Loading...

Kamy, babai im

Më 4 janar të vitit 1960 humbi jetën në një aksident automobilistik, shkrimtari i madh francez, Albert Kamy. Ndërkohë, mes shumë protestave, Presidenti Sarkozi dëshiron transferimin e eshtrave të tij në Panteon. Tani e bija, Katherin, tregon se kush ishte



Jeta sekrete e një nobelisti "I lënë vetëm, por shumë i lumtur"

"Kur ke një prind të famshëm, siç e kam pasur unë, fëmijëve u mbetet shumë pak nga babai. Kjo është arsyeja që jam e rezervuar, nuk flas shumë dhe e mbaj për vete historinë tonë". Kështu nis bashkëbisedimi me Katherin Kamy, vajzën e shkrimtarit të famshëm, Albert Kamy, i cili më 4 janar të vitit 2010 mbush plot 50 vjet që është ndarë nga jeta. Albert Kamy, fitues i çmimit "Nobel" për letërsinë, vdiq në moshën 46-vjeçare nga një aksident automobilistik. Këto ditë në Francë po flitet shumë për të, sepse propozimi i Presidentit Nikolas Sarkozi për t‘i transferuar eshtrat e tij në Panteon, ka nxitur shumë debate. Po këto ditë, vetë familja e shkrimtarit që jeton në Provencë, në shtëpinë e blerë nga Albert pak para aksidentit tragjik, ka publikuar një libër shumë të bukur, plot foto dhe dokumente, i cili titullohet "Albert Camus, solitaire et solidaire". Me rastin e këtij publikimi, vajza Katherin ka pranuar të flasë për këtë eveniment, por nuk dëshiron të ndërhyjë në debatin që ka shkaktuar propozimi i Presidentit francez: "Është një iniciativë të cilën nuk e prisja", thotë ajo me qetësi. "Në fillim kam menduar se çfarë nënkupton kjo gjë për të gjithë të poshtëruarit që babai im gjithmonë i ka mbrojtur. Një mirënjohje edhe për gjyshen time, një grua që ka njohur varfërinë dhe vuajtjen. Pastaj kuptova që gjërat ishin më të ndërlikuara. Kështu, duke qenë se për momentin kam shumë dyshime, preferoj të mos i shpreh, duke qëndruar larg polemikave. E di që herët ose vonë do të flas, por do ta bëj vetëm kur t‘i kem idetë më të qarta. Për një vajzë nuk është thjesht të pranojë zhvarrosjen e të atit, por Kamy është një person publik dhe librat e tij u përkasin të gjithëve. Unë nuk dua t‘i imponoj asgjë asnjë njeriu, nuk jam mbrojtësja e tempullit, edhe pse tempulli nuk ekziston. Kur të jem më pak e përfshirë emocionalisht, do të them se si i mendoj gjërat, edhe pse ndoshta atëherë, këndvështrimi im nuk do t‘u interesojë më".
Këto ditë shumë persona kujtojnë karakterin e babait tuaj, që edhe për ju ka mbetur një tipar shumë i rëndësishëm…
Sigurisht, ishte një burrë i lirë, por për të liria nuk ekzistonte pa përgjegjësinë. Ai kujtonte shpesh që çdonjëri prej nesh duhet të mbajë përgjegjësitë për zgjedhjet që bën, veprimet dhe fjalët që flet. Kjo është një formë respekti ndaj të tjerëve. Është një parim për të cilin luftonte shumë edhe në shtëpi. Në fakt, në jetën e përditshme përpiqej të na transmetonte vlerat e pranishme te librat e tij. Për ne mëkati më i madh ishte mosrespektimi i të tjerëve.
Pra "njeriu privat", ndryshonte nga ai publik?
Unë nuk e kam njohur si njeri publik, sepse deri ditën që vdiq, unë nuk e dija që ishte i famshëm. Në shtëpi ishim të mbrojtur nga fama e tij.
Ju nuk ishit në dijeni as për marrjen e çmimit "Nobel"?
Në shtëpi nuk kishim as radio e as televizor, kështu që lajmi nuk na preku dhe aq. Më tha se do të shkonte në Suedi, por për mua nuk kishte rëndësi. Më kujtohet që e pyeta a ekzistonte një çmim "Nobel" për akrobatët dhe meqë m‘u përgjigj jo, nuk i dhashë shumë rëndësi kësaj gjëje. Bënim një jetë të thjeshtë dhe ishim indiferentë ndaj shumë gjërave.
Në librin tuaj keni publikuar një letër të pabotuar të Nikola Kiaromonte, ku Kamy pranon se lajmi i "Nobel"-it i ka shkaktuar panik…
Mendonte se ishte shumë i ri. Sapo kishte mbushur 43 vjeç dhe po kalonte një periudhë shumë të vështirë, pasi bota intelektuale parisiane e kishte përjashtuar. Ndër të tjera, çmimi "Nobel" e thellonte edhe më shumë hendekun mes realitetit prej nga vinte dhe shkrimtari që ishte bërë. Origjina nuk duhet harruar kurrë. Në Algjeri, ishte një fëmijë rrugësh, por falë zgjuarsisë kishte arritur të mësonte gjuhën franceze. Fama rrezikonte ta trondiste dhe të mos i linte më hapësirë për një eksperiencë të tijën.
Kalonte shumë kohë me fëmijët?
Kishte shumë angazhime publike, por arrinte të ishte i pranishëm në jetën tonë. Kishte shumë cilësi, ishte një baba i mrekullueshëm, i aftë të na jepte shumë siguri. Ishte një njeri shakaxhi dhe shumë ironik. Na bënte për të qeshur, na përgatiste drekën, luante me top me ne. Ishte i gjallë. E kujtoj tim atë si një njeri të lumtur. Një herë e pashë të trishtuar dhe e pyeta se çfarë kishte? Ai m‘u përgjigj se ndihej i vetmuar. Atëherë duhet të kem qenë vetëm 9 vjeçe dhe nuk dija si t‘i thosha që me mua nuk do të ishte kurrë i vetëm. Mendoj se duhet të ketë qenë shumë i vetmuar që ma tha mua. Ndodhi pak kohë pas publikimit të librit "Njeriu i revoltuar".
Ai libër solli edhe ndarjen me Sartre. Vuajti shumë për këtë fakt?
Ishin miq dhe sigurisht që vuajti shumë, por mendoj se ndarja erdhi më shumë për veprën e Simone de Beauvoir se atë të Sartre-së, që im atë e konsideronte një njeri bujar. Polemika e plagosi, sepse më shumë se librin, sulmet preknin atë personalisht. Shumë personalitete, miq u larguan nga ai. Vetëm disa shokë të vjetër i qëndruan pranë si Nikola Kiaromonte, Ignasio Silone, Rene Shar dhe Luis Guillouks.
Denoncimi i tij për stalinizmin u kundërshtua apo jo?
Ishte një skandal i vërtetë. Babai im u akuzua se ishte aleat i të djathtës. Në fakt, për atë kishte rëndësi vetëm dinjiteti njerëzor, pavarësisht bindjeve politike. Mbronte gjithmonë njeriun jo ideologjinë, prandaj u dëbua nga bota intelektuale franceze. Nuk bënte pjesë në asnjë parti. Thoshte gjithmonë se partia e vetme ku bënte pjesë ishte partia e atyre të cilët nuk janë kurrë të sigurt që kanë të drejtë. Pra, ai ishte me partinë e dyshimit. Im atë nuk e harronte kurrë prejardhjen e tij. Pjesa më e madhe e intelektualëve francezë ishin borgjezë që kishin studiuar në shkollat më të mira të vendit. Ai ishte ndryshe dhe për më tepër vinte nga Algjeria.
Për Kamynë, Mesdheu ishte i rëndësishëm?
Po, shumë. Ai e donte shumë Spanjën, Greqinë dhe Italinë. Për të deti dhe dielli ishin shumë të rëndësishëm.
Sot Kamy vlerësohet nga të gjithë. Nuk keni frikë se mos nga pëlqimi i tepërt të rrezikohet imazhi i tij prej rebeli?
Jo, sepse Kamy di të mbrohet shumë mirë. Shkrimet e tij e vërtetojnë më së miri këtë gjë.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat