E mira dhe e keqja pas Rajhut të Tretë



Disa çështje mbesin kurciale, e kaluara nuk kalon kurrë.

Nga Alessandra Iadicicco La Stampa

Siegfried Lenz, lindur në Prusi 83 vite më parë, do të marrë këto ditë në itali çmimin Nonino, të cilin do t’ia dorëzojë autori italian Claudio Magris. Çmimi i jepet sidomos për librin Një minutë heshtje. Delikatesa me të cilën ka “pëshpëritur një histori dashurie pa kohë” dhe madhështia me të cilën “ka ditur ta ballafaqojë pa retorikë dramën e një populli”, janë meritat ia njeh juria e kryesuar nga V.S. Naipaul dhe e përbërë nga Adonis, Peter Brook, Norman Manea, Edgar Morin dhe Ermanno Olmi. E takojmë në Hamburg.

Çfarë efekti ju bën sot ta rilexoni, përmes një distance prej 40 vitesh, temat si lufta dhe nazizmi, dhuna dhe persekutimi, raporti mes autoritetit, “gëzimit të detyrës” dhe “detyrës së mosbindjes”?
“Leksione në gjermanisht u botua më ’68, por janë disa aspekte ende aktuale në këtë libër. Çështje si përgjegjësia morale, modelet që duhet ndjekur, metodat edukative, konfrontimi mes të mirës dhe të keqes ruajnë vlerën e tyre bukur përtej fundit të Rajhut të Tretë. Pra: e kaluara nuk kalon kurrë”.

Juria e Nonino i thurin lavd të qenit tuaj “i shkëputur dhe mosbesues ndaj çdo ideologjie”. E megjithatë, në vitet ’60, me Gunter Grass, ju milituat në politikë: u angazhuat për Ostpolitik, bëtë kampanjë për Spd-në.
“Po, e kam shëtitur Gjermaninë duke bërë propagandë elektorale për miqtë e atëhershëm: Helmut Schmidt dhe Willy Brandt. Sot gjërat janë ndryshe. SPD nuk është më po ajo në të cilën unë i kisha hedhur shpresat e mia. Angazhimi politik sidoqoftë nuk ka të bëjë vetëm me letërsinë: është një detyrë qytetare. Aq më mirë nëse librat kontribuojnë në stimulimin e vetëdijes së qytetarëve”.

Vetëm së fundi, me të kaluar 80 vitet, keni vendosur të ballafaqoheni me temën e dashurisë. Me novelën Një minutë heshtje. Pse vetëm tash? Një kujtim personal?
“Zëri narrativ në këtë tregim është ai i një të riu, por frymëzimi nuk është autobiografik, veç nëse në masën në të cilën edhe shkrimtarët i jetojnë eksperiencat e tyre dashurore. Por është e vërtetë ajo që thoni: dashuria është bërë për mua një motiv frymëzimi vetëm vonë, me moshën. Pse? Mund të përgjigjem me një moto: për gjërat më të mira lypset kohë”.

Një minutë heshtje ka qenë bestseller në Gjermani. Çka do të thotë për ju miratimi i publikut?
“Lexuesit janë kreatura të panjohura. Është gjithmonë kënaqësi të bëj muhabet me ta pas leximeve publike – tashmë gjithnjë e më të rralla – të teksteve të mia. Shpesh marr edhe letra nga ana e tyre; jo që nga kjo lind ndonjë korrespondencë me ata që i lexojnë romanet e mia. Janë të shumtë megjithatë: e natyrisht se nuk mund të ankohem pse aq njerëz vendosin t’i blejnë librat e mi. Gjithnjë kam pasur një sukses të mirë shitjesh. Edhe të shoh veten të përkthyer në mbi njëzet gjuhë, që shpesh e injoroj krejtësisht, është emocionuese. Pastaj realizimi kinematografik apo televiziv i historive të mia është një eksperiencë edhe më ndryshe. Në rastin e tillë, shkrimet e mia, të lejuara nga unë, ecin vetë. Atëherë s’më mbetet pos të kënaqem me filmin”.

Ju jeni mik i madh i Marcel Reich-Ranicki: arbitri absolut i fatit të çdo autori në Gjermani...
“Paj po, jemi miq që prej pesëdhjetë vitesh. Merita e tij është se i ka dhënë kritikës një rol të rangut të parë në Gjermani. Pavarësisht a bëhet fjalë për teatër, muzikë apo letërsi, mjetet e komunikimit i rezervojnë një ngjarjeje kulturore hapësirën që meriton”.

Hapësira juaj, atdheu juaj, shtëpia juaj, ku janë? Jeni lindur në Prusinë lindore, rritur në Baltik, ikur në Danimarkë dhe kthyer në Hamburg. Në faqet tuaja përshkruani peizazhet e Detit të veriut, brigjet e Schleswig-Holstein, moçalet mazurke...
“Atdheu im gjeografik, qyteti im i lindjes, është Lyck-u, sot polak. Isha trembëdhjetë vjeç kur plasi lufta që më largoi nga aty. Atdheu im biografik atëherë u bë Hamburgu: qyteti ku i kreva studimet universitare, ku fillova të punoj, si redaktor kulture i të përditshmes Die Welt, dhe ku njoha gruan time. Jetoj këtu prej vitit ’45. Më parë ka qenë intervali danez: në ditët e fundit të luftës, prill-maj ’54, jetova në Danimarkë, ku isha strehuar si dezertor. Nga këtu lidhja me këtë vend, “qytetar nderi” i të cilit jam. Ja pse peizazhet e Veriut kthehen shpesh në faqet e mia”.

E atdheu juaj letrar?
“Vij nga familja shumë e vjetër e treguesve të historive: atyre që nëpër sheshet e pazarit, në portet detare, në ceremonitë martesore apo në të gjitha rastet e takimeve gjejnë shtytje për të treguar atë që do të mund të kishte ndodhur përnjëmend dhe që ndoshta s’ka ndodhur kurrë. Kam nevojë të sajoj histori për ta kuptuar botën. Vetëm suke shkruar mësoj t’i njoh njerëzit, bëmat dhe konfliktet. Sigurisht, i kam disa modele të vërteta: vëllezër të shpirtit. Autorë si Faulkner, Steinbeck dhe Hemingway”.

Ju keni qenë ndër themeluesit e Grupit 47, me Grass-in, Martin Walser, Hans Magnus Enzensberger. Ndiheni ende pjesë e tij?
”Autorët e Grupit 47, që lindi pas luftës, ishin të karakterizuar nga një eksperiencë e përbashkët brezore. Ishte aspekti i tyre i veçantë: kishin bashkëndarë eksperiencën e luftës dhe varfërisë pas humbjes. Nuk besoj se autorët e brezave të rinj e ndiejnë nevojën e një Forumi analog të ballafaqimit”.