe u tret gëzimi. Gjuhët e liga thonë gjithashtu që, pavarësisht martesës së tij të pafat, Sábato nuk mundi t’iu jepte fund impulseve: në shtëpinë ë tij hynë e dolën shumë femra të famshme (disa lumturisht të martuara), të cilave autori i Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varret) i donte pa asnjë paragjykim, në banesën që ndodhej në krahë të vendit ku prehej gruaja e tij.
Në të vërtetë, kur mendoj përsëri për lotët e tij dhe për këto anekdota, nuk di në duhet qarë a qeshur me të. Jeta është një labirint i pamundur, vuajtjet dhe pendimet e saj kanë vlerën e një lamtumire. Të njohësh mjerimet personale është një sinjal dinjiteti, madhështie. Por thonë që hakmarrja është pjatë që shërbehet e ftohtë dhe jam e sigurt që Matilde, kudo që është, e ka përgatitur me kujdes këtë pjesë. Dhe Mjeshtri është e sigurt që e meriton një vuajtje të vogël.
Nuk është Ernesto Sábato shkrimtari im i preferuar, megjithëse disa libra të tij më pëlqejnë shumë. Për shembull, Abbadón, el exterminador (Abbadon, shfarrosësi) dhe Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varret), por proza e tij pedagogjike nuk e ndriçoi shpirtin tim dhe në personazhet ose tregimet e tij nuk gjej kujtime të gëzimeve apo hijeve të mia. Gjithmonë e kam parë si shumë të zakonshëm dhe të trishtueshëm, e një pjesë e jetës sime ka rrjedhur në një krahinë me egërsi të zhvilluar. Dhe për më tepër, me tunelet e mia kisha trishtim të mjaftueshëm. Nuk ka patur tek unë tërheqjen e Horacio Quiroga, Manuel Puig apo të Jorge Luis Borges dhe të mos flasim pastaj për ajkën e shkrimtarëve latino-amerikanë të viteve shtatëdhjetë apo për klasikët. Edhe pse nuk qe pjellor në prodhimin letrar, Ernesto Sábato e jetoi intensivisht jetën, shkeli ç’mundi por dhe më shumë: mori pjesë në politikë, jetoi atë që i pëlqente ndërkohë që ishte i destinuar për tjetër gjë dhe ishte protagonist i shumë polemikave të zjarrta.


Sábato ishte i dykuptimtë dhe konfuz në kohën e diktaturës

Në këto nivele të gjithë kthehemi më të mirkëputueshëm me disa sjellje, por Sábato ishte i dykuptimtë dhe konfuz në kohën e diktaturës ushtarake. Dhe gjatë viteve ishte e vështirë të pranohej për disa intelektualë duke pasur parasysh prejardhjen e tyre politike të djathtë, ose të qenit, jo një njeri i zakonshëm që mund të argumentonte padijen mbi atë që po ndodhte dhe se cilët qeverisnin Argjentinën në ato vite. Ka fotografi dhe dëshmitarë që e vërtetojnë këtë. Me ardhjen e demokracisë dhe pjesëmarrja e tij antologjike në Gjykatën historike dhe në Juntat Ushtarake, e vendosi përballë kritikëve të tij të pamëshirshëm dhe, gjithashtu, përballë vetvetes. Si mund të harrohet ai shkrim rrënqethës i poshtërsisë. “Kam shumë dashuri për Raúl Alfonsín (presidenti argjentinas që nga 1983 deri 1989), është njeri shumë i mirë dhe një mik i mirë. Ka qenë presidenti më i mirë që kemi pasur në Argjentinë, është demokrat i madh dhe shumë i kulturuar.” Shihet qartë, Ernesto Sábato urrente pa rezerva Carlos Menem dhe thotë se nëse një ditë Carlos do të kthehet në pushtet, ai “preferon të jetë i vdekur”.
I shëmtuar, i vrazhdë dhe i egër, karizmatik dhe tundues i lindur, ky atribut i fundit është shtuar në raport me anekdotat e treguara nga femrat që e njohën kur jeta dukej se nuk do të mbaronte kurrë; një macho me shumë të dashura të shpërndara në vende të ndryshme, shkrimtari është hija e asaj që ka qenë. Në perëndim të jetës, duke u dridhur dhe me shikimin e humbur pothuajse nga pabesitë e sëmundjeve dhe tragjedive, kur orët që rrjedhin janë një dhuratë e Zotit apo e kujtdo tjetër, ose thjesht –në historinë e tij– prodhim i geneve shekullore të tij shqiptare, i kalon orët duke pikturuar dhe më thotë që ky aktivitet është i vetmi që i intereson, pavarësisht afrimit të vdekjes.
Ernesto Sábato i përket një tjetër shekulli dhe akoma fizikisht nuk duket plak i humbur (është i dobët dhe i fortë), tregon anekdota të Luftës së Dytë Botërore, sikur ngjarja të kishte ndodhur një vit më parë. “Aj, francezët, sa hipokritë, sa idiotë… Unë kam jetuar me ta, çfarë tmerri, sa bashkëpunëtorë të nazistëve që kanë qenë…!”, përsërit herë pas here. Shkon e vjen në të njëjtën temë sikur ta ketë mani ose nganjëherë sikur të ishte makinë kujtese, për ndonjë arsye që unë nuk e di, ai ka jetuar në një rrugë të Parisit të pushtuar dhe në një kthinë në banesën e çiftit Curie, me të cilët ka ndarë ditë të tëra.
Sábato urren pleqërinë dhe veset e tij, fotografitë, të huajt në shtëpi, intervistat, gazetarët dhe regjistruesit e tyre, harresën, autografët dhe zhurmën e vendeve publike. Është një tip me humor të keq me një tendencë të fortë skepticizmi. Në të njëjtën kohë, figura dhe fjalët e tij janë të mbushura me një ëmbëlsi gati familjare.


Sabato i ri, gratë e jetës së tij

Thonë që nuk ka qenë kështu kur ka qenë i ri, se ka qenë mendjemadh i padurueshëm, krenar dhe që i pëlqente vetja, grindavec dhe i shkëlqyeshëm. Sot përcjell prekshmërinë e një fëmije të pambrojtur. Ndoshta kjo vjen ngaqë kur plakemi gati të gjithë bëhemi si fëmijë. Qesh me përgjigjet e tij dhe me ironitë dashakeqe që lëshon shkujdesur. Dashuron shtëpinë e tij të madhe në Santos Lugares, në periferi të Buenos Aires; rininë; qenin e tij Roque; pemët me ngjyrë të praruar të vjeshtës; heshtjen e mëngjezit; bukurinë e butë femërore; praninë e Elvira-s; ëndrrat (qofshin edhe ankthe); të flas për fëmijërinë e tij, për nënën dhe për të vdekurit e tij të dashur; problemet metafizike; klasikët rus; pikturën dhe udhëtimet. Betohet se sot, në momentet e fundit, e apasionon më shumë të pikturojë se sa të shkruajë dhe duhet ta besojmë, sepse prodhimet e tij në pikturë mbulojnë çdo cep të shtëpisë. Kujton me dashuri dhe faj Matilde-n, gruan dhe nënën e fëmijëve të tij, por flet me pasion, gati me obsesion, për Elvira-n, me të cilën jeton prej shumë vitesh. Kthehem të mendoj dhe të them të njëjtën gjë – duhet të ketë qenë fatale të ishe Matilde, por as Elvira nuk e ka pasur të lehtë. - Ajo është gruaja që duroi, për dashuri, një pjesë të madhe të dështimeve dashurore të Sábato-s dhe ajo që më mirë e njeh. Kanë më shumë se njëzet vjet që janë bashkë.
Elvira González Fraga, elegante, e talentuar dhe e duruar, e dëgjon, dëgjon ankesat e tij dhe ia kupton ekstravagancat. Bisedojnë gjatë, ndërkohë që ecin nëpër rrugët e Santos Lugares dhe udhëtojnë së bashku sa herë që shëndeti i Sábato-s iu lejon. Elvira e adhuron atë dhe flet për jetën e saj me ëmbëlsi dhe me thellësinë e një dashurie të pjekur, kjo e ka bërë që t’i mbijetojë furtunave dhe çmendurive. “Ernesto don që të martohet me mua, më lutet që ta bëjmë, më flet gjithë kohës për martesën dhe unë i them që nuk e di, që ndoshta ndonjë ditë…” thotë ajo, dhe miqtë i kërkojnë që të pranojë, megjithëse paragjykimet e shoqërisë dhe të ambjentit letrar e familjar duken se ndikojnë shumë. Tani për tani, sigurisht.


Shtëpia e Ernesto Sábato-s

Shtëpia e Ernesto Sábato-s është e bukur dhe enigmatike. Katet me ngjyrë të murrme të prishur nga koha na flasin për hapa të dashur dhe të urryer, ndërsa muret ngjyrë sepie janë të mbuluara nga mijëra libra. Ka libra të tijët në gjuhë të ndryshme që shkrimtari i vjetër iu tregon vizitorëve, si një risi, sikur të mos i përkisnin. Ka përkthime në greqisht, rusisht, arabisht dhe në gjuhën kineze. Aty janë botimet e vjetra të El tunel (Tuneli), Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varret) dhe Abbadón, el exterminador (Abbadon, shfarosësi), novela e tij e fundit. Gjithashtu ka libra të të tjerëve dhe fotografi në ngjyrë sepie të cilat na kujtojnë kohët e humbura, të lumtura dhe të përmallshme. Në të gjitha anët ka portrete familjare, piktura dhe kujtime të udhëtimeve në vende të largëta.
Mjeshtri proteston për gjithçka. Për lagështirën e vjeshtës në Buenos Aires dhe dhimbjen e kockave të tij, për rrudhat dhe për zhgënjimet e përjetshme të politikës argjentinase, për vonesën e Elvira-s që shkoi për të bërë disa formalitete dhe nuk është kthyer (“Ku është Elvira?”, përsërit shpesh), për praninë time në shtëpi dhe për regjistruesin mbi tavolinë: “Ç’është ky aparat?”. Ndonjë moment, hesht gjatë dhe sytë i humbasin në peizazhin e kopshtit; në çast mendja e tij kthehet: “Nuk e di se çfarë bëni ju këtu, kush ju ka autorizuar që të hyni? Përse hyjnë njerëz në këtë shtëpi, kur e dinë që nuk dua të shoh askënd, përse më bëjnë foto kur jam i shëmtuar dhe plak?”, thotë i bezdisur.


Sábato: Jam bërë shumë pishman
për tradhëtitë e mia

Në një minutë, ndërron temë dhe fillon të qesh përsëri si një fëmijë përballë një tregimi të fëmijërisë apo dinakërive të rinisë. Dhe femrat, gjithmonë femrat në kujtimet e tij. “Kam qenë një Don Juan i çmendur”. Ende sot elita e letërsisë argjentinase mban të gjalla historitë e tij të bujshme me humor dhe përzemërsi. Asgjë e rëndë përballë bukurisë së tmerrshme të novelave të tij, që do të ngelen në historinë e letërsisë latino-amerikane. Të qenët jetim, fatkeqësinë dhe perversitetin që fitoi nga jeta ai arriti t’iua transemtonte brezave të ndryshëm. Vajza ime adoleshente adhuron Ernesto Sábato-n dhe librat e tij janë në një vend të dukshëm në tavolinën e librave. Tuneli-n e lexoi tre herë, e mahnitur; ndihej pak Alejandra, personazhi kryesor i historisë së dashurisë pa krye.
I fola Sábato-s për famën e tij si jobesnik, e pyeta se çfarë ka të vërtetë dhe sa është pjesa e fantazisë, për nevojën mashkullore për të ushqyer burrërinë. Isha bërë kurioze pasi kisha dëgjuar shumë gjëra. Mjeshtri më pa dhe ia plasi gazit.
- Aj! Ju gratë, të gjitha jeni njësoj… Në fund të fundit, unë duhet të gënjeja. Pyesin dhe pyesin e pyesin për gjithçka. Duan t’i dinë të gjitha, duan të na dominojnë, të na mbajnë nën kamzhik. Atëhere dikujt nuk i ngelet zgjidhje tjetër përveçse të gënjejë. Prandaj edhe unë gënjeja. Ne burrat jemi jo besnik nga natyra, monogamia është një falsitet, nuk ekziston, dhe ju nuk e kuptoni… Çfarë mund t’ju bëjë, nuk më ngelej zgjidhje perveçse të thosha tjetër gjë… Mos më shiko ashtu… Ju lutem, ju jeni të padurueshme nganjëherë. Por di gjithashtu se disa nga ne burrat janë të padurueshëm, të këqij, të pakorrigjueshëm. E shkreta Matilde, sa më ka duruar, sa më ka dashur, çfarë dhimbje!... Më vonë jam bërë shumë pishman për tradhëtitë e mia, por ishte vonë, problemi është se njeriu e bën çdo gjë kur është i ri!


II.

Intervista

Përse pikturoni don Ernesto?


Përse pikturoni don Ernesto? Çfarë kërkoni në këtë gjini, ju që arritët në majë me letërsinë?

- E pse jo? Shiko, piktura ka qenë pasioni im që kur isha fëmijë, ka qenë dashuria ime e parë, ateherë kur akoma nuk dija të shkruaja dhe të lexoja. Kur isha adoleshent fillova të hidhja në letër haluçinacionet dhe ankthet e mia. Ishin vitet e fatkeqësive, me shumë trishtim dhe dhimbje. Puna është se tani po rifitoj ç’ka në atë kohë, nga turpi, kam shkatërruar. Krizat e mia shpirtërore, politike dhe psikologjike kërkonin fjalën, dhe atëherë m’u shfaq letërsia. Por sa herë që hyja në një studio dhe ndieja aromën e terpentinës, gati sa nuk vdisja nga nostalgjia. Dhe kjo m’u theksua kur kam qenë në Paris dhe punoja në laboratorin e Curie-ve, para luftës së dytë. Atje kam njohur surrealistët dhe takohesha shpesh me ta. Kështu kam njohur Ëilfredo Lam, Matta, Tristan, Domínguez dhe Bretón. Nuk e di se çfarë po ndodh me njerëzit sot, të cilët duan pikturat e mia, muzeumet e Evropës më kërkojnë pikturat, e kështu... Mua nuk më duken të mira, pikturoj sepse dua dhe sepse më pëlqen. Dhe pikë.


Një temë shumë e përsëritur në librat tuaj është ajo e anktheve. Çfarë roli luajnë ato në jetën tuaj si piktor? Dali, për shembull, përdorte ëndrrat e ditës për t’i vendosur në krijimet e tij. Keni ndonjë teknikë të lidhur me ëndrrat tuaja për t’i pikturuar?

- S’kam asnjë teknikë, s’jam njeri i teknikave; më del ajo që më del, dhe përpiqem të jem besnik i atij frymëzimi që më vjen nga brenda. Ëndrra dhe arti shprehin një lloj realiteti që nuk mund të shprehet në asnjë mënyrë tjetër. Është njësoj sikur dikush që kurrë nuk ka qenë në një koncert i kërkon dikujt tjetër që t’i shpjegojë Simfoninë e IV-të të Brahms. Kjo nuk është e mundur të bëhet, duhet ta dëgjosh...


Si e përkufizoni pikturën tuaj?

- Besoj që është ekspresioniste me elemente surrealiste, me kufizimet që kanë përkufizimet. Është e vështirë të flasësh për to, është diçka që nuk mbaron kurrë, ato duhet të flasin vetë. Ju jap një shembull: kur isha shumë i ri lexova Crimen y castigo (Krimi dhe ndëshkimi) sikur të ishte një novelë e thjeshtë. Më i vjetër, kuptova që ishte një novelë metafizike, ku e Mira dhe e Keqja janë shumë mirë të përshkruara.


Atëherë, piktura është diçka që ju kthen pas, në fëmijërinë tuaj...

- Mund të jetë dhe do të jem me shumë fat nëse do t’ishte ashtu. Të kthehem të jem djalosh është diçka e pavetëdijshme, vjen nga fati. Por unë përpiqem të paraqes nëpër piktura tmerrin e botës, frikën e qenieve njerëzore. Dhe kjo më ka shpëtuar jetën. Shiko si është bota sot, shiko luftën në Irak, shiko Bush-in se çfarë bën me irakenët e shkretë, çfarë bëjnë me palestinezët... Për çfarë duhet të shkruaj? Dhe të mendosh që mua më thoshin që isha një njeri i hidhur dhe një skeptik...


Përse Kafka, Tolstoi, Sartre apo Dostoievsky në pikturat tuaja?

- Sepse më pëlqejnë... E përse të jetë diçka tjetër? Nuk mund të shpjegohet në një intervistë se çfarë ata kanë qenë për mua nëpërmjet veprës së tyre, çfarë më kanë ndriçuar, dhimbjeve që iu kam mbijetuar duke i lexuar, si më kanë bërë të kuptoj diçka më shumë të kësaj bote të kalbur. Lexojini thellësisht dhe do të shihni edhe ju vetë po ashtu si unë se çfarë ata do të thonë...


Si ndërhyn fizika në pikturat tuaja, në jetën tuaj, në veprën artistike në përgjithësi?

- Krijimi është një fantazi në të cilin ndërhyjnë elemente të pavetëdijshme dhe misterioze, të panjohura akoma nga artisti. Por pa dyshim disiplina që më kanë dhënë shkencat fiziko-matematike luajnë një rol, mendoj shumë të lidhur me rreptësinë. Për fat, Elvira dhe disa miq më kanë detyruar që t’iu tregoja, unë nuk kam dashur, shpirti im vetëshkatërrues më çon gjithmonë në shkatërrimin e veprave të mia. Kështu më ndodhi edhe me letërsinë...


Keni pikturuar ndonjëherë familjarët tuaj që kanë vdekur, Matilde-n, djalin tuaj Jorge?

- Jo, të vdekurit e mi i kujtoj në tjetër mënyrë, qaj shpesh për ta, më mungojnë... (duke thënë këto i humbet zëri). Djalin tim Jorge e kujtoj shumë... Ashtu si dhe (Carlos) Fuente, unë e kam kujtuar djalin në librin tim Antes del fin (Përpara fundit). Atje shkruaj për të, kisha nevojë ta bëja, por jo, kurrë nuk e kam pikturuar. Ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, bujar, vdekja e tij më ka ndarë në dysh. I binte pianos, e dinit? Oh si i binte pianos, i shkreti! Gjithmonë pyes veten se ku do jetë im bir... (fshin lotët). Më falni, por nuk kam ngushëllim, asnjëherë nuk ka ngushëllim për një gjë të tillë... Ju... keni fëmijë, apo jo?


Në librin tuaj Antes del fin (Përpara fundit), ju citoni poetin César Vallejo: “Në jetë ka goditje, shumë të forta... bie briri i urrejtjes së Zotit”. E keni ndjerë ndonjëherë urrejtjen e Zotit? Besoni ju në Zot?

- Ky është një problem i madh që kemi, apo jo? Kur vdiq Jorge kam pasur ndjenja shumë të hidhura, shumë të tmerrshme, apokaliptike... si përfundim. Në shtëpinë time asnjëherë nuk është folur për fe, prindërit e mi kanë qenë antiklerikë, asnjëherë nuk kemi qenë në meshë, për fat. Kanë qenë siç thuhet “mendimtarë të lirë” dhe për fenë nuk flisnin kurrë. Jam rritur kështu. Gjithmonë kam qenë afër socializmit, anarkizmit, por asnjëherë nuk jam identifikuar si këta ateistët e lagjes në kuptimin e keq të fjalës. Nuk besoj tek ateizmi, jeta është më e thellë se një frazë, më komplekse.


Në momentet e depresionit, keni menduar ndonjëherë në vetvrasje?

- Jo, asnjëherë dhe nuk e di pse, sepse kam kaluar momente shumë fatkeqe, kam parë gjëra të shëmtuara... Tani më kujtohet një piktor spanjoll, Óscar Domínguez, i cili gjithmonë më kërkonte të vetëvriteshim së bashku dhe unë refuzoja. Dhe një ditë ai u vetëvra... E çuditshme, jo?


Disa thonë se ju jeni i çmendur ose pak i çmendur, apo jo?

- (Qesh dhe mendon një sekond) Po, të gjithë jemi pak të çmendur, edhe ju gjithashtu, nuk është ndonjë gjë e keqe në botën që jetojmë, a jeni dakort?


Ju pëlqen të udhëtoni? Në çfarë vendesh do t’ju pëlqente të shkonit?

- Gjithmonë më ka pëlqyer lidhja që qëndron mes njeriut dhe tokës në të cilën ai banon; në të cilën lind, ku është i lumtur dhe në të cilën mërgon. Në fund të fundit është toka tek e cila shkojmë kur vdesim. Do doja të shkoja në Rusi me Elvíra-n, të vizitojmë së bashku varrin e Dostojevskit, të shihja shtëpinë e tij, të ecja në rrugët e San Petersburgut... Jorge na e kishte rekomanduar që të shkonim shumë vjet përpara. Na tha që të shkonim me anije që nga Helsinki dhe si në një pelegrinazh të shihnim kupolat e fortesës së Pedro-s dhe Pablo-s... Sikur të mund ta bëja një ditë, për shembull, në një 29 qershor kur festohen netët e bardha...


Çfarë është Elvira në jetën tuaj?

- Shoqja ime, një grua e mrekullueshme që më kupton. Mund të kalojmë orë të tëra duke biseduar për gjëra pa fund, për letërsi, kinema, pikturë, për jetën. E dua shumë, nuk e di se si do të ishte jeta ime pa të.


Si e shikoni sot botën? Miku juaj José Saramago dhe intelektualë të tjerë kanë pasur fjalë shumë të forta për regjimin e Fidel Castro-s. Ju mendoni njësoj si ata?

- Çfarë pyetje! José Saramago është më shumë se një mik, ai ka qenë shumë bujar me mua kur kam udhëtuar në Spanjë... Sigurisht që mendoj njësoj si ai, gjithmonë kam qenë kundër të gjitha diktaturave, qofshin të djathta apo të majta. Por nuk dua të flas mbi atë që po ndodh në botë, gjithçka është shumë keq, është shumë e padrejtë... Shikoni atë që po ndodh me palestinezët, shihni Irakun... Jo, më mirë jo... Unë kam vënë jetën në lojë, e dini? Dhe kanë dashur të më vrasin shumë herë, jam gjallë për fat. Fillimisht më kanë përndjekur sepse isha komunist; më pas, sepse mbroja të drejtat e njeriut në kohën kur ushtarët vrisnin shumë të rinj të pafajshëm. Gjithë jetën time kam luftuar kundër diktatorëve. Tani kujtohem për Matilde-n, për gjithë ato çfarë ka duruar më mua. Kemi jetuar në një fermë të mjerë, pa dritë dhe pa asgjë për të ngrënë... Dhe ajo i duronte të gjitha në heshtje. Në atë kohë kam njohur familjen Guevara Lynch. Vetë Ché vinte të hante në shtëpinë tonë, ishte një djalë shumë i mirë, me ndjenja të mira, një idealist. Por ta lemë këtë tani, më trishton, bota është shumë tragjike...


Përse jeni dakort me dënimin me vdekje?

- Sepse besoj që për disa raste të gabuara është i mirë. Sigurisht, i përdorur me kujdes, dhunuesit e fëmijëve, torturuesit nuk meritojnë tjetër gjë dhe duhen bërë shembull përpara shoqërisë.


Si është një ditë juaja?

- E qetë. Jetoj me kujtime, duke pikturuar. Zgjohem shumë shpejt, si gjithmonë. Me përjashtim të një periudhe në të cilën vuaja nga pagjumësia, tani më ka kaluar. Flas shumë me nipat e mi, me ndonjë mik që vjen të më shohë, me qenin tim, me Elvira-n... Dhe kujtoj, kujtoj shumë, nuk e di se përse kur plakemi kujtojmë gjërat e shkuara... Kam një kujtesë elefanti, kujtoj çdo gjë me pikë e me presje dhe pikturoj. Më kujtohet shumë nëna ime, ishte shqiptare, i rriti fëmijët e saj, e vetme. Unë isha më i vogli dhe ajo më adhuronte, isha më i përkëdheluri. Vdiq në moshën që kam unë sot dhe gjyshi im (nga nëna), vdiq 104 vjeç! Të gjithë jetëgjatë...


Cili është libri juaj më i mirë?

- Të gjithë dhe asnjëri. Gjatë shumë viteve kam jetuar me personazhet e Sobre héroes y tumbas me mua, brenda meje... Por nuk dua ta gjykoj veprën time, le të vendosin të tjerët...


Cilat janë gjërat më të rëndësishme? Jeni penduar për ndonjë gjë?

- Gjërat e thjeshta dhe asgjë tjetër. Të shohësh lindjen e diellit që nga dritarja e shtëpisë, të pikturosh rrugët e vendit tënd, fytyrën e prindërve të mi, të Matilde-s, të Jorge-s, të Elvira-s... Qesh shumë me të, e dini? Jashtë bota është një frikë, nuk dua të di asgjë, për këtë arsye nuk dal, nuk dua që të më tregojnë gjë. Gjithmonë them që jam përpjekur të jem njeri i mirë, ne qeniet njerëzore jemi krijuar nga mirësia, nga ligësia, bujaria dhe egoizmi. Kush mund të jetë kaq krenar sa të mos kërkoj falje? Gjithmonë ka gjëra për të cilat pendohemi.


Si do t’ju pëlqente të vdisnit?

- Kam lexuar shumë filozofët ekzistencialistë: Jaspers, Heiddegger dhe francezët Sartre dhe Camus. Për ta tema e vdekjes është thelbësore, thonë që njeriu është një “qenie për vdekjen”. E dinit? Dua të vdes siç kam jetuar, intensivisht dhe në paqe.

***

Është koha të iki, fotografi mbledh “instrumentet e torturës”, megjithëse në fund Mjeshtri Sábato çlirohet, bëhet mik dhe kënaqet me zhurmën e kamerës kur nis dhe sheh veten e tij në kontrollin e figurës, i habitur nga teknologjia digjitale. Më kalon krahun tek dora dhe e ndihmoj lehtë të ngjisi shkallët e sallonit. Këtu po, më shumë se në librat e tij, ndjeva të kthehem në fëmijërinë time për një sekond, kur takova disa gjeste të gjyshit tim Martín, ndoshta edhe ngrohtësinë e duarve të babait tim, një lloj ndjenje pafajësie e humbur nuk di se ku, një copëz e shpirtit tim. Jashtë bën shumë ftohtë, qeni vjen në takimin e tij të dashur me të zotin, luan bishtin dhe Sábato i përkëdhel kokën. “Doni të dini diçka? Nuk e di pse, por pikërisht tani kujtoj përsëri nënën time... Sa shumë më donte, ishte aq stoike, aq e mrekullueshme... Sa misterioze kujtesa, sa magjepsëse...”.

Përktheu nga spanjishtja: M. G

(Shënim: Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë.Dh.H.)
Home item

Më të lexuarat