Loading...

Atdhetarizmi dhe iluminizmi, tipare qenësore të jetës dhe veprimtarisë së Atë Shtjefën Gjeçovit

Isuf B.Bajrami

"Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etërve tanë, Pellazgëve" - Shtjefën Gjeçovi

Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefini ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pakë në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit , i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Ndër figurat më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të Rilindjes Kombëtare është edhe At Shtjefën Gjeçovi, apo siç e quanin në fëmijëri Hili (Mihilli) i Vogël.
Shtjefën Gjeçovi u lind më 12 Korrik 1874 në Janjevë të Dardanisë. Mësimet e para i mori në vendlindje, i vazhdoi në Kuvendin françeskan të Troshanit (Shqipëri), në Dërventë (afër Banja Llukës) dhe në Fojnicë e Kresheve të Bosnje-Hercegovinës. U shugurua prift në Zllakuqan (afër Klinës), më 25 Korrik 1896. Shërbeu në Zllakuqan, Pejë, Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e Zym të Hasit të Thatë të Kosovës, si dhe në Theth, Gomsiçe, Rubik të Kurbinit, Vlorë, Prekal të Shalës e vende të tjera të Shqipërisë si edhe në Zarë të Dalmacisë e Livno të Hercegovinës. U vra nga serbët në Zym të Hasit të Thatë më 14 Tetor 1929.
At Shtjefën Gjeçovi u lind dhe u rrit në shtratin e Rilindjes Kombëtare. Ishte personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit. I nderuar nga mbarë kombi shqiptar. Ishte pishtar i devotshëm i shqiptarizmës, atdhedashurisë dhe i arsimit e kulturës shqiptare. Atë Shtjefën Gjeçovi bëri gjurmë të pashlyeshme në fushën e teologjisë së krishtere (Katolike), në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë, si edhe të përkthimeve. Gjeçovi ishte një figurë e gjithanshme që do të thotë se vepra dhe kontributi i tij përbëjnë tiparet dalluese të atdhetarizmit e iluminizmit shqiptar. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 shkolla të tjera. Themeloi koleksionin e parë arkeologjik në trojet shqiptare. Për kontributin dhënë afirmimit të vlerave kombëtare fitoi admirim në nivelin kombëtar dhe nga qarqet shkencore evropiane, për ç’ka edhe u titulla Doktor Nderi në Universitetin e Lajpcigut të Gjermanisë.
Ndër veprat më të rëndësishme të Atë Shjefen Gjeçovit që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe dhe përgjithësisht në kulturën tonë janë: "Dashnia e atdheut" (1901), "Jeta e Shën Luçisë" (1904), "Agimi i Gjydetnisë" (1910), "Nji argtim arkeologjik" (1902), "Sebaste s'Armeni apo në Arbëri" (1921), "Trashëgime thrrake-iliriane" (1924), "Trashëgime pellazge në traditën shqiptare" (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (1933), "Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit" (1997), apo veprat që ndodhen në dorëshkrim, si "Trashëgime ilire në traditën shqiptare", "Përrallat popullore" (1903), "Doke e zakone vdekjeje" (1907), "Mënyra e jetës në Malci" (1908), "Doke e zakone dasmash" (1910?1911) si dhe përkthimet e botuara "Atil Reguli" (1912), "Vajza e Orleansit" (1916), "Mark Kuli Kryeqitas" e shumë e shumë të tjera. At Shtjefen Gjeçovi krijoi mbi 10 mijë faqe materiale e krijime të tjera të fushave të ndryshme. Në shenjë të përkujtimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, tash e 29 vjet me radhë në Zym të Hasit të Thatë mbahet një përkujtimore tradicionale kulturo-letrare-shkencore e titulluar "Takimet e Gjeçovit". Emrin e tij e mbajnë shumë shkolla fillore e të mesme , si dhe klubi letrar në Zym e shumë grupe letrare nëpër shkolla fillore e të mesme, si arkeologët e grupit të Historisë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se redaksia e botimeve të "Rilindjes" në vitin 1987 e ka botuar serinë e veprave të tij (ato vepra që lejonte koha); gjithashtu, janë botuar vepra te tjera të ndryshme që i kushtohen Shtjefën Gjeçovit.
Jeta e Shtjefën Gjeçovit ishte e gjitha një përpjekje. Mes maleve ku predikonte si françeskan, kërkoi visaret, organizoi lëvizje kombëtare dhe hartoi "Kanunin e Lekë Dukagjinit". Ditët e tij ishin të mbushura me shqetësime, çështje që kërkonin zgjidhje e të tjera që duheshin njoftuar. Shtjefën Gjeçovi nuk ishte veç aq sa njihet nga fjalët e të tjerëve dhe veprat që ka lënë. Letra të tëra, të shkruara me dorën e tij, na zbulojnë një tjetër At. Ato u drejtohen emrave të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave, françeskanëve të tjerë, por edhe familjes. Gjeçovi në "betejë" me kohën. Me fjalë të përzemërta apo të shqetësuara, diku edhe i frikësuar... ai i shkruan At Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mithat Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Simon Shuteriqit, personaliteteve klerikale të ortodoksisë shqiptare dhe të kishës unite. Janë më shumë se 100 letra, të mbushura me kërkesa, njoftime për çështje madhore apo dhe vetëm shpjeguese, rreshta ku tregon gjendjen e tij shpirtërore apo edhe gëzimin për një çështje të arritur. Ruhen në arkiva. Një pjesë e konsiderueshme në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë . Në dosjen e tij, apo personaliteteve të tjerë me të cilët ka patur korrespondenca. Nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim për Shtjefën Gjeçovin. "Shtyllat e Kombit" (publicistikë), "Mnera e Prezës" (novelë), "Tomorr e Pashtrik Përpiquni" (vëllim poetik), "Shqyptari Ngadhnjyes" (dramë), janë disa nga botimet e realizuara më parë.
Në përmbajtjen e këtyre letrave zbulohen të dhëna interesante për Gjeçovin, por edhe veprimtarinë e zgjeruar të tij. Nga materialet e shumta që ruhen në dorëshkrim dhe shumë rrallë të botuara, janë korrespodenca e Gjeçovit që ka pasur me personalitete të kulturës shqiptare, albanologë të huaj, me klerikë për probleme të administratës kishtare, me organizata dhe shoqëri patriotike-atdhetare të kohës në të cilën ka jetuar dhe ka shtrirë veprimtarinë e tij Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Ato tregojnë anën e panjohur të tij, probleme konkrete që kanë ekzistuar dhe janë debatuar, kërkesa të ndryshme që i dërgonin njëri-tjetrit njerëzit në kohëra dhe periudha të ndryshme. Te letrat e Gjeçovit shpalosen edhe disa veprimtari që nuk na dalin në dokumentacione të tjera. Një prej tyre është bashkëveprimi me kolegët për themelimin dhe konsolidimin e kishës igumenike shqiptare e cila po të hapim dokumentacionin, ose nuk shpaloset fare, ose gjendet ndonjë detaj shumë i vogël i saj. Duke përfshirë telegramet e kartolinat, numri i tyre shkon në 118. Ende nuk janë përgatitur edhe 6 letra të tjera që gjenden në Arkivin e Shtetit, dy shqip dhe katër italisht. Kjo punë nuk është shteruar. Arkivat private mund të sjellin të papritura, siç ka qenë një letër me shumë vlera e gjetur në familjen e Ibrahim Shytit në Vlorë. Por shumë letra të tjera mund të jenë zhdukur. Sipas kujtimeve të të ndjerit At Zef Pllumi në vitin 1945-'46, në Kuvendin e Françeskanëve është pastruar arkivi i Shtjefën Gjeçovit. Ka mundësi që të jenë hequr letrat e Gjeçovit drejtuar Lef Nosit, Mit'hat Frashërit, Ahmet Zogut dhe arkeologut italian Ugolini. Të gjithë këta ishin shpallur armiq , por dihet që ka pasur korrespodencë me ta, pasi janë gjetur letra në fondin e tyre.
Shjefën Gjeçovi la një trashëgimi të papërsëritshme për kulturën shqiptare. Veprat që vijnë deri në ditët e sotme, përfshirë këtu edhe përgatitja e “Kanunit të Lek Dukagjinit” kanë vlera të padiskutueshme. Në letrat që janë nxjerrë nga arkivi nuk mungojnë edhe shqetësime të tilla. Për materiale që mblidheshin, për pjesë që duheshin botuar, e të tjera që i rrezikonin. Aty dalin edhe përpjekjet që ai dhe kolegët bënin në mënyrë të organizuar për veprimtarinë atdhetare, kulturore, të alfabetit dhe botimeve që kishin në planin e përhershëm përkundër veprimtarisë ideologjike dhe kulturore të armiqve të Shqipërisë. Në letrat që i dërgon At Gjergj Fishtës ai i kërkon materiale, apo i tregon se ka lexuar një kanunun në frëngjisht. Përmes datimit të tyre, arrihet të kuptohet se në cilën kohë ai punonte për përgatitjen e Kanunit. Përveç qarqeve të ndryshme që ishin të interesuara të pengonin personalitete të tjera dhe Gjeçovin për zhvillimin kulturor, politik dhe shkencor, ai vet herë herë detyrohej të bënte një vet censurë për veprat që shkruante. Mes rreshtave të shkruara prej tij gjejmë edhe shqetësime familjare, probleme të tij me shëndetin, apo edhe kërkesa për vonesa e shlyerje borxhesh. Aty është Shtjefën Gjeçovi që merret me probleme madhore dhe ai që "mundet" nga imtësira të jetës së përditshme.
Korrespondenca në dorëshkrim - Faik Konica
Home item

Më të lexuarat