Loading...

Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari

Nga Mërgim Korça


Gjon Marka Gjoni


- Sipas kujtimeve të Gjon Markagjonit të Ri


Shtresa e gjer’e lexuesve është bërë e njohur me kryevepra të letërsisë botërore, ku dhimbja, mallëngjimi, si edhe lotët e bashkëshoqërojnë lexuesin fletë pas flete tek lexon ngjarjet e trajtuara në libra. Në këtë drejtim mund ta them pa frikë se simbol është bërë Ditari i Ana Frankut, ndonëse ... ngjarjet e përshkruara shtjellohen në kufijtë e një vendbanimi të fshehtë dhe asgjë më shumë. Kurse ditari i Gjon Markagjonit të Ri është si një sekuencë filmike e pafund e vargut të vuajtjeve të një familjeje përbërë nga një djalosh 6-vjeçar, xhaxhait të tij 17, (që në vazhdim arratiset jashtë shtetit), e pastaj stërgjyshes, gjyshes, nënës, dy hallave, si edhe dy motrave të tij, të cilët e fillojnë vargun e pafund të vendbanimeve në internim me Beratin e pastaj me Kuçovën, Tepelenën e deri në Gjazën e Myzeqesë. Personazh i “ndërfutur” i herëpashershëm ësht’edhe xhaxhai tjetër, i cili i alternon pesë periudhat e burgosjeve me periudha internimi! Mirëpo ai fill’i ndritshëm që e lidh Ditarin e Ana Frankut me atë të Gjon Markagjonit të Ri, është se që të dy “rrugëtimet e ndërsjellë e tejet të trishtë” i lidh një e përbashkët e madhe: familjen e Ana Frankut e përndjek mizoría e një pushteti të udhëhequr nga një tiran dhe antihebré psikotik. Edhe Gjomarkajt i përndjek mizoria e pusht-shtetit në krye të së cilit rrethanat e sollën të vihej sërishmi një psikotik që e filloi rrugën e krimeve të pamëshirë ndaj atyre të cilëve u a rrëmbeu pushtetin dhe e vazhdoi me zhdukjen e të gjith’atyre që e ndihmuan të vinte në pushtet e pastaj edhe e mbështetën si diktator! Kjo e përbashkëta e Ana Frankut me Gjon Markagjonin e Ri. Kurse e ndryshmja qëndron në faktin se si vetë paranojaku që urdhëroi krimet kundër-hebraike të çmendura dhe mizore gjithashtu edhe pushteti i krijuar prej tij, e pra bashkëpunëtorët e tij fajtorë, janë dënuar jo vetëm nga opinioni botëror, por edhe janë ndjekur penalisht e deri dënuar me dënime kapitale. Kurse mizoría e regjimit komunist shqiptar jo vetëm që nuk u dënua, le siç i takonte, por nuk u dënua fare. Kështu që jo më veglat mizore e sadiste q’e ushtruan terrorin e torturën ndaj të pafajshmëve të dënoheshin, por edhe ata që ishin në krye të piramidës krimit e që i shpëtuan kokat falë servilizmit të pashoq ndaj diktatorit dhe i ruajtën kokat e tyre duke i a mbushur mendjen diktatorit se ishin të pazarar ndaj tij, me shkërmoqjen e pusht-shtetit të tyre ... e hodhën lumin me ndonjë dënim sa simbolik e po aq edhe qesharak!

Nisur nga hyrja e këtij shkrimi e ftoj lexuesin ta gjej’e ta lexojë librin e Gjon Markagjonit të Ri, se ndër faqet e tij do të mësojë të vërteta që kurrë nuk do t’i shkonin ndërmend. Por, nga ana tjetër, e paralajmëroj lexuesin mos të presë që përgjatë kësaj analize unë ta shoqëroj lexuesin përgjatë ndodhive të përshkruara në vëllimin në fjalë. Jo. Po ta bëja një gjë të tillë, do t’ia zbehja vlerat kujtimeve të përmbledhura përgjatë faqeve të librit. Qëllimi im është që nëpërmjet paralelizmave të arrij e t’ia ritheksoj lexuesit momente, rrethana, si edhe ngjarje që nuk duhen harruar.

Përqasja mes Ana Frankut, si edhe Gjon Markagjonit të Ri, ndonëse njëra e lindur në Frankfurt të Gjermanisë nga një familje borgjeze hebreje në vitin 1929, kurse tjetri i lindur në Mirditë nga një familje fisnike prijësish feudalë më 1938-ën, na japin të njëjtin mësim: secili prej ditarëve të tyre, marrë veçmas, na rrëfejnë në mënyrë dramatike se si daç vajza e re e gjithashtu djali i mitur, njëra nga thellësit’e kampit famëkeq të Belsen Bergenit, (ku edhe ia morën jetën 16-vjeçare), e tjetri nga radha e kampeve komuniste, i përçojnë në ditët tona vlerat e mirësísë njerëzore, pavarësisht nga rrethi mizor e çnjerëzor që i rrethon dhe i shtyp! Ana, përmes përshkrimit dramatik, ve në dukje mizorínë me të cilën vetë njeriu i nënshtron qeniet e tjera njerëzore. Por nga ana tjetër edhe Markagjoni i Ri i rrezaton dukshëm mësimet e marra nga prindërit, si edhe rrethi i tij familjar për t’u qëndruar kryelartë dhe i papërkulur rrethanave çnjerëzore, në të cilat e detyrojnë të rritet e të zhvillohet, për t’u radhitur kundër kësaj egërsie, si edhe padrejtësive e për t’u bërë njeri, ashtu si e donin gjysh Gjoni, si edhe baba Marku! E meqë gjyshi ndodhej larg, shumë larg përtej detit, e babai edhe më larg, në Amshim, këtë detyrë e zbatonin ditë mbas dite e vit pas viti gjyshja krenare, si edhe nëna e shumëvuajtur dhe e paralizuar për 20 vite radhazi duke u tërhequr zvarrë kampeve të internimit!

Ngjarjet janë të përjetuara në vetën e parë. Leximi i tyre të trishton në mënyrë të skajshme, kjo pa as më të voglin dyshim. E pra natyrshëm lind pyetja: Pse e gjithë kjo egërsí, si edhe ky shkatërrim ëndrrash për jetën e një të mituri, (e në vazhdim të riu e në vazhdim akoma, derisa ai 52-vjeçar lirohet nga kampet e internimeve), vetëm për faktin se ishte pinjoll i një familjeje kundër-komuniste? Mbi këto themele do të ndërtohej ai sistem që do të vetëquhej demokracia proletare? A kish se si t’i besohej në vazhdim parullës se sistemi i vetëquajtur Diktatura e Proletariatit do të ishte vërtet prototipi dhe sinteza e demokracisë së mirëfilltë, kur me fakte ai sistem e tregonte hap pas hapi veten se nuk qe gjë tjetër veçse ... personifikimi i emrit të vet, një diktaturë e tejskajshme?

Nisim dhe e shfletojmë librin me kujtime, ku lexojmë “... Shpesh herë në jetë kam qenë dhe kam mbetë në rrugë të madhe ... Ky qe fati im dhe i familjes e fisit tim. Qysh në fëminí prej Zotit e mandej prej pjekunisë, kur fillova me mendue, me pa e me njoftë dhe me e jetue të mirën e të keqen, me të gjitha pasojat e tyne, kam dijtë me e gjetë busullën - drejtimin, kam fillue me ecë në jetë, mos me e ndalë hapin përmes vështirësive, vuejtjeve, sakrificave jashtëzakonisht të randa për mue e për familjen: ngranë e pa ngranë, veshë e zdeshë, mbathë e zbathë, unshëm për bukë, dije e kulturë ... tue e vazhdue këtë udhë të vështirë për me mbijetue.”

Rilexoji të lutem, i nderuar lexues, këto pak radhë, me të cilat në faqen 19 fillon e flet Gjon Markagjoni i Ri për jetën e tij, si edhe familjes së tij. Me sa mirënjohje e vë ai në dukje se si Zoti i Madh qe ai që nuk e la përgjatë fëmijërisë Gjonin ta humbiste drejtimin - busullën. Kurse kush e brumosi dhe e gatoi në vazhdim që, me shikim mbrapavështrues ai në çdo rrethanë të jetës së tij sheh mos shmangie nga rruga e ndershme dhe e moralshme, hap mbas hapi lexuesi do ta gjejë përgjatë faqeve të kujtimeve.

Nuk mundem të mos e zë në gojë faktin se përgjatë periudhës diktaturës, (e cila fatkeqësisht qe jo vetëm tejet e gjatë por edhe skajshmërisht e egër në Shqipëri), rreth Gjomarkajve nuk u kursyen as shpifjet as edhe shtrembërimet krejtësisht të pathemelta, si nga ata që u emërtuan historianë e të pasuar këta edhe nga shkrimtarët e t’ashtuquajturit Realizëm Socialist! Mirëpo tashti që ai sistem u shkërmoq u krijuan mundësitë që, në mos tjetër, së pakut të dëgjohet edhe kambana tjetër, ajo e së vërtetës historike, ajo e drejtësisë. Përgjatë kësaj hullie po sjell para lexuesit citimin që autori i kujtimeve u bën pohimeve që personaliteti i madh i kulturës shqiptare, profesor Ernest Koliqi, shpreh rreth Gjon Markagjonit, Kapidanit të Mirditës, gjyshit të autorit vëllimit që po lexojmë: “Rrallë njeri në breznit’e fundit paraqitej ndër ne si Gjon Markagjoni, ngjeshun me tharmet (majaja, fara - shënim i M. K.), ma dalluese të brumit t’onë etnik. Në shoqni të tij, tue i a ndigjue kuvendin, kishim përshtypjen se gjindemi para prototipit të racës shqiptare, shpëtue për mrekulli nga cenimi i kohës. Si nji avull legjendash e rrethonte. Edhe n’at avull ku vrumulliseshin (ushtonin - shënim M. K.), misteret e historisë sonë plot tërnim (tronditje - shënim M. K.), periudhash t’errëta ai, i thjeshtë në sjellje, i përkorm (i matur - shënim M. K.), në fjalë, i ngulun në besim, qi ushqente në vlerën e përvojës stërgjyshore - e vetmja kulturë e tij, nxjerrë nga libri i jetës dhe jo nga jeta e librave - t’epte bindjen se rodi i ynë, pak i njoftun e shpesh i përçmuem, përmbledh në vetvete ende virtyte njerëzore të pazbulueme. Me pak goditje dalte latuese e me mjeshtërí të lartë realiste, profesor Ernest Koliqi lartëson nga blloku fillestar i granitit figurën e Kapidan Gjonit si edhe virtytet e rodit tonë (kombit tonë). Mirëpo në vazhdim, profesori i shquar sjell edhe dy momente me shumë rëndësi të cilët hedhin dritë vërtetësíe lidhur me spekulime që janë bërë rreth problemit të gjakmarrjes. Ai pohon se si përgjatë vitit 1926 Kapidan Gjon Markagjoni “... doli nëpër bajrakë të Mirditës me ushtrue të parën zabitname (mbledhje faljeje gjaqesh shënim M. K.), të tij. Tue kryesue Krenët e secilit bajrak pajtoi n’at vjetë 364 gjaqe e varrë (plagë - shënim M. K.) ... Kapidan Gjoni, në marrëveshtje me qeverí qendrore, u përpoq sa muejti me shafitë (të shuante - shënim M. K.) ngatërresa e fitme (shpifje, intriga - shënim M. K.) qi ma të shumtën përfundojshin në vrasje. Me 1928 nëpër Mirditë ushtroi të dytën zabitname tue pajtue 258 gjaqe e varrë. Kjo e zabitnames ishte si nji mision i jashtëzakonshëm qi përsritej krye tri katër vjetësh ...

Qëndrova rreth këtyre dy pohimeve të profesor Koliqit vetëm për ta saktësuar pozicionimin e Kapidanëve Gjomarkaj të Mirditës ndaj gjakmarrjes. Sa kundërthënëse kjo e vërtetë ndaj shtrembërimeve të historishkruesve si edhe letrarëve të kohës diktaturës. Ata Markagjonajt jo që i cilësonin si nxitës të gjakmarrjeve por, nga ana tjetër, i paraqisnin edhe si përfitues materialë të drejtpërdrejtë nga secili akt gjakmarrjeje! Lexuesin, i cili e ka pasë krijuar bindjen e tij vetëm duke e dëgjuar kambanën e njëanshme komuniste, e ftoj që në asnjë mënyrë mos ta besojë pa diskutim çfarë pohon profesor Koliqi. Në asnjë mënyrë, por sinqerisht e ftoj që të qëmtojë rreth këtyre pohimeve të cilët përgjatë diktaturës kurrë nuk u guxua të thuheshin, të bëjë krahasimet përkatëse dhe të nxjerrë edhe përfundime të themelta.

Faqeve në vazhdim u prijnë dy pohime, njeri më i trishtë se tjetri. Që të dy ndërgjegjen e djaloshit 8-vjeçar tashmë e kanë damkosur si me një hekur të skuqur në zjarr, duke i lënë gjurmë të pashlyeshme përgjatë gjithë jetës së tij:

a- 26 Nëntor 1944, Gjomarkajt bashkë me shumë prijës, krenë e bajraktarë të Shqipnisë së Veriut e të Mesme i prinë popullit luftëtar dhe vijuen luftën e tyne popullore deri në vdekje kundër komunizmit.

b- 26 Nëntor 1944, fillon kalvari i familjes, i fisit Gjomarkaj, Kapidanit të Mirditës, degradimi dhe shkatrrimi i saj i skajshëm, deri në shfarosje nga bisha e tërbueme komuniste.

Autori i kujtimeve hedh dritë rreth një së vërtete të pamohueshme. Me dhunë të pashembulltë fillimisht fizike, e në vazhdim edhe dhune shkencore, është arritur që, edhe në saje të kohëzgjatjes thuajse gjysmë shekullore të diktaturës komuniste, këto të vërteta të jenë shtrembëruar thelbësisht! Në këtë drejtim ai sjell faktet historike q’e shkaktuan dhimbjen e madhe të humbjes së të atit Mark Gjomarkajt si edhe të xhaxhait të tij Lleshit në përpjekje e sipër me forcat e mbrojtjes. Mark Gjomarkaj, i caktuar si komandant i forcave kundërrevolucionare të veriut, zhvilloi asokohe veprime luftarake në udhëheqje të këtyre forcave deri më 14 qershor të vitit 1946, ditë në të cilën i plagosur dhe i rrethuar, i detyron shokët të çajnë rrethimin. Ai vetë i mbuloi shokët me zjarr aq kohë sa mundi. Kur e lanë forcat fizike nga gjaku i humbur, sa kohë që e kish akoma logjikën e ruajtur ... u vetëvrá! Mendoj se ky moment e do edhe një shpjegim. Sipas besimit katolik, akti i vetëvrasjes automatikisht çon në humbjen e shpirtit të subjektit sa i takon jetës në Amshim (përjetësí). E pra, duke e ditur këtë fakt, mos ka menduar njeri se Llesh Marashi ose Prênk Cali ishin frikacakë që u kapën të gjallë nga forcat e mbrojtjes? Jo, në asnjë mënyrë. Në çastin e fundit ata pranuan turpin e të dorëzuarit ndaj armikut por ... besimin fetar e vunë mbi atë turp! Kurse me Mark Gjomarkajn ngjau ndryshe. Edhe ai ishte besimtar. Edhe ai e kishte besimin se shpirti i tij shkonte humbës po ta vriste veten e tij. Mirëpo në damarët e tij rridhte gjak mirditori. E mirditori, kur vjen puna të vihet në peshore nga njëra anë humbja përjetësisht e shpirtit por ruajtja e krenarísë trimërore, e krahasuar me përjetësimin e shpirtit por duke e sakrifikuar krenarínë, ai zgjedh vdekjen krenare! E Mark Gjomarkaj nuk kishte si të bënte përjashtim ndër mirditorë: ai ishte udhëheqës i tyre!

Ndërsa xhaxhai i autorit të kujtimeve, Llesh (Sandër Gjomarkaj), i mbijetoi rrethimit përgjatë të cilit u vra i vëllai, Mark Gjomarkaj dhe ishte Lleshi ai që e mori komandën e forcave kundër-komuniste që komandoheshin nga Marku. Lleshi vazhdoi t’u prijë luftëtarëve në veprime luftarake deri më 9 gusht të vitit 1947 kur, në përpjekje e sipër me forcat e mbrojtjes, edhe ai u vra në Munexhë të Mirditës.

E Gjon Markagjoni i Ri, në vazhdim pohon se që nga fëmijëria e përgjatë gjithë jetës së tij, mynxyra e ka përndjekur egërsisht familjen e tij: I ati si edhe xhaxhai luftuan trimërisht për një çështje të drejtë për të cilën dhanë edhe jetët e tyre e gjithashtu edhe familjen e tij e detyroi diktatura komuniste me dhunë të degradohej e të shkatërrohej deri në shfarosje e dhimbja e tij përmblidhet në pohimin tragjik “... komunistët shqiptarë, kundër shqiptarëve, kundër vëllazënve të vet, jo vetëm për disa vite, por gjatë gjithë periudhës pesëdhjetëvjeçare!

Por ama nuk kam se si mos ta vë në dukje e paraprakisht edhe ta vlerësoj lart ndershmërinë si edhe drejtpeshimin burrëror të Gjon Markagjonit të Ri i cili, ndonëse i vuan thellësisht vrasjet si edhe përndjekjet në familje, e megjithëse publikisht Gjomarkajt i kanë quajtur tradhtarë (sepse kundër-komunistë), kur vjen puna edhe për persekutorët e tyre ai pohon vetëm të vërtetën. Ja edhe ngjarja: Xhaxhai i tij Dedë, ka kaluar nëpër 2 vite hetuesí, 16 vite burg si edhe 30 vite internim. Ai i ka treguar nipit të tij (Gjonit) se, në një takim me të gjithë të burgosurit e burgut të Tiranës, drejtori i burgut Janaq Karapataqi, (dy a tri ditë mbas vrasjes së Mark Gjomarkajt e si duket edhe i informuar lidhur me trimërinë si edhe heroizmin e tij), i kishte thënë: “... Burrat që i dalin zot pushkës edhe vdesin me të në dorë duhen vlerësuar ” edhe e kishte ngushëlluar Dedën.

Tek i lexova këto radhë ku ndershmëria nuk e le Gjon Markagjonin e Ri për asnjë çast të mos jetë i drejtë e të mos t’ia japë hakun atij që i takon e për aq sa i takon, nuk kam se si mos të kujtohem se si ky njeri, i cili nuk i a lejon vetes të shtrembërojë pa le më të mohojë fakte, është po ai i cili kur i nisën vargun e gjatë nga Shkodra për në internim shprehej “... karvani i të mjeruemve, i të padënuemve, i të pafajshmëve etj., etj. ... Po për ku? Për sa kohë? Në ç’drejtim? Si u ba kjo punë kështu? Kërkush s’guxonte me folë, kërkush nuk të jepte përgjigje ... Ç’ishte kjo furí e marrë, kjo stuhí e tërbueme që na shkapeste me tërbim sa andej këndej ne krijesave të shkreta e nuk na linte rehat? E ishim do krijesa të brishta që nuk i kishim ba gja kujt ... Sa jetë do të shuheshin para syve të mi ... me ç’të drejtë i privon lirinë ti, dhe madje i shkurton jetën që i a ka dhurue Perëndia?!”

Nuk e besoj se mund të ketë lexues të librit me kujtime të Gjon Markagjonit e të mos preket thellë në zemër! Pa le pastaj se si është shtrembëruar historia, si janë deformuar ngjarjet e kaluar në heshtje periudha të tëra kohore, e ta bëjë krahasimin me qëndrimin objektiv e të ndershëm të Dedë Gjomarkajt tek ia rrëfen të nipit ngjarjen me ish drejtorin e burgut në Tiranë e në vazhdim pastaj edhe qëndrimi i vetë Gjonit tek i hedh në letër kujtimet e tija me vërtetësin’edhe besnikërinë më të madhe!

I lexoj ngjarjet e përshkruara në librin me kujtime të Gjon Markagjonit të Ri e më trondisin. I rilexoj, e shikoj se ç’forcë u ka dhënë vuajtja edhe mynxyra femrave të familjes, duke filluar që nga stërgjyshja, gjyshja, në vazhdim nënës së paralizuar, hallave si edhe dy motrave të autorit të kujtimeve! I mbyll syt’e përlotur edhe përjetoj mëkimin me të cilin e kanë ushqyer stërnipin, nipin, djalin edhe vëllan’ e tyre ato femra, ku ky mashkull i vetëm mes tyre, nuk ishte gjë tjetër veçse një fëmijë 6-vjeçar i cili e filloi atë kalvar të tmerrshëm hakmarrjeje ndaj tij dhe e vazhdoi derisa u bë 52-vjeçar, vetëm se ... ishte një krijes’e pafajshme e lindur në gjirin e një familjes së shquar patriotike mirditore!

Ja pra ngjarjet e ngulitura në vazhdim në trurin e atij tetëvjeçari tashmë dhe si i përshkruan ai:

Ishte 14 qershor i vitit 1946. Nji rrufé e nji hatá ra mbi familjen tonë. U dha lajmi e në gazeta shkruhej me shkronja të mëdha vrasja e babës tim, Markut. Nana e gjyshja, sipas zakonit të grave mirditore qëndronin si burrnesha, ndërsa ne të tjerët qanim, qanim në heshtje tinëz nanave. Gjyshja e ime, nana e Markut, kishte lëshue zanin se nuk ka vaj në shtëpinë tonë. Markun le ta qajë Mirdita, shoqnia e populli. Ne do të jena krenarë e me ballin nalt për këtë fli që i dhamë atdheut ... Sa fort mbaheshin ato gra, sa me forcë e përballonin dhimbjen e humbjen e njeriut të tyne ma të shtrenjtë ... Kriminelët e kuq gjakpirës, tue pa këtë qëndresë mbinjerëzore, që e përballonin me krenarí fatkeqësinë e nuk pranonin të gjunjëzoheshin e shtonin ma egërsisht luftën e tyne ndaj nesh. Po, atë luftë të turpshme ndaj të pafajshmëve, që vetëm i keqi, mizori e mendon dhe e ban”! I lexoj këto pohime dhe logjika ime nxjerr dy përfundime:

Së pari, kriminelët e gjakpirësit e kuq, (siç i cilëson autori), vepronin asisoj sepse e kuptonin mirëfilli se ata vetë kurrë nuk do ta kishin mbajtur dot atë qëndrim në rrethana të njajta dhe së dyti, sepse stoicizmi i familjes Gjomarkajve vinte nga bindjet si pasoj’e edukatës në familje. Ndërsa ata mizorët e kuq çfarë shembujsh kishin trashëguar nëpërmjet gjeneve të tyre? Vetëm urrejtjen, si edhe zilinë ndaj të ndershmëve, të diturve, të aftëve, të mençurve, si edhe të kamurve! Pikërisht ky ligj trashëgimíe, (në rastin konkret i mbrapshtë), ishte ai që e lidhte të gjithë këtë kategori krijesash njerëzore, (që me njeriun e vërtetë shumë pak i kishin të përbashkëtat), me udhëheqësin e tyre. Ç’e karakterizonte Enver Hoxhën? Natyra e tij psikotike. Ku e çoi atë trashëgimía përgjatë zinxhirit të gjeneve? Në rrugën e krimit të pashoq ndaj atyre të cilëve u a rrëmbeu pushtetin në emër të lirisë dhe të demokracisë e në vazhdim e bëri atë tamam që si kuçedra e etur për gjak dhe e zënë sysh nga dyshimi si edhe mosbesimi ndaj kujtdo, i zhduku edhe të gjithë ata q’e ndihmuan dhe e mbështetën përgjatë luftës si edhe periudhës diktaturës vendosur prej tij.

Trysnía ndaj familjes së Gjomarkajve sa vinte e shtohej. Janar i vitit 1947. Të internuar në Berat. Paraqitet një oficer me dy ushtarë e kërkojnë Marta Gjomarkajn, (hallën e Gjonit) e sapo paraqitet ajo, i recitojnë formulën se në emër të popullit e arrestonin. Ajo zgjati duart që ... ia prangosën pa vonesë. Ngrihet gjyshja e i hedh një pallto krahëve duke e porositur “... Mos u ligshtó, qindró e fortë, mos u përkul, ashtu si të ka hije ty e ashtu si na ka hije e na dishron zemra ne!”

Unë i lexoj ngjarjet dhe me syt’e mendjes e shoh Mrikën e Gjomarkajve tek ia hedh krahëve pallton së bijës, Martës, me duar të prangosura, ku ajo mirditore krenare më duket sikur është nëna spartane që ia zgjat të birit mburojën, para se të shkojë e t’i vritet në Termopile! Fantazí e shfrenuar, mund të mendojë ndokush. Nuk e shikoj të tillë, i përgjigjem unë. Evropianët e shekullit të XX pikërisht këtë qëndrim si trashëgimí e lashtësisë, tashmë të harruar në vendet e tyre, e gjenin të gjallë e veprues në malet e Shqipërisë. Ato virtyte të trashëguara te ne, që në themel kishin besën, si edhe fjalën e dhënë, ishin vlerat që na dallonin nga popujt e modernizuar, bashkëkohës tanë, por që përgjatë rrugës së modernizimit kishin ardhur duke i lënë pas dore e në vazhdim edhe harruar ato.

Iku skuadra partizane e mes tyre edhe Marta e Gjomarkajve. Nuk mjaftonin tre të parët që e arrestuan, por prisnin jashtë edhe gjashtë ushtarakë të tjerë! E ai arrestim qe fillimi i shtatë viteve burg që pësoi ajo e që iu bashkuan edhe 39 viteve internim!

E se mos djallëzía e komunistëve mos mbeti me kaq? Ata e kishin kuptuar se forca e karakterit, si edhe qëndresa personale e secilit prej Gjomarkajve, si edhe e gjithë të internuarve të tjerë lidhej me njësinë bazë, familjen. Pikërisht atë nyje qëndrese vazhduan dhe e zhbënë fillimisht, me arrestimin e Martës e pastaj me dërgimin në një kamp tjetër të motrës Martës, Bardhës, si edhe mbesës tyre Kristina. Stërgjyshja ndërroi jetë (e shpëtoi nga ai ferr komunist), kurse u dërguan në një tjetër kamp gjyshja, e ëma e Gjon Markagjonit të Ri e paralizuar, si edhe vetë vogëlushi krenar që si pinjoll i denjë i asaj familjeje patriotike na i solli kujtimet e tija deri në ditët tona.

Dua të vazhdoj më tutje ... por nuk mundem. Nuk mundem ta kapërcej momentin e asaj nate qershori, që na e përshkruan i pafajshmi i vogël me një përjetësim madhor, kur pushoi së lënguari stërgjyshja e tij. Pa u zgjatur, ja edhe skena tragjike e përjetuar nga tashmë 9-vjeçari e përmbledhur me disa momente kulmore, ku ai thotë: “... duke ndigjue këshillat e udhëzimet e nanës (e paralizuar) ia mbylla sytë, e vesha me rrobat ma të mira ... e pastaj nana na mori pranë vetes për t’u lutë ... ashtu në vetmí ... u lutëm që Zoti të na ndihmonte për t’u ba ballë tramvajeve (vuajtjeve - shënim M. K.) e mundimeve të jetës ... Nji zdrukthëtar me disa dërrasa i bani arkivolin ... Nji karrocier na dha karrocën e dorës për deri te vorrezat ... Nga familja vetëm unë, nji camërdhok (vogëlush - shënim M. K.) Mirdite ... Sa hall, sa mynxyrë, ku kishte vojtë puna e jonë ... motrën e hallën që ishin në kampin e Kuçovës, nuk i lejuen të vinin në varrim.”

I lexoj këto kujtime të atij camërdhoku mirditor e më dridhet zemra! E këto ngjisnin, teksa babai dhe shëmbëlltyra për t’u kopjuar e Partisë Komuniste shqiptare, Stalini, deklaronte me bujë se në shtetet e sistemit komunist njeriu ishte kapitali më i çmuar! Sa paradoksale dhe sarkastike në përmbajtje kjo propagandë komuniste! E të gjitha këto pozicionime, njerëzore në pamje, pasqyroheshin përgjatë gjithë periudhës diktatoriale edhe në Kushtetutat e vendit tonë socialist! Asgjë tjetër veçse ballinë propagandistike e asaj diktature përbindësh!


Ballafaqim me fakte që të bëjnë të mendohesh thellë ...


Kam patur dy shokë, njërin në klasat e para të gjimnazit të Tiranës e tjetrin në vitin e maturës në Shkodër. Që të dy i doja shumë. I pari ishte edhe nxënës i shkëlqyer, kurse i dyti, nxënës shumë mesatar, por shpirt njeriu. Të parin pata mësuar se e kishin arrestuar 17-vjeçar, kurse të dytin në mesin e vitit shkollor, pak mbi të 18-at. Kaluan vitet. Liroheshin të njohur të përbashkët nga burgu e herë për njërin e herë për tjetrin ... dëgjoja se ishin bërë informatorë të Sigurimit. Fillova t’i urreja me shpirt për atë mungesë karakteri. Me raste më kishte takuar të gjendesha në pranín’e tyre: u rrija ftohtë. Kaluan dhjetëra vjeçarë. Mirëpo, kur erdha në Amerikë dhe pata disa raste me njerëz që më tregonin nëpër çfarë torturash i kishin nënshtruar që të firmosnin atë të mallkuar dokument si informator, u lëkunda në bindjet e mia dhe u lëkunda seriozisht! Kur më tregoi njëri se si e ulnin të zhveshur në një karrige me një vrimë në mes dhe e detyronin të firmoste e tek ai nuk pranonte, ia lidhnin duart nga prapa dhe e godisnin me thuprën e pushkës në organet gjenitale, derisa i binte të fikët e rrëzohej me gjithë karrige përtokë ... E vetmja gjë që mund të mendoja ishte ... ta falënderoja Zotin që nuk më kishte vënë në prova të tilla. I rikujtoj tashti ata shokët e mi që siç thonë u thyen, e jo që nuk mundem më t’i fajësoj, por edhe sinqerisht e vuaj bashkë me ta fatin e tyre. Njeri, ai shkodrani, ka ndërruar jetë. Për të i lutem Zotit ta ketë në mëshirën e Tij. Kurse për të dytin, gjirokastritin, gjithashtu i lutem Zotit ta falë për fajet që ka bërë: kishte qenë më e fortë dhuna çnjerëzore fizike ndaj tij sesa durimi i tij!

I ndodhur në këtë gjendje shpirtërore erdhi rasti dhe lexoj se si halla Martë i kishte treguar nipit të saj, Gjon Markagjonit të Ri, se si, mbasi e kishin lidhur e hedhur në mes të dimrit në një gropë të zezë në oborrin e burgut, e me shqelma i binin kokës të zhytej e gjitha n’atë llum e pisllëk ... ose se si halla Martë e kishte parë nga të çarat e dyshemesë të burgosurin Hekuran Zhiti, (të cilin e kam njohur personalisht në Lushnjë dhe ruaj respekt për të), të lidhur duarsh e këmbësh dhe të shtrirë me dhunë mbi dyshemé e tërhiqnin zvarrë si thes tek e çonin në hetuesi me kërcënime të egra, të cilëve ai u përgjigjej me stoicizëm: “... O të mjerë, shpirtit tim s’keni se ç’t’i bëni, e ka tjetërkush në dorë, Zoti që ma ka falë. Ai ësht’i fortë e nuk përkulet, ndërsa trupit tim kërmë bëjini ç’të doni, armik i përjetshëm i juaji do të mbetem!” E unë rri e mendohem se ata dy shokët e mi të shkollës apo halla Mart’e autorit të librit me kujtime, së bashku me qindra e mijëra të burgosur që kaluan mes asaj dhune e mizoríe të pashoqe sa qenë gjallë e ata që vazhdojnë të jenë akoma gjallë janë dëshmitarë se ndaj hetuesve, si dhe njëkohësisht edhe torturuesve të tyre asnjë masë nuk u mor. Te ne nuk u dënuan as ata q’e ngritën dhunën në sistem e jo më të dënoheshin ata që s’ishin veçse masha e tyre dhe e ushtronin torturën në vetë të parë!

Vij te faqja 149 e librit me kujtime dhe ndalem në një kalim shkruar nga Gjon Markagjoni i Ri tek e cilëson “Kampin e tmerrshëm të Tepelenës”, i cili e ka njollosur padrejtësisht gjithë krahinën nga veprimet e ulëta e çnjerëzore të përfaqësuesve të komunizmit. Pohimi i tij tingëllon tamam si një thirrje, e mbrujtur me filozofin’e tij, drejtuar brezave të ardhshëm tek thotë “... Po flas kështu dhe po i shkruej këta rreshta të dhimbshëm për t’u thanë breznive të ardhshme, se duhet të mbledhin mendt, t’i vënë gishtin kokës, se neve të gjithve na duhet punë madhore për t’ia la e shlye këto njolla turpi vendit tonë të dashtun ...!” E lexoj këtë thirrje të bërë nga një i pafajshëm, i cili në vetë të parë i vuajti mbi kurrizin e tij të stërmunduar fazat e zhdukjes thuajse totale të familjes së tij nga krahu mashkullor, e megjithatë flet në shumës tek i drejtohet brezit të ri, kur i fton t’ia shlyejnë Shqipërisë njollat e turpit që la nga pas diktatura komuniste! E lexoj këtë thirrje e shtati i Gjon Markagjonit të Ri fillon dora-dorës ngrihet nga turma e sa vjen e merr përmasa gjigante, se duke i lënë pas krahësh vuajtjet e tmerret e hequra nga ai, si edhe familja e tij, problem e ka çnjollosjen e Shqipërisë!

Pak a shum’e njajta thirrje, por e hedhur në kohën mbas shkërmoqjes komunizmit nga drejtues të lëvizjes demokratike, që as në ëndërr nuk i kishin as menduar e parë, pale edhe hequr, tmerret e asgjësimet komuniste, duke i u drejtuar popullit thirrje-pohimin “Të gjithë bashkëfajtor’edhe bashkëvuajtës jemi”. Bëj krahasimet, e figura e Gjon Markagjonit të Ri akoma më shumë merr përmasa madhore para syve të mi! Kur ai merr drejtimin e “Caritas-it Mirdita”, direktiva kryesore e tij ishte kujdesi që duhej treguar në shpërndarjen e ndihmave duke dhënë porosinë: Asnjë diferencim në shpërndarjen e tyre! Në asnjë mënyrë mos të shikohen krahët politikë! E lexoj këtë urdhër të tij dhënë vartësve dhe si në një sekuencë kuadrosh filmike shikoj përbërësit tejet cilësorë q’e kanë brumosur karakterin e Gjon Markagjonit të Ri! Atij normat kanunore i ishin mëkuar që me qumështin e gjirit të nënës tij. Ai gjithashtu e dinte se si gjyshi e gjithashtu edhe i ati, si rojtarë besnikë të atyre normave, i vlerësonin skajshmërisht lart parimet e dala prej tyre lidhur me burrërinë, nderin, si edhe fjalën e dhënë që nuk bëheshin dy! Gjon Markagjoni i Ri e dinte mirëfilli se si në malësitë tona kreshnike nuk kishte privilegje. Barazia mes malësorëve i ishte ngulitur mirë në mendje pinjollit çamarrok të Derës Kapidanëve. Ai mirëfilli e dinte se punët e përgjithshme rriheshin e zgjidheshin ndër kuvende ku veç e drejta dhe barazia respektohej e nderohej! E këto norma kanunore ia mbajtën gjallë grat’e tej-vuajtura të familjes tij përgjatë viteve të mbushura me mynxyra, vuajtje si edhe krime ndaj familjes tij!

Disa konsiderata në përmbyllje: Vetë koncepti i termit privilegj nuk ka ekzistuar në mënyrën e të menduarit të malësorit shqiptar. Edhe Gjon Markagjoni i Ri, bashkë me nocionet e para që merrte, mëkohej dora-dorës me edukatën e të konsideruarit të vetes tij të barabartë me këdo tjetër. E dinte ai se pleqësía i zgjidhte dhe i ndante të drejtat dhe detyrimet. E dinte ai gjithashtu se Dera e Gjomarkut nuk u përzihesh pleqve në gjykimet e tyre, por ish ajo që i merrte vendimet dhe e ndante fjalën e fundit. E kështu ai mësoi se, kur duket sikur Dera e Gjomarkut ësht’ajo që e ka privilegjin e fjalës fundit, në qoftë se pleqtë nuk bien dakord me vendimin e Gjomarkut, ky i fundit e ka për detyrë të mbledhë popullin nga një burrë për çdo shtëpi dhe ata e kanë të drejtën e fjalës së fundit e Gjomarku u bindej vendimeve! Pikërisht këto parime e koncepte e udhëhiqnin Gjon Markagjoni e Ri, kur u vendos kryetar i Caritas-it të Mirditës. Dhe unë, nisur nga tmerret dhe vuajtjet e përjetuara nga Gjon Markagjoni i Ri si pasoj’e një padrejtësíe të pashembullt ushtruar nga terrori komunist, kur Gjonit i vjen radha të gjykoj’e të japë urdhra, e shoh se tek ai mbizotërojnë normat, si edhe parimet e Kanunit të Maleve, baza morale dhe etike e të cilit nuk i humbet kurrë vlerat e pra ndryshojnë rrënjësisht ato mësime, si edhe ndikimi i tyre në sjellje, krahasuar me sjelljet e bishave komuniste të mëkuara me normat e partisë së tyre, si edhe urrejtjen e trashëguar në gjene lidhur me terrorin e tyre ushtruar ndaj familjes së Gjomarkajve, familjes së Pervizajve, (derë dajash e Gjomarkajve), familjeve të Merlikajve, Kupve, Kaloshve, si edhe mijëra familjeve fisnike shqiptare që u masakruan nga terrori komunist, emrat e të cilave do qe nder për mua, por nuk i radhis dot përgjatë këtij shkrimi. Vijmë tashti te thelbi i çështjes, të cilit un’i shikoj disa probleme:

- A ka paradoks më të madh se sa përgjatë 47 viteve të pusht-shtetit komunist diktatorial Kanuni i Maleve, kjo perlë e bazës së edukatës shoqërore, u përdhos, u keqinterpretua dashakeqësisht dhe në vend që t’i jepej vendi i nderit në muzeun e relikteve të së kaluarës, u quajt veç turpi i kombit tonë shqiptar? Kur Evropa moderne i kish humbur ato norma të moralit, si edhe të etikës, ato ruheshin e gjendeshin akoma të zbatuara përgjatë pjesës parë të të XX shekull në Malësitë tona! Me mohimin e tyre, si edhe luftën pa princip të bërë nga komunistët që e ndershmja të quhej a pandershme, mbajtja e fjalës, si edhe besës së dhënë të dënoheshin dhe tradhtia e spiunimi të quheshin nderë e patriotizëm, mori fund shqiptari! Triumfoi njeriu i ri socialist, pjell’e ideologjisë Enver Hoxhës, i cili veç namin e keq ia ka shpërndarë an’e kënd botës shqiptarit!

- Me marrjen e pushtetit shtetëror nga ana e komunistëve, ajo llav’e zjarrtë e shkatërruese e mbrujtur dhe e farkëtuar si ideologji nga Lenini e Stalini në të largëtin vit 1917, bashkë me të tjerët shtete të asaj që u quajt në vijim Evropa Lindore, erdhi e dogji çdo virtyt e vyerje që kishte Shqipëria. Pikërisht kundër saj u organizua rezistenca kryengritëse e udhëhequr fillimisht nga Mark Gjomarkaj e me vrasjen e tij nga Llesh Gjomarkaj e në vazhdim dora-dorës nga komandantët e tjerë. E këto çeta e formacione luftarake luftuan në malet e Shqipërisë deri në vitin 1953, kur forca ushtarake shtetërore, e mbështetur nga besëshkelësit e ashtuquajtur Heronj të Heshtur e gjithashtu nga KGB ruse me informatat që u kalonte Kim Filby, me dhun’edhe terror i asgjësoi! Problemi që shtroj është ky: Lufta e formacioneve kundër-komuniste shqiptare, me dhunë të tejskajshme shkencore nga ana e qeverisë, është kaluar në heshtje, si nga shtypi e propaganda komuniste, pale edhe mbajtur në heshtje brenda rrethimit nga kloni vdekjeprurës. Përfundimi? Thuajse asnjeri jashtë Shqipërisë, e gjithashtu gati askush nga brezat e rinj, nuk e dinë se ka patur një lëvizje kryengritëse kundër-qeveritare dhe kundër-komuniste në Shqipëri që nga viti 1944 e deri në vitin 1953! E kjo, kur Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë i kishte sanksionuar me ligj lirin’e personit, të shtypit si edhe atë të fjalës! (?) Në kundërshtim me këtë fakt, kemi anën tjetër të medaljes. Është shkruar e vazhdon të përshkruhet si simbol i rezistencës së popullit hungarez Revolucioni Hungarez i vitit 1956. Dhe hallall u qoftë studentëve hungarezë në qytetin e Budapestit që dolën në një demonstratë kundër-qeveritare! E kur qeveria i shtypi me egërsí, në vazhdim rrëmbyen edhe armët e kryengritja u shtri edhe në qytetet e tjera kundër diktaturës Mátyás Rákosi-t! Unë nuk kam ndërmend të bëj historikun e asaj lëvizjeje e të analizoj, nëse qe revolucion apo jo. Por nuk kam se si mos ta vë në dukje dhe ta nënvizoj faktin se ajo lëvizje filloi më 23 tetor dhe u shtyp me 11 nëntor 1956! Me gjithë kohëzgjatjen e saj, sa të një xixëllonje, (pa dashur fare t’ia ul ose diskutoj vlerat e saj madhore), e përsëris se u quajt Revolucioni Hungarez i vitit 1956 dhe lista emërore e heronjve të saj ësht’e pafund. E me shumë të drejtë ësht’e nderuar dhe e respektuar. Kurse e gjith’ajo kryengritje e luft’e armatosur dhe e organizuar dhjetëvjeçare në Shqipëri kalohet në heshtje! Mark Gjomarkaj, si edhe Llesh Gjomarkaj, e në vazhdim Alush Leshanaku me gjithë Hamit Matjanin e me qindra e qindra heronj të rënë në luftën për përmbysjen e atij pusht-shtet-it gjakatar komunist, si edhe mijërat e familjarëve të tyre të kalbur e të vdekur në kampe përqendrimi përgjatë diktaturës komuniste për 47 vite me radhë, kalohen në heshtje!

- U shkrua e u rishkrua historia përgjatë 47 viteve të diktaturës nga historianët komunistë sipas mësimeve e direktivave të partisë. Faktet e paraqitura syresh u përshkruan me lulëzime letraro-artistike nga shkrimtarët e realizmit socialist. Çdo ribotim teksti mësimor u thoshte të rinjve shkollarë ... “Harrojini ata heronj që janë hequr nga teksti pararendës dhe mësoni ata t’i urreni si tradhtarë kurse heronjt’e rinj t’i nderoni.” Kështu u ngrys edhe ... u shkërmoq diktatura. Mirëpo tashti ndodhemi para një paradoksi, ku po ata historianë q’e shkruan historin’e 47 viteve të pusht-shtetit komunist, e duan sërishmi parësínë ta rishkruajnë historinë edhe sot! Ata nuk e kanë keq, jo. Së pari, sepse të mësuar me grada e tituj shkencorë nuk e pranojnë dot qëndrimin tashmë në hije e si të paemër. Por, nga ana tjetër, e kanë edhe një problem serioz: patjetër që duan ta rishkruajnë ata historinë që të tëra sa kanë pohuar ose shtrembëruar ... t’i fusin në njëfarë këllëfi, (e harrojnë thënien popullore se xhamia nuk futet në thes). Ata gjithashtu duke ulëritur me të madhe se historia shkruhet vetëm në bazë faktesh edhe dokumentesh arkivale, kujtojnë se populli ha bar edhe nuk e di se arkivat dhe faktet e dikurshme ata i kanë qethur e stërqethur e sërishmi duan t’i mbushin arkivat me përralla me mbret! Mirëpo janë Gjon Markagjonët e Rinj, të cilët kanë edhe me mijëra akoma gjallë dëshmitarë pamorë, të cilët si arkiva të gjalla i dëshmojnë faktet! Le të na thonë Ramiz Alia me gjithë Aranit Çelën me shokë, në bazë të çfarë ligji e fajësimi juridik u dënua Gjon Markagjoni i Ri të internohet që gjashtëvjeçar e të heqë shpirtërisht edhe fizikisht mynxyra si të Udhës Mundimeve të Krishtit? Asgjë mos të rikujtojë në këtë çast lexuesi i librit me kujtime të Gjon Markagjonit të Ri, por vetëm momentin kur ndërroi jetë stërgjyshja e tij. Vogëlushin nëntëvjeçar e udhëzoi e ëma e paralizuar se si t’ia mbyllte kapakët e syve kufomës, si ta vishte e pastaj të nesërmen ai camërdhok Mirdite e përcolli i vetëm arkën e të vdekurit me trupin e stërgjyshes brenda, ngarkuar mbi një karrocë dore, të prehej në varrezat e ushtarëve italianë!(?)

Për Nënën’e Kapidanit Mirditës me plot gojën mund të thuhet se i përfundoi ditët e saja tokësore:

Gjall’edhe vdekur ajo e internuar,

As varr për horr s’ia kanë lejuar! *


* (Perifrazim i vargjeve të Nolit përgjatë Elegjisë për Luigj Gurakuqin.)


FUND


Home item

Më të lexuarat