Loading...

DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË





Shkruan: Shefqet DIBRANI

Poezia e Sevdije Rexhepit ngjallë
emocione lirike të cilat sikur pa dashje
rikujtojnë zymtësinë e një vjeshte
e cila pa mëshirë i ka zhveshur pemët
nga frutat e tyre, kurse gjethet era e
ftohtë ua ka përplasur ndanë rrugës...
Poezia e Sevdije Rexhepit është një tip i
poezisë lirike, por që ka edhe imazhe
të theksuara metaforike, duke e bërë
poezinë dhe autoren më të ndjeshme,
më përjetuese dhe më melankolike:
“Ditë vjeshte.../ Bie shi i ftohtë ngadalë/
..../ Diçka të qetë s’më lë?.../ Nuk e di pse
shpirti im nuk pushon,/ Pse nuk fle?!”,
(faqe 5).
Sevdije Rexhepi i takon brezit më
fatkeq të krijueseve dhe krijuesve letrarë
që ka pasur Kosova, ngase ajo ka
bërë një rini të pa rini. Tërë shkollimin
e saj e ka kryer nënë rrethanat e
aparteidit klasik që ishte mbërthyer
Kosova. Ajo nuk ka pasur rastin as
t’i shijoj dhe as t’i përjetoj aktivitetet
dhe angazhimet kulturore që i ka
kudo rinia studentore, as kurrë nuk
ka pasur rastin të bëjë një bujtje në
konviktin dhe as të hajë një shujtë
të ngrohtë në mensën e studentëve.
Por: “Në këtë ditë të pakohë/ Në pikën
e njëjtë qëndroj/ Mbi valët e momentit
mundohem të fluturoj/ Bashkë me kohën
që nuk pret”, (faqe 10).
Ajo, e mbrusur me idealin për të
ardhmen e saj, sikur nxitoi t’i ikte
jetës studentore, që për brezin e saj
ishte më shumë se torturë, të paktën
nga bastisjet e policisë serbe nëpër të
të ashtuquajturat “shkolla – shtëpi”.
Gjatë gjithë shkollimit të saj, privilegjet
që i kishin kudo studentet nëpër
universitetet botërore, shqiptarëve u
ishin mohuar krejtësisht, dhe krejt
natyrshëm vargjet që poetizohen si
sinonim i erërave të ftohta, të vjeshtës
a dimrit, shirat që binin pa pra, e pa
reshtur, personifikojnë personalitetin
e studentes kosovare në ato rrethana
kur Sevdija u shkollua. “Kjo erë e ftohtë
dimri/ Shprish pa mëshirë flokët e mia/
E më mbyll sytë si për inat/ Me pluhurin
e qytetit tim,/ .../ A thua, cili do ta triumfojë
dëshpërimin?/ .../ Në heshtje lexojnë
vuajtjet e njëri-tjetrit,/ .../ Për një ditë të
ngrohtë, pa erë.”, (faqe 6).
E vetëdijshme për gjendjen që
mbretëronte në atë kohë, ajo me
sukses i sfidoi vështirësitë e kohës
për të marrë më vonë epitetin e
një intelektualeje e cila me vetëdije
ka regjistruar kohën e saj të rinisë
e të studimeve nën një pushtim,
siç thamë klasik dhe tejet primitiv.
Poetja ka vazhduar rrugëtimin e saj
“Nëpër shtigjet e panjohura/ Që kurrë
më parë shkelur si ka(m)/ Por erdhi stuhia/
E mori gjithçka me vete...”, (faqe 13).
Pikërisht ishte kjo vetëdije krijuese,
si indikacione që më rikthyen për të
rikujtuar (edhe një herë) atë kohë të
trishtët, që mos ia pafsha askujt, pa le
femrës e studentes kosovare, veçmas
një intelektualeje që tashmë është
edhe poete, siç e kemi rastin me Sevdije
Rexhepin dhe lirikat e saj: “Ky shi
që bie e nuk ndalet dot/ gëlltit pa mëshirë
orët e kësaj dite/ dhe e mbështjell me
monotoninë e saj...”, (faqe 15). Ndërsa
beftësia e këtyre lirikave, dhe sidomos
tendenca e përhershme për t’iu dhënë
një sharmë lirik, sa të dëshirueshëm
po aq edhe të pranueshëm, japin një
nuancim personifikues, poetik e letrar,
duke e bërë këtë poezi edhe më
të pranueshme. “Sa shumë pika/ Në
dritaren time/ Nuk mund t’i numëroj/
Dhe as që mundohem fare/ Bien shumë
ngadalë/ Dhe qetë-qetë rrëshqasin/ Deri
në pakufi/ Ngase fundin e këtij udhëtimi
nuk e di,/ Sodis me kureshtje/ Humbëm
në thellësinë e imagjinatës sime/ Papritur
ylberi shfaqet/ Dhe në dritaren
time troket”, (poezia “PIKAT E SHIUT”,
faqe 18).
Dhe, tani pas kaq e kaq vitesh,
mund të mendojmë se autorja: nëse
jo qëllimisht, bilës në mënyrë spontane
i paska regjistruar ato fenomene
të cilat kanë lënë gjurmë në vetëdijen
e saj krijuese. Kjo poete dhe brezi i saj,
jo vetëm që përballuan një aparteid
klasik, por pritën e përcollën luftëra
të ashpra, pikërisht atëherë kur ishin
në një lloj embrioni krijues “sepse sa
herë që bën( j) hapin e parë/ takuan(oj)
edhe udhëkryqet e saj”, (faqe 27), kurse
jeta me të papriturat e saj vinte pengesat
e saj si një “erë e ftohtë fryn/ ditë e
marrë marsi/ më mërdhin zemrën/ ngase
nuk e di...”, (faqe 19).
Mbarimi i luftës do ta gjejë Sevdijen
dhe brezin e saj, dikë pa shtëpi
e katandi, të tjerë pa të afërmit e të
dashurit, e përgjithësisht Kosovën pa
institucione të konsoliduara shtetërore
e kulturore, dhe pa ndonjë vizion
e ardhmëri të qartë. Sado që Kosova
tashmë e kishte fituar (bile?!) lirinë e
të shprehurit, ky vend edhe sot e kësaj
dite mbetet pa një brez që mund të
mendohet si elitë e re krijuese: “Ndoshta
pse diell nuk jam/ E të lëshojë rrezet/
Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi/
Të shpërndaj freski/ Apo pse jam dikush
tjetër/ Se gjithçka që ndiej vë në letër/
Apo pse jam shumë e marrë/ Që pëlqeva
në shikim të parë/ Ndoshta pse i besoj çdo
fjalë që shkruan miku/ Që rrjedhin nga
brendësia apo kotësia/ Nuk e di/ Por e
di se sot ndihem si fëmijë”, (poezia “PSE
SOT... KËSHTU?”, faqe 23).
Jo vetëm rasti i Kosovës, por i të
gjitha vendeve që kanë kaluar tranzicionin
politik me kaq dhembje,
kanë mbetur pa një brez, pasi siç
thotë maksima filozofike “revolucionet
i hanë bijtë e vet”, por në atdheun
tonë kemi mungesën e disa brezave
krijuesish për shkak të rrethanave
që i përjetoi ky vend dhe ky popull.
Kurse Kosovës edhe sot e kësaj dite i
mungon një brez elitë që do ta përfaqësonte
me dinjitet krijimtarinë
letrare të dekadës së fundit të shekullit
të kaluar dhe këtë dekadën e parë
të këtij shekulli që sapo kemi hyrë.
Me gjithë rrethanat e kohës, Sevdije
Rexhepi arriti të konsolidohet dhe të
formësohet si poete, duke u paraqitur
me përmbledhjen e saj të parë
poetike “Simfoni e heshtur”: “Ditë
vjeshte.../ Bie shi i ftohtë ngadalë/ Nuk
dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm/
Të shndërruar në melodi që përsëritet/
Me nota nostalgjike/ Deri në mbarimin
e kësaj simfonie/ Mendoj,/ Kujtoj,/ Dhe
pyes mendjen:/ Pse diçka të qetë s’më
lë?.../ Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,/
Pse nuk fle?!”, ( faqe 5).
Përmes metaforës së “simfonisë” ajo
mëton të imponohet si një poete që
nuk rri në heshtje sado që në pjesën
e dytë të titullit sinonim ka heshtjen.
Përmes kësaj heshtje poetja ka mëtuar
të sjell mesazhin e të gjithave
rrapëllimave të ditës të cilat me tërë
ato kufizimet e shumta, sikur tregojnë
se ajo ka pasur një mungesë jete.
Por, duke sfiduar tragjiken kolektive
dhe atë individuale, ajo ka sendërtuar
konceptin e veprës që merret me fenomene
dhe devijime që e dëmtojnë
një shoqëri të tëre: “Dhe më përkujtojnë
rrugën e nisur nga Ti/ Me fjalë falso...”,
(faqe 32), “Topi ishte në anën tënde/ Më
propozove të luaj/ Edhe pse rregullat e
lojës/ Nuk i dija/ Kur fillova të mësohem/
Të luaj më mirë/ Godite aq fort/ Sa...”,
(faqe 35), diku tjetër poetja shprehet
edhe më me zemërim si ta zëmë në
vargjet që po citojmë: “Ti ndoshta i ke
dhënë zemër dikujt tjetër/ E këta rreshta
do të gjejnë ngushëllimin/ Ku tjetër, pos
në letër!...”, (faqe 48). Duke e kundruar
fenomenin e lënies, braktisjes e të fjalës
peng për pritje të gjata, poetja me
mjaftë mllef e pëlcet durimin: “Zëri
yt më vjen nga larg/ Si një ushtimë.../
Ç’thua ti?/ Të pres dashurinë tënde/ O
të nis kërkim të ri?!”, (faqe 53).
Poezia e Sevdije Rexhepit
imponohet me një qasje reale,
ofron mesazhe aktuale me prirje sforcuese
edhe në aspektin kualitativ. Pa
dyshim poezia e Sevdijes është produkt
i rrethanave që kaloi kombi ynë,
është vet shtrati i këtyre venerimeve
letrare, ku ka bërë përpjekje për të
regjistruar fenomenet dhe ngjarjet që
kanë ndodhur rreth dhe në unin e saj.
“Shtegtimi është aq i ngadalshëm/ Nëpër
valët e jetës/ .../ Nga ndrojtja nuk zbehem/.../
nëpër gjurmët e mia të arrish/ Në
pikëqëndrimin ku unë pres...!”, (faqe 54).
Pavarësisht nga ajo që thuhet se
poezia është intime, poezia e Sevdijes
sikur kalon këtë eveniment pasi
ajo ka thënë edhe të përgjithshmen e
atyre, përkatësisht ka përshkruar me
sinqeritet realitetin shoqëror e politik,
dhe atë historik që kaloi kombi
ynë, për t’u bërë si një “flluskë bore që
pret lindjen e një të nesërmeje të re”.
Më shumë se sa një poezi estetike,
kjo poete ka bërë përpjekje që lexuesit
të saj t’i sjell një poezi etike e cila
me indikacione të theksuara merret
edhe me fenomenet që kenë qitur
krye viteve të fundit. Sidomos në
Kosovën e pas luftës ku atë vend të
çliruar nga një pushtues i egër klasik,
e kanë pushtuar kulturat e gjithë universit
tokësore, dhe kjo ka ndodhur
në kuadër të misionit për të ruajtur
paqen politike.
Natyrisht, Sevdija është e vetëdijshme
për misionin që ka; qoftë si poete,
qoftë si intelektuale, po më shumë si
një femër e emancipuar. Vetëdija si
një nocion etik e lidh më shumë autoren
me fatin tragjik dhe historik që
kaloi kombi ynë. Pastaj angazhimet
e saj letrare lidhen edhe me lëvizjet e
shumta soc-kulturore dhe me pasojat
e rrëmujës e rrëmetit që kalojnë të
gjitha shoqëritë në konsolidim politik,
shoqëror e kulturor. Por, poezitë
që ua kushton: gjyshit-babokit, nënës
dhe babait dëshmojnë për një etikë
kulturore e letrare karshi etërve që
na sollën deri në të tashmen tonë të
gëzuar.
Shikuar nga ky prizëm mund të
themi se poezia e Sevdijes është zë i
lidhur me lëvizjet që kalon kolektiviteti
i vet nacional dhe ai kombëtar,
tamam siç potencuam më parë, poezia
e saj është e lidhur ngushtë me
fatin dhe tragjiken historike dhe atë
sociale të kombit tonë. Duke lexuar
poezinë e Sevdijes, vërejmë se ajo si
autore thellë e ka kuptuar procesin e
sendërtimit të koncepteve, dhe lehtë
e ka pranuar jetën si një proces në
përpunim e sipër, kurse shoqërinë e
përdor si një argument për t’i pasqyruar
ndryshimet etike e psikike që po
i bënë kombi ynë.
Fryma lirike e kësaj poezie, sikur
paraqet dramën reale të femrës në
shoqëri e cila për ditë e më shumë
përballet me nënçmimin, përbuzjen
dhe injorimin dhe këto fenomene ajo
më shumë i ka ndrydhur e shtrydhur
si ndjenja personale të cilat vazhdimisht
shoqërohen me pika të ftohta
uji, shiu, a erëra të ftohta vjeshte e
dimri, fate këto që nuk e lënë atë
të dalldiset si një poete pa koncept,
madje duket se këto rrethana atë më
shumë e kanë detyruar të preokupohet
me të qenit pjesë e shoqërisë në
ndryshim në njërën anë, dhe në anën
tjetër për t’i dhënë koncept real jetës
dhe poezisë së saj: “Kur qielli ishte i
ngrysur/ Retë pa mëshirë luftonin/ E sillnin
shiun rrebesh/ Pas këtij rrugëtimi me
shtrëngata/ Bashkudhëtare me ylberin u
bëra/ Ia fala ngjyrat e arta/ Dhe ngrohtësinë
e diellit.../ Sot sërish jam këtu/
Në këtë Tokë/ Me Ty...”, (poezia, “JAM
KËTU”, faqe 60).
Vëllimi poetik “Simfoni e heshtur”
i Sevdije Rexhepit jep indikacione
të mjaftueshme për të kuptuar se
autorja ka sens poetik, ka ideshmëri
dhe ka stil për të prekur fenomene
a dukuri interesante. Dhe padyshim
me një kujdes paksa më të shtuar
në aspektin estetik dhe figurativ, ajo
mund të ndërtoj një varg edhe më të
qëndrueshëm, dhe karshi kësaj mund
të profilizoj stilin e saj krijues, për t’u
bërë pastaj një poete e kërkuar dhe
admiruar.
St. Gallen/Zvicër, tetor 2009.


Shenime per autoren




Sevdije Rexhepi (22
shkurt 1972), është lindur
dhe rritur në Gjilan të
Kosovës. Shkollimin fillor
dhe atë të mesëm i mbaroi
në qytetin e lindjes, kurse
studimet për Gjuhë dhe
Letërsi Frënge i kreu në
Fakultetin Filologjik në
Universitetin e Prishtinës
në vitin 1996. Për dy vite
(1996 – 1998), ka punuar
si mësimdhënëse e gjuhës
frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga
gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services
(si përkthyese dhe këshilltare për punë administrative dhe personel),
në kampin amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes.
Kurse nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, por
tashmë në Irak me kompaninë amerikane (KBR).
Sevdije Rexhepi, përveç poezisë dhe prozës, merret edhe
me gazetari, kryesisht shkruan reportazhe dhe udhëpërshkrime.
Ka bashkëpunuar me shumicën e shtypit shqiptar që botohet në
Kosovë dhe mërgim.
Kjo poete, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten
e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe
në anglisht.
Si natyrë; Sevdije Rexhepi është një poete sensitive, e
ndjeshme ndaj dukurive jetësore, mbron me dashuri jetën e të
tjerëve, adhuron lirinë njerëzore dhe përherë poezinë e saj e
përcjell një mesazh kuptimplotë përplot melankoli e vlera letrare.
Është prezantuar në këto antologji:
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
3. “Nënës”, Tirane 2007.
Veprat letrare:
1. “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2. “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi,
Gjilan, 2004.
Sevdije Rexhepi, jeton në Gjilan, kurse momentalisht
punon në Kopshtin e Edenit, në Irakun Qendror. (Sh. Dibrani)


SEVDIJE REXHEPI
Poezi nga libri “ORËT E MUNGESËS”


NË PRISHTINË

Po të vish
Sërish në Prishtinë
Të premtoj
Se nuk do të pendohesh
Kur të shohësh
Si gëzon jeta
Ajo e vërteta
Me këto rreze dielli
Që koha fali
Zërat gumëzhijnë
Si hoje blete
Ëndrrat rriten kudo
Edhe në krahët e fluturës
Asaj më të bukurës
Nëse...
Vjen këtë stinë
Këtu në Prishtinë.
Veç kafes që do të pimë
Të premtoj dashurinë...

DET I PAFUND

Në ballkonin e kësaj kalaje
Muratuar me gurë kohërash
Të vjetër sa dashuria
Ushqyer nëpër shekuj
Me histori ndjenjash
Ne jemi bashkë
Hëna na përgjon me lakmi
Dora jote dhe erë e detit
Flokët m’i lëmojnë
Zemrat rrahin
Me ritëm valësh
Që vijnë e shkojnë
Duke përqafuar freskinë
E mbrëmjeve të qeta
A thua
Sa tregime dashurish
Përkund në djepin tënd
Ti det i pafund.

NË SYTË E TU

Zgjuar si nga ankthi
Kthej kokën andej
Në sytë e tu të pushoj
Puthje të të fal
Në këtë agim
Edhe sot...
Kishe ikur ngadalë
Pa më trazuar
E dëshpëruar
Dorën zgjata tek jastëku yt
Kujtova çastet
Kur të shprishja flokun.

PUTHJE NË BALLË

Kur do të vish
Yjet e natës së fshehur
Do të bëjnë roje për ty
Pastaj...
Do të përvidhesh
Në dritaren e hapur
Gjumë të ëmbël të më urosh
Me ëndrra engjëllore
Kur dora jote afrohet
Mbi flokët e mia
Si fëmijën
Do të më puthësh në ballë
Me mall shumë
Ç’thotë uni im
Atëherë?
Ç’do të mendoj unë?

TINGUJ KITAREJE

Sa më ka marrë malli
Prishtinës t’ia puth ballin
Në mëngjeset e bardha
Si atëherë
Kur shkruanim
Nëpër gjethe lulesh
Vargje dashurie
Nata binte ngadalë
Përqafonte yje
Në qiell e në tokë
Në dritën e hënës
Atje nga Fontana
Puhia barte me ëndje
Tingujt e lehtë
Të një kitareje të vjetër
Me zërat e rinj çdo vit
Lulëzonte jeta
Si në përralla
Sa më ka marrë malli
Prishtinën ta pushtoj
Si dikur!

LOTI I FSHEHUR

Ecja nëpër shi
Sytë e tu i numëronin hapat
Që më largonin nga ti
Zemra më mbeti pas
Sa çudi...
As kokën nuk e ktheva
Të shikoj edhe një herë
Se nuk desha
Të ma shihje lotin.
Home item

Arkivi

Më të lexuarat