Loading...

Dritëro Agolli

Kujtimet



Shkrimtari i njohur mbush sot 78 vjeç. Në këtë ditë kur kujtimet nxiten edhe pa dashur, në intervistën e mëposhtme tenton të tregojë rrugëtimin që quhet jetë. Vështirësitë, gëzimet, përjetime e pengje të shumta.


"Tregojnë se linda afër mëngjesit të martën më 13 tetor të vitit që zura në gojë pak më lart (1931, shënim i redaksisë). Po të kisha qenë i biri i ndonjë tregtari të pasur të Korçës, lindja ime do të ishte shënuar në faqet e ndonjë gazete të qytetit...". Janë pak rreshta kujtimesh të kohës kur Dritëro Agolli erdhi në jetë. Këto janë kohët e fëmijërisë së tij. Sot feston përvjetorin e 78-të. Sot, veçse shkrimtar, është edhe gjysh (Drisarta nëntëvjeçare dhe Emili gjashtëvjeçar janë pjesë e bisedave të tij). Ulur pas tryezës së madhe të rrumbullakët, me duart që herë i dridhen, me vështrimin që shkon tutje fshehur pas syzeve, përpiqet të rrëfejë vetveten. "Jam një tregimtar i keq për veten", shprehet teksa thërret kujtimet. Jeta për të ka qenë një rrugëtim me vështirësitë dhe gëzimet, me dëshirat dhe pengjet. Ka jetuar një realitet të shkuar dhe një të tanishëm që herë e dëshpëron e herë i jep shpresë. Ka përjetuar edhe zhgënjime. Në orët e qetësisë, më shumë në sallonin e pritjes vazhdon të tentojë për hedhjen në fletë të kujtimeve. Në fund të fundit të thotë edhe të vërteta. Me një zë që duket si monologim me vetveten i kërkon edhe pak vite jetës që të përmbushë dëshirën. Të paktën t‘i lejë të shkruara. Ngurron tek flitet për botim. ‘Është e vështirë. Gjithnjë ka njerëz që fyhen. Më mirë të mos jesh gjallë e të mos i dëgjosh çfarë thonë më pas", shprehet ai. Por ndonëse dora ia vështirëson misionin, sapo dita të përmbyllet me urime jetëgjatësie, do të ulet sërish. Do të shkruajë librin për vetveten dhe të tjerët.

Zoti Agolli, çfarë do të thonë 78 vjet jetë?

Një miku im mjek, dr. Pavllo thoshte: të jetosh është heroizëm. Ndodh që mund të vdesësh edhe në moshën 5, 10 apo 15-vjeçare. Nëse jeton gjatë do të ecësh përmes sakrificave, gëzimeve, vuajtjeve, dëshirave të plotësuara apo të paplotësuara, do të shohësh shumë vende të tjera veç atyre ku ke lindur, do shikosh punë të llojeve të ndryshme, një që lëron tokën, një që mbjell, një që shkruan, një që shet, një që blen. Gjithçka që ka jeta. Dikur, 70 vjeç ishte mosha mesatare e njeriut kurse sot njerëzit janë bërë më jetëgjatë. E rëndësishme është që njeriu të ketë bërë diçka, të ketë parë një lule, të ketë lexuar një libër, në fund të fundit të lërë një gjurmë. Vetëm krim nuk duhet të bëjë. Jeta është edhe e vështirë edhe e gëzuar. Naim Frashëri thotë: "Unë e dua gjithë jetën se atje gjej të vërtetën". Për këto fjalë të thëna ai ishte më njerëzori nga të gjithë poetët që njeh Shqipëria.

Në një përvjetor, të gjithë e kthejmë kokën pas. Si ka qenë jeta juaj?

Jeta ime ka qenë e vështirë dhe e gëzuar. Ka qenë e vështirë atëherë kur nuk i kuptoja vështirësitë, ose më dukeshin si lojë. Kjo ndodh kur je fëmijë. I kuptoj në këtë moshë që jam. Unë vij nga një familje bujqish që kishin një farë pasurie: toka, korije, mullinj që bluanin. Nuk ishin të fundit e fshatit. Im atë ishte punëtor i madh dhe në vogëli më pati mësuar edhe mua shumë nga punët e arës. Kam provuar që në moshën tetëvjeçare të ngrihesha nën cicërimën e zogjve. Kam provuar të përshkoja 16 kilometra rrugë, rreth 6 orë në ditë për të shkuar në Bilisht ku bëja shkollën qytetare apo siç i thoshin ndryshe, unike. Pasi kishe kryer 5 vjet të fillores, duhet të bëje edhe tre vjet të tjera. Ishte e vështirë të bëje një rrugë kaq të gjatë në pranverë, verë, dimër. Kam përjetuar edhe luftërat. Më së pari lufta italo-greke në ‘40, ku njerëzit filluan të ikin nga fshati ynë (Menkulas) që ndodhet në kufi me Greqinë nga frika e luftës. Pastaj erdhi Lufta Nacionalçlirimtare. Unë, si i vogël nuk mund të rrija indiferent meqë gjithë shtëpia ishte me lëvizjen nacionalçlirimtare. Isha një lloj korrieri i batalionit territorial. Ka pasur shumë çaste të tjera të vështira, por edhe shumë gëzime.

Cila është frika më e madhe e shkrimtarit kur ikin vitet?

Kur kalojnë vitet, frika më e madhe e shkrimtarit është dembelizmi dhe indiferentizmi. Këto e vrasin atë, e bëjnë shterpë. Atëherë ai ha veten e tij, i mërzitet jeta dhe nuk krijon dot. Një nga fatkeqësitë e shkrimtarëve tanë të gjysmës së parë të shek XX, pak më përpara, por edhe më pas, ishte mosha e shkurtër e krijimtarisë. Deri në 45-50 vjet mund të krijonin dhe pastaj nuk krijonin dot. Nuk mundnin që të shkruanin, sepse nuk e ndiqnin jetën. "Kur humb kurioziteti shoqëror-politik, vjen vdekja ime", thotë Enrik Hajne, poeti i madh gjerman. Tani për tani mua nuk më ka humbur shumë kurioziteti, por këto 3-4 vjetët e fundit shoh që më është dobësuar tensioni krijues. Megjithatë, unë e ndjek zhvillim shoqëror dhe politik tonin. Herë dëshpërohem, herë shoh ndonjë dritë më optimiste. Shkrimtari duhet të jetë kurioz dhe një vrojtues i madh. Duhet të dijë edhe sa shkallë ka deri te dera e tij. Kryesorja në letërsi është të pasqyrohen marrëdhëniet njerëzore në të gjitha dimensionet që shkenca nuk i rrok dot. Letërsia duhet të ketë edhe ndikim në shoqëri. Shkrimtari nuk jep urdhra për të transformuar botën, për ta bërë revolucione. Me veprën e tij ai nuk sjell dot një regjim tjetër(këtë e bëjnë kontradiktat në shoqëri dhe politika), por mund të nxisë mendimet te lexuesi i tij.

Keni pengje?

Kam shumë pengje. Kanë të bëjnë me letërsinë apo edhe me jetën personale. Ka plot raste kur nuk kam bërë ato që kam menduar se mund t‘i bëja. Rreth 35-40 vjet më parë doja të bëja një libër për Servantesin. Kur ai u mor peng, nëse Arnaut Memi, një pirat i madh shqiptar do të ishte treguar zemërkeq, ne nuk do ta kishim sot "Don Kishotin". Servantesi e përshkruan pak aventurën me Arnaut Memin. Pse nuk e bëra këtë libër? Sepse e kam treguar. Letërsia është pasion dhe nuk shkruhet nëse e tregon. Është si teshtima; nuk e mban dot kur të vjen. Me sa duket unë këtë teshtimë e shpërdorova duke e treguar. E kam peng që nuk munda të gëzoja bashkë me babanë e nënën ato që arrita. Një ndër këto pengje ishin edhe kujtimet e mia. Ende nuk po e mbaroj dot këtë libër, sepse dorën e djathtë e kam pak të ngathët dhe më dridhet. E kam pak bezdi kur nuk shkruaj vetë dhe lirshëm. Si duket do ta shkruaj pak më vonë.

Do t‘i botoni sa jeni në jetë?

Është e vështirë. Ka gjithmonë njerëz që fyhen. Duhet të jesh i vdekur e të mos dëgjosh ç‘thonë nëse do të tregosh të vërtetën. Sa të vërteta keni thënë në kujtimet tuaja?

Nuk kam arritur deri te të vërtetat e vona, por kam arritur të them disa të vërteta që i kam parë. Me të dëgjuar kam shkruar vetëm si kam lindur unë, kush ma vuri emrin. Janë histori që m‘i tregonte nëna. Të gjitha ngjarjet e tjera, ato që kanë ndodhur kur kam qenë koshient nuk i kam marrë nga të tjerët. Kam shkruar ato që kam parë unë, sepse ndryshe rrezikon që të të vijnë të shtrembëruara nga të tjerët. Nuk kam shkruar shumë, por unë jam njeri optimist. Nuk vuaj nga nihilizmi, nga pesimizmi, apo nga narcizmi. Për veten jam një rrëfyes dhe tregimtar i keq. Nuk di të fjalosem për veten time. Ndërsa thashethemet ndodh që i dëgjoj për kuriozitet, sepse më duket sikur ka pak letërsi brenda, pak trillim e imagjinatë.

Mbi tavolinën tuaj gjendet libri "Një italiane në Tiranë; Intriga, dashuri dhe spiunazh gjatë rënies së komunizmit" i Serena Luçianit. Diktatura vazhdon të tregohet nga shqiptarë e të huaj. Si do ta gjykonit ju atë epokë?

E shkuara do shumë kohë që të gjykohet. Ndryshimet në përgjithësi janë të një kohe të shkurtër, nuk kanë as 20 vjet që kanë ndodhur. Duhet kohë që të shoshitet e të dalë një e vërtetë e përafërt. Akoma ne diskutojmë për Skënderbeun dhe identitetin e tij...

Po tranzicionin që po kalojmë?

Tranzicioni është tepër i vështirë dhe i ndërlikuar. Para shoqërisë demokratike gjërat dukeshin më të qarta, sepse ishte krijuar një shabllon. Tani kemi një shoqëri me mendime të ndryshme, të kundërta, ekstreme, përparimtare, revolucionare, gjysmë të majta e gjysmë të djathta, kemi një shoqëri me vështirësi ekonomike. Shkrimtari që i përjeton mund të kapë esencën e të nxjerrë një libër të rrallë. Por shkrimtarët tanë duhet të heqin dorë nga kopjimi i modeleve, nga të qenit modern përmes modeleve të diktuara. Kjo moderne duhet nxjerrë nga vetë lënda që ke.

Shihni një të ardhme për letërsinë bashkëkohore?

Jam optimist. Po kështu ka qenë edhe letërsia pas Çlirimit. Kur ne filluam s‘na përfillte njeri. Ndonëse për ne ishte më e lehtë sepse deri në fund të viteve ‘50 nuk kishte letërsi të vërtetë, por kryesisht shkruheshin ode, tashmë janë vënë bazat e një kulture letrare që brezat e tanishëm duhet ta kalojnë. Sigurisht që duhet kohë t‘i imponohesh lexuesit, por ka zëra në poezi dhe në prozë që do të ecin. Duhet vetëm të punojnë me thelbin e shoqërisë tonë.

I ruani dorëshkrimet e librave që keni shkruar ndër vite?

Një pjesë i ruaj e një pjesë jo. Ndonjëherë kanë humbur për mungesë të vendit, por edhe për mungesë kujdesi. Janë kryesisht dorëshkrime të pambaruara. Ka edhe shënime të vogla. Gjen mes tyre edhe copëza letrash ku kam shënuar deri edhe ngjarje të treguara nga një gjuetar. I shtrirë në lëndinë, me çiften në krah, në qiellin e pastër sheh një zog që ndiqej nga një shqiponjë. Ndërsa mundohej t‘i shpëtonte shqiponjës, papritur zogu kishte rënë në gjoksin e tij. Gjuetari ndien që zemra i rrihte fort. Gjuetari, tashmë në moshë kishte qeshur me veten kur kishte menduar se ky zog kishte dashur të gjente shpëtimin te një njeri që është më i tmerrshëm se shqiponja. E kam shënuar në një copë letre të vogël këtë histori. Janë metafora shumë të bukura që ndonjëherë nuk i gjen dot shkrimtari.

E keni kritikuar Dritëroin shkrimtar?

Ka ndodhur disa herë.

Ku është i prirur interesi juaj si lexues?

Këto dy vjet nuk para lexoj se më janë dobësuar sytë, por janë kryesisht libra me kujtime, libra të dhuruar ose histori të lashta.

Më thatë se në studion tuaj ka libra të nisur e të papërfunduar. Çfarë po shkruani?

Kam një libër me poezi të cilat janë shkruar në një hark 10-vjeçar, nga viti 1992 e në vazhdim. Ishin të hedhura nëpër copa letrash, i kam rregulluar dhe i kompjuterizova. Titullohet "Prit edhe pak" dhe është gati për botim. Kam dy blloqe të trashë me aforizma. Shkruaj gjithnjë të tilla. Dua të bëj edhe një fjalor me mbiemrat shqiptarë. Ka disa gjëra që duhet t‘i përfundoj.


Gruaja e një shkrimtari

I kanë quajtur edhe muza. Jeta e një gruaje krah një shkrimtari është një histori më vete. Në ç‘pozita qëndron gruaja dhe letërsia? Dritëro Agolli e ka të sinqertë përgjigjen: "Ka gjëra më të mëdha se letërsia. Për mua është Sadija. Ka qenë njeriu më i dashur imi, njeriu që më ka ndjekur gjithnjë. Më e dashur edhe se një libër. Gënjejnë shkrimtarët që thonë se libri është më i dashur se gruaja. Duhet të përgjigjen sidomos kur forcat të lënë, kur sëmuren, kur ta shohin gojën e tyre që shkon mënjanë..."

Oliverta Lila
Home item

Më të lexuarat