Loading...

Ismail Kadare tregimet dhe novelat në ditarin e një shkrimtari

Persida Asllani

Ndodh gjithnjë e më shpesh që tregimet dhe novelat e një shkrimtari t’i lexojmë të grupuara në një përmbledhje të vetme. Kështu na humbin nga sytë ritmet e shkrimit të tyre, ritme që japin e marrin pa pushim me pjesën tjetër të veprës e në shtrirje të gjatë kohore. Në fakt, një përmbledhje me tregime do t’i ngjasonte më tepër leximit të një ditari, nëse shkrimtarit do t’ia kishte ënda të shënonte kohën e tyre të shkrimit. Emra njerëzish e vendesh, ndodhi të vogla personale dhe ngjarje që vërtiten në vorbulla të mëdha historish, lidhje dashurore, gjaku dhe tejhistorike shkasin nga një fletë në tjetrën, të ndara mes tyre nga titulli i gjithsecilës dhe nga data e poshtëshënuar për ditën apo stinën e përfundimit. Por, ndërsa ngjarjet që ndjekin në mënyrë rastësore njëra-tjetrën në një ditar, janë shpesh peng i një date, muaji apo viti, në këtë përmbledhje tregimesh e novelash të Ismail Kadaresë, struktura na vjen e përmbysur. Një datë, shpesh një stinë dhe viti i shkrimit të këtyre pjesëve, përmbyll si me një kumt të dytë, të heshtur, leximin dhe rileximin e tyre. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Fqinjërimi në një hapësirë teksti të përmbyllur si ajo e botimit të veprës së plotë të shkrimtarit, sado e pamotivueshme dhe e paqëllimtë, sado e pafajshme dhe rastësore, i ngërthen ato së bashku në rezonancën thuajse muzikore të emrave, të vendeve, të kohëve, të fjalëve, të trilleve, të alegorive dhe simbolikave që rishfaqen ose ripërtërihen nga një tregim a novelë në tjetrën. Dhe, pavarësisht se për ndokënd kjo lidhje mund të tingëllojë artificiale, le të kujtojmë fjalët e një prej zërave tregimtarë të kësaj përmbledhjeje teksa arsyeton se “po ta merrje kështu, vetë akti i të shkruarit ishte i stisur, pra, artificial”. Madje, se e gjithë letërsia na qenkësh, tek e fundit, “ca shenja e shenjëza mbi letër, mbi të cilat njeriu rrinte me orë të tëra seriozisht, si i lajthitur”.
Kështu, pra, këto nëntëmbëdhjetë tregime e novela janë pjesë e panda-shme e atyrë orëve të panumërta “serioziteti”. Sepse çdo krijim letrar, pavarësisht synimeve të tij, nuk mund të vijë në botë veçse përmes asaj krisjeje të pazakontë në koren e përditshmërisë, së përsëritshmes, të njëtrajtësimit, prej së cilës ikën si prej një jete a atdheu të pamundshëm. Sepse arti lind duke mohuar ekuilibrat iluzivë të botës, sjell mëdyshjen aty ku ngjan e pamundur të dyshosh, shton dritëhijet në gjirin e të vetëmjaftueshmes, krijon një fjalë të re aty ku gjuha beson se është e përsosur. Nëse këto nëntëmbëdhjetë tregime e novela mundën të kumtojnë çka qe e pashqiptueshme, të shkruajnë çka është e pashkrueshme, të kujtojnë me ngulm të pakujtueshmen, të endin fjalën nga heshtimi pjellor i gjuhës, do të thotë se ato janë pikërisht pjella të po asaj krisjeje nga ikën drejt nesh, me padurimin e të ikurit nga djepi apo nga varri, edhe romanet e mëdha të Ismail Kadaresë. Bija të së njëjtës gjendje, si prej një lajthitjeje fatlume, këto simotra romanore, me ritmin e shpejtë të rrëfimit, me zhvendosjen e ritmuar të skenave, me skicimin e shkathët të personazheve, vizllojnë më vete larminë e tematikave të parapëlqyera të autorit pikërisht si një album shkrimor, ku do të ruheshin gjurmët e tundimeve krijuese përgjatë shumë vitesh. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Midis këtyre datave shkasin nga stina në stinë, si nga një fletë në tjetrën, figura dhe ngjarje mitologjike, mite të një epoke që ngjiten drejt epokash të ardhme; personazhe të një Perandorie Osmane të shumë-kohshme, fermane që lëvizin përzishëm drejt skajeve më të largëta; shpresa, mëdyshje dhe intriga të një Shqipërie komuniste; përmbysje, kriza dhe sfida të qenies njerëzore, ashtu të pakohë e të pazakontë siç e bën forca e saj e jetës, e vdekjes, e dashurisë. Mes këtyre datave pulson ngulmimi i shkrimtarit për t’u përballur me daljen nga kujtesa qoftë të historisë së jetës së një kombi ashtu dhe të grimcave luksoze të një çasti, të gjestit të pakthyeshëm, të tingëllimit të zërave, të dritësimit të vështrimeve, të brishtësisë së dashurive të përjetshme.
Sepse, tek e fundit, Ismail Kadare ka dashur që të ndodhë pikërisht kështu: që miti i Prometeut të mos këputet te fluturimi i përjetshëm i shkabës drejt hyut rebel, por të vijojë nëpër bashkëkohësinë tonë, me kumte të shumëfishta, të lexueshme dhe të nënlexueshme, pikërisht siç i ka hije një kumti olimpik, hyjnor pikërisht sepse është bërë, më në fund, shkrimor; që Sfinksi të nxirrej prej enigmës së pazgjidhshme të mitit dhe të përgjohej në ankthin e natës së tij të errët, natës së dyshimit dhe të vërtetave të pakumtueshme të një tiranie; që Agamemnonin ta ndiqnim përtej jetës së tij tokësore, nëpër qerthullin dantesk të një eksperimenti letrar të pashoq, nga elipsa në elipsë, inkursion kohor në pikëpjekjen e njerëzores me matafiziken. Sepse për shkrimtarin, rishkrimi dhe rileximi i vazhdueshëm i historisë është një domosdoshmëri etike: për të shestuar rrugëtimin nga e ardhmja, duhej ndërmarrë mundimshëm udha e përkundërt, duhet përftuar e shkuara historike gjithnjë e më thellë, më e pakapshme, deri në ankthet dhe pasionet e padëshmuara. Letërsia, duke dëshmuar të padëshmueshmen historike, humanizon historinë, ua kthen atë njerëzve nga sferat e paqarta të harresës. Dhe pikërisht atëherë, e tashmja dhe e shkuara ngjasojnë me njëra-tjetrën, gërshetojnë të vërtetat dhe faktet për të mbërritur te thelbi metafizik i së tashmes së përjetshme, aty ku Prometeu dhe Agamemnoni bëhen lehtësisht bashkëkohës të një ish-komunisti në një qytezë të humbur të një vendi të vogël; aty ku nga varri i hapur i Skënderbeut zbardhon balada e kosovarit J. G.; aty ku pengu i pezullt i një regjence “danson” me shënimet e ankthshme nga kapiteneria e një porti në bregun përkundruall të Adriatikut.
Ashtu si në fletët e një ditari, larmia e këtij grumbulli ndodhish, personazhesh, rrugëtimesh, arkitekturash e tematikash, gjakon të mbetet e shënuar, e mbërthyer në ritmin përzgjedhës të shkrimit, në atë çka e bën të jetë e vetme, e papërsëritshme, e pse jo, e njerëzueshme. Përmes shkrimit të një tregimi a novele, ato u përzgjodhën për të qenë çastet dhe, njëkohësisht, thelbet që nuk duhen të humbasin, u përzgjodhën për të qenë piketat e çmuara në shumësinë kaotike të ngjarjeve, jetëve, përjetimeve të përditshme.

Këtu, lexuesi do të gjejë të renditura kronologjikisht nëntëmbëdhjetë tregime e novela, shkruar midis viteve 1980 dhe 2008, kryesisht mes Tiranës dhe Parisit. Shumicën prej tyre ka gjasë t’i ketë hasur më parë në vëllime të ndryshme si para ashtu dhe pas komunizmit, ndërkohë që me këtë përmbledhje ka, pa dyshim, luksin të bëhet lexuesi i parë i tri pjesëve krejt të reja dhe origjinale: i tregimit “Leximi i Hamletit” dhe i novelave “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”; këto të fundit përfunduar vetëm pak muaj më parë, buzë Adriatikut. Kjo afërsi në kohë, si dhe datimi këmbëngulës e bujar i të gjitha pjesëve, të sjellin ndër mend një prej grishjeve të famshme të shkrimtarit, në një çast kyç për të gjithë së bashku, titullin “Ftesë në studio”. Kësaj here Kadare na fton të lexojmë apo të rilexojmë disa nga titujt më pikantë të artit të tij tregimor, si për shembull, “Prometheu”, “Baladë për vdekjen e J. G”, “Përçmimi”, “Ëndrra mashtruese”, “Përpara banjës”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, “Shënime nga kapiteneria e portit”. Vështirë ta kesh lexuar një herë e të të ketë ikur nga mendja parada e trishtë dhe e ankthshme e të ikurve nga Arbëria e pushtuar: lotëria e pikëlluar e syve të tyre, braktisja përfundimtare e shpresës, zbarkimi i arkave me libra, i titujve të fisnikërisë, i kambanave të kishave; gjurma e pushtimit të ri në sytë e fëmijëve dhe në ashtin e gjuhës, sikundërse emrat e dyfishtë të sundimtarëve. Personazhi i përsosur i Haxhi Miletit, teksa shtyhet në brendësi të Ballkanit të dyzuar, dyzohet tragjikisht edhe vetë, mes errëtimit të ferexheve dhe syve të zbuluar, të papërballueshëm, të grave të pambuluara të këtij krahu të skajshëm të perandorisë. Kufoma e tij e pakuptimtë, si prej gruaje të mbuluar me rizën e zezë, është vetëm një prej sprovave të arta ku gjendet pa pushim lexuesi i vëmendshëm i Kadaresë. Na ka qëlluar, pa dyshim, t’i kthehemi me mendje ferrit ciklik të Agamemnon Atridit, vrarë prej së shoqes, ditën e parë të kthimit nga fushata e Trojës, tregim antologjik i rrallë, ku struktura shkrimore dikton ritmet e leximit dhe pragjet e simbolit. Madje, nëpër thuajse të njëjtët rrathë kemi ndjekur edhe ferrin komunist të ish-komunistit Aleko Balla, personazhit emblematik të novelës “Përçmimi”.
Ndërkaq, të shkruara në vite dhe kohë të ndryshme, pjesët e këtij albumi u ngjajnë hera-herës fletëve të shkëputura pa dashje nga tërësia e një romani. Ndërsa shkrimi romanor i ngjan krijimit të një bote, plotërisë së një universi, tregimet mund ta ndalin hapin përfundimisht në një çast, në një befje, në një kujtim. Dhe kalojmë atëherë si pa e kuptuar në korridoret e gjera të botës, me copëza albumi ndër duar. Romanet dhe tregimet plotësojnë kështu ritmet e leximit të njëri-tjetrit, nga “Rrethimi” te munxadhënësit, nga “Kamarja e Turpit” te “Sjellësi i fatkeqësive”, nga “Pallati i Ëndrrave” te “Vjedhja e gjumit mbretëror”, nga “Kronikë në gur” e “Çështje të marrëzisë” te tregimi “Leximi i Hamletit”, nga “Ura me tri harqe” dhe “Dosja H”, te “Raporti i fshehtë”, ose anasjelltas, dhe sërish nga romani “Çështje të marrëzisë” te novela “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, shkruar veç pak muaj më parë. Nëse kohët dhe epokat mes tyre ndryshojnë, siç ndryshon portreti mes atit dhe birit, kjo s’është veçse frymëmarrja e gjatë e së njëjtës ndjesi, së njëjtës enigmë, ngjarjeje, thelbi. Fytyrë e shumëfishtë e kohës, që, si qenie e gjallë, frymon dhe zhvendos pjellat e saj nga një epokë në tjetrën, duke u nxjerrë në pah brenda hapësirës së letërsisë, zanafillën dhe fundin, jetën dhe vdekjen, kuptimin dhe dyshimin e ekzistencës.
Në kronotopinë e pacak të Kadaresë nuk ka prehje kurrë, as në gjumë, as në vdekje, as në ëndërr. Ikën zemërligsht, nga kryeqyteti i perandorisë drejt zemrës së periferisë së largme, edhe Tuz efendiu, një prej personazheve më të reja të osmano-topisë kadareane, i ngërthyer nga pamundësia e një misioni të “midistë”, të paemërtueshëm, të pashqiptueshëm. I lidhur deri në vdekje me qëllimin e pamundshëm për të gjetur atë gjësend që do të rimbushte boshllëkun brerës të varrit të zbrazur të Gjergj Kastriotit; zhvendoset nga bujtina në bujtinë, nga biseda në bisedë, nga fjala në fjalë, për të kapur thelbin e kësaj daljeje të pabestë, të të pabesit, nga vdekja. Dhe, meqenëse trazimi i ligjësive të ndara shkakton gjithnjë zhbërje e rrënim, asgjë të pazakontë atëherë për lexuesin e Kadaresë, teksa Tuz efendiu, hartuesi i “raportit” përfundimtar mbi këtë “dyvarrí” të padurueshme, që druhej ligsht “kur mungonte i vdekuri”, do të vritet në prag-gjumë si në pragvdekje, krejt i pakuptimtë e i palavdishëm, simbolikisht, pranë kufirit të vjetër të shtetit…
Dhe personazhet vazhdojnë të enden nga një vend në tjetrin, nga një ngjarje në tjetrën. Rendje e ethshme si drejt dritës, për të rihyrë ndoshta sërish në tregimin e radhës dhe për të dalë vrik nga novela e ardhshme. Dalëngadalë, gjatë leximeve ato bëhen si njerëzit e shtëpisë, që ua njohim fytyrat, fjalët, huqet. Ky familjaritet vlen për këdo, edhe për vetë atë që rrëfen. Lexuesi i Kadaresë e ndien, për shembull, se te “Leximi i Hamletit” është ritakuar befas dhe po çmallet me zërin e djaloshit dhjetëvjeçar që i tregonte kronikën e qytetit të tij të gurtë para shumë vjetësh apo rrëfente çështjet e papërmbledhshme të marrëzisë më 2004-ën. Janë të gjithë aty, së bashku, burra, gra e fëmijë, gurë, rrugë e shtëpi, dekrete, kujtime, enigma dhe marrëzi. Por bota në tregimin e fundit ndahet befas në dy lloje shtëpish: disa janë perandorake e disa të tjera mbretërore. Së shpejti, në qytetin e gurtë do të shfaqen ato republikanet. Trajta dhe pesha e gurëve nuk qenkësh e njëllojtë. Trillet e fantazmave po ashtu. Ndoshta të njëjtit trill i është gjegjur edhe vetë autori, teksa i mban të gjitha këto shënim, i shndërron, pra, në të shënueshme në fletën e ditarit të tij që mban datën: qershor 2004, Paris.
Ndërkaq, një nga shtegtimet më mbresëlënëse vjen në novelën e fundit, me titullin enigmatik “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”. Mund të ngjasë që njerëzit t’u përngjasojnë fantazmave më shumë se ato vetë mes tyre. Burra e gra të “midistë”, ikur prej humbellash internimesh reale e potenciale, që shfaqen apo trokasin befas përmes një telefonate, një rrëfimi, një fjale, dhe ikin sërish, të përkorë, në heshtjen e natës. “Janë mbretërorë - përsiatet rrëfimtari - është e natyrshme të mos bëjnë zhurmë e të mos bien në sy”. Por, përtej rishfaqjes së tyre disi të mënjanshme, në predemokracinë shqiptare, si “në larginë”, përtej ndjesisë së butë të fajit, që, për çudi, prej asaj pasdreke nuk ndahet, përtej kujtimit tundues të brilanteve të shuara dhe shkëlqimit të ftohtë të atyre që do të vijnë, kumbon shtegtimi i dyfishtë i një gjuhe dyfish të vdekur, ikje dhe ardhje nga një botë tjetër, nga romane të mëparshme dhe nga njerëz tashmë të vdekur. Kthimi i pamundshëm i latinishtes i ngjan kthimit tragjik të Doruntinës dhe Kostandinit, i ngjan baladës së rikthimit nga varri, nga vdekja, për një kumt të ri në botën e këndejme, e cila, thjesht për një tekë gjuhësore u quajtkësh e të gjallëve. Dhe latinishtja rivjen, në gjurmën e gjallë të njerëzve të vdekur, si një “gjuhë e ftohur, (…), sillte shpirtësinë e fundit të një brezi njerëzor që po shuhej”. Lufta e gjuhëve. Kështu quhet sot në gjuhën shkencore mishmashi i kacafytjeve gjuhësore në gjirin e njerëzimit. Këtë luftë, Kadare na e ka treguar disa herë në botën e tij romanore. Por ajo nuk është më shenjë e bashkëpërkitjeve dhe huazimeve, por luftë për jetë a vdekje mes botëve që identifikojnë. Mjafton të kujtojmë romanin e fundit “Çështje të marrëzisë” dhe të shohim se si latinishtja dhe frëngjishtja kacafyten për vdekje me rusishten, gjuhën e re që shtronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në një sistem të ri mendor. Rikthimi i latinishtes në prag-rënien e komunizmit shqiptar, pulsimi i saj mes sentencave ambulante të shtypit, risjell në novelë vizllimin e dyfishtë të jetës, ashtu siç ndodh gjithmonë, mes keqkuptimit dhe shpresës, mes tragjizmit dhe ironisë, si në mjegull: falë kësaj gjuhe të vdekur “që rrihte të bënte të pamundurën, të nxirrte pakëz frymë nga morti i saj”. Ishte kumti që rikthehej nga varri për të ribërë, me verbin, jetën; shpresa e vdekur për të rigjetur të vdekurit; shkëlqimi si prej brilanti i një gjuhe që, ashtu si trokitja e fantazmës, rreket të thotë diçka më shumë se vdekja e saj dhe e njerëzve që dikur e folën.
Sepse gjuha është shtëpiza e qenies. Pa dyshim që Heidegeri e pati ndier se si strehohej në të thelbi i kuptimit të botës. Kjo përfytyrë ndryshon fare pak nga përshkrimi i një qyteti të gurtë që ruan mishin e butë të jetës në nënshtresat e tij. Pa dyshim që Kadare, e bashkë me të edhe ne, e ka ndier se si ndryshonte kuptimi i botës sa herë që me mishin e butë të gjuhës, nga brezaret e heshtura të shekujve, zinin trup fjalë të reja, copëza gjuhe si pjesëza brilantesh, që duken e zhduken, pulsarë të rinj, në hapësirën e pacak të shkrimit. Ato shfaqen pikërisht aty, ku lufta dhe flirti me gjuhën, me pamundësinë e kumtit, bëhen të domosdoshme. Në prozën e tij, ato janë emblemat e krijimit dhe flijimit. Vetëm në këto nëntëmbëdhjetë tregime e novela vijnë jo pak, por rreth pesëdhjetë të tilla, si grimca të një gjuhe tjetër, që dritëson sa herë që shkrimtarit i duhet të kthjellojë kuptimin e thellë të gjërave. Po të lexosh veç disa prej tyre, si për shembull: humbellat, munxët dhe munxadhënësit, terratisur, bashkëgotas, darkëtarë, parambrëmje, yllnajat, gjithnajë, shkularakë, fund-botë, lotëri, eshtëri, kinseri, ndezë, hapësirshëm, përhishëm, sipërfunde qelish, vështirshëm, ëndërrshkrues, (i dyshuar) për tjetërmendje, qiellzana, të kushtrimosh, llumnajë, i midistë, syujs, fshehtathella, zymtane, mbushulli, dyvarrí, thirravajë, larginë, pluhurizë, thirravajshëm, shpirtësi, dritësim etj., e ke tashmë të qartë se përse gjatë leximit të veprës së Ismail Kadaresë të ndodh të mbash herë pas here frymën, rrjedhën e fjalëve e të ngjarjeve, ritmin e leximit, si për të përgjuar harmoninë e re që lind mes teje dhe gjuhës, mes teje dhe veprës, mes teje dhe botës. Në rastin e botimit të një përmbledhjeje, këto çaste të rralla shkrimi dhe leximi, rezonojnë mes tyre dhe nesh të endura në fillin e brishtë të datave, vendeve, stinëve dhe viteve, si për të na dëshmuar ekzistencën e pamohueshme të ditarit të fshehtë të një shkrimtari, brendashkruar veprës. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Përmes romaneve, trilogjive, tregimeve dhe novelave, kumbojnë kështu dilemat, sfidat, dashuritë dhe trillet e Ismail Kadaresë. Ditari vazhdon… Dhe siç ndodh shpesh me (ri)botimin e tij, një ftesë e re në studio troket tashmë te ju.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat