Arshi Pipa, filozofia e jetes dhe artit letrar

Nga FLORESHA DADO


Duke shkruar, që në vitin 1944, se “Filozofija asht shum a pak subjektive, sado qi pretezat e saja janë për me kapë univers
in objektiv” (Fryma, nr.1, ja nar 1944, pseudonim Dr.A.Ymerati), A.Pipa, siç dëshmojnë gjithë shkrimet e tij filozofike e kritike mbi artin letrar, do të ndërtonte një raport tepër interesant dhe origjinal midis filozofisë, si dije universale njerëzore, filozofisë së artit letrar, ashtu siç e koncepton ai, dhe filozofisë së gjykimit letrar.
Në këtë trekëndësh, të përfytyruar prej nesh, ku dija racionale e njeriut dhe prirja intuitive e kuptimit dhe interpretimit të gjërave krijojnë raporte sa të dukshme aq dhe misterioze, shprehet kalimi i natyrshëm nga koncepti filozofik mbi jetën dhe njeriun, te koncepti mbi thelbin e artit letrar dhe mënyrën e kuptimit të tij. Duke arsyetuar sipas skemës së trekëndëshit do të kishim:
Boshti i pare:
Konceptet filozofike
Në skepin filozofik të këtij trekëndëshi e shohim A.Pipën nën ndikimin e filozofisë së A.Bergsonit, të cilën e krahason me një simfoni të madhe. I prekur nga “shkëlqimi i ideve dhe pasunija e fëtyrimevet” studiuesi ynë adhuron te metafizika e Bergsonit tezën se e vetmja mënyrë njohurie për t’i hyrë në thelb realitetit është intuita. Sipas tij logjika nuk ishte e përshtatshme për kërkimin e shpirtit, të cilin filozofi i madh e shihte si një rrymë të vazhdueshme rikrijimi, Duke qenë se në Metafizikë misteri i jetës nuk mund të kuptohet me gjuhën e koncepteve dhe organ i njohjes, në të vërtetë, është intuita, në sistemin krijues të Pipës mishërohet kalimi nga njohja racionale te reflektimi i përvojës dhe intuitës vetiake. Ky koncept filozofik e orienton Pipën në bindjen se intuita asht nji “mënyrë njohunije” që është shumë afër artit dhe shkencës, për të shkuar në pohimin se bergsonizmi hyri në art, në shkencë e kudo… Problemet e mëdha të kësaj rryme filozofike ishin zoti, jeta, dashuria, landa, shpirti, të cilat mishërojnë të panjohurat e universit. Pra, metafizika merret me njohjen në nivelin më të lartë të abstraksionit, duke iu referuar dukurive të përgjithshme universle. Pikërisht këto probleme përbëjnë edhe temat e mëdha universale të artit, dhe pasqyrimi metaforik është parimi themelor i krijimit artistik. Kështu, vemë re se koncepti metafizik i Pipës për filozofinë, si formë e dijes, mbart brenda vetes urën që e lidh atë me artin në përgjithësi, pra dhe me letërsinë.
Boshti i dyte:
Filozofia e artit
Në këtë skep të trekëndëshit, shihet se pikëpamjet filozofike të A.Pipës reflektohen në konceptin mbi thelbin e artit, dhe të letërsisë në veçanti. Sipas tij artisti i vërtetë e jeton jetën vetëm nëpër prizmin e artit, vetëm te kërkimi i misterit të bukurisë, si e vetmja jetë që duhet të ketë artisti. Ky koncept e çon Pipën në vlerësimin e artit si një mision, që nuk duhet të aventurohet me “udha të tjera”. Në bashkëpërkim me filozofinë mbi artin të antikitetit, ai vlerëson të njëjtësuar misionin hyjnor dhe misionin njerëzor të artit, “arti e morali janë e njajta pemë, rranjët e së cilës janë rranjët morale e gjethet e lulet janë shprehjet artistike”. “Arti asht subjektiv por jo subjektiv abstrakt, asht projekcion i vetvetes në gjithësi, asht anasjelltas përqendrim i gjithësisë në vetvete”. Duke pranuar artin si një mënyrë njohunije (vetë Filozofia është njohje…) Pipa intuitivisht shkon në bindjen se motivi i lëvizjes historike të artit është spiritualiteti, është një nënvetëdije që fiton qartësi dhe shpjegim gjatë shfaqjes së veprës. Ky spiritualitet, që është objekt i filozofisë, por që qëndron në themel të artit, e çon Pipën në përcaktimin e artit si pjesë të filozofisë. Në këtë vështrim raporti i artit me jetën, në pikëvështrimin filozofik, është i tillë që arti “transfiguron të qenunën, i jep shpirt prap së ndodhunës, rikrijon jetën.Vetëm spirita ka zotsinë me krijue, ajo asht vetë nji të krijuem i vazhdueshëm”. Dhe në këtë proces, sipas Pipës, është vetëm fuqia intuitive. Jetën e artit ai e sheh si ankth të së vërtetës, siç është dhe jeta e metafizikës. Misteri i artit është si misteri i së vërtetës. Pra Art e Metafizikë!
Në konceptin filozofik të Pipës, lidhur me thelbin e artit letra, fjala konceptohet pikërisht në llojin e misterit metafizik, si “e lëvizshme, kërkimtare e palodhun e së vërtetës”, që vazhdon të flasë në shpirtin e lexuesve. Koncepti i Bergsonit që e përafron metafizikën me artin zhvillohet më tej në përbashkësinë e problemeve që prekin këto dy mënyra të vështrimit të jetës, për të shkuar deri aty sa poezia të shihet si rivale e metafizikës. Mistikja konceptohet e lidhur ngushtë me poezinë, pikërisht në thelbin e kuptimit dhe interpretimit të problemeve që kanë si objekt të tyre. Prandaj për Pipën filozofia merr nje ngjyrë më poetike dhe, nga ana tjetër, pikënisjet filozofike çojnë në mbivlerësimin e artit. Teza se metafizika është motër e poezisë, vjen tepër e veçantë dhe intriguese në konceptin teorik mbi artin letrar. “Sikurse ka nji poezi ideative, ka anasjelltas edhe nji filozofi imagjinative,”sepse dhe artisti dhe metafiziku ndeshen me probleme të universit; sepse “çdo sistem metafizik asht nji sintezë poezije e shkence, me poezinë e afron shpikja, trillimi i tezave të guximshme, sepse ndërton, etj.” A.Pipa –filozof dhe teoricien i artit- dallon te filozofia kriterin e krijimit, që është karakteristik për artin. Arti konceptohet si pjesë tërësore e filozofisë, i shkëputur prej saj do të shvleftësohej. Jeta e artit asht ankthi i së vërtetës, ashtu si ç’është edhe jeta e metafizikës ; problemet e artit janë gjithashtu problemet e fundëm të rruzullimit. Zhytur në arsyetime të tilla Pipa ndërton një nënshtresë të brendshme të përbashkët midis këtyre dy llojeve të krijimit të mendjes njerzore, ku vepruesi kryesor është intuita. Duke shfaqur një kuptim të ri mbi thelbin dhe raportin e dyshes : filozofi/art ai e ngre arsyetimin në nivele më të larta, të rralla, ose të munguara në mendimin teorik shqiptar.
Boshti i tretë: Filozofia e gjykimit letrar
Interesante vjen teza: kritika unjisohet me vetë filozofinë. Eshte ky skaji i tretë i trekëndëshit të sistemit teorik të A.Pipës. Duke qenë se kritika përmbush një mision spiritual dhe bota e spiritualitetit i referohet vlerave universale, kritika e artit –shkruan Pipa- nuk asht tjetër veç se filozofia e artit. Me një koncept të tillë Pipa e ngre nivelin e gjykimit letrar, përtej thjesht kulturës filologjike, paraqitjes se fakteve artistike të veçuara apo të sistematizuara. Nëse vlerëson lidhjen e letërsisë me jetën ai ka parasysh konceptimin e letërsisë si mënyrë jetese, në kuptimin më filozofik të këtij aspekti.
Një vështrim i vemendshëm i pikëpamjeve të Pipës mbi kritikën letrare zbulon veçanësinë e konceptit të tij mbi thelbin filozofik të këtij gjykimi. Duke e quajtur filozofinë mendim kritik mbi katër fushat ku shfaqet shpirti, një prej të cilave është edhe arti, teoricieni thellon arsyetimin tonë mbi raportin e veçantë të kritikës letrare me filozofinë. Edhe artisti edhe filozofi, ndonëse i përkasin aktiviteteve të ndryshme të njeriut, vihen përballë problemeve të universit, të cilat i gjykojnë në mënyra të ndryshme. Sinteza e poezisë me shkencën (pra gjykimin) përbën nënshtresën e brendshme, në vështrim të parë të padukshme, të kritikës letrare dhe filozofisë metafizike. Të dyja janë poezi, sepse krijojnë! Janë gjykim sepse përcaktohen edhe si shkencë, që synojnë të zgjidhin probleme universale të qënies. Në fushën e artit letrar gjykimi (kritika) heton realizimin e asaj që buron nga ndijesia, në filozofinë metafizike gjykimi kërkon arsyen e ekzistencave. Nëse Pipa shkruan “Filozofia asht gjygjtare”, ne arrijmë të perceptojmë, edhe nga arsyetimi i sapo bërë më sipër, shkakun që e lidh filozofinë me kritikën letrare, e cila, është gjithashtu gjygjtare. Ajo çka i lidh në mënyrë reciproke- do dukej diçka e çuditshme, në vështrim të parë- është fakti se edhe në kritikë edhe në filozofi baza e ekzistencës është qëndrimi kritik. Gjithashtu është edhe intuita që përbën tiparin tjetër, më të drejtpërdrejtë të vlerësimit kritik dhe të arsyetimit filozofik.
* * *
Në një analizë më të vemendshme të kritiës konkrete që bën Pipa, mbi autorë e vepra të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj, do të hetoej pikërisht thelbi filozofik i qëndrimit të tij ndaj realitetit (fizik e metafizik), si dhe koncepti i kuptimit dhe interpretimit të artit letrar. Në sistemin e të menduarit të A.Pipës trekëndëshi : Filozof - filozofi e artit letrar - filozofi e kritikës letrare përfytyrohet si një ndërtesë me tre shtylla themelore, që lidhen mes tyre me dilemën filozofike ÇFARË? Ashtu sikurse njohja e jetës, në kuptimin më të gjerë është graduale, se sendet nuk janë saktësisht ato që duken, ashtu edhe njohja, vlerësimi i veprës letrare është për Pipën intuitë, pra diçka e brendshme, e ndryshueshme, e hapur. Filozofia, qëllimi i së cilës është njohja, si dhe letërsia me kritikën letrare, shfaqen në një raport specifik në sistemin e të menduarit të studiuesit A.Pipa. Pra një teoricien dhe kritik i llojit të veçantë, që ka pikëvështrim origjinal, thellësisht filozofik si mbi letërsinë ashtu dhe mbi gjykimin letrar. Ajo çka i lidh këto tre skaje të trekëndëshit është pikëvështrimi i fenomenit letrar dhe njerëzor jo në sipërfaqen e tyre, por në thellësitë, në kuptimin e ekzistencës dhe misionit që ka si filozofia ashtu edhe arti letrar. Nëse në aspektin filozofik, është thënë nga filozofë, për çdo gjë mund të bëjmë 4 pyetje, : çfarë është?, nga çfarë përbëhet?, me çfarë është bërë?, dhe për çfarë qëllimi? do të thonim se i gjithë sistemi i këtij trekëndëshi të çon drejt përgjigjes dhe zbërthimit filozofik e estetik, të veprës letrare, duke e nxitur studiuesin e letërsisë drejt një hapsire më të thellë të gjykimit. Në sistemin e të menduarit teorik të A.Pipës, i njohur shumë pak deri tani, kuptojmë se vlerësimi dhe interpretimi i letërsisë është më filozofik seç e kemi parë në studimet dhe kritikën tone letrare, ardhur deri në ditët e sotme. Kuptojmë se çdo sferë e krijimtarisë subjektive të njeriut ka brenda vetes misterin e së përgjithshmes dhe intuitën e zbulimit dhe rrokjes së saj, në forma dhe mënyra të ndryshme të qasjes. Kuptojmë se letërsi e vërtetë është arti që ka brenda një filozofi të madhe. Që në vitet ’40, Arshi Pipa sugjeron pikërisht një kuptim të ri, më filozofik dhe më universal ndaj sistemit letrar.