Loading...

“Veprat letrare të paraviteve 90, më të arrira estetikisht se ato bashkëkohore”

DEBATI / Flet Prof. Dr. Klara Kodra, një nga zërat e kritikës letrare edhe para viteve 1990

Veprat letrare të para viteve ’90, estetikisht janë më të arrira sesa ato që shkruhen në ditët tona. Ky është mendimi i studiueses dhe kritikes, zonjës Klara Kodra,e cila është bërë pjesë e debatit të organizuar në gazetën Albania. Kodra, një nga zërat e njohur të kritikës letrare të kohës së soc-realizimit, thotë se kjo disiplinë ndodhet në gjendje kritike. Ajo shpjegon një sërë shkaqesh, të tilla si shkaqet ideologjike, gjendja e letërsisë, kriza që ka kritika sot edhe në vendet e tjera evropiane, apo edhe ridimensionimi i rolit të kritikës.

Cila është gjendja e kritikës letrare sot?

Gjatë këtyre viteve të pas-diktaturës janë bërë diagnoza të ndryshme për gjendjen e kritikës që është diagnostikuar si në letargji, a .... madje si e vdekur. Ne do të thoshim se është ende gjallë, po në gjendje kritike, duke kaluar një krizë të rëndë. Në formën e saj profesionale kritika letrare shqiptare është pothuajse e papranishme, ajo gjallon si kritikë recensionale kurse një pjesë të detyrave të saj ia ka deleguar motrës së vet, Historisë së Letërsisë dhe, në fakt, në seminare shkencore, kolokiume, simpoziume jepen edhe mendime për letërsinë bashkëkohore. Kritika recensionale ka një karakter tej mase subjektivist, duke u bërë zëdhënëse e klaneve letrare apo jehonë e pasioneve të njerëzve duke ekzaltuar a hedhur poshtë pa argumente veprat e ndryshme letrare që dalin, kur nuk quhen të mjaftueshme konstatimet sipërfaqësore.
Në konferenca dhe simpoziume shkencore mund të ndeshim edhe mendime serioze profesionale, po nga studiuesit, jo nga kritikët profesionistë. Shumica e kritikëve profesionistë të para 90-tës kanë “dalë në pension” dhe nuk është zëvendësuar ende nga një ushtri kritikësh të rinj.
Herë pas here rolin e kritikut e luajnë shkrimtarë, po, nëse ata, nga një anë e njohin mirë procesin krijues, nga tjetra, njihet subjektivizmi i tyre i theksuar.

Cilët janë faktorët objektivë dhe subjektivë të gjendjes së kritikës sot? Ç’shpresë ka për kapërcimin e kësaj gjendjeje?

Shkaqet janë të shumta; le të ndalemi me radhë në to;
Së pari, shkaqet ideologjike, - Nga metoda unike sociologjike-marksiste u kalua papritur në një pluralitet metodash. Shumica e kritikëve të brezit të vjetër e kanë të vështirë përqafimin e metodave të reja, moderniste dhe pas-moderniste pas të cilave, përkundrazi, turret brezi i ri ... (i studiuesve të letërsisë, meqenëse kritikët profesionistë mungojnë), po, jo gjithmonë në mënyrë të frytshme.
Së dyti, gjendja e letërsisë, - Në dukje ngjan se letërsia bashkëkohore lulëzon, meqenëse tregu libror është përmbytur nga botimet. Po, shumica e veprave që dalin në dritë janë të dobëta, mediokre, mesatare, pa llogaritur veprat që i përkasin para-letërsisë.
Gjatë këtyre viteve ka pasur, pa dyshim, edhe vepra me vlerë (kryesisht romane dhe poezi), megjithatë çuditërisht nuk është arritur niveli i lartë estetik i veprave më të arrira të kohës së diktaturës. Dhe kritika, dihet, ushqehet me vepra letrare. Për një kritikë serioze duhen vepra me nivel të lartë estetik. Mungesa e hapësirës në media. S’ka më gazeta letrare të mirëfillta, revistat letrare numërohen me gisht, gazetat e përditshme rrallë i caktojnë vend kritikës, përveç në rastin kur një artikull përbën sensacion, në atmosferën e një debati. Pa përmendur mungesën e një inkurajimi material përmes shpërblimit (në kapitalizëm!)
Së treti, një refleks i krizës në vende të tjera europiane. Edhe italianët, bie fjala, po përjetojnë një krizë në kritikën e tyre që lidhet me krizën e të lexuarit, me përshtypjen se objekti i kritikës ka humbur, se origjinaliteti i veprave letrare s’ekziston më, se publiku është larguar aq sa një studiuese italiane përmend një tip kritiku bashkëkohor, kritikun “postum”, kritiku që i mbijeton objektit të studimit të tij.
Së fundi, pasiguria për detyrat e kritikës. Në pesëdhjetëvjetorin e diktaturës kritikës i ishte atribuar një rol prej udhëheqësi ndaj letërsisë. Këtë rol kritika s’mund ta luajë pa cënuar lirinë e shkrimtarëve. Po ç’rol i takon të luajë? Rolin e ndërmjetëses ose dragomanes midis veprës dhe lexuesit; Rolin e zbulueses së talenteve të reja dhe kryeveprave ende të panjohura. Rolin e gjykatëses që ndan vlera dhe antivlera; Rolin e këshilltares së shkrimtarëve, të cilëve mund t’u zbulojë nganjëherë anët e veta më të mira apo dobësitë apo dhe vokacionin e vet të vërtetë si në rastin e një shkrimtari me individualitet krijues lirik që do t’u kushtohej veprave epike, një shkrimtari me vokacion tregimtari që do t’u kushtohej romaneve etj. Po e përsërisim, rolin e këshilltares, jo të udhëheqëses, as edhe të mësueses.

Cilat janë rrugëdaljet e mundshme nga kjo gjendje kritike e kritikës letrare?

Brezi i vjetër i kritikëve për të cilët nuk mendoj se kanë marrë fund, mund të zbulojë
anët pozitive të metodës sociologjike. (A s’e kanë përdorur atë një Lukaç, një Goldman, një Gramshi, një Galvano DelaVolpe?) ose të azhurnohet me metodat e reja. Brezi i ri duhet të marrë guximin të dalë në skenë, duke zgjedhur një ose disa metoda që ta frymëzojnë. Mund të lindin gazeta ose revista letrare që ta stimulojnë aktivizimin e kritikës. Dhe, natyrisht, zhvillimi i mëtejshëm i letërsisë që do të krijojë pashmangësish një kritikë të re. Le të mos jemi tepër pesimistë. Në kohën e diktaturës veprat e shquara të viteve 60-të lindën pas një pesëmbëdhjetëvjetëshi vënie në jetë të metodës “së re” të realizmit socialist, duke qenë në fakt një sfidë kundër tij. Edhe koha e re e pasdiktaturës do të ketë arritjet e saj të shquara letrare që do të pasohen nga arritje të kritikës.

Përgatit Petrika Grosi
Home item

Arkivi

Më të lexuarat