Teodor Keko - Kur e di se do të vdesësh...



















KRYQËZIM

Katër krahë në kryqëzim.
Mëdyshja në mes.
Përballë semaforët
e shpirtit psherëtijnë.
Rrotullohet bota
si një balerinë.
Shpirti strabon
sytë.
Të dehur horizontet
vjellin në rrugë.
Katër krahë.
Mëdyshja
si kryqi i parë.
1995

FATKEQËSIA

Nuk kishte drita dhe ishte natë
dhe dhoma ishte gjithaq e ftohtë,
veç sytë e tu mbushur me flakë
dhe trupi yt tmerrësisht i ngrohtë.
Një dashuri të verbërish qe
asgjë nuk pashë, as gjinj, as hije.
Pastaj ti ike dhe atje
mbeti një varr, varr dashurie.
Tani që erdhën dritat prapë
ti s’më përfill, ti nuk më njeh.
Dhe unë si mashkull gjysmë i marrë
në ëndrra veç të vesh e zhvesh.
Sot gjinj e hije shoh, por s’prek,
as ngrohtësia s’më vjen në gjoks.
Pa drita keq, me drita keq,
diçka na ishte, që kurrë nuk ndodh.
1995

LARG. AFËR.

Larg syve mbetën buzëqeshjet
dhe dashuritë nga zemrat larg.
Veç vdekja afër, fare afër
me dorën ngritur qëndron në prag.
Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndiej,
shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë. Mbeta
i veshur me qefin.
Sot s’është çudi në prag të jetë
duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. S’hap
derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.
1995

DASHURI
E PËRJETSHME

- Xhulit -

Nga dashuria që kam për ty
mund të të shquaj edhe në mjegull.
Nga dashuria u ktheva sy,
i urtë, xhind, bohem, i rregullt.
Nga dashuria, ditët e gjata
në bukë i ktheva, kokrra tespihe.
Me to të gjallë ndjenjën e mbajta,
me to sfidova ankthin në pritje.
Nga dashuria, në qiell u shtriva,
me kokë në diell fjeta gjatë.
Dhe s’u pendova që të desha,
ndër mend kam të të dua prapë.
1995

TE KLUBI I FIDELIT

Te klubi i Fidelit një sy magjepsës
ndriçon nën mjegullnajën e tymit
të duhanit.
Mbush ajrin e rëndë me parfumin
e jetës,
limontinë e harxhimit të pafund të
kohës
e kthen në një faqe magjepsëse romani…
Lexoni… Te klubi i Fidelit
dy drita përthyhen në qelqet e
mëdha.
Në mes kamerierët kriminelë,
pak xhelozi, pak dashuri përanash…
Te klubi i Fidelit…
1996

FATI

Kjo jetë me mua s’ish mizore,
dhe aq pa fat për mua s’qe.
Në krahë më mbajti si një foshnje,
thua, profet isha mbi dhe.
Në kazino pa fat nuk isha,
në poker kapa jo rrallë me blof,
qirinjtë i ndeza nëpër kisha
dhe vdekja më trajtoi si shok.
Djathtas me fat, majtas me fat,
dollarë në tokë, në qiell qejf,
pa ditur shah dhe Spaskin mat
mundet ta kapja, ashtu, për dreq.
Veç ty, veç ty dot s’t’u afrova,
megjithëse fala e dhashë gjithçka.
Dhe pikërisht atëherë kuptova
se safi fat në botë nuk ka!
Me gjumë të prishur e shqeva fatin,
flokët e tu m’u bënë qefin.
Shqisat e mia tani dihasin
të masakruara për një vështrim.
Ky fati im monedhë e fortë,
veç s’konvertohet në asnjë bankë.
Unë vetëm fal ç’pata në botë,
ti vetëm tallesh, hyjni e mbrapshtë.
1996

FTOHTË

Mbi ne ra ndarja si një dëborë,
mbuloi gjithçka: puthje e fjalë.
TË DUA… NESËR… - gjithçka nën
tokë
u asfiksua nga borë e bardhë.
Kështu një muaj, dy dhe tre,
pastaj pranvera mbi vdekjen ra.
Dëbora shkriu dhe atje
lumenjtë i mbushi me ujëra.
Askush s’kuptoi se gjithë ky ujë
vajtimi im qe, madhështor.
TË DUA thanë ujërat me zhurmë,
po kush dëgjoi dhe kush dëgjon?
Tani i vetëm shoh i trishtuar
ujëra të ndotur, lumenj të tharë.
Që ndahen prapë - s’do diskutuar,
veç sot përtojnë njerëzit të qajnë.
1996

DASHURIA
IME ZESHKANE

Dashuria ime -
flokë të zinj,
lëkura e zeshkët,
numri i këmbës 37,
si për të më kujtuar në butikët e
Evropës
se unë i vdekur jam
dhe të gjallë të tjerët janë.
Dashuria ime,
zeshkane…
1996

HIJA IME

Me hijen time ik’ në rrugë.
Ajo e sheshtë, gjithaq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
pjerrtas më sheh si një të mjerë.
Unë hijen time nuk e njoh,
s’ia di mirësitë e as tradhtitë.
Nuk di se kur do më lëshojë,
kur do të më ngarkojë në shpinë.
Një Zot i madh hija më duket
tek pret me shpirtin tim të ngjallet,
por pritja është e pafundme, -
me kohë shpirtin ma morën hallet.
Dhe lanë në zgavrën e kraharorit
veç mosbesimin dhe egërsinë.
Nga hija ime, për fat të keq,
sot diktatori mund të lindë.
1996

VDEKJA E TURPIT
ABSURD

Tani mbaroi gjithçka dhe trupi
si kafshë e lodhur po pushon.
Mes kofshëve tulatet turpi,
mes gjinjve klithma që klithëron.
Me bulëza uji mbuluar trupi,
nga dashuria i vesuar.
Ngadalë u zhyt, u mbyt dhe turpi
në një harbim të harbuar.
Forcohen gjinjtë, gjymtyrët çohen,
shpërthejnë dallgë nga gjinjtë e
vegjël.
Përfundimisht turpi dorëzohet
në ndarje, kur të thuash: nesër…
1996

MESNATË

Dikushi ishe, askushi je,
një vjeshtë ikën, një dimër vjen,
në gjinj e shtrirë kujtesa fle,
ëndrrat e tua - mitër në mend.
Por bota dhe unë dhe unë dhe bota
jemi një hiç - mediokër të gjallë!
O Zot, ne falëm. Kjo jetë ç’kërkoka,
që edhe shpirtin synon të na marrë.
1996
SOT
Ku shkuan lulet? Poshtë tyre ëndrra
të shpartalluara si Kartagjena.
Po dashuria? Poshtë saj hiri
dhe ca urithë majmur nga dhembja.
Tani asgjë, veç një korale
që zbret magjishëm nga qimiteri.
Një plug tërhiqet zvarrë në zemra,
nga mbrapa kripa, përpara tmerri.
1996

TË KAM DASHUR

Të kam dashur, të kam dashur,
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm,
një përgjigje merr të trishtë,
heshtje varri që heshton.
Të kam dashur, të kam dashur,
m’u lodh zemra në kërkim,
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim,
gjakspërkatur si një shegë.
Të kam dashur, të kam dashur,
me aromë të ndoqi zemra,
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug - veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta,
unë pa zemër jam kësaj ane.
Të kam dashur, të kam dashur,
i vetmuar zemrën pres,
mal trishtimi në këtë glob.
Era fryn, aroma bie,
zemra ime nuk po vjen,
oh, ka ngrirë në një pol.
Të kam dashur, të kam dashur,
mirë, mos eja, nëse s’do,
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime,
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…
1996

PËRRALLË E TREGUAR
ME ZË TË ULËT

Kur linda unë ishte vjeshtë,
kur linde ti ishte pranverë.
Kish gjelbërim dhe shira kish,
bollëk i madh, por prapë fatkeq.
Të vegjël jemi, o Martin,
askush në botë s’na vështroi gjatë.
Me përkëdhelje dhe fodullëk
na vunë një emër: REFUGJATË!
Ti asnjeriu mos i thuaj
që je fatkeq, që je jetim.
Bëj gati çantën, pak bukë, pak ujë,
gjithë fati ynë është udhëtim.
Dhe kur të lodhesh mos kërko ndihmë,
në tokë shtrihu me qiell mbi sup.
Kur Zoti lë një komb fatkeq,
është mirë të skuqet e të ketë turp!
1996

KUR E DI SE DO TË
VDESËSH

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.
Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të liq.
Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…
Selanik 26.5.2002


DRITËRO AGOLLI

Vargu poetik i Dori Kekos ngrihet nga fjala dhe nga ndjesia e
së përditshmes dhe nuk e ka shkëlqimin e sipërfaqshëm të
metaforave stilistikore. Mjafton të mendohesh pak mbi këtë
varg dhe do të ndiesh shpërthimin e brendshëm, nga dëgjohet
dashuria për njerëzit, për shokët dhe miqtë, ngazëllimi për jetën
dhe dhimbja për vdekjen. Sipërfaqja e vargut të Dori Kekos
nuk ka shkëlqim estetizant. Brenda guaskës të një lloj molusku
të detit fshihet perla.

BESNIK MUSTAFAJ

Teodor Keko e kapi në thelb dramën e bashkëkohësve të vet
dhe e shprehu atë mjeshtërisht në romane, novela e tregime.
Por, kur ka ndier nevojë të shprehë veten, vetëm veten e tij të
vërtetë, brishtësinë e shpirtit të vet që ishte energji për
dashurinë, fjalët i kanë ardhur me një ritëm tjetër. Dhe kjo
është poezia. Prandaj dhe poezitë e tij lexohen me ëndje e
po ashtu edhe këndohen