Loading...

Mimoza Ahmeti, në një rrëfim për librat

Paris 1937. Në një restorant për shkrimtarët, Vladimir Nabokov darkon me Xhejms Xhojs. Burri i njohur i letërsisë ruse, teksa mbushte pafundësisht gotën me verë, i pëlqente të fliste për "Lolitën". Në atë kohë "Lolita" ishte thjesht një histori me të cilën ai po jetonte prej vitesh, duke e hedhur në letër. Për Xhojs që ndërtoi më vonë "Uliksin", historitë e dashurisë ishin vetëm rrëfime që ai kërkonte t‘i dëgjonte në librat e të tjerëve, ndërsa në letërsinë e tij kërkonte të zbërthente diçka përtej kësaj ndjenje, diçka që kishte të bënte me ekzistencën… Por rrëfimet për "Lolitën" ishin të bukura për miqtë e Nabokovit, për ata që teksa pinin verë në Paris, apo më vonë në Nju Jork, imagjinonin se si kjo histori do të ngjante në trajtën e një libri, të cilin Nabokovi e botoi më vonë. Vetë Nabokovi e quajti "Lolitën" rrëfimin e plotë të zemrës. Pavarësisht stinëve të ftohta ruse, ai kishte mundur të sillte në letër një nga historitë më të përkryera të një letërsie, një histori që dhe sot na prek ndërsa endemi në të. Mimoza Ahmeti është takuar me Nabokovin nëpërmjet "Lolitës". Poetja mund të ketë ndjerë të gjithë përkryerjen e gjendjes së brendshme të shkrimtarit, ndërsa e shkruante këtë libër. Shkrimtarët dinë të shohin përtej një libri. Duke njohur aktin e krijimit, ata nuhasin që në faqet e para se ç‘gjendje ka qenë brenda autorit teksa shkruante këtë histori. "Kam lexuar kohët e fundit romanin ‘Lolita‘ të Nabokovit, dhe kam kaluar një ëndje të mrekullueshme me të. Edhe një herë e kuptova se nëse ka mbetur një oaz kënaqësie, ai është perversiteti në kuptimin më njerëzor të kësaj fjale", thotë Ahmeti. Librat kanë qenë gjithnjë një ndjesi e bukur për Ahmetin. Ndoshta se ato ishin në shtëpinë e saj para se ajo të lindte. Ndryshe nga gjyshja që mendonte se librat nuk mund të mbaheshin në shtëpi, pasi shtëpia bie erë qitap, për babain e saj librat ishin jeta". Babai kishe shumë dobësi për librat dhe nëse ato do të haheshin, do ta hante të gjithë bibliotekën", thotë ajo. Tashmë jeta e saj është e ndërtuar mbi librat. Jo vetëm mbi ato që ajo ka shkruar, por dhe nga librat që ndodhen në bibliotekën e familjes së saj të shkurtër dhe moderne. Më 23 prill, është Dita Ndërkombëtare e Librit. Në prag të kësaj dite, poetja e njohur Mimoza Ahmeti vjen për lexuesin e "Shqip" në një rrëfim vetëm për librin…


Librat, si do ta kujtonit lidhjen tuaj me to?


Librat ishin në shtëpinë e tim ati para se të lindte vetëdija ime për to. Gjyshja nuk i donte librat. Ajo thoshte se librat nuk mbahen në shtëpi pasi shtëpia bie erë qitap. Nuk më linte të flija në dhomën e librave. Babai kishe shumë dobësi për librat dhe nëse ato do të haheshin, do ta hante të gjithë bibliotekën. Ai e kishte çështje ekzistence leximin. Edhe unë kam dobësinë time për libra të veçantë, por jo për librat në masë.


Çfarë janë librat për ju?

Për mua libri është forma e shijes. Të ushtruarit e shijes perceptive është një nga kënaqësitë më të mprehta të njeriut.

Zakonisht libri përdoret si mjet informimi apo manipulimi. Prandaj shumica e librave janë mediokër. Rrallë gjenden libra që kanë si qëllim ushtrimin e shijes, pasi ky është një standard perceptimi që bota e konsumizmit e keqpërdor me trashësinë që kultivon fitimi.

Nëse do të donit të ndjenit një histori të bukur
dashurie, cilin libër do të merrnit në bibliotekën tuaj?

Kam lexuar kohët e fundit romanin "Lolita" të Nabokovit dhe kam kaluar një ëndje të mrekullueshme me të. Edhe një herë e kuptova se nëse ka mbetur një oaz kënaqësie, ai është perversiteti në kuptimin më njerëzor të kësaj fjale. Më besoni, kontrolli mbi gjërat apo sjelljet, pra morali apo kontrolli në përgjithësi, është një shterpëzues bujar i semantikës mbi vetë sjelljet dhe gjërat dhe një detyrues për kërkime të përtejshme që na shtyn të imoralizojmë apo kriminojmë, për t‘u mbushur me një semantikë të re. Gjithçka zhvillohet brenda subjektit njerëzor, në horizontin e jashtëm të konvencionit.

Një libër që ju ka bërë të qani?


Më ka bërë të qaj romani me titullin "Lexuesi", i autorit gjerman Bernard Shlinchk.

Një femër që do ta veçonit nga moria e letërsisë së bërë nga femrat?


Do të veçoja shkrimtaren greke Zirana Zateli, njohja me të cilën para shumë vjetësh, ka qenë për mua një kumbim erotik në kuptimin e një riperceptimi grek ballkanik dhe feminin nëpërmjet shqisës së tregimeve të saj, që kishin një narracion përrallor.

Po një shkrimtar mashkull, cili do të ishte dhe pse?

Më ka pëlqyer tronditshëm Apolineri. Nuk kam njohur finesë dhe paskrupullsi më humane, aq më tepër mashkullore. Burrë i bukur.

Biblioteka. A mund të na flisni për bibliotekën tuaj. Si është krijuar ajo, dhe çmendoni ju për bibliotekat?


Biblioteka ime është moderne dhe e shkurtër, nëse mund ta quaja kështu. Gjuha angleze dominon dhe autorët e huaj. Është krijuar me ndihmën e një anglezi, mik i familjes tashmë, i cili punoi disa vjet në Shqipëri. Quhet Nigel Forrest dhe kishte një intelekt të një vetëpërmbajtjeje shembullore. Ndoshta mbi të njëjtin vlerësim ai mori përsipër të më ndihmonte falas për të gjithë titujt e kërkuar dhe të them të drejtën është një dhuratë e paçmueshme nga ana e tij për mua.

Nëse do të dhuronit një libër të një autori shqiptar. Cili do të ishte ai dhe pse?


Le të themi "Simfonia e fundit në ishullin Simon", e autorit Henrik Gjoka. Ka një kultivim të vetëdijshëm të egos, ndryshe nga kultivimi banal që jemi mësuar të lexojmë në librat në masë.

Nga moria e librave që keni lexuar. Cilën prej historive do të kishit dashur ta shkruanit ju?


Ndoshta "Lolitën". Gjej rastin të falënderoj përkthyesin e këtij libri, zotin Betim Muço, i cili jeton aktualisht në Kanada. Përkthimi i tij është aq i sinqertë e i përkryer sa dhe "Lolita" e autorit.

Si lind në tryezën tuaj të punës një libër?


Çdo libër është një produkt diskursi dhe me siguri duhet të mos ketë mbetur asgjë tjetër për të jetuar që t‘i kthehesh atij, librit. Nga ky shkak shkrimi është një torturë. Kjo për natyrën e prozës. Poezia është tjetër dhe mbi të nuk veprojnë ligjësi. Poezia është kapriçioze dhe nuk sjell ato pasoja që sjell proza, dhe nuk buron nga ato derdhje që buron proza.

Zakonisht, poezia buron nga ujëra të kthjellëta apo burime të pijshme, le të themi. Ndërsa romanet e bukura burojnë nga ujëra të ndotura në kuptimin filozofik moral. Poezia është një ristrukturë e subjektit, ndërsa romani një ristrukturë e konvencionit social ose e të dyjave bashkë në rastin më të mirë… Gjithsesi, siç e shikoni, premisa përcakton edhe gjininë, por mbeten edhe shumë detaje të tjera për të dhënë një skemë banale të lindjes së një kualiteti letrar…

Çfarë është dashuria për ju? A mund të qëndrojnë ende sot fjalët se "vetëm ajo mund të shpëtojë botën"?


Dashuria është një vepër semantike, një riorganizim i shenjave subjektive në një nivel të ri. Natyra e saj për këtë shkak është luajale, tërësisht e kundërt me rixhiditetin e konvencionit. Për këtë arsye duket dhe e pamundur, e duke qenë e tillë është në prirjen njerëzore dhe e ka të vështirë të ndërtojë një realitet të kapshëm, pasi ky i fundit kthehet menjëherë në diçka të njohur, pra konvencion.

Nëse do të kishit mundësi të darkonit me një shkrimtar
të njohur, cili do të ishte ai, dhe pse?

Po le të darkoja një herë me Ismail Kadarenë, t‘i thosha bëja naftën atij çmimit "Nobel" që ta nxiu jetën, i thuaj a më hiqesh qafe? E them me vetëdije se mënyra për t‘i trajtuar shkrimtarët si nxënës shkolle, duke kërkuar një sjellje shembullore nga jeta e tyre, është një nga kriteret më injoruese dhe antiestetike që kam njohur. Shkrimtari është diskursiv, gabues apo mëkatues, ndryshe si mund të rindërohet margjina e kuptimeve, ajo diferencë reflektimi, e cila ndërton një vepër? Kam ndërmend që në librat e mi të ardhshëm të shkruaj një paragraf qysh në hyrje të librit, se ndalohet pjesëmarrja e librit tim nëpër konkurse apo dhënia e ndonjë çmimi, e çfarëdolloji.

Cili është libri që jeni duke lexuar tani?

Po lexoj "Manaxhimin" e Piter Drucker, një autor rreth njëqindvjeçar, i famshëm në këtë fushë, i lindur rreth 1909-s në Vjenë, i cili aktualisht jeton në Kaliforni. Ai thotë se konsumatori krijohet. Nuk e di nëse mund të thosha se lexuesi krijohet.

Shqip
Home item

Arkivi

Më të lexuarat